„Jeta është tepër e shkurtë për t'u zemëruar dhe për të qenë negativë. Jetoni hareshëm, qeshni sa më shumë dhe mundohuni ta shijoni jetën me të dashurit e juaj. Një ditë do t’ju mungojnë – sepse për fat të keq, secili nga ne, një ditë do të ikë nga kjo botë“, na tha ndër të tjera z.Cuculi.
Diaspora shqiptare në Zvicër, dikur shquhej, kryesisht, për punëtorët e shkathët, me trup të mërguar e me shpirt të rrënjosur në atdhe. Sot, atë e karakterizojnë intelektualët e fushave të ndryshme elitare. Kjo kategori qytetarësh shqiptaro-zviceranë, me të arriturat e tyre profesionale, e bëjnë atdheun shumë më fisnik në sytë e shtetit pritës. Një personalitet nga fusha e mjekësisë, i cili na bën krenarë me punën e tij, duke shpëtuar jetë, është kardiokirurgu i mirënjohur Prof.dr. Florim Cuculi, i cili me gjithë angazhimet e tij, rezervoi kohë që ti nënshtrohej një intereviste ekskluzive për redaksinë e HelveticAlForum.ch. Prof. Dr. Florim Cuculi është emër i njohur, jo vetëm për ne, shqiptarët, zviceranet, por nga e gjithë bota. Ai ka marrë pjesë nëpër shumë takime e ligjërata të ndryshme, por edhe ka ushtruar profesion nëpër shtete të ndryshme të botës. Nuk mundem ta fsheh krenarinë që ndjeva gjatë bashkëbisedimit edhe kësaj here në një intervistë ekskluzive. Para shumë viteve e patëm vizituar në spital, duke punuar.
Sapo kishte dalur nga salla e operacionit dhe i lumtur që e shpëtoi edhe një jetë njeriu. I buzëqeshur, shumë i qetë, i dashur, kombëtar e shumë i lidhur me vendin e të parëve të tij, Uskana, të cilën e përmendë shpesh. Me nje familje të mrekullueshme, i edukuar nga prindër të zellshëm.
Shumë i lidhur edhe me prindërit, ndarja nga jeta e nënës së tij, para pak kohësh, e ka mërzitur shumë. Të gjithë e dimë se edhe nëna e doktorit ishte krenare që kishte rritur një bir, për të cilën nuk ishte krenare vetëm ajo. Ka shumë miqësi gjithandej. Duan shumë të rrinë me doktorin, sepse mbi të gjitha është modest e me karakter fisnik.
Doktor Cuculi, kemi pasur rastin të realizojmë intervistë me ju para disa viteve, kështu që kësaj radhe po ndalemi në disa pyetje paksa më ndryshe. Jeni edhe profesor universitar. Ku e keni gjetur sekretin e gjithë kësaj energjie pozitive?
Ju falënderoj shumë për këtë intervistë! E mbaj mend që kam pasur përkrahjen tuaj personale që nga fillimet e mia si mjek. Për këtë ju jam mirënjohës.
Është e vërtetë që jam tepër i angazhuar dhe ndonjëherë edhe unë e pyes veten se ku e marr gjithë këtë energji. Unë konsideroj që kam profesionin më të mirë në botë. Të jesh mjek është shumë më shumë se të bësh një punë për të marrë një rrogë. E ke barrën e përgjegjësisë mbi krahët e tu, por e ke edhe dashurinë nga pacientët e tu. Kur arrin ta motivosh dhe ta çosh përpara stafin (unë jam drejtor i klinikës së kardiologjisë), kjo të motivon pa masë. Kështu e gjen edhe kohën edhe dëshirën të bësh punën që bëj unë.
Ju kujtohet sa ndërhyrje në zemër i keni bërë brenda një viti?
Unë, personalisht i bëj përafërsisht 500-600 intervenime në vit. Një pjesë e bëj si operator primar, e një pjesë tjetër si koleg, duke asistuar doktorët në stafin tim. Sikur mos të isha bërë doktor, ndoshta do të isha bërë mësues. Më pëlqen ta përcjell dijen dhe aftësinë time te gjeneratat e reja.
Profesor, jeni i njohur për stentat në zemër. Sigurisht se ka shumë lloje të stentave. Cilat janë më të mira në cilësi?
Unë kam implantuar me mijëra stenta në karrierën time dhe stenti, shpeshherë, shpëton jetë. Unë përdor stenta të cilat janë dëshmuar si efikase dhe të sigurta në studime të kontrolluara.
“Kohën e fundit përdorim shumë ballona me ilaç (drug coated balloons)”
Një stentë e implantuar, sa ka jetëgjatësi?
Kjo është pyetje shumë me vend. Stenta është trupth i huaj dhe i tillë mbetet për të gjithë jetën. Është e ditur që stentat mund të mbyllen përsëri. Prandaj, ne duhet të mundohemi të implantojmë sa më pak stenta – sidomos te moshat e reja. Kohën e fundit përdorim shumë ballona me ilaç (drug coated balloons). Qëllimi është që të mos mbushen arteriet me stenta, duke ditur që në aspektin afatgjatë, stenta nuk është terapi ideale.
Me të madhe shohim se njerëzit kanë probleme me zemër, e rrjedhimisht nevojë për stenta. Pse, sipas jush, po ndodhin këto?
Stili i jetës luan rol të rëndësishëm. Për fat të keq, një pjesë e madhe e popullatës sonë nuk ka stil të shëndoshë të jetesës. Këtu luan rol tymosja e duhanit, e cila te shqiptarët ka përmasa alarmante. Por, këtu luan rol edhe ushqimi (sidomos sasia, por edhe cilësia) dhe fakti që nuk merremi shumë me aktivitet fizik. Unë, këtu në Zvicër, kam pacientë 80 vjeçarë shqiptarë dhe zviceranë. 80 vjeçarët zviceranë janë më vitalë, sepse zakonisht janë më të lëvizshëm dhe kujdesen më shumë për shëndetin e tyre. Duhet ti marrim shembull bashkëvendësit tanë këtu dhe ta kopjojmë pak stilin e tyre të jetës.
“Mos tymosni duhan!”
Çka na kishit udhëzuar që të mos kemi problem?
Këshilla kryesore: mos tymosni duhan! Këshilla e dytë: luftoni mbipeshën. Këshilla e tretë: lëvizni në natyrë! Kjo ju mbanë të shëndetshëm.
E di se keni bashkëpunim edhe me spitalet tona në atdhe. Sa herë në vit shkoni për ti ndihmuar?
Më herët kam shkuar më shpesh. Kohën e fundit, më pak. Jam i angazhuar shumë këtu dhe nëpër botë. Po ashtu, mungon, ndoshta, edhe bashkëpunimi institucional. ATy duhet të punojmë më shumë.
Keni ndihmuar shumë mërgimtarë. Shumë prej tyre, me të kuptuar se do të kem një intervistë me ju, kanë shprehur faldnderime për ju. Si ndjeheni kur shpëtoni jetë?
Unë mundohem të jem një kardiolog i mirë dhe natyrisht se ndodhë që pacienti të jetë i rrezikuar nga vdekja dhe është ndjenjë e bukur ta shpëtosh.
Jeni një nga mjekët më të njohur shqiptarë dhe Drejtor i Klinikës së Kardiologjisë në Heart Center Lucern. Pa dyshim se është dashur shumë përvojë dhe rezultate pozitive që të arrini aty ku jeni.
A kemi edhe doktorë të tjerë shqiptarë aty ku punoni?
Në spitalin ku punoj, deri këtë vit e kishim Dr. Edin Nevzatin, Neurokirurg shumë i suksesshëm. Ai, për fat të keq, u largua për në Amerikë. Kemi një doktor në radio-onkologji (Dr. David Kurti) dhe po ashtu, në spitalin e Sursee kemi anestezisten dhe specialisten e mjekësisë intensive, Dr. Florije Jusufi.
Jeni frymëzim për gjeneratat e reja. Cila do të ishte porosia juaj për ata që duan të studjojnë mjekësinë?
Është profesion tepër i bukur. Kërkon angazhim dhe pasion, por nuk ka profesion tjetër, i cili ta kënaqë shpirtin më shumë se ky.
Do të kishit dashur që edhe fëmijët tuaj të merreshin me mjekësi?
Fëmijët duhet të bëjnë atë që kanë dëshirë. Këtu, aspak nuk dua të ndikoj në formimin e tyre. Do të doja që të zgjedhin një profesion që i plotëson shpirtërisht, siç më ka plotësuar mua mjekësia dhe kardiologjia. Stenta vendoset brenda një arterie, si pjesë e një procedure të quajtur angioplasti.
Sa zgjatë vendosja e një stente?
Kjo varet shumë sa i komplikuar është rasti. Mund të zgjasë 20 minuta, por edhe 5 orë.
Cila moshë është më e rrezikuar?
Rreziku për infarkt rritet me moshën, por për fat të keq, infarkti i zemrës mund të ndodhë edhe në moshë të re. Sipas mendimit tim, një nga faktorët kryesorë është tymosja e duhanit.
Çfarë kontrollash duhet bërë një person që të dijë se si është gjendja e tij me zemrën?
Duhet të flasë me një mjek dhe të bëjë kalkulimin e rrezikut të tij (analiza të gjakut, anamnezë, histori familjare, etj). Pastaj vendoset se cila kontroll ka më shumë kuptim.
Mund të përdoren stentat për të trajtuar sëmundjen e arterieve karotide?
Mundet, por këtë, unë nuk e bëj. Në fakt, metoda e preferuar është intervenimi kirurgjik, i cili quhet endarterektomi. Rezultatet afatgjata janë më të mira.
Na thuani, si është gjendja e spitaleve tona në atdhe, qoftë në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut, sa i përket sektorit tuaj, pra për stenta?
Shihni, unë nuk dua ti kritikoj kolegët e mi, të cilët punojnë në rrethana shumë më të vështira, në krahasim me rrethanat në të cilat punoj unë. Njëkohësisht, jam i njoftuar për problemet që ekzistojnë. Por, faji nuk është vetëm i mjekëve. Është sistemi, qeveritë, mjekët, por ndonjëherë edhe pacientët. Sidoqoftë, patjetër duhet të bëjmë me shumë që të kemi një kardiologji cilësore edhe në vendlindje.
Profesor, keni studentë shqiptarë, të cilëve u ligjeroni?
Po, kam shumë. Kam edhe studentë shqiptarë që bëjnë punimin master tek unë e po ashtu edhe doktoratën.
Kam dëshirë të bëj edhe shumë pyetje të tjera, por po e kuptoj se keni punë të tjera. Ju falënderoj shumë! Na jepni një porosi për një zemër të shëndoshë për lexuesit tanë!
Jeta është tepër e shkurtë për t'u zemëruar dhe për të qenë negativë. Jetoni hareshëm, qeshni sa më shumë dhe mundohuni ta shijoni jetën me të dashurit e juaj. Një ditë do t’ju mungojnë – sepse për fat të keq, secili nga ne, një ditë do të ikë nga kjo botë. Këtë e them, sepse në prill, pas një sëmundjeje të shkurtë, vdiq nëna ime në moshën 70 vjeçare. Vitin e kaluar, në këtë kohë, ajo ishte shumë e shëndetshme dhe duke punuar pa u ndalur. Prandaj, jetoni jetën! Gëzuar e Bekuar 28 nëntori, Festa e Flamurit të të gjithë shqiptarëve!