Në një mbrëmje të veçantë dhe plot emocion, Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih organizoi para pak çastesh një takim solemn për të nderuar mësuesit shqiptarë në Zvicër me rastin e 7 Marsit – Ditës së Mësuesit dhe 8 Marsit – Ditës së Gruas. Ky event, që u mbajt në ambientet e Konsullatës, shërbeu si një shenjë mirënjohjeje për kontributin e pashoq të arsimtarëve që mbajnë të gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare në mërgatë.
Mësues, veprimtarë të arsimit, veteranë të shkollës shqipe në Zvicër në kuadër të LAPSH, si prof.Naser Ulaj, kryetar i LAPSHit për Cyrih, Dr.Vaxhid Sejdiu, mesues të tjerë dhe përfaqësues të institucioneve të tjera shqiptare që veprojnë në Zvicër u mblodhën në këtë takim të organizuar nga Shefi i Misionit Konsullor të Kosovës në Cyrih, z. Vigan Berisha, i cili në fjalën e tij theksoi rëndësinë e madhe që ka puna e mësuesve në ruajtjen e identitetit kombëtar:
“Mësuesit janë shtylla kryesore e shoqërisë sonë dhe ruajtës të kulturës dhe gjuhës shqipe. Përmes punës dhe përkushtimit tuaj, fëmijët tanë jo vetëm që mësojnë alfabetin, por edhe ndihen krenarë për origjinën e tyre. Edukimi është investimi më i madh për të ardhmen, dhe ne do të jemi gjithmonë pranë jush.”
Me këtë rast, z. Berisha ndau edhe dhurata simbolike për të pranishmit, mes tyre Deklaratën e Pavarësisë, ndërsa mësueseve iu dhurua nga një lule në shenjë respekti dhe vlerësimi për punën e tyre dhe për festën e 8 marsit.
Pas fjalës së tij, Dr. Dashnim Hebibi, publicist dhe president i Institutit Helvetik të Europës Juglindore në Zvicër, mbajti një referat të thelluar për rolin kyç të arsimit në ruajtjen e identitetit kombëtar në diasporë. Ai citoi figura të njohura që kanë vlerësuar rëndësinë e arsimit, duke përmendur Luigj Gurakuqin, Malala Yousafzain dhe Konfucin, si dhe theksoi nevojën për një mbështetje më të madhe institucionale për mësimin plotësues të gjuhës shqipe:
“Mësuesit nuk janë vetëm edukatorë, por edhe ambasadorë të kulturës sonë. Është koha që shtetet shqiptare të angazhohen më shumë për ta institucionalizuar mësimin shqip në Zvicër.”
Fjalën e mori edhe z. Nexhat Maloku, ish-kryetar i LAPSH-it për Zvicër, i cili me humor dhe reflektim mbi përvojën e tij shumëvjeçare si mësues, theksoi se pavarësisht sfidave, LAPSH mbetet institucioni më i rëndësishëm për ruajtjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare në Zvicër.
Takimi u përmbyll me një koktej të organizuar nga Konsullata, ku të pranishmit patën mundësinë të shkëmbenin mendime dhe të diskutonin mbi sfidat dhe perspektivat e arsimit shqip në diasporë. Për ta bërë edhe më të veçantë këtë mbrëmje, Konsullata ndau libra për mësuesit, duke sjellë pak nga biblioteka e atdheut në zemër të Zvicrës. Ky ishte një nga të vetmit takime të organizuara për nderimin e mësuesve shqiptarë në Zvicër, një gjest simbolik, por domethënës, që tregon se kontributi i tyre nuk harrohet dhe se ruajtja e gjuhës shqipe mbetet një kauzë e përbashkët për të gjithë shqiptarë.
Menjëherë me një postim për rrjetet sociale edhe z.Berisha e përshkruajti takimin me këto fjalë:
Sonte, u bashkuam për të nderuar mësuesit tanë – figurat kyçe në ruajtjen e gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Në kuadër të 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, Epopesë së UÇK-së dhe festave të 7 dhe 8 Marsit, kujtuam sakrificat dhe përkushtimin e atyre që me dije dhe edukim kanë ndriçuar rrugën tonë.
Mësimi plotësues në diasporë është shumë më tepër se një proces arsimor – është një mision kombëtar që siguron që brezat e rinj të mos harrojnë gjuhën dhe rrënjët e tyre. Faleminderit për punën e palodhur, përkushtimin dhe sakrificën tuaj!
Konsullata e Republikës së Kosovës në Cyrih do të jetë gjithmonë pranë jush“.
Ndërsa PhD. Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik në Zvicër ndër të tjera shtoi:
LAPSH – institucioni që mban gjallë gjuhën shqipe në Zvicër
Në mbrëmjen festive të 8 Marsit, organizuar nga Konsullata e Kosovës në Cyrih, mes të ftuarve të nderuar ishte edhe PhD. Dashnim Hebibi, president i Institutit Shkencor Helvetik në Zvicër dhe njëherazi pjesë e projektit SAM24.info – Qendra Mediale Shqiptare në Zvicër. Z.Hebibi ishte edhe mësues i shkollës plotësuse shqipe LAPSH në Zvicër, njëherit është anëtar nderi i LAPSH-it për Cyrih dhe ka mirënjohje edhe nga LAPSH-i për kt.Cyrih, por edhe nga LAPSH në nivel Zvicre për kontributin e tij edhe si mësues, por edhe si gazetarë me vite e vite që ka përcjellur punën e LAPSH-it në Zvicër.
Fjala e tij u prit me vëmendje dhe interes të veçantë nga të pranishmit, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së identitetit shqiptar në diasporë, rolin e grave në shoqëri dhe nevojën për mbështetje institucionale për projekte që forcojnë lidhjet mes komunitetit shqiptar dhe institucioneve zvicerane.
Më poshtë, e sjellim fjalimin e tij të plotë:
“I nderuar Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih, z.Vigan Berisha, I respektuar staf i kësaj konsullate, i çmuar prof.Naser Ulaj, kryetar i LAPSH-it për Cyrih, Dr. Vaxhid Sejdiu mësues, Nexhat Maloku ish kryetar i LAPSH-it për Zvicër, mësuese e mësues shumë të nderuar,
Të dashur të pranishëm;
Fillimisht Urime 7 Marsin, Dita e Mësuesit dhe njëkohësisht për zonjat 8 marsin ditën e gruas! E falënderoj z.Berisha, Shef i Misionit Konsullor të Republikës së Kosovës në Cyrih që më ka dhënë mundësi që të flas para jush në këtë ditë të madhe kombëtare.
Të dashur mësues që punoni me përkushtim në kuadër të LAPSH, sot është dita juaj, dita e atyre që mbajnë të gjallë gjuhën, kulturën dhe traditat shqiptare edhe larg atdheut. Ju jeni pishtarët e dijes, ata që me mund dhe dashuri i mësoni brezave të rinj vlerat e kombit tonë, duke u bërë ura që lidh të shkuarën me të ardhmen.
Ju mësuese e mësues nuk jeni thjesht mësues, por ambasadorë të kulturës sonë, duke ndihmuar brezat e rinj të ndihen krenarë për origjinën e tyre.
“Mësuesi është përhapësi i dritës.”
Luigj Gurakuqi
“Nëse do të krijoni statuja për njerëzit e rëndësishëm, krijoni për mësuesit. Ata janë heronjtë e shoqërisë sonë.”
Guy Kawasaki
“Askush nuk është më i rëndësishëm për një shtet të ardhshëm sesa mësuesit.”
Mike Huckabee
Prandaj, në këtë 7 Mars, le të vlerësojmë dhe mbështesim më shumë punën e tyre të palodhur! Faleminderit për përkushtimin tuaj, për sakrificat dhe për dashurinë që u falni nxënësve çdo ditë edhe ate hiq më pak se për 34 vjet sa egziston LAPSH! Qofshi gjithmonë të vlerësuar dhe të nderuar për punën tuaj të shenjtë! Gëzuar Festën e Mësuesit!
Pjesëmarrja në organizimet e misionit konsullor të Republikës së Kosovës, veçanërisht në ato të përqendruara në dimensione kaq fisnike, të ndërlidhura me çështjen e arsimimit të brezave të rinj të komunitetit shqiptar në Zvicër, më nxitë emocione të papërshkrueshme. Shumë vite më parë pata dhënë një kontribut modest në cilësinë e mësimdhënësit në LAPSh me qëllim të mbështetjes së kësaj kauze kaq fisnike. E tani jam anëtar nderi dhe njëherit me mirënjohje nga LAPSH-i në nivel Zvicre dhe nga kantoni i Cyrihut dhe Argaut.
Përmes kësaj vatreje alternative arsimore, familjet shqiptare të mërguara këtu, u kanë dhënë mundësinë fëmijëve të tyre të mësojnë thesarin më të çmuar të kombit tonë – gjuhën e lashtë shqipe për një periudhë 34 vjeçare. Puna që po bëhet në LAPSH është e pakursyer dhe e shenjtë. Mbetet i vetmi institucion që i bashkon të gjithë shqiptarët, pa dallim krahine, besimi apo bindje politike. Në mësojtoret e orëve plotësuese në gjuhën shqipe,
LAPSH, brezit të ri të familjeve të mërguara shqiptare i ka ofruar mundësinë që të mësojë historinë, sa të dhimbshme, po aq krenare e të lavdishme të popullit më të motshëm të Gadishullit Ilirik.
Bashkatdhetarë, prindë e mësues të respektuar, Kam besim të palëkundshëm që secili prej jush është i vetëdishëm për rëndësinë që ka mësimi plotësues në gjuhën shqipe për fëmijët tanë, i cili nuk do të duhej braktisur në asnjë rrethanë dhe për asnjë arsye. Kjo vatër do mbështetje financiare, logjistike, me burime njerëzore profesionale dhe jo vetëm. Çdo qindarkë e ndarë prej secilit prej nesh për këtë mision të shenjtë është investim në ruajtjen e etnokoluturës sonë. Krahasuar me dekadat e mëparshme, sot jemi në pozitë shumë më të favorshme.
Në Shtetin e Zvicrës, të cilit i jemi shumë mirënjohës për gjithçka, sot kemi përfaqësues diplomatikë shqiptarë të tri shteteve tona. Kultivimi i gjuhës shqipe duhet të jetë i garantuar përmes institucioneve shtetërore. Mërgata shqiptare, historikisht ka ndarë bukën e gojës për mirëqenien e kombit tonë të shpërndarë.
Sot, vlerësoj që misionet tona diplomatike, përmes mekanizmave të ligjshëm e konkretë, duhen dëshmuar veten, duke përfshirë çështjen e arsimimit në gjuhën shqipe për komunitetin shqiptar në Zvicër, si pjesë të një planprogrami zyrtar të shtetit, me qëllim që mësimi në gjuhën shqipe të jetë i organizuar në shkolla shtetërore, veçanërisht nëpër kantone, ku komuniteti shqiptar plotëson kriterin demografik për të pasur mësojtoret e veta të posaçme që ta zhvillojë mësimin e rregullt në gjuhën shqipe në të gjitha lëndët.
Shtetet dërguese të këtyre misioneve diplomatike duhen shfrytëzuar marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe me Shtetin Zviceran që këtë projekt, sot ideor, e në një të ardhme të afërt, të realizuar, ta shohin e konsiderojnë si një ndërmarrje të përbashkët shtetërore, duke i ofruar mbështetje me kuadro profesionale dhe literaturë përkatëse nga atdheu. Ministritë përkatëse të punëve të jashtme të shteteve shqiptare kanë për obligim që të hartojnë strategji për projekte të realizueshme, përmes të cilave, mësimi plotësues në gjuhën shqipe do të garantohej me kuadro shumë profesionale, të paguara nga shtetet përkatëse.
Literatura për zhvillimin e procesit mësimor do të duhej siguruar edhe më tutje, po ashtu, nga shtetet e origjinës së komunitetit tonë, në mënyrë që nxënësit shqiptarë të arrijnë të nxënë diturinë e nevojshme rreth fushave thelbësore, paralelisht me planprogramet e rregullta të mësimit që zhvillohet në gjuhët zyrtare të shtetit zviceran.
Një strategji e zgjuar afatgjate do të duhej të parashihte angazhimin e kuadrove profesioniste edhe nga atdheu, të cilët, duke pasur të siguruara kushtet optimale për ushtruar veprimtarinë e tyre profesionale kaq fisnike, do të mund të ofronin kontributin e tyre që gjuha shqipe dhe njohuritë bazike mbi historinë kulturën shqiptare, të mos ngelen prapa njohurive themelore të nivelit arsimor që ndjekin fëmijët tanë.
Kushdo që mund ta cilësojë këtë projekt si të pamundshëm, unë u them se gjithçka fillon si një ide dhe asgjë nuk është e parealizueshme. Mjafton të besojmë në të dhe të punojmë konkretisht në jetësimin e një projekti kaq fisnik. Nga një komunitet i arsimuar, pavarësisht origjinës, përfiton çdokush, e më së shumti vet Shteti Zviceran dhe vet shtetet e origjinës së komunitetit shqiptar në Zvicër.
Ftoj secilin prej jush që të përkushtoheni në mbrojtjen e unitetit tonë në LAPSH, si komunitet shqiptar këtu në Zvicër, duke mos lejuar përçarjen mbi baza partiake apo interesave të tjera trumbetimi. Sot është koha e fundit që shtetet shqiptare ta dëshmojnë veten se vërtetë e vlerësojnë diasporën shqiptare dhe i janë mirënjohëse asaj për kontributin gjatë shumë dekadave në shumë dimensione.
I përjetshëm kujtimi për ata mësues që kanë ndërruar jetë. Zot bekoji mësuesit kudo që janë ata dhe jepju shëndet e mbarësi që po punojnë me shumë përkushtim në kuadër të LAPSH-it për ta ruatur gjuhën tone amtare brez pas brezi.
“Një libër, një laps, një fëmijë dhe një mësues mund të ndryshojnë botën” – Malala Yousafzai
Po e përfundoj fjalën time të përzemërt me një thënie të Konfucit :“Vlera e mësuesit dhe pesha e qiellit nuk maten kurrë” . Ju falemnderit për vëmendjen tuaj!”