Dy xhudistet Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu janë provokuar nga shikuesit e shumtë serbë që ishin në Gori të Gjeorgjisë, ku po mbahej Liga e Kampionëve në xhudo.
Distria Krasniqi dhe Laura Fazliu, ishin pjesë e klubit turk, Galatasaray, i cili u përball me klubin serb Cërvena Zvezda. Ky i fundit humbi nga klubi turk 3:2, ndërsa fitoret vendimtare i arritën Distria dhe Laura.
Por në momentin që luftuan xhudistët e Kosovës, ka pasur thirrje “Serbia, Serbia”, ndërsa janë shfaqur edhe flamuj serbë. Shikuesit serbë, po ashtu, kanë fishkëllyer ndaj xhudisteve tona.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe trajneri i Kosovës në xhudo, Driton Kuka.
“Xhudistet tona Disi e Laura shkëlqyen në Champions League. Si formë bashkëpunimi me Galatasaray ato sot fituan të gjitha ndeshjet. Por në ndeshjen kundër ekipit të Crvena Zvezda disa huliganë i kanë provokuar sportistet tona, duke pa që atje nuk është ekipi ynë, askush prej nesh”, ka shkruar ai.