Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka kërkuar nga mazhoranca dhe opozita të bëjnë hapa prapa për të zgjidhur bllokadën për komisionin hetimor për energjinë.
Ai ka thënë se partia në pushtet duhet të heqë dorë prej diktimit në formulimin e çështjes dhe opozita të rishqyrtojë mundësinë e propozimit për komisionin hetimor.
Konjufca: Mazhoranca e opozita të bëjnë hapa prapa
“Rruga përpara mund të jetë vetëm me një mënyrë, kjo është që mazhoranca të heqë dorë prej kësaj që dikton në formulimin e çështjes dhe opozitës që të rishqyrtojë mundësinë e propozimit sa i përket lënies së lirë që ai grup parlamentar që dëshiron të udhëheq këtë që mos të jetë i përfshirë në nënshkrimet”, ka thënë ai.
Konjufca ka thënë se interpretimi ligjor që ka marrë nga Kuvendi, tregon se asnjëri nga 40 deputetët opozitarë që janë nënshkruar në kërkesë nuk mund të kryesojë komisionin. Megjithatë ai ka shtuar se i njëjti duhet të themelohet.
Konjufca: Ky është interpretimi i Zyrës Ligjore të Kuvendit
“Interpretimi ligjor është ky, se për shkak ndoshta edhe të pakujdesisë në mënyrën si janë grumbulluar nënshkrimet dhe vendosur aty, konkluzion është se asnjëri prej të gjithë atyre deputetëve nuk mund të drejtojë këtë komision. Meqenëse është kështu dhe interpretimi i zyrës ligjore është kështu, i cili është institucion kredibil i Kuvendit është se nuk ka mbetur asnjë hapësirë sa i përket propozuesit, jo themelimit se ai duhet të ndodh. Sa i përket kryetarit të Kuvendit dhe gjykimit tim është se unë po distancohem prej gjithë atyre deputetëve që kanë thanë se ky komision duhet të mos themelohet. Por ky komision duhet të themelohet, ky është gjykimi im”, ka thënë ai.
Ndërkohë kryeparlamentari Konjufca u shpreh kritik edhe ndaj mazhorancës.
Konjufca: Jemi bllokuar edhe për shkak të mazhoracës
“Njëri mendoj se është i mazhorancës, i cili është se unë nuk pajtohem se mazhoranca ka të drejt me diktuar interpretimin e çështjes që parashtrohet hetimi. Natyrisht mazhoranca mund të shpreh atë, mund të shkojë edhe deri në pozicionimin që për shkak të kësaj fare të mos votohet komisioni hetimor. Por jam i bindur se mazhoranca nuk mund ta diktojë formulimin e çështjes. Por kjo nuk i jep të drejtë grupeve opozitare të formulojnë çështjen qysh të donë... Kjo nuk i jep të drejtë opozitës të thotë çfarë të dojë në formulim, por kërkohet një gjuhë racionale për çështjet që shtrohen”, ka thënë ai.
Ndaj deklarimeve të Konjufcës ka reaguar deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, i cili ka thënë se Zyra Ligjore e Kuvendit nuk e ka autenticitetin dhe legjitimitetin për të interpretuar normat.
Selmanaj: Kjo zyrë nuk e ka autenticitetin dhe legjitimitetit për të interpretuar normat
“Kjo zyrë nuk e ka autenticitetin dhe legjitimitetit për të interpretuar normat, vullneti politik është gjithçka për të konsumuar demokracinë”, ka thënë Selmanaj.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka përsëritur se formimin e komisionit hetimor e përcakton qartë Kushtetuta dhe Ligji për hetimin parlamentar.
Tahiri: Formimin e komisionit hetimor e përcakton qartë Kushtetuta
“Sot është shumë e qartë edhe në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për hetimin parlamentar se 40 deputetë e caktojnë komisionin hetimor, nuk e propozojnë. Propozuesit e komisionit hetimor jemi ne, GP i PDK-së”, ka thënë Tahiri