Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern të Zvicrës, u bë promovimi i dy veprave të rëndësishme letrare

Zvicra

Në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern të Zvicrës, u bë promovimi i dy veprave të rëndësishme letrare

Nga: Arif Ejupi Më: 16 dhjetor 2024 Në ora: 11:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Mbrëmë në sallën qendrore të Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bern të Zvicrës, u bë promovimi i librit në vargje “ Të fluturosh atje ku nuk ishe” i autores Miradije Kurtishi – Maliqi dhe i romanit “ Hanna” i krijueses së re Fatmire Zeneli Sopa.

Fillimisht mbi 50- të, vetave dashamirës të zjarrtë të fjalës së shkruar artistike u është drejtuar zonja Shukrije Ramadani, zëvendësamasadore e Republikës së Kosovës në Bern.

Zonja , Ramadani duke i dëshiruar secilit mirëseardhje pahumbur kohë ka prezantuar të gjithë krijuesit që ishin të paraparë për leximin e vargjeve të tyre, apo vlerësimin kritik të veprave në fjalë.

Pastaj, fjala i është dhënë zonjës , Monika Zguro, aktualisht ushtruese e detyrës së Ambasadorit fuqiplotë të Republikës së Shqipërisë në Bern të Zvicrës.

Zonja, Zguro të gjitha ngjarjet që janë në funksion të gjuhës dhe kulturës sonë i çmon lartë. Ndër të tjera ajo uron që kjo traditë e promovimit të letërsisë dhe kulturës sonë të vazhdohet edhe në të ardhmen, jo vetëm në Zvicër, por në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarët .

Image
Foto nga vendi i ngjarjes

Ndërkaq ,zonja Shqipe Bytyqi veprimtare e dalluar dhe autore e disa librave me poezi nëpërmjet dhembjes dhe emocioneve të pa përshkruara ka folur mbi jetën dhe krijimtarinë letrare të autores së njohur Miradije Kurtishi- Maliqi,e cila vdiq më 24 maj të vitit 2023.

Meqenëse, zonja Maliqi ka lënë pas vetes 14 – të, libra në poezi dhe prozë, si dhe disa dokumentar, ku ajo ka qenë bashkautore dhe skenariste e tyre, ishte e pamundur që në këtë mbrëmje me kohë të kufizuar t’u bëhet analizë veç e veç.

Maliqi deri në çastet kur u nda nga jeta nuk pushoi s’ shkruari . Ajo prozën dhe poezinë i kishte ushqimin më të preferuar të shpirtit të saj.

Duke e njohur përkushtimin e pashoq të Miradijes, në avancimin e letërsisë shqipe, krahas letërsive tjera evropiane , kolegët e saj po ashtu krijues të suksesshëm në Zvicër, përkatësisht në Kosovë, zonja, Shqipe Bytyçi dhe Dan Ibrahimi ,kanë përzgjedhur disa prej poezive të saj, të lëna në dorëshkrim, të cilat janë përmbledhur në librin me titull “Të fluturosh atje ku nuk ishe”

Libri dritën e botimit e pa falë ndihmës materiale të bashkëshortit të Miradijes, Rexhepit dhe dy çunave të saj të mrekullueshëm Fisnikut dhe Rilindit.

Me punime kushtuar zonjës, Miradije Maliqi ,sonte janë paraqitur: Shukrije Ramadani, Shqipe Bytyçi, Musa Jupolli, Mentor Thaqi, Isuf Sherifi, Hyrije Jusufi etj.

Këta autorë gjatë leximit të tyre i kanë shoqëruar tingujt e butë dhe tërheqës të kitarës, ekzekutuar me mjeshtri të rrallë nga Jela Berisha, nxënëse e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe, në Ostermundigen të Bernës.

Kurse një vështrim të gjerë kritik dhe me përmbajtje të pasur mbi biografinë dhe veprat e zonjës Miradije Maliqi, e ka bërë poeti dhe studiuesi i njohur i letërsisë sonë z. Shefqet Dibrani .

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat