Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës i ka konsideruar si sukses të jashtëzakonshëm dy medaljet e fituara deri më tani nga xhudistët në Lojërat Olimpike që po zhvillohen në Paris.
Distria Krasniqi ka fituar medaljen e argjendtë kurse Laura Fazliu atë të bronztën, gjë për të cilën Krasniqi thotë se është rezultat i një pune të palodhshme gjatë katër viteve për këtë olimpiadë.
Krasniqi: Puna e madhe e sportistëve po shpërblehet me medalje në Paris
“Është një ngjarje shumë e madhe Lojërat Olimpike dhe emocionet në këtë ngjarje janë të pashmangshme e sidomos atëherë kur i sheh sportistët tanë duke performuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe duke na sjellë suksese dhe medalje nga këto gara. Kjo është edhe një e mirë që puna e palodhshme katër vjeçare e sportistëve tanë, trajnerëve dhe Komitetit Olimpik të Kosovës shpërblehet në këtë mënyrë me medalje. Ky ishte edhe qëllimi ynë që të marrim medalje dhe të kthehemi me medalje”, tha Krasniqi.
Duke folur për KosovaPress, i pari i KOK-ut, ka thënë se është shumë i kënaqur me dy medaljet e fituara deri më tani në Paris.
Krasniqi: Jam tejet i kënaqur me dy medaljet e fituara
“Jam shumë i kënaqur me paraqitjen e sportistëve tanë në Lojërat Olimpike ‘Parisi 2024”, mirëpo edhe më i kënaqur me rezultatet e arritura deri më tani. Siç e dini, Kosova tashmë i ka dy medalje, një të argjendtë nga Distria Krasniqi dhe një të bronztë nga Laura Fazliu, të dy nga sporti i xhudos”, shtoi Krasniqi.
Krasniqi ka shtyar se përtej anës sportive, drejtuesit e KOK-ut po e shfrytëzojnë këtë ngjarje edhe për promovimin e sportit të Kosovës duke zhvilluar takime të rëndësishme me shumë drejtues të komiteteve olimpike botërore.
Krasniqi: Lojërat në Paris po i shfrytëzojmë edhe për promovim të sportit të Kosovës
“Ne si Komitet Olimpik e shfrytëzojmë rastin që të kemi takime të ndryshme me krerët e komiteteve olimpike botërore, mirëpo jo vetëm në këtë ngjarjes mirëpo ne si Komitet Olimpik në çdo event ku marrim pjesë e shfrytëzojmë rastin që të kemi takime të ndryshme me përfaqësues të komiteteve olimpike të gjithë botës. Kjo është edhe një arsye që për shkak të lobimit të mirë që kemi bërë kemi arritur që t’i marrim Lojërat Mesdhetare ‘Prishtina 2030’”, deklaroi Krasniqi.
Për suksese e arritura në sport, Krasniqi ak thënë se shumë shtete të botës ia kanë lakmi Kosovës.
Krasniqi: Shtete të mëdha botërore ia kanë lakmi Kosovës në sport
“Kosova shihet me një sy të veçantë sa i përket sportit sepse dihet që Kosova është një prej shteteve më të reja të pranuara në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar në vitin 2014 dhe që nga atëher Kosova ka bërë paraqitje jashtëzakonisht të mirë duke fituar në çdo olimpiadë medalje. Duke filluar nga Majlinda Kelmendi në Rio, mandej në Tokio 2020 me Distria Krasniqi dhe me Nora Gjakovën dhe tani prapë me Distrian dhe me Laura Fazlun dhe gjithsejtë Kosova ka arritur t’i ketë pesë medalje olimpike që shumë shtet ia kanë lakmi”, theksoi në fund Krasniqi.
Ndryshe, Kosova do të jetë sërish sot prezentë në podium me xhudisten Loriana Kuka e cila synon të futet po ashtu në zonën e medaljeve.