Në Gjenevë të Zvicrës u mbajt mbrëmje festive në nderim të tri ngjarjeve madhore

Zvicra

Në Gjenevë të Zvicrës u mbajt mbrëmje festive në nderim të tri ngjarjeve madhore

Nga: Arif Ejupi Më: 1 dhjetor 2024 Në ora: 18:36
Foto nga vendi i ngjarjes

Komuniteti Shqiptar i Gjenevës, që nga ekzistimi i tij e deri në ditët e sotme në mesin e shumë ngjarjeve dhe festave tona kombëtare, pikë të veçantë të programit e ka pasur dhe do ta ketë shënimin e Përvjetorëve të Shtetit Shqiptar dhe Ditën e Flamurit.

Këtyre dy jubileve të mbarë popullit shqiptar u është shtuar edhe ditëlindja e Komandantit të papërsëritshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, që ka rastisur të jetë pikërisht në Ditën e Flamurit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë.

Mërgimtarët tanë me punë dhe banim në Gjenevë të Zvicrës, pavarësisht bindjeve të tyre politike dhe fetare me rastin e këtyre festave tona të veçanta përherë kanë qenë dhe janë tok me njëri- tjetrin.

Image
Nga vendi i ngjarjes

Ata të veshur kuq e zi dhe si gjithmonë të hareshëm edhe kësaj radhe kanë festuar deri në orët e vona të natës. Kjo festë që pritet me padurim nga të moshuar dhe të rinj, është mbajtur në sallën e koncerteve të komunës Onex të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, dhe ka filluar me intonimin e himnit të Flamurit tonë kombëtar.

Kurse pjesën protokollare të këtij Manifestimi e ka hapur zonja, Rrezarta Sejdiu -Shatri, anëtare e Kryesisë së shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës “

Ajo nëpërmjet një studimi të përmbledhur në pika të shkurtra të pranishmit i ka njoftuar me rrjedhën e zhvillimeve historike, si dhe me aktet kryesore që kanë çuar në Pavarësinë e Shqipërisë, edhe pse të përgjysmuar.

Mbi përpjekjet shekullore të kombit tonë për Liri dhe Pavarësi ka folur edhe zonja, Floreta Kabashi, konsulle e përgjithshme e Republikës së Kosovës, në Gjenevë.

Ajo, diskutimin e saj e ka bërë edhe në gjuhën frënge me ç’ rast ka falënderuar deputet e personalitete të shumta të Gjenevës, që sonte festuan së bashku me komunitetin tonë.

Fjalë rasti kanë mbajtur edhe zonjat, Maryam Yunus Ebener dhe Carole – Anne Kast, aktiviste të njohura politike të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës . Ato me fjalët më të ngrohta kanë uruar të gjithë shqiptarët . Zonja, MaryamYunus Ebener, aktualisht kyetare e Bashkisë Onex, të gjithë të pranishmëve u është drejtuar edhe me fjalë në gjuhën shqipe, duke thënë: Urime, urime Festa juaj kombëtare! Me Ju,ishte edhe shteti im i origjinës Afganistani, që në mesin e vendeve të para të botës njohu Pavarësinë e Kosovës .

Në këtë Festë që të gjithëve na bënë krenarë ishte prezent edhe Z. Ueli Leuenberger, mik i madh i çështjes shqiptare . Leuenberger 50-vjet rresht luftoi për

Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të shqiptarëve të robëruar të Kosovës. Andaj, ai nga çdo familjeje e komunitetit shqiptar të Zvicrës, gëzon përkrahje dhe respekt.

Nxënës e nxënëse të Shkollës së Mësimit Plotësues në Gjuhën Shqipe, në Gjenevë, të shoqëruar nga mësueset e tyre si; Brikena Osmani, Lumnije Emini, Hana Bilalli, Hyrije Kurteshi, Fatime Bllaca dhe Antigona Haxhiu, kanë deklamuar vargje dhe kanë interpretuar këngë të ndryshme kushtuar figurave më të ndritura të kombit tonë.

Mësuese, nxënës e prindër për angazhimin dhe pjesëmarrjen në këtë program festiv i ka falënderuar z. Liburn Mehmetaj, kryetar i LAPSH-it, në Gjenevë dhe Zvicër. Mehmetaj, po ashtu në Gjykatën e Apelit të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës, e kryen detyrën e Gjykatësit.

Gjeneva e njohur me numrin e madh të mërgimtarëve shqiptar shquhet me talent të shumtë dhe shoqëri muzikore . Ansambli “Gëzuar “i Gjenevës, herë me ngritje e herë me rënie, vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes së adhuruesve të këngëve dhe valleve tona burimore.

Ky Ansambël me suksese të shumta në të kaluarën së bashku me simotrën e tij “Rinia Contact” po ashtu të Gjenevës, sonte kanë prezantuar përpara një numri prej diku njëmijë mërgimtarësh valle të bukura të të gjitha trojeve tona.

Si rëndom me repertorin e pasur të këngëve me temë Atdhetare, këtë festë e kanë madhëruar bashkëshortët, Shpejtim dhe Afërditë Krasniqi, të plotësuar edhe nga çuni i tyre, Elion Krasniqi, një talent i rrallë në fushën e këndimit në gjuhën shqipe dhe frënge.

Kurse të ftuarit special të kësaj mbrëmje; Egzon Pireci, Ejona Bytyçi, Florentina Statovci, Bardh Ramadani, Loik Beka dhe instrumentisti Alban Bislimi, e kanë ndezur atmosferën me interpretim të këngëve patriotike, duke filluar nga epoka e Kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti- Skënderbeu, e deri tek komandantët legjendarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Adem Jashari, Zahir Pajaziti , Hakif Zejnullahu, Edmond Hoxha, Luan Haradinaj, Ilir Konushevci, Fehmi e Xhevë Lladrovci, Ismet Kumanova, Indrit Cara-Kavaja, Abedin Rexha, Agim Ramadani , Sali Çeku etj.

Po ashtu me afsh e dashuri i është kënduar edhe Flamurit kuq e zi, për të cilin u flijuan Fazli Grajçevci, Shaban Shala, Metush Krasniqi, Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, Ukshin Hoti dhe plejada e organizatorëve të demonstratave të vitit 1968, në krye me të pathyeshmin Adem Demaçi, fitues i çmimit “Saharov” më 4 dhjetor të vitit 1991.

E, shtatë vjet më vonë me këtë çmim prestigjioz nga Parlamenti Evropian, është nderuar edhe Dr.Ibrahim Rugova, lider shpirtëror i shqiptarëve të Kosovës.

Programin e kësaj mbrëmje festive e ka begatuar edhe Grupi muzikor “ Hareja” i krijuar së voni në Gjenevë, i cili është paraqitur me këngë korale.

Këtë festë që do të kujtohet gjatë e ka bërë edhe më të pasur prania e disa studentëve me origjinë shqiptare, të porsa diplomuar në shkallën Master, në Fakultete të ndryshme të Universitetit shtetëror të Gjenevës, gjegjësisht të atij të Lozanës.

Në fakt gjatë vitit akademik 2023- 2024 në disiplina të ndryshme në Universitetet e sipërpërmendura kanë diplomuar 41 veta . Mirëpo, për shkak të angazhimeve dhe zënies me punë rreth 30 veta kanë munguar. Duhet theksuar që të gjithë jetojnë në Gjenevë dhe janë të lindur në fund të viteve 90- të.

Këta të rinj që nga viti në vit po na bëjnë krenarë me arritjet e tyre akademike, motivim edhe për gjeneratat e ardhshme, janë nderuar me mirënjohje nga shoqata jofitimprurëse Komuniteti Shqiptar i Gjenevës.

Këto mirënjohje janë ndarë nga inxh.Ali.Sh.Mehmeti , i cili më 13 prill të vitit 2013, inicio krijimin e shoqatës joqeveritare “ Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”

Me këtë rast kanë rënë në sy vëlla e motër Albin dhe Jeta Mehmeti,të diplomuar me nota të larta në Arkitekturë, përkatësisht Farmaci.

Një arritje tjetër që është për t’u vlerësuar është edhe ajo e z.Granit Molliqaj, i cili kohë më parë në Universitetin e Gjenevës, e ka mbrojtur temën e doktoratës në fushën e neurokirurgjisë.

Para përfundimit të këtij solemniteti kemi marrë edhe mendimin e zotit, Nasuf Nuhiu, kryetar i tanishëm i shoqatës “Komuniteti Shqiptar i Gjenevës”

Z.Nuhiu, punëtor i dalluar sindikal dhe organizator i shkëlqyeshëm, që asnjëherë nuk imponohet nga zemra ka falënderuar Klube dhe Shoqata të Gjenevës, që pa hezituar kanë ndihmuar realizimin e këtyre tri festave tona kombëtare.

Moderatorë apo drejtues të këtij Jubileu të rëndësishëm kanë qenë të rinjtë, Artina Fejzullahu dhe Mal Bislimi.

Manifestimi ka përfunduar pa eksesin më të vogël, gjë që dëshmon edukimin e mirë dhe disiplinën në rritje të të rinjve tanë.

commentFirst article
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat