Sot, pasdite në ambientet e “Chapelle des Rois” të lagjes Planipalais të Gjenevës, është organizuar ceremoni mortore në nderim të Prof. Astrit Leka, luftëtar i njohur i Luftës Nacionalçlirimtare dhe veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare.
Familjarëve, ish-nxënësve, shokëve dhe miqve, të prof. Arstrit Leka, fillimisht u ka shprehur ngushëllimet më të sinqerta zonja Sonia Duc,celebrante laike në“Chapelle des Rois” dhe anëtare e shoqatës” ACOR” të Zvicrës frankofone.
Zonja, Duc para të pranishmëve të kësaj ceremonie mortore gjatë dyzet minutave ka shpalosur jetën dhe veprën e prof. Astrit Leka , që nga lindja e deri në vdekje.
Prof. Astrit Rakip Leka, lindi më 20 dhjetor të vitit 1924. Origjina e paraardhësve të tij, është nga Borshi i Shqipërisë së Jugut. Meqë, babai i tij, Rakip Leka, ishte Prokuror në Elbasan, ai mësimet e para i mori në këtë qytet.
Pastaj, ato të mesme i vazhdoi në Liceun francez të Korçës. Z. Leka ishte njëri prej nxënëseve më të mirë të këtij Liceu . Ai në këtë Lice mësimdhënës dhe kujdestar klase e kishte Enver Hoxhën, udhëheqës i ardhëm i Shqipërisë komuniste . Zoti Leka, edhe pse ishte nxënës shembullor nuk mundi t’i përfundoj mësimet në liceun e Korçës, për shkak të pushtimit të Shqipërisë, nga Italia fashiste.
Ai si një i ri inteligjent dhe mjaft i shkathët përkundër vështirësive të shumta nga dëshira për t’u arsimuar regjistrohet në shkollën e mesme “Francesko Krispi” në Tiranë.
Kurse në vitin 1939 edhe pse shumë i rinj i motivuar nga një grup shokësh shkon në Itali, për të vazhduar me mësime në Kolegjin Cikonjini. Leka i rritur në një familje përparimtare dhe i brumosur me atdhedashuri papritmas përleshet ashpër me Sekretarin e Rinisë fashiste të kolegjit.
Ai i edukuar në frymë fashiste para syve të z. Astrit Leka e kishte përdhosur Flamurin e Gjergj Kastriotit -Skënderbeut, me shqiponjën dykrenore. Leka i fuqishëm dhe energjik i mllefosur nga ky akt i shëmtuar e kishte rrahur keq moshatarin e tij, italian. Lajmi për këtë ngjarje të rëndë ishte përhapur me shpejtësi rrufeje në mbarë Italinë.
Me të kuptuar rastin Qemal Stafa, asokohe student në Firencë, nga frika që Astritin do ta përjashtojnë nga shkolla e pastaj do ta nxjerrin edhe para Gjyqit, i jep këshilla praktike se si duhej mbrojtur.
Ky incident i pamenduar e shtynë z. Leka, që të kthehet në Shqipëri dhe të inkuadrohet në Grupin e Shkodrës, i cili me guxim të pashoq e luftonte fashizmin italianë.
Astrit Leka, ndërkohë lidhet edhe me shokë e shoqe të gjimnazit të Tiranës. Ai bashkërisht me ta krijon organizatën, Rinia komuniste Shqiptare . Nga grupi ku bënte pjesë Astriti, duke treguar heroizëm të vërtetë ndaj pushtueseve italianë vriten 11 shokë të tij.
Astrit Leka përkundër dhembjes për humbjen e shokëve nuk dorëzohet, madje ai shndërrohet në Atentator të njohur. Gjatë përpjekjeve për çlirim të trojeve shqiptare nga pushtuesit kryen 44 atentate. Në mënyrë që të mos binte në sytë e italianëve vepronte me nofkën Alaiku.
Duke qenë i njohur për kontributin e tij të jashtëzakonshëm dhënë Luftës Nacionalçlirimtare shpëton nga burgosja dhe ekzekutimi që i kishin kurdisur njerëz të afërt me Enver Hoxhën.
Leka me etjen e pashuar për të zënë sa më tepër njohuri më 1950, pa shkëputje nga puna studion Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe Histori e Gjeografi . Ai duke u treguar i zellshëm në studime në të dyja drejtimet diplomon në afat rekord, së bashku me kolegët e tij, Qemail Haxhihasani dhe Shaban Demiraj.
Pas diplomimit z. Arsrit Leka, punon së profesor në shkollat e mesme të Tiranës . Ai në punën me nxënës tregohet mjaft i suksesshëm. Për t’i dhënë lamtumirën e fundit profesorit të tij, të dikurshëm në gjimnazin e Tiranës, nga Milano në Gjenevë, kishte ardhur Z. Shpetim Qesja.
Ai me shumë emocion flet për përkushtimin e pareshtur të Z. Leka, si pedagog e veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare . Z. Astrit Leka, më 1967, kishte kundërshtuar haptas idenë për zbatimin e njëfarë revolucioni kulturor kinez. Kjo u mor si pretekst dhe ai u përjashtua nga procesi arsimor dhe edukativ. Kurse bashkëshorten e tij, Eminen të diplomuar në Biologji-Kimi dhe në Veterinari, vetëm pse u solidarizua me të shoqin Astritin e detyruan të punojë në një stallë derrash.
Prof. Astrit Leka, njohës i shkëlqyeshëm i shtatë gjuhëve të huaja pas rënies së komunizmit largohet nga Shqipëria . Ai fillimisht shkon në SHBA dhe Kanada. Me gjithë mundësitë për të lobuar atje në favor të çështjes shqiptare, dëshironte që të jetë më afër Shqipërisë dhe Kosovës.
Ai me ndihmën e një miku të tij, zviceran nga Bulle e Friburgut, në shtator të vitit 1990, së bashku me bashkëshorten Eminen dhe vajzat Brikenën dhe Dasarën, vinë në Zvicër. Prof. Astrit Leka, edhe pse ende s’ kishte shtruar kërkesë për strehim merr ofertë pune nga Universiteti i Friburgut.
Prof. Leka i vendosur që me tërë qenien të punojë në të mirë të çështjes së pazgjedhur shqiptare refuzon këtë ofertë pune dhe vendoset në Gjenevë. Ai së bashku me disa miq zviceranë më 1992, themelojnë shoqatën “Solidest”. Zoti,Leka nëpërmjet kësaj shoqate shqyrton mundësinë e vendosjes së shtatores së kryeheroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Gjenevë.
Pas shumë përpjekjesh me ndihmën e Z. Alexander Lambert, profesor i së Drejtës Ndërkombëtare Publike në Universitetin e Gjenevës dhe drejtor shumëvjeçar i shoqatës “ Solidest” më 1 Nëntor të vitit 1997, kjo ide e kamotshme e z. Asrtit Leka, jetësohet.
Prof. Astrit Leka, po ashtu loboi fuqishëm në dobi të të gjitha trojeve tona të pushtuara nga serbo-sllavët. Ai ka pasur takime me burrështetas të njohur si: Jacques Chirac , Tony Blair, Papa Françesku etj.
Në homazhin e sotëm kushtuar zotit Astrit Leka, kujtime nga puna me te evokoi edhe miku i njohur i çështjes shqiptare Ueli Leuenberger, njëherit edhe themelues i Universitetit Popullor Shqiptar në Gjenevë. Ai tha z. Leka ishte përplot energji për punë. Ai duke qenë i tillë kudo ofronte dashuri dhe pozitivitet.
Ndërkaq, në emër të shtetit shqiptar me një fjalë rasti u paraqit zonja, Vasilika Hysi, Ambasadore pranë Kombeve të Bashkuara në Gjenevë.
Ajo çmoi lartë angazhimin e prof. Lekës, duke thënë se ai do të kujtohet përherë nga shqiptarët. Ajo në fund të fjalës së saj paralajmëroi organizimin e një mbrëmje nga shteti shqiptar, kushtuar jetës dhe veprës së lavdishme të prof. Astrit Leka.
Zonja, Shukrije Ramadani, përfaqësuese e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bernë të Zvicrës, tha se çdo takim me prof. Astrik Leka, ishte mbresëlënës.
Ai me përvojën e tij të gjatë garantonte se çlirimi i Kosovës nga Serbia, do të ndodh patjetër. Ambasada jonë në Bernë, më 2018, duke mos harruar kontributin e tij, të jashtëzakonshëm tha ajo organizoi një solemnitet dhe e shpërbleu me mirënjohje.
Edhe pse i shtyrë në moshë nga Nju-Jorku në Gjenevë, për t’i dhënë lamtumirën e fundit të vëllait Astrit Leka, kishte, ardhur Z. Genc Leka, me bashkëshorten Elenën dhe vajzën Denisën.
Kurse, mbesa Holta Hoxha-Carron, lexoi disa rreshta mjaft emocionues nga takimet me dajën e saj, prof. Astrit Leka. Ajo leximin e kësaj letre e përfundoi duke thënë “ isha me fat që dajë, kisha një njeri të urtë dhe intelektual me vlera të veçanta si prof. Astrit Leka.“
Mbi arkivolin e profesor Lekes, lule dhe qirinj vendosën të bijat Brikena dhe Dasara, si dhe nipi Eric dhe mbesa Helene Lambert.
Në fund të gjithë lexuesit e kësaj nekrologjie i njoftojmë se prof. Astrit Leka, ka ndërruar jetë më 24 shkurt 2025, në moshën 100 -vjeçare së Spitalin Universitar të Gjenevës.
Mirëpo, ceremonia e varrimit është shtyrë deri me sot, për shkak të procedurave të parapara me ligjet, gjenevase.
Jemi të vetëdijshëm që shumëçka ka ngelur pa u thënë mbi jetën dhe veprën e prof. Astrit Leka, i cili një shekull të plotë e kaloi në mes luftës, sakrificës dhe përpjekjeve të pareshtura për ta bërë më të mirën e mundshme ndaj popullit të tij.
Në një të ardhme të afërme do t’ua prezantojmë të plotë biografinë dhe veprën e luftëtarit, pedagogut dhe poliglotit të njohur Astrit Leka.
Kujtimi për profesor, Astrit Lekën, do të jetë i përjetshëm !