Xhudo dominon çmimet në "Laureatët 2024"

Xhudo

Xhudo dominon çmimet në "Laureatët 2024"

Më: 25 shkurt 2025 Në ora: 22:44
Xhudo dominon çmimet në "Laureatët 2024"

Vlerësimet e xhudistëve kanë dominuar ceremoninë "Laureatët 2024" të organizuar nga Komiteti Olimpik i Kosovës.

Distria Krasniqi është shpallur "Sportistja e Vitit," ndërsa xhudisti Akil Gjakova është shpallur "Sportisti i Vitit." Sidorela Dodaj ka fituar titullin "Shpresa Olimpike 2024" në konkurrencën e femrave, Laura Fazliu është nderuar me Çmimin Special, ndërsa Driton Kuka për të nëntin vit radhazi ka fituar çmimin si trajneri më i suksesshëm i vitit.

Por çmime ka pasur edhe për protagonistë të sporteve të tjera. 

Kombëtarja e vajzave në hendboll është shpallur më e suksesshmja për vitin 2024, pasi është afër kualifikimit për Kampionatin Botëror 2025.

Gjithashut edhe Kombëtarja e Kosovës në futboll është shpallur Kombëtarja më e suksesshme për vitin 2024 në konkurrencën e meshkujve.

Edon Zhegrova, i cili ka përjetuar vitin më të suksesshëm në karrierën e tij, duke arritur rezultate të jashtëzakonshme me klubin Lille dhe kombëtaren e Kosovës, ka marrë çmim special.

Me çmime për kontribut në gazetari sportive janë vlerësuar edhe Dëfrim Methasani nga RTSH dhe Lulzim Shala nga Radio Kosova. 

Pas marrjes së çmimit, xhudistja Distria Krasniqi ka thënë se është e motivuar për të arritur medaljen e tretë olimpike në Los Angeles. "Po ndihem shumë e motivuar për ta marrë medaljen e tretë olimpike në Los Angeles. Ndoshta është shumë herët për të folur, sepse janë përpara tri vite dhe sportit nuk i dihet, por unë e di që do të punoj shumë në përfaqësimin e Kosovës me krenari dhe dinjitet", ka thënë Krasniqi.

Ndërsa Akil Gjakova ka shprehur krenarinë për arritjet e tij dhe punën e palodhur. 

"Jam krenar për arritjet. Rezultatet nuk i kam të rastësishme, por prej punës së madhe. Krejt puna nën vite besoj që do të shpërblehet në Los Angeles 2028, ku do ta bëj Kosovën krenare si mashkulli i parë me medalje olimpike."

Kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Ismet Krasniqi, vlerësoi vitin 2024 si një vit të jashtëzakonshëm për sportin kosovar, duke theksuar sukseset dhe përkushtimin e sportistëve në arenën ndërkombëtare. "Viti që e lamë pas, 2024, ka qenë i mbushur me emocione, me angazhim të palodhur dhe mbi të gjitha me arritje që do të mbesin përherë të shënuara në historinë e sportit të Kosovës", ka thënë Krasniqi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat