Gjithçka gati për Kampionatin e hapur Evropian të xhudos, që do të mbahet në Prishtinë.
Zëvendësministrja e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Daulina Osmani, tha se pallati i sporteve është shndërruar në arenë beteje për xhudistë.
“Pallati i Rinisë dhe Sporteve është shndërruar në arenë beteje për xhudistë nga mbarë Evropa!
Distria, Nora, Akili dhe Dardani, të udhëhequr nga Toni e Majlinda, nesër do të jenë për herë të parë para publikut vendor në një garë të nivelit elitar siç është Kampionati i Hapur Evropian i xhudos, ku përballë do të kenë kundërshtarë të fortë që kanë fituar medalje olimpike, botërore dhe evropiane.
Fëmijë e të rritur, djem e vajza, nesër kemi mundësinë të shikojmë dhe të përkrahim kampionët tanë të xhudos. Garat kualifikuese fillojnë nga ora 10:30, ndërsa duelet finale luhen nga ora 16:00. Hyrja është pa pagesë për të gjithë.
Të jemi së bashku në mbështetje të xhudistëve tanë të cilët gjithmonë na kanë krenuar, dhe ta nderojmë flamurin e Kosovës🇽🇰 për medaljet e radhës që na presin.
Kosova, Shtet i Xhudos”, ka shkruar Osmani në profilin e saj në facebook.