Trajneri i njohur i xhudos, Driton Kuka ka paralajmëruar për pensionimin e xhudistet, Nora Gjakova.
Pas pensionimit të Loriana Kukës, sipas trajnerit, edhe Nora mund të merr këtë vendim, por për të vazhduar hapat e Majlinda Kelmendit, pra për t’u bërë trajnere e këtij sporti.
“Meqenëse, Loriana ka ardhë të jetojë në Kosovë nga Zvicra qysh në vitin 2016, ajo do të kthehet prapa në vendin ku ajo ka lindur, është mbesa ime, por ajo ka lindur në Zvicër, e nuk do të mbetet në xhudo. Jemi duke i shikuar mundësitë, pasi Nora tani ka shkuar në pushim, edhe Nora do t’i hekuros kimonat si sportiste, dhe do të vazhdojë tutje si trajnere, nëse e ka dëshirën dhe vullnetin. Patjetër që ajo ka vend në ekipin tim të trajnerëve, siç kishte edhe Majlinda”, u shpreh Kuka në Sports Show.
Po ashtu trajneri tha se në ciklin e ri të olimpikës, do të kenë më të vështirë pa këto sportiste të jashtëzakoshme.
“Kështu që do të jemi të hendikepuar në ciklin e ri olimpik, do të jetë sfidë e madhe që të ndërtojmë sportista të kalibrit të Norës e Lorianës”, tha Kuka.
Nuk la pa lavdëruar edhe xhudisten më të re, e që solli një medalje në shtëpi.
“Në fakt kompenzimin më të mirë të Majlindës e ka bërë Laura, një emër i ri për të cilën është olimpiada e parë, e cila e ka konfirmuar mungesën e Majlindës me medaljen e saj të parë olimpike”.