Xhudisti i njohur, Akil Gjakova, është parë sot duke hyrë në Gjykatën Themelore në Pejë për seancën e tij të parë, ku përballet me akuzën për dhunë në familje.
Prokuroria Themelore në Pejë ngriti aktakuzë ndaj xhudistit Akil Gjakova nën dyshimin se ka kryer veprën penale “dhunë në familje”.
Ai akuzohet për dhunë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij, Suela Gjakova. Aktakuza është ngritur më 19 dhjetor 2024.
Bazuar në aktakuzën që e ka siguruar Insajderi, thuhet se aktetet e dhunës përfshijnë kërcënime verbale, dhunë psikologjike dhe fizike.
Ngjarjet janë raportuar të kenë ndodhur brenda banesës së tyre në Pejë që nga viti 2023 deri në prill të 2024-ës.
I pandehuri ka ushtruar dhunë dhe ka bërë kërcënime të tilla si: “Kam me ta nxi jetën,” dhe “Kam me të mbytë.”
Viktima, bashkëshortja e xhudistit ishte ndier e kërcënuar dhe në rrezik për shkak të dhunës së përsëritur.
Në aktakuzë përmendet se si ai e kishte grushtuar bashkëshorten e tij.