Kryetari i Nismes Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka deklaruar para qytetarëve të Gjakovës se partitë rivale po e kopjojnë këtë parti. Sipas tij, partitë kanë agjenda dhe fushata të tjera mirëpo janë duke kopjuar, derisa thotë se vendi është ndërtuar nga e kaluara.
Ai ka thënë se Kosova ndodhet në një udhëkryq të madh, e kapluar me lloj-lloj ofertash.
Limaj ka deklaruar në këtë tubim elektoral se zgjedhjet janë momente kritike për t’ia dhënë Kosovës drejtimin për 100 vitet e ardhshme.
“Fushata elektorale nuk është një garë, një ndeshje futbolli. Është më tepër se kaq. Më 14 shkurt ka një garë tjetër se kujt do ja besoni përfaqësimin e tyre në Parlament. Qytetarët e Kosovës dhe të Dukagjinit duhet të kenë sigurinë e këtij shteti. Gjithë Dukagjini e Kosova presin që të zbardhet fati i të pagjeturve. Ata që janë lodhur për 20 vjet duhet të vijnë në Gjakovë për të parë se Gjakova ka ende plagë që nuk janë shëruar ende”, ka thënë Limaj.
Ai u ka bërë thirrje gjakovarëve që t’i votojnë përfaqësuesit e tyre, pasi ata ndajnë dhimbje dhe vuajtje me qytetarët e këtij qyteti.