Pesë vjet e pesë muaj burgim dhe 10 vjet dëbim nga Zvicra.
Ky është dënimi që i është caktuar një 48 vjeçari nga Kosova.
Vendimi erdhi nga Gjykata e Lartë e Zurichut.
Mediat zvicerane raportojnë se ai ishte dënuar edhe tetë herë mes viteve 1996 dhe 2006-të si dhe ishte ndaluar hyrja për pesë vjet edhe në vitin 2011-të.
Kosovari bashkë me grupin e tij, synuan të kontrabandonin 110 kilogramë hashash nga Kosova në Zvicër nëpërmjet Shqipërisë dhe Italisë.
Grupi ishte zënë në flagrancë nga autoritetet shqiptare dhe burri nga Kosova ishte dënuar me katër vjet e gjysmë burg.
Ai u lirua sërish, duke aplikuar për leje hyrjeje në shtetin zviceran në shtator të vitit 2016 për të qëndruar me familjen e tij që jetonte në Zurich.
Kosovar e kishte fshehur dënimin e tij të mëparshëm në Shqipëri dhe kishte bashkëngjitur me kërkesën një ekstrakt penal që e nxirrte “të pastër” nga vendi i tij i lindjes, Kosova.
Sipas aktakuzës, përgjegjësit e Zyrës Kantonale të Migracionit nuk i kanë vënë re dokumentet e rëndësishme ose nuk i kanë lexuar ato, dhe personi në fjalë e ka marrë lejen e qëndrimit për të cilin ka aplikuar vetëm një ditë pas kërkesës.
Por, 48 vjeçari nuk u përmirësua asnjëherë.
Në fakt, ai e vazhdoi aktivitetin e tij kriminal.
Tutje, sipas aktakuzës thuhet se ai drejtonte një plantazh të mbuluar kanabisi në Regensdorf me rreth një mijë bimë në vitin 2020 së bashku me vëllain e tij dhe një bashkëpunëtor.
Në gushtin e 2021-tës, kosovari bashkë edhe një tjetër person, u përpoqën por pa sukses të hidhnin në erë një bankomat në Dietlikon.
Shpërthimi atje shkaktoi një dëm goxha të madh në vlerë prej 70 mijë frangash.
Gjashtë muaj pas kësaj ngjarje, burri nga Kosova u arrestua dhe nga ajo kohë gjendet në burg.
Në qershor të vitit 2023, Gjykata e Qarkut në Bulach e dënoi atë me një dënim efektiv me burgim prej pesë vjet e katër muaj dhe një dëbim nga vendi për 14 vjet për shpërthimin e bankomatit.
Derisa, sa i përket plantacionit të kanabisit, ai u shpall i pafajshëm për mungesë provash. Të dyja palët e apeluan vendimin, kështu që çështja shkoi në gjykatën e lartë Kantonale.
Në procesin e mbajtur të premten e kaluar, 48-vjeçari deklaroi: “Unë jam i pafajshëm”.
I pyetur nga gjyqtari se pse nuk e kishte deklaruar dënimin në Shqipëri, ai u përgjigj:
“Mendova se zyra e migracionit e dinte këtë”. Në lidhje me gjurmët e ADN-së që ka gjetur në vendin e shpërthimit të bankomatit, ai ka thënë: “Kjo nuk është gjurma ime”.
Avokati i të pandehurit kërkon lirimin e plotë të klientit të tij, pra lirim të menjëhershëm nga burgu dhe dëmshpërblim për kosovarin.
Sipas tij, raporti i ADN-së ka mangësi formale dhe thelbësore.
Kjo u kundërshtua nga prokurori publik. “Ekspertiza është e qëndrueshme”.
Ai kërkoi një dënim prej gjashtë vjet e një muaj burg.
Prokurori i tha edhe disa fjalë për të pandehurin: “Jeta e tij karakterizohet nga krimi”. Ai ka hyrë fshehurazi në Zvicër me informacione të rreme, kështu që ai duhet të dëbohet nga vendi për 14 vjet.
Siç ka njoftuar të martën Gjykata e Lartë e Zurichut, ajo ka dënuar të akuzuarin me burgim efektiv prej 5.5 vjetësh dhe me dëbim nga vendi për dhjetë vjet.
Por, vendimi nuk është përfundimtar, dhe mund të apelohet në Gjykatën Federale, shkruajnë mediat zvicerane.