Seanca e Kuvendit/ Sharje dhe përplasje mes pozitës e opozitës për komisionin hetimor për energjinë

Aktuale

Seanca e Kuvendit/ Sharje dhe përplasje mes pozitës e opozitës për komisionin hetimor për energjinë

Më: 28 prill 2022 Në ora: 07:43 Përditësuar në ora: 14:02 më 28.04.2022
Deputetët e Kuvendit të Kosovës

Deputeti i VV-së i reagon Tahirit të PDK-së: Robtë e tu munden me qenë më të ofenduar sesa robtë tanë

Mirsad Shkreta nga Lëvizja Vetëvendosje, i ka replikuar shefit të grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahirit, për gjuhën e përdorur në prani të të gjithë në seancën e sotme parlamentare.

”I nderuar koleg, Albelard, robtë e tu, munden me qenë më të ofenduar se robtë e tanë, për atë që e the më herët”.

”E kryetari yt, në vend që të merrej me gjuhën që përdore ti, do me na e mësu gjuhën tonë, se si të sillemi, e si të flasim në parlament”.

”Kjo flet për hipokrizinë e opozitës, edhe kur thotë që duhet të hetojnë secilin fakt, në këto 20 vite, e refuzon Komisionin Hetimor për 10 vjet, duke e përfshirë secilën kërkesë të opozitës”.

”Zotri kryetar i PDK-së, ne mund të kemi qenë në rrugëtimin tonë bashkë në faza të ndryshme. Por, ne nuk vimë nga rruga në profesionet tona. Shembullin e rrugës në politikë e keni ju. Ne kemi ardhë nga profesionet tona fisnike, me dhanë kontributin tonë siç po bëjmë edhe sot”.

Zemaj-VV-së: Merrni edhe hamamoviqat, fazliqat e stanishiqat, çoni në prokurori

Deputeti nga radhët e LDK-së, Armend Zemaj, akuzoi deputetët e LVV-së se po fshehin diçka të madhe, në lidhje me moskrijimin e Komisionit Hetimor.

“Mendoj se sa më shumë që po barikadoni për mos lejimin e këtij Komisoni Hetimor,  jo vetëm që po i ngritni dyshimet, por kam frikë se me të vërtetë po fshehet diçka e madhe. Nuk mund të bllokoni komisionet hetimore parlamentare në emër të inicimit të grupit të tematikës, sepse e bllokoni demokracinë”, u shpreh Zemaj.

“Të jeni të vëmendshëm, sepse po bëheni pjesë, me qëllim apo pa qëllim, e ndonjë fshehje, e cila mund të jetë vepër penale, apo e korrupsionit. Me këto bllokada nuk po dilni serioz as nuk po tregoni përkushtim për luftimin e të keqes”.

Tutje Zemaj u lëshua në fjalor, duke përmendur disa shprehje që nuk përkojnë fare me fjalorin e gjuhës shqipe.

“A jeni ju që në ditën e parë që keni ardhur në pushtet në Prishtinë, i keni dërguar në prokurori 70 dosje? Merrni dosjet e KEK-ut, e keni kryeshefen, e keni bordin, krejt janë nën logon e LVV-së, dërgoni në prokurori, pse po i lejoni me hy në parashkrim, pse po kërkoni Komision Hetimor? Merrni dhe dërgoni krejt dosjet e blerjes së energjisë elektrike, edhe me at Genin, edhe me Genoxin, edhe me hamamoviqat e fazliqat e stanishiqat e rankoviqat, çoni në prokurori, e keni instrumentin, e keni pushtetin. Pse po kërkoni hetim parlamentar, zgjerim të kompetencës së hetimeve”, tha deputeti.

Krasniqi: Mos u mashtroni, se nuk ju zgjatë

Kryetari i PDK’së, Memli Krasniqi sot gjatë fjalimit në seancë ka deklaruar se pushteti po tenton të fshehë hetimet për rrymën.

’E keni shndërru në tifozeri. Sepse ky nuk është mandat i deputetit. Hetimi Parlamentar në esencë është instrumenti kryesor që e ka opozita. Përtej kësaj, hetimi parlamentar është raporti që e krijon Kuvendi me Qeverinë që e ka zgjedh. Jemi të drejtë me hetu punën e qeverisë. Nuk ka ndodh asnjëherë në historinë e parlamentarizmit me deviju prej kësaj rregulle të praktikës demokratike. ‘’

‘’Pse nuk po i hetoni krejt këto 20 vjet që i keni përmend deri tash. Mimoza Kusari Lila është në bankën e akuzuar për qat të kaluar. Ju jeni të bindur se kjo e ka shkel ligjin e ka bë krime. Për KEDS që koka shitë lirë, për të njëjtin që ia keni dhënë 100 milionë euro. Po ikni edhe prej mandatit që deputetit që e keni. A ia kemi borxh vec Qeverisë, Martin Berishës, atyre që u kanë besu e dhënë mandatit për me i përfaqësu interesat e tyre. Apo qytetarëve të Kosovës që sot janë tu e pagu 100 për qind rrymën e ju s’po na leni me hetu pse. Bojke hajgare Kurti se nuk ruhet rryma nëpër frigorifera, e tash po bojka me softwera. E tash po dalin skandale e afera të ajshtëzakonshne. Pse vlla tendenca me fsheh diçka. Ju keni nis me ju besu edhe atyre mashtrimeve e manipulimeve tuaja. ‘’

’Nuk zgjat, mos u mashtroni se jena kanë edhe na në pushtet. Kurti mundet me vonu këtë hetim, ama nuk ka me u ndalë.’

LDK-ja propozon Selmanajn për kryetar të Komisionit hetimor për energjinë

Shefi i Grupit Parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, ka propozuar deputetin nga radhët e grupit të tij parlamentar, Driton Semanajn, për kryetar të Komisionit hetimor parlamentar për energjinë.

“Në këtë komision meqenëse është LDK-ja është i vetmi grup parlamentar që nuk është tërësisht i përfshirë në nënshkrimet për formimin e komisionit propozojmë për kryetar të komisionit deputetin Driton Selmanaj dhe anëtar Besian Musatafa. Deputeti Selmanaj nuk është nënshkrues për formimin e komisionit hetimor po ashtu nuk janë nënshkrues as deputeti Pacolli e as deputetja Marigonë Geci”.

Tutje, Gashi ka refuzuar shkrirjen e Komisionit hetimor parlamentar për energjinë të propozuar nga opozita në atë të pozitës.

Gashi ka thënë se Komisioni hetimor i iniciuar nga Abelard Tahirin, 40 nënshkrime të deputetëve do të formohet.

“Zonja Kusari del dhe thotë se ne e kemi propozuar një komision tjetër dhe ju duhet me kalu sot këtë komision por me shkri në atë komisionin tjetër. Jo kjo nuk ko me ndodh. 40 deputetë nënshkrues me iniciativ të deputet Abelard Tahiri kanë të drejtë kushtetuese me formu komision dhe ai komision do të formohet. Kur? Kur të edukoheni ju ndoshta”, ka thënë Gashi.

Gashi ka thënë fushën e veprimit nuk mund ta ndryshoj as iniciuesi.

“Komisioni i veçantë parlamentar e ka objektin e vetë, kërkesa e 40 deputetëve nuk mund të ndryshohet as me kërkesën e iniciatorit. As kur keni thirr ju as na seancë të jashtëzakonshme, kurrë nuk është ndryshuar rendi i ditës. Çka po ndodh sot? Pushteti tenton me e mbyll një kërkesë për hetim parlamentar”.

Zgjerimin kohor të hetimit për 16 vjet, të propopozuar nga LVV-ja, e ka quajtur të paarsyeshëm Gashi.

Pushteti dhe opozita me propozime të ndryshme rreth hetimeve për energjinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë duke diskutuar të enjten, 28 prill, për themelimin e një komisioni hetimor parlamentar për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria e Kosovës.

Në diskutim janë dy komisione hetimore për energjinë.

Njëri është iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës dhe është përkrahur Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Komisioni tjetër është propozuar nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

Partitë opozitare kanë thënë se komisioni i tyre do të analizonte të gjitha masat e marra prej periudhës së shpalljes së gjendjes emergjente për energjinë, për të cilën Kuvendi ka votuar në fund të vitit të kaluar.

Komisioni i propozuar nga LVV do të hetonte më shumë çështje në sektorin e energjisë.

Lajmin e plotë mund ta lexoni këtu.

​Gashi: Komisioni hetimor i iniciuar nga opozita do të formohet

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi është shprehur i vendosur për formimin e komisionit hetimor parlamentar për krizën energjetike të iniciuar nga opozita.

Duke iu kundërpërgjigjur propozimit të mazhorancës, Gashi tha se asnjëherë nuk ka ndodhur që një shumicë parlamentare të ndryshojë objektin e hetimit dhe fushën e veprimit.

Gashi: Komisioni hetimor i iniciuar nga opozita do të formohet

“Asnjëherë në krejt këto komisione hetimore që janë formuar, asnjëherë asnjë shumicë nuk e ka ndryshuar objektin e hetimit dhe kohëzgjatjen e hetimit dhe fushën e veprimit. Çka po ndodh tash, zonja Kusari del dhe thotë se ne kemi propozuar një komision tjetër dhe ju nuk duhet të kaloni këtë komision sot dhe duhet me shkri në atë komisionin tjetër. Kjo nuk ka me ndodh, 40 deputetë nënshkrues me iniciativë të deputetit Abelard Tahiri kanë të drejtë kushtetuese me formu komision dhe ai do të formohet. Kur, kur të edukoheni ju ndoshta. Besoni se do të edukoheni. Komisioni hetimor e ka objektin e vet, kërkesa e 40 deputetëve nuk mund të ndryshohet, as me iniciativën e personit që ka marrë nismën”, tha ai.

​PDK kërkon formimin e komisionit hetimor për energjinë

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në seancën e sotme plenare kërkoi formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike.

Deputeti Ferat Shala tha se kërkesa për hetim parlamentar është e ligjshme dhe natyrshme për t’i dhënë dritë miliona eurove subvencione për import të energjisë elektrike. Ai tha se mohimi i të drejtave të 40 deputetëve do të përshkallëzoje situatën politike në Kuvend.

Shala: Kërkesa për komision hetimor parlamentar është e drejtë e ligjshme

“Kërkesa jonë për komision hetimor parlamentar është e drejtë e ligjshme e natyrshme. Problemet ekonomike energjetike kanë kapluar pjesën dërmuese të debatit politik ekonomik dhe social të vendit. Ky sektor në kohë të veçantë ka rënduar edhe xhepin e çdo qytetari. Qeverisë i ka hequr nga buxheti i saj rreth 100 milionë euro, andaj kemi obligim të kemi një proces transparent që nuk e kemi deri më sot...Mazhoranca nuk mund të mbijetojë në pushtet duke mohuar të drejtën legjitime kushtetuese të opozitës, ajo duhet t’i kthehet projekteve, llogaridhënies, transparencës dhe bashkëpunimin me opozitën, shoqërinë civile dhe grupet e interesit. Arroganca e fuqisë së numrave do të përshkallëzojë situatën politike në kuvend që nuk i duhet kuvendit”, tha ai.

Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri tha se pajtohen që të formohen edhe komisione të tjera hetimore për energjinë, por kërkesa e tyre është e veçantë për hetim vetëm të shpenzimit të 125 milionë eurove në krizën energjetike.

Tahiri: Ju ftojmë t’i bëjmë 20 komisione hetimore për secilin vit dhe i trajtojmë

“Komisioni hetimor ka mandat gjashtë muaj. A ua merr mendja se për 6 muaj edhe nëse punojmë 12 orë në ditë, do të mund t’i përmbledhim të gjitha këto gjëra? Vetëm për Hadën mund të bëhet një komision hetimor, pra për secilën çështje nëse doni ta trajtoni duhet të ketë komision hetimor. Jo dy, por ne ju ftojmë t’i bëjmë 20 komisione hetimore për secilin vit dhe i trajtojmë”, tha ai.

​Rizvanolli: Opozita po dezinformon, kompania GEN s’ka lidhje me Serbinë

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli i është përgjigjur akuzave të opozitës për rastin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Ajo në seancën e Kuvendit akuzoi opozitën se po ndan dezinformata dhe se e kompania GEN-i me Serbinë s’kanë lidhje, pasi sipas saj e njëjta kompani është sllovene.

Rizvanolli: Lidhja e kompanisë GEN me Serbinë është palidhje

“Kompaninë GEN-i që po e përmendi nuk është kompani serbe, por sllovene. Po më pëlqen që tash e keni ndryshuar kompani sllovene në bazë në Beograd. Kjo është si me thënë kompaninë Coca-Cola me bazë në Serbi dhe me lidh me Serbinë këtë punë, është totalisht palidhje”, tha ajo.

Ministrja tregoi shifrat e subvencionimit të importit të energjisë elektrike gjatë krizës energjetike.

Rizvanolli: Opozita ose nuk e njeh sektorin e energjisë ose po ndanë dezinformata

“Për subvencionimin e importit nga qeveria e fundit nuk e di a nuk e njihni fare sektorin e energjisë, apo me qëllim po ndani deziformata. Sidoqoftë, nuk janë ndarë 120 milionë ende, janë ndarë 30 milionë për import për subvencionim të importit të energjisë. Nga këto janë shpenzuar rreth 23 milionë, ndërsa shtatë milionë tjera mbesin në llogari të KEK-ut. Për mënyrën e shpenzimit të tyre, KEK dhe Ministria e Ekonomisë do të ndajnë të gjitha informatat që janë relevante dhe shërbejnë për informim të opinionit... Ndërsa për 97 milionë euro të tjera që janë zotuar, por ende nuk janë ndarë për subvencion, disbursimi i tyre ende nuk ka filluar”, shtoi ajo.

Ndërkohë, theksoi se investimet në energji janë bllokuar për shkak të ish-qeverive të kaluara.

Rizvanolli: Investimet në energji janë bllokuar për shkak të ish-qeverive të kaluara.

“Investimet në energji janë bllokuar për dekada, është e vërtetë, por për këtë mbani përgjegjësi ju që keni planifikuar projekte të dështuara dhe keni dështuar t’i realizoni ato. Nga kompanitë serbe është e vërtet që është importuar që nga vitit 2000 deri në vitin 2014, pas të cilës ka vazhduar të importojë KESCO dhe KEDS pasi i keni privatizuar. Për këto shpresoj që komisioni hetimor parlamentar t’i sqarojë rrethanat si kanë ndodhur dhe a ka përfituar dikush nga kjo”, theksoi Rizvanolli.

Konjufca e Tahiri sqarohen për sharjen në Kuvend

Shefi i GP parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, gjatë një përplasje në Kuvend me deputetët e pozitës, të cilët krijonin zhurmë derisa ai tentonte t’i kundërpërgjigjej ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiut, është dëgjuar duke sharë “Ah robt…”.

Një çështje të tillë e ka ngritur në Kuvend pas disa çastesh edhe kryekuvendari, Glauk Konjufca, duke i thënë Tahirit se e kishte mikrofonin dhezur dhe se është dëgjuar teksa ka sharë.

Konjufca e ka ftuar Tahirin që ta tërheq fjalën. 

Pas Konjufcës, fjalën e ka marrë Tahiri i cili ka thënë se një gjë të tillë ka mund ta bëj në afekt për shkak të situatës së krijuar në Kuvend, mirëpo ka theksuar se një shprehje e tillë s’është drejtuar kundër asnjë deputeti në Kuvend. 

Tahiri ka thënë se kushdo që është ndjer i prekur nga një shprehje e tillë, përfshirë edhe qytetarët që kanë qenë duke e ndjekur seancën, iu kërkon falje. 

“Nëse ka qenë në afekt për shkak të situatës, mirëpo në asnjë rrethanë nuk është drejtu kundër asnjë deputeti. Kushdo që është ndjer i fyer, iu kërkoj falje. Sepse në asnjë rrethanë nuk e përdori atë fjalë”, ka thënë Tahiri. 

Më pas Konjufca e ka konsideruar reagimin e Tahirit si një tërheqje të fjalës.

“Mirë këtë po e marr si tërheqje të fjalës”, ka thënë Konjufca.

E gjithë situata është krijuar si rezultat i debatit për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, i cili nga mediat në Slloveni është eitketuar si i përfshirë në një skandal financiar.

E trupshme, Abelard Tahiri i shan deputetët e pozitës: Rob’t…

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka shpërthyer deri në sharje, pasi deputetët e pozitës po bënin zhurmë, ndërsa ai ishte ngritur në këmbë për ta kundërshtuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu.

Deri në këtë situatë, Tahiri erdhi pasi u ngrit në këmbë ndërsa Haxhiu i thoshte “qetësohu”.

“Z. Tahiri nuk ke nevojë me u shqetësu. Qetësohu. Qetësohu. Ju nuk keni të drejtë me i thënë “mbylle” ministres së Drejtësisë dhe askujt tjetër”, tha ajo.

“Krejt krimet që i keni bë kanë me u zbardhë”, tha ajo ndër tjerash.

Ndërsa mundohej t’i përgjigjej Haxhiut nga vendi, Tahiri iu drejtohet deputetëve të LVV-së.

“Hajde ma shumë, ma shumë. A rob’t jua q***”.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat