Ekipi olimpik u mirëprit edhe në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, organizuar nga Kurti

Xhudo

Ekipi olimpik u mirëprit edhe në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, organizuar nga Kurti

Më: 7 gusht 2024 Në ora: 11:44
Kelmendi, Fazliu e Krasniqi

Pas pritjet shtetërore në sheshin “Xhorxh Bush” në Prishtinë për ekipin olimpik që mori pjesë në Lojërat Olimpike në Paris, ekipi u mirëprit edhe në Ballkonin e Hapur të Qeverisë, në një pritje të organizuar nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Me anë të një kumtese për media bëhet e ditur se në prani të ministrave dhe zëvendësministrave të qeverisë, deputetëve të kuvendit dhe përfaqësuesve të Komunës së Pejës, Kurti i përgëzoi edhe një herë sportistët nga zemra për medaljet dhe të gjitha momentet e paharrueshme që na kanë dhuruar, dhe u uroi suksese të vazhdueshme në të ardhmen.

Ai falënderoi të gjitha strukturat sportive dhe përfaqësuesit e institucioneve për mbështetjen dhe përkushtimin ndaj sportistëve.

Në Lojërat Olimpike Parisi 2024, Republika e Kosovës u përfaqësua nga nëntë sportistë në disiplinat e xhudos, boksit, notit dhe atletikës, të cilët fituan një medalje të argjendtë dhe një medalje të bronztë (të dyja në disiplinën e xhudos), duke e çuar në pesë numrin e përgjithshëm të medaljeve olimpike nga pjesëmarrja në tri olimpiada, Rio 2016, Tokio 2020 dhe Paris 2024.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat