Kuvendi pas një debati të gjerë të zhvilluar sot në seancën parlamentare, ka votuar me 64 vota për projektligjin në parim për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura, të cilin e ka arsyetuar ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla.
Ky projektligj u kritikua nga opozita dhe pati edhe përplasje ndërmjet deputetëve të pozitës dhe opozitës.
Deputetët nga PDK-ja kanë kritikuar ministrin e Brendshëm, se me anë të këtij projektligji po e kthen Kosovën në kohën e UNMIK-ut.
Derisa deputeti nga LDK-ja, Driton Selmanaj, ka thënë se ministri Sveçla nuk është kompetent të hartojë këtë projektligj.
Ai tha se për racionalizim nuk jep të drejt një ministri që flet për policinë, me treguar se si rregullohen institucionet e kulturës. Derisa ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti t’i kushton rëndësi kapaciteteve dhe resurseve njerëzore që draftojnë iniciativa të tilla.
Madje ai tha se kushdo që ia prek statusin Agjencisë për ndihmë juridike falas, e prek Kushtetutën.
Selmanaj: Ministri që flet për policinë nuk ka të drejt të tregoj si rregullohen institucionet e kulturës
“Kjo praktikë jo që është e mbrapsht, por s’ka asnjë kuptim. Racionalizimi i agjencive mund të jetë objektivë, nuk mund të transformohet në ligj special. Të gjithë jemi që të kemi kujdes dhe në qasje për të racionalizua ekzistimin e shumë agjencive të pavarura në Kosovë, që për nga statuti vërtet duan sqarim. Kemi agjenci ekzekutive brenda qeverisë, kemi agjenci që i raportojnë kuvendit, kemi agjenci rregulluese që janë të tepërta, edhe për nga numri, edhe për nga forma e funksionimit. Por, kjo në kuptim të idesë, për racionalizim nuk jep të drejt një ministri që flet për policinë, të na tregoj tash se qysh institucionet e kulturës me u rregulluar, qysh statusi i tyre me ndryshua. Por, kjo është e pakuptimtë, besoni. Unë kam një kërkesë për kryeministrin, jo për ministrin. Kryeministër të lutem, kushtoju rëndësi kapaciteteve dhe resurseve njerëzore që draftojnë iniciativa të tilla. Mos na sillni në kuvend në këtë situatë, sepse kjo është e pa kuptimtë. Duhet njerëz profesionist të fushave të caktuara t’i trajtojnë këto çështje”, theksoi ai.
Deputeti nga PDK-ja, Mërgim Lushtaku duke kundërshtuar këtë projektligj, tha se ministri Sveçla po vepron sipas tekeve të tij.
Lushtaku: Ministri i Brendshëm po na kthen në kohën e UNMIK-ut
“Shprehim kundërshtimin tonë, dhe shohim realisht që ministri i Punëve të Brendshme po na kthen në kohën e UNMIK-ut, se nuk po ka as praktikë më të mirë parlamentare dhe po donë me vendos vetëm si i teket atij”, tha ai.
Megjithatë, ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se përfitimet shtetërore nga ky proces i racionalzimit kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e llogaridhënies së agjencive.
Sveçla: Përfitimet nga racionalzimit ngritin cilësinë e shërbimeve dhe rritjen e llogaridhënies së agjencive
Përfitimet shtetërore nga ky proces i racionalzimit kanë të bëjnë me ngritjen e cilësisë së shërbimeve, rritjen e llogaridhënies së agjencive dhe dinamizimin e punës së këtyre institucioneve. Prandaj, kërkoj që ta mbështesni këtë projektligj dhe reformimin e administratës publike”, tha ai.
Kundër këtij projekligji janë shprehur edhe grupi parlamentar i AAK-së, ku sipas deputetit, Besnik Tahiri, opinioni i Zyrës Ligjore, e qartëson në mënyrë të qartë.
Tahiri: Nuk mundeni me një ligj të vetëm me riorganizua katër ligje të tjera
“Ne jemi në një situatë ku fatkeqësisht e kemi një opinion të Zyrës Ligjore, që na thotë në mënyrë eksplicite; “Nuk mundeni me një ligj të vetëm me riorganizua katër ligje të tjera”, theksoi ai.
Derisa deputeti nga VV-ja, Adnan Rrustemi vlerësoi se kjo praktikë nuk është e panjohur për vendin.
Madje, për deputetin Selmanaj, ai tha se ka aftësi për ta bërë ‘lëmsh’ materien.
Rrustemi: Nuk është praktikë e panjohur
“Kjo nuk është praktikë e panjohur në vendet demokratike, mdaje viteve të fundit ka ardhur për të ndryshuar edhe për shkak të pandemisë dhe krizës ekonomike. Në anën tjetër nuk është e panjohur as për Kosovën, nuk është vërtet që është përdorur vetëm në një rast, është përdorur së paku në dy raste, ka ndodhur me Projektligjin për Rimëkmëbje Ekonomike… Deputeti Driton Selmanaj, e ka një prirje të veçantë, e kjo është aftësia për ta bërë ‘lëmsh’ materien”, theksoi ai.
Në replikë, deputeti Selmanaj, tha se ka aftësi t’i jap zgjidhje situatave, jo për t’i bërë ‘lëmsh’.
Selmanaj: Kam aftësi për të dhënë zgjidhje situatave, jo ‘lëmsh’
“Unë prita që deputeti Rrustemi të flet për atë se çfarë mendon për mua, ta thotë atë çfarë mendon në Komision, sepse në komision shpesh herë më jep shumë punë për të kryer, në kuptimin e asaj që unë i jap zgjidhje situatave, jo i bëj ‘lëmsh’. Në publik po thotë diçka tjetër, tash mua po më dalin dy Adnan”, tha ai.
Në fund ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla ka thënë se janë tri opinione ligjore të cilat mbështesin këtë metodë.
Ai tha se për këtë qasje kanë një mbështetje edhe nga Zyra Bashkimit Evropian.
Sveçla: Kemi mbështetjen e Zyrës së BE-së për këtë qasje
“Janë tri opinione ligjore, të cilat mbështesin këtë metodë, është departamenti i Ministrisë së Punëve të Brendshme, Zyra Ligjore e ZKM-së dhe Zyra për Planifikim Strategjik. Plus është mbështetja e Zyrës së BE-së për këtë qasje, po ashtu të gjitha ministritë janë konsultuar dhe ka pajtueshmëri të plotë me to”, tha ai.