Ish këshilltari dhe njeriu më i afërt i Presidentit historik, Ibrahim Rugovës, Adnan Merovci në një postim të tij në Facebook ka kujtuar momentin kur i tregoi atij për vrasjen e profesorit Fehmi Agani.
Merovci tregon në detaje bisedën që kishte bërë në ato moment me Presidentin Rugova.
“Mo' bre”! ishte reagimi i tij i parë. Iu nxi fytyra dhe iu zu goja. “M’u paska thye një krah i fortë. Eh, Profesor bre”, ishte fjala e tij në vazhdim dhe më nuk foli për një kohë”, shkruan Merovci.
Poashtu Merovci thotë se edhe krimineli Millosheviҫ kishte folur për vdekjen e profesorit Fehmi Agani, në gjykatore, duke dashur të arsyetohej pati thënë: Për AGANIN edhe mua më vjen keq, por atë e ka vrarë UÇK-ja), unë ja ktheva: “Për atë që t’ka ardhë keq, e ke vrarë”.
Postimi i plotë:
“M’u paska thye një krah i fortë. Eh, Profesor bre”!
E shtune, 08.05.1999, Romë, Shkup, Romë, Bon, Romë
Zgjohem në orën 07.30, dal në restorant për kafenë e mëngjesit. Aty takoj Kryetarin. Ne tani kemi dhomat larg njëra tjetrës. Gjatë pirjes së kafes më merr në telefon znj. Rosella FRANKINI, më thotë së z. Viktor ÇERNOMIRDIN, Emisar Special i Presidentit Rus Boris JELLCIN për Kosovën dhe Kancelari gjerman Gerard SHRODER, duan të takoheshin me Kryetarin nesër në Bon. Kryetari u pajtua dhe kjo ndryshoi planet. Unë planifikova të qëndroja në Shkup deri të hënën. Kështu, vendosa të shkoj dhe të kthehem brenda ditës nga Shkupi, së bashku me familjen time. Me z. Masimo MIKUÇI, personi i caktuar nga qeveria italiane për logjistikën tonë, u nisëm për në aeroportin Çampino në Romë. Aeroplani special, ku janë piloti, ndihmësi i tij dhe një stjuardesë më pritnin gati. Fluturojmë në orën 11.00 për në Shkup. Paraprakisht, njoftoj Afërditën që të bëhej gati, sepse do të ktheheshim menjëherë.
Një lajm që më demoralizoi dhe më tronditi thellë ishte vrasja e Profesor Fehmi AGANIT, bashkëpunëtorit më të ngushtë politik të RUGOVËS.
Trupi i pajetë ishte gjetur diku afër Lipjanit dhe regjimi serb, për ironinë më të madhe, këtë vrasje ia kishte mveshë UÇK-së.
Më vonë, kuptova se njoftimin publik për vrasjen e Profesorit e kishin bërë Shpend AGANI, biri i tij dhe Edita TAHIRI e Rexhep ISMAJLI, bashkëpunëtorë të Profesor AGANIT, në një konferencë shtypi në Shkup. Qëllimi i regjimit serb ishte futja e përçarjes. Këtë populli dhe askush nuk e kapërdinë sepse dihej që Prof. AGANI ishte rrëmbyer nga treni dhe ishte dërguar me makinë të policisë serbe në drejtim të panjohur për ta shpallur pastaj të vrarë nga UÇK-ja. Rrethanat e likuidimit të AGANIT shumë vështirë do të zbardhen, ndoshta asnjëherë.
Tre vjet më vonë, kur u ballafaqova me MILLOSHEVIQIN, por tani në Tribunalin e Hagës, ku ai ishte i akuzuari e unë dëshmitari i prokurorisë, në deklaratën time rrëfeva momentin kur gjatë takimit me të, më 1 prill 1999, ngrita rastin e Profesor Fehmi AGANIT, i cili nuk dihej se ku është, MILLOSHEVIQI atëherë për ta shënuar këtë rast mori lapsin dhe mbi pako të cigares shkroi emrin e Profesor AGANIT të cilin më pas e vrau. MILLOSHEVIQI në gjykatore, duke dashur të arsyetohej pati thënë: “Za AGANIA i meni je žao, ali njega je ubio UÇK” (Për AGANIN edhe mua më vjen keq, por atë e ka vrarë UÇK-ja), unë ja ktheva: “Për atë që t’ka ardhë keq, e ke vrarë”.
Gjatë daljeve të mia, sa ishim në Prishtinë, bisedoja me disa njerëz që e njihnin AGANIN, jam përpjekur ta gjej dhe e kam kërkuar gjithandej. Vetëm legalizimi dhe bërja publike se ai ishte gjallë do të ishte mbrojtja më e mirë për të. Përndryshe, propaganda serbe, për ta krijuar atmosferën e likuidimit të tij pati dezinformuar se gjoja ai është vrarë para një muaji. Kam kërkuar njerëzit e tij të afërt që të ma tregojnë vendndodhjen, por pa sukses.
Qeveria italiane më mundësoi aeroplan special për bashkimin me familjen time. Ora 11.30, ndodhemi diku në qiell për në Shkup. Për shkak të dendësisë së aeroplanëve, vija fluturuese do të jetë përmes Selanikut e pastaj në Shkup.
Ora 12.30; aterojmë në Shkup. Për të më pritur në aeroport kishte dalë Sekretari i Ambasadës italiane në Shkup, z. Mario KUARANTA (Mario QUARANTA). Takova Myzaferen (motrën time), Landën, znj. Resmije etj. Fola në telefon me Ambasadorin amerikan në Maqedoni, z. Kristofer HILL dhe e njoftova detajisht për planet dhe takimet e bëra dhe ato të planifikuara. Ai më tha se edhe Uashingtoni e fton RUGOVËN në vizitë. Ambasadori HILL më porositi që të jemi në kontakt dhe komunikim të vazhdueshëm me të dhe ta njoftoj për rrjedhat e takimeve në Bon. Me Ambasadorin HILL njihemi kohë të gjatë dhe kuptohemi shumë mirë.
Me Afërditën dhe fëmijët u përgatitëm të kthehemi në Romë. Në ndërkohë më njoftuan se takimi në Bon i RUGOVËS do të jetë sonte. Me familje, në Romë arritëm në orën 17.45. Afërdita me fëmijët shkoi me automjete qeveritare në Vila PAMFILL, ku e kishim vendin e banimit. Unë prita Kryetarin në aeroport dhe së bashku u nisëm me të njëjtin aeroplan në Bon. Sonte në orën 21.00, do të takoheshim me z. ÇERNOMIRDIN dhe Kancelarin SHRODER. Z. ÇERNOMIRDIN nesër do të udhëtonte për në Beograd dhe donte paraprakisht ta takonte RUGOVËN. Askush nuk e kishte njoftuar RUGOVËN për vrasjen e AGANIT. Italianët më thanë që t’ia kumtoj lajmin e zi, i cili kishte orë që kishte marrë dheun por Kryetarin kishin hezituar ta njoftonin. Mendohem e mendohem, se si ti them; mblodha veten dhe iu drejtova: “Kryetar ti na ke thënë se edhe po të bëhet gjaku deri në gju, nuk duhet humbur kokën”. Më shikoi dhe rrëmbyeshëm më pyeti: “Fol bre Adnan çka ka ndodhë”? I zbehur ia ktheva: “E kanë vrarë Profesor AGANIN. Ngushëllime”, e ula kokën. “Mo' bre”! ishte reagimi i tij i parë. Iu nxi fytyra dhe iu zu goja. “M’u paska thye një krah i fortë. Eh, Profesor bre”, ishte fjala e tij në vazhdim dhe më nuk foli për një kohë. Italianët që na shoqëronin e dinin se unë kisha marrë obligim për t’ia dhënë kumtin e kobshëm dhe ata kishin të njëjtën brengë. Me të vërtetë, u mërzit shumë dhe nuk foli asnjë fjalë, nuk piu as cigare as kafe. Kur i refuzon këto dyja, kjo do të thotë që ai është tej mase i prekur.
Ora 19.30, ndodhemi në qiell në fluturim. Fiks në orën 20.30 arritëm në aeroportin Koln-Bon, prej ku vazhduam në Pallatin Qeveritar Pitersberg, ku ishte paraparë takimi i parë me Kancelarin SHRODER, i cili u realizua në orën 21.30. Takimi me Kancelarin SHRODER zgjati rreth 40 ...
Marë nga libri: "PENGU".
#fakte, #adnanmerovci, #IbrahimRugova, #FehmiAgani/Bota sot