Pretendenti për postin e presidentit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka ritheksuar edhe në tubimin zgjedhor të AAK-së në Gjakovë se kufijtë e Kosovës nuk do të preken, teksa ka premtuar se Kosovën do ta fuqizojnë ekonomikisht në rast të ardhjes së tyre në pushtet.
“Kufijtë e Kosovës me Serbinë janë ata të 99-ës, janë kufijtë e 2008-ës, 17 shkurtit, dhe do të mbeten ashtu për jetë e mot”, ka thënë Haradinaj.
“Është gabim me shtru pyetje e me hapë çështje që kanë të bëjnë më kufi. Është e pa kohë, është e parend dhe nuk ndihmon”.
“Janë ba 21 vjet nga liria e vendit tonë dhe ne duhet të jemi seriozë”.
Haradinaj po ashtu premtoi se në rast të ardhjes në pushtet, AAK-ja do ta bëjë Kosovën fuqi ekonomike të rajonit, duke premtuar që ta nxjerrë nga kriza e shkaktuar nga pandemia e kovidit.
“Problemin e parë e kemi ekonominë që osht në krizë. Pandemia ka shkaktu krizë dhe ne duhet me ndërhy me një fond emergjent”.
“Ne e kemi bërë planin financiar si me e ndalë ramjen ekonomike, si me rikthy rritjen ekonomike, si me i rihapë vendet punës që i mungojnë Kosovës, me i rritë pagat jo vetëm ashtu si e ka parapa ligji i pagave të cilin edhe po e mbajnë diku në sirtar – që do ta rikthejmë dhe do ta vejmë në fuqi si ligj të pagave, por edhe rritjen e pagave sic e parasheh rritja ekonomike që duhet t’jetë 5 për qind për t’gjithë”.
“Ajo që na intereson neve ka të bëjë me pagën minimale. Nuk guxojmë ta lëmë qytetarin tonë nër 300 euro pagë minimale.