Në Zvicër, rinia shqiptare sot po afirmohet, duke mbushur Universitetet e Zvicrës.
Tre dekada më parë, numri i studentëve shqiptarë që studjonin nëpër Universitetet e Zvicrës ishte minimal, numëroheshin me gishta dhe shumica vinin nga Shqipëria, ndërsa sot e kemi për krenari të themi se rinia shqiptare në Zvicër masivisht ndjek edukimin e lartë dhe dallohet për suksese dhe arritje. Ata janë sekondos, por mrekullisht të integruar, janë zviceranë, ndërkohë nuk i harrojnë kurrë rrënjët nga vinë.
Njëri prej tyre është Rron Mazrekaj që posa u diplomua për ekonomi me Bachelor of Arts në HSG.
HSG është akronimi i Universitetit St Gallen.
Universiteti i St. Gallenit ( Hochschule für Wirtschafts-, Rechts- und Sozialwissenschaften sowie Internationale Beziehungen (HSG) i krijuar më 1898 ndodhet në Rosenberg, mbi një kodër të vogël, në qytetin zviceran të St. Gallen.

Krahasuar me universitetet e tjera zvicerane, Universiteti i St. Gallen është një nga më të vegjlit, por fakulteti i tij i ekonomisë është më i madhi dhe me shumë reputacion në të gjithë zonën gjermanishtfolëse. Universiteti është publik dhe varet nga kantoni St. Gallen. HSG është pjesë e AACSB dhe EQUIS, ndër të tjera, si dhe e CEMS, PIM, APSIA dhe Internationale Bodensee-Hochschule.
Universiteti i St Gallenit është një nga më prestigjiozët e Europës. Në vitin 2021 u rendit në vendin e gjashtë në rrang Europe, në Zvicër është Universiteti kryesor i biznesit, nga bangat e të cilit kanë dalë plot emra të shquar.
Pikërisht fakultetin e ekonomisë përfundoi me sukses të plotë edhe Rron Mazrekaj, i cili tani do të vijojë masterin në të njëjtin universitet.
Voal.ch i uron Rron mazrekajt suksese të pafundme dhe po ashtu edhe të gjithë studentëve shqiptarë që po na e zbardhin faqen.
Ishte një herë e një kohë, jo shumë larg, kur komuniteti shqiptar përmendej veç si shembull i keq. Namin e keq na e hoqën së pari djemtë shqiptarë të përfshirë në kombëtaren e Zvicrës.
Dhe e mira nuk ndalet kur nëpër institucionet e dijes diplomohet dhe edukohet rinia shqiptare, si zviceranë dhe si shembull i diasporës shqiptare për t’u krenuar!