“Ngjashëm me foton ikonike”, The Telegraph krahason foton e Laura Fazliut me të Muhammad Alisë

Xhudo

“Ngjashëm me foton ikonike”, The Telegraph krahason foton e Laura Fazliut me të Muhammad Alisë

Më: 30 korrik 2024 Në ora: 21:55
Laura Fazliu

Laura Fazliu arriti të bronztën sot në Olimpiadën e Parisit pasi mposhti kroaten Katarina Krishto me “pikë të artë”.

Ndonëse fillimisht fitorja iu dha kroates Krishto, dhe dy garueset dolën në tatami për të uruar njëra-tjetrën, gjithçka u rrotullua në pak sekonda.

Pasi gjyqtari shikoi përsëritjen e rrëzimit të Fazliut nga ana e Krishtos, vërejti se kjo e fundit kishte bërë një gabim – e kishte kapur nën rrip Fazliun, gjë që është e ndaluar në sportin e xhudos.

Kjo bëri që gëzimi të kalojë nga Krishto te Fazliu, e cila arriti kështu medaljen e saj të parë olimpike, por edhe të parën të bronztë për Kosovën në gara olimpike.

E fotoja e shkrepur pasi Krishto mendoi se e fitoi medaljen, media e madhe britanike “The Telegraph” e ka krahasuar me atë të legjendës së boksit, Muhammad Ali, kur ky e kishte mposhtur Cleveland Williams.

“Ngjashëm me një foto ikonike. Nuk është shkrepja e shkëlqyer dhe e famshme e Muhammad Alisë pasi rrëzoi në dysheme Cleveland Williamsin, por megjithatë kjo është një foto e mirë. Laura Fazliu e Kosovës me Katarina Krishton e Kroacisë në tatami”, shkroi “The Telegraph”.

Fjala është për foton ikonike të cilën e ka shkrepur fotografi Neil Leifer për “Sports Illustrated”, më 25 maj, 1965, që mund ta shihni më poshtë.

Image
Muhamed Ali

Më tej, kjo media, Kosovën e quan “vatër të xhudos”.

“Laura Fazliu ka fituar medaljen e bronztë për Kosovën në 63 kg për femra. Kjo është medalja e pestë për Kosovën në historinë olimpike, dhe të gjithë janë në garat e xhudos”, tha më tej media britanike.

Kosova ka gjithsejtë pesë medalje olimpike – tri të arta, 1 të argjendtë dhe 1 të bronztë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat