Publikohen rezultatet preliminare/ Ja cila parti është duke prirë në Serbi

Aktuale

Publikohen rezultatet preliminare/ Ja cila parti është duke prirë në Serbi

Nga: Bota sot Më: 3 prill 2022 Në ora: 07:20 Përditësuar në ora: 11:05 më 03.04.2022
Autobusët me serbë

​“Mbi 20 autobus bartin qytetarët nga rajoni i Mitrovicës në votime në Rashkë”

Nga stacioni i autobusëve në Mitrovicë, sot janë nisur mbi 20 autobusë me qytetarë nga Kosova drejtë Rashkës, për të marr pjesë në zgjedhjet presidenciale edhe parlamentare të Serbisë, transmeton “Bota Sot”.

Lajmi është publikuar në portalin “Kossev”, duke njoftuar se autobusët kryesisht janë me tabela RKS dhe kanë secili numra rendor, gazetarët e këtij portali numrin më të madh në një autobus e kanë vërejtur 23.

"Me përjashtim të dy autobusëve nga gjithë këta që nuk shkojnë për votim, njofton portali, askush nga udhëtarët nuk ka dashur të komentojë faktin se shkojnë të votojnë jashtë Kosovës në zgjedhjet e Serbisë”.

Në këta autobus gjenden shumica e të punësuarve në institucionet publike të Mitrovicës dhe Zveçanit, por edhe të komunave që janë pjesë e rajonit të Mitrovicës, që janë në jug të Ibrit, si bie fjala nga Vushtrria.

Të gjithë këta së bashku edhe me qytetarët nga komuna e Leposaviqit, do të votojnë në Rashkë.

Qytetarët e komunës së Zubin Potokut dhe ata nga Skenderaj do të votojnë në Tutin dhe Ribariq.

“Kossev” thekson se sipas njohurive jozyrtare mësohet se shumë autobus do bartin në disa terminë qytetarët dhe të punësuarit në Rashkë dhe Tutin, ku ata në 6 vend-votime do të votojnë, 4 në Rashkë dhe 2 në Ribariq.

Sipas këtij mediumi në disa automjete civile kishte edhe policë të Policisë së Kosovës. Në rrugën Mitrovicë-Zveçan disa patrulla policore po bëjnë kontolla në trafik.

Serbët e Kosovës drejt Serbisë për të votuar, kalojnë edhe nga Merdarja

Serbët e Kosovës po shfrytëzojnë edhe pikën kufitare në Merdare për të kaluar në Serbi ku do të votojnë për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale atje.

Që nga orët e hershme të mëngjesit në këtë pikë kufitare kanë kaluar një numër i serbeve me vetura dhe disa autobusë, por që fluksi i tyre nga kjo pikë kufitare deri tani nuk ka qenë shumë i madh

Qytetarët kërkojnë bashkim të partive politike në Preshevë

Në ditën e zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të Serbisë, qytetarët e parë që votuan në komunën e Preshëvës, kërkojnë respektim më të madh të drejtave të shqiptarëve.

Xhevdet Alimi tha se është e rëndësishme për secilin qytetarë të dalë të votojë për ardhmen e vet.

Alimi: Qytetarët duhet të marrin pjesë në zgjedhje

“Ne për dikë duhet patjetër me u orientu, tek cili, tash secili e din për veti. Kryesorja është me dalë të gjithë me votu për neve, që me pas një në parlament atje. Sidoqoftë zëri jonë nuk ndihet, por me marrë pjesë është shumë mirë. Duhet me u bashku, patjetër me u bashku, jemi vëllezër”, tha ai.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

Petrija: Do të votojmë në Serbinë tonë

Qytetarët serbë përmes transportit të organizuar janë nisur sot në mëngjes në ora 7:45 nga stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës për në Rashkë, ku do të votojnë në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të cilat po mbahen në Serbi.

Shumë prej tyre janë nisur nga stacioni i autobusëve në veri të Mitrovicës, mirëpo për t’iu shmangur tollovisë, ka edhe lokacione tjera prej nga kanë udhëtuar, siç janë spitali i përgjithshëm në veri, pastaj ndërmarrja Trepça në Zveçan etj.

Ka qytetarëve të cilët kanë vendosur të shkojnë edhe me automjetet e tyre private.

Petrija, qytetare nga veriu i Mitrovicës, tha se është nisur për të votuar në Rashkë dhe se dëshiron paqe në tërë botën. Sipas saj, nuk është mirë nga ana e Prishtinës që është pamundësuar votimi i serbëve në Kosovë.

Petrija: Do të votojmë në Serbinë tonë

"Petrija, jam nis për Rashkë për të votuar presidentin tonë Aleksandar Vuqiq dhe dua që ai të fitojë... Duam paqe në tërë botën. .. Nuk është mirë që të pengohet votimi në Kosovën tonë por ne nuk do të heqim dorë nga kjo dhe do të votojmë në Serbinë tonë", ka thënë ajo.

Udhëtimi i këtyre qytetarëve me autobusë për në Rashkë dhe vende tjera, ka shkaktuar kolona të gjata në pikën kufitare në Jarinje. Mësohet se në dalje të kësaj pike kufitare kolona është e gjatë deri në një kilometër, kurse pritjet janë mbi një orë.

Ndryshe, serbët nga komunat veriore, si dhe ata që jetojnë në Istog, Vushtrri, Skenderaj, Klinë, Pejë e Rahovec, do ta kenë mundësinë të votojnë në Rashkë dhe në Tutin.

Ndërkaq ata nga Prishtina, Podujeva, Obiliqi, Fushë Kosova, Lipjani, Ferizaj, do të votojnë në Kurshumli. Kurse, votuesit nga Shtërpca, Novobërda, Vitia, Gjilani dhe Kamenica do të mund të votojnë në Vranjë.

Reagon Policia e Kosovës pasi serbët nga veriu u nisen me autobusë për të votuar në Serbi

Serbët nga veriu në mëngjesin e sotëm janë nisur me autobusë për të votuar në Serbi.

Për këtë ka reaguar Policia e Kosovës, ku kanë njoftuar se janë krijuar pritje në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me atë të Serbisë.

“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, njoftojnë Policia e Kosovës.

Reagimi i plotë:

Policia e Kosovës në aspektin e sigurisë vlerëson se situata është e qetë dhe stabile, ndërsa referuar mbajtjes së zgjedhjeve në Serbi dhe organizimeve të qytetarëve për të udhëtuar në forma të ndryshme drejt Serbisë për të votuar, në disa pika kufitare që lidhin Republikën e Kosovës me Serbinë, janë krijuar kolona dhe pritje.

Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave.

Policia e Kosovës në këtë fushëveprim ka paraparë masat dhe veprimet e Policisë së Kosovës në funksion të ruajtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës, garantimit të sigurisë së përgjithshme, si dhe shtimit të kapaciteteve të personelit policorë në pikat kufitare me qëllim të mundësimit të lëvizjes së lirë dhe qarkullimit kufitar.

Policia e Kosovës është e përkushtuar në kryerjen e detyrave dhe autorizimeve të saj konform autorizimeve ligjore dhe kushtetuese, garantimin e lëvizjes së lirë dhe sigurisë së përgjithshme në vend.

Numri i autobusëve që u nisën në mëngjes për Serbi

Qytetarët serbë nga Kosova po shkojnë në Serbi për të votuar për zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare serbe, të cilat po mbahen më 3 prill. Kjo pasi, Qeveria e Kosovës për herë të parë nuk lejoi mbajtjen e zgjedhjeve serbe brenda territorit të Kosovës.

Më shumë se 25 autobusë u panë në stacionin e autobusëve në Mitrovicë të Veriut, për të transportuar serbët për të votuar në Rashkë.

Rashka është një nga katër komunat në Serbi, pranë kufirit me Kosovën, ku rreth 100,000 qytetarë serbë që jetojnë në Kosovë, do të mund të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës.

Transport iu është mundësuar edhe serbëve në Graçanicë. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, serbët, kryesisht punonjës të institucioneve serbe në Kosovë, u dërguan me autobus në vendvotimet e tyre, në qytetin kufitar të Serbisë, Kurshumli.

Komisioni Republikan i Zgjedhjeve të Serbisë ka thënë se rreth 100,000 serbë nga Kosova do të mund të votojnë në vendvotimet e tjera që gjenden në komunat në kufi me Kosovës siç janë Tutini, Rashka dhe Vranja.

Serbët në Graçanicë duke shkuar me autobus në Serbi për të votuar për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale.

Banorët e Medvegjës nisen me autobus për të votuar në Serbi

Banorë të Komunës se Medvegjës që jetojnë në Kosovë, në mënyrë te organizuar me autobusë janë nisur për në vendlindjen e tyre që të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar në zgjedhjet e sotme në Serbi.

Organizimi i tyre është bërë nga qytetet kosovare nga klubi “Trojet” ndërsa është mbështetur nga Komuna e Fushë Kosovës.

Nis votimi në Preshevë

Ka filluar procesi i votimit në komunën e Preshevës për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale në Serbi.

Partitë shqiptare në Luginën e Preshevës po garojnë me dy lista zgjedhore me gjithsej 20 kandidatë për deputetë.

Në garë janë koalicioni i Shqiptarëve të Bashkuar me bartës liste, Shaip Kamberi dhe Alternativa Demokratike Shqiptare me bartës liste, Shqiprim Arifi.

(07:02) - Zgjedhjet në Serbi, shqiptarët pretendojnë tre e më shumë deputetë

​Në Serbi sot do të mbahen zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Janë rreth 6 milionë e gjysmë të serbëve që do të kenë mundësi të votojnë.

Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe pretendojnë të kenë tre deri në katër deputetë.

Ndërkohë, është shkruar se vetëm pak ditë para zgjedhjeve në Serbi, më shumë se 6,000 qytetarë shqiptarë që jetojnë në Serbi janë hequr nga listat e votuesve. Një veprim që aktivistët dhe studiuesit thonë se është për bërë për shkak se janë shqiptarë etnikë, shkruan Euractiv.

Qeveria e Kosovës nuk ka lejuar që serbët që jetojnë në vendin tonë të votojnë sikurse viteve të mëhershme, duke thënë se duan ta zbatojnë Kushtetutën e Kosovës. Serbëve iu është dhënë mundësia të votojnë në zyrën ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, gjë që nuk është pranuar nga Beogradi, i cili ka caktuar dy qendra të votimit për serbët e Kosovës, atë në Rashkë dhe në qytetin e Bujanocit.

Mësohet se serbët nga disa qytete do të nisen drejt Serbisë me transport të organizuar por nga disa komuna ata do të udhëtojnë edhe me veturat e tyre. Mbrëmë u raportua se në Shillovë të Gjilanit grupe serbësh pritën në radhë për t’u furnizuar me naftë për të shkuar dhe votuar në Serbi.

Po ashtu, u tha se karburante falas u dhanë në një pikë të derivateve, ku u theksua se për këtë janë përdorur paratë nga fondi për trajtimin e fëmijëve të sëmurë.

Përndryshe, sondazhet thonë se Vuçiq mund të fitojë zgjedhjet presidenciale në raundin e parë. Ndërsa opozitës së përçarë i jepen shanse vetëm në kryeqytet, Beograd.

Opozita i ka bojkotuar në masë të madhe zgjedhjet e mëparshme parlamentare të vitit 2020 për shkak të kushteve të padrejta. Tani pritet që disa koalcione të futen në parlament. Koalicioni Të Bashkuar për Serbinë (US), i përbërë nga një spektër i gjerë partish demokratike të qendrës së majtë dhe të djathtë, mund të marrë midis 15 - 20 për qind të votave. Kandidati i tyre presidencial, Zdravko Ponosh, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, mund të fitojë edhe më shumë vota. Aleanca e re e majtë-gjelbër "Moramo" mund të kalojë gjithashtu pragun prej tre për qind të votave dhe të futet në parlament.

Skena e djathtë nacionaliste, e cila kandidon me pesë kandidatë presidencialë dhe pesë lista, po kalon një kohë shumë më të vështirë. Është e vërtetë që shumë votues janë të hapur ndaj parullave patriotike dhe nacionaliste. Mbi 80 për qind e qytetarëve të vendit refuzojnë anëtarësimin e Serbisë në NATO dhe rreth dy të tretat e shohin Rusinë si partnerin më të rëndësishëm. Megjithatë, të djathtët dhe nacionalistët nuk kanë vërtet shanse të mira për të hyrë në parlament.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat