Haradinaj në Zvicër: Diaspora do të jetë krah i fortë i ndryshimit që do të ndodh më 9 shkurt

Zvicra

Haradinaj në Zvicër: Diaspora do të jetë krah i fortë i ndryshimit që do të ndodh më 9 shkurt

Më: 29 shtator 2024 Në ora: 17:33
Foto nga vendi i ngjarjes

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka njoftuar për një “tubim madhështor” në Bern të Zvicrës.

Para shumë të pranishmëve atje, ai tha se e elaboroi “situatën e tanishme”.

“Në një tubim madhështor në Bern të Zvicrës, mes vëllezërve e motrave tona, bashkëbiseduam hapur për sfidat që i ka Kosova dhe nevojat e saj në këto rrethana jo të lehta. Para tyre e elaborova hapur situatën e tanishme, situatë që përcillet me brengosje nga secili shqiptar kudo që është”, shkroi Haradinaj në një postim në Facebook.

“Rrugëtimi momental i Kosovës është i gabuar, ai duhet të marrë kahje tjetër. Kosova duhet të marrë disa hapa të vërtetë për të ecur përpara. Vizioni i Aleancës dhe partnerët e saj në koalicion, Kosovën e rikthen në perspektivën e saj për anëtarësim në NATO, zhvillim ekonomik e për ta bërë vend të jetueshëm e jo të braktisur. Anëtarësimi në NATO është frymëmarrje e lirë për secilin qytetar dhe hapi i cili e siguron lirinë tonë”, shtoi ai.

Ai tha se motoja e AAK-së është “Për një Kosovë ndryshe”, ndërsa përmendi katër shqyllat e programit të tij.

“Aleanca del para qytetarëve të saj me një moto të thjeshtë e të kuptueshme; “Per një Kosovë ndryshe”. Për një Kosovë, për të cilën është punuar ndër breza dhe janë burgosur dhe e kanë dhënë jetën mijëra luftëtarë e patriotë. Vizioni ynë i shprehur në program për ta patur një Kosovë ndryshe, një Kosovë më të plotë, më sovrane, më të fortë, më demokratike e më të zhvilluar, qëndron mbi 4 shtylla: A. Anëtarësimi urgjent i Kosovës në Nato; B. Zhvillimi i hovshëm Ekonomik; C. Përmbyllja e Dialogut me Serbinë me njohje reciproke dhe integrim në BE; D. Kosova shtet i jetueshëm e jo i braktisur”, shkroi Haradinaj.

Kryetari i AAK-së tha se iu drejtua atyre në Zvicër “duke i shikuar secilin sy më sy dhe i garantova një përkushtim e shërbim ndaj Atdheut”.

“Diaspora do të jetë krah i fortë i ndryshimit që do të ndodh më 9 shkurt. Jemi bashkë për Kosovën ndryshe!”, shkroi Haradinaj.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat