Kampionja olimpike, Majlinda Kelmendi, aktualisht trajnere e xhudos, ka treguar një detaj të padëgjuar deri me tash që është përballur ajo gjatë rrugëtimit si sportiste aktive.
Ajo tha se ka qenë në depresion dhe në një moment i ka thënë trajnerit Driton Kuka se nuk do të garoj më.
Kjo për një moment e ka shokuar Driton Kukajt.
Majlinda tregon se këto fjalë ia ka thënë pasi u kthye nga një garë.
“Kur jemi kthye, i kam thënë Tonin që nuk jam mirë dhe duhet ma fol. Tonit nuk iu ka prit me fol ne deri nesër, insistonte që unë mi shkru mesazh.
I kam thënë çka nëse unë nuk garoj më? Ai tha nuk ka lidhje se ke pikë boll për Olimpiadë. Jo, jo çka nëse nuk garoj unë aspak, nuk du me shku në gara, nuk jam mirë, du mi ndërpre.
Por, e mbaj mend që Tonin nuk ma ka kthyer mesazhin për gjysmë ore”, tregon Majlinda.
Kampionja olimpike thotë se kur ka qenë duke shkruar mesazhin, ishte duke qarë, momente dramatike për karrierën e saj.
“E kam ditur që e kam shokuar. Kur jam kanë duke shkruar mesazhin, jam kanë duke qarë.
Prej vitit 2019, ja kam nis me pas prapë panik, nuk kam qenë e vetëdijshme çka ka qenë. Thjesht e vëreja në momentet të caktuara nuk mbujsha mu ngi frymë dhe mbirja e duarve, nuk kuptoja se çka është duke ndodhur me mu, nuk e dija as vet që kam nevojë për psikolog”, tha ndër të tjera Majlinda.