Përfaqësues politikë, bashkëluftëtarë e qytetarë të shumtë sot kanë kujtuar veprën e heroit të kombit Bahri Fazliu i cili ra heroikisht 24 vite më parë, më 7 maj të vitit 1998 në vendin e quajtur Bogiqe të Malit të Zi.
Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, së bashku me bashkëpunëtorë, nderuan veprën e Fazliut të cilin e cilësoi si një nga emblemat e lirisë dhe çlirimit të Kosovës.
Krasniqi: Bahri Fazliu, emblemë e lirisë
“Padyshim është një nga emblemat e lirisë dhe çlirimit të Kosovës dhe njerëzit që i kanë dhënë gjithçka për vendin tonë, siç është gjithë familja e Fahriut, familja e Fahri Fazliut dhe dëshmorët e tjetër qëndrojnë në themelet e lirisë dhe të shtetit që gëzoje sot, prandaj është obligim i yni, edhe qytetar, edhe institucional, edhe shtetëror, që të kujtojmë me pietet dhe me vlerësimin maksimal kontributin e tyre për liri”, deklaroi Krasniqi.
Edhe veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës bënë homazhe pranë varrit të heroit në Velani të Prishtinës.
Kryetari në detyrë i Shoqatës së Veteranëve të UÇK-së, Faton Klinaku, deklaroi se nuk duhet harruar asnjëherë se liria e sotme është falë sakrificës së të gjithë dëshmorëve.
Klinaku: Lirinë e gëzojmë falë dëshmorëve
“Kur i nderojmë dëshmorët, natyrisht që duhet ta kemi parasysh që si rezultat i luftës, sakrificës së tyre, e gëzojmë edhe këtë lirinë që e kemi sot, edhe pse kjo liri do të duhej ta kishte brenda vetes edhe atë betimin që e kishte lufta jonë çlirimtare, lufta jonë ka pasur të bëjë nga çlirimi nga pushtuesi dhe bashkimin e trojeve tona shqiptare”, tha Klinaku.
Në emër të familjes, foli nipi i Bahriut, Fahri Fazliu, i cili falënderoi të gjithë qytetarët që kishin ardhur për të nderuar veprën e heroit.
Fazliu: Faleminderit të gjithë për nderimin
“Sot përkujtojmë 24-vjetorin e heroit të kombit Bahri Fazliu, një ndër ideologët e çështjes kombëtare shqiptare. Në emër të familjes Fazliu, i falënderojmë të gjithë që kanë gjetur kohën për të marrë pjesë në homazhe për të nderuar heroin e kombit Bahri Fazliu. Edhe njëherë i falënderojmë të gjithë të pranishmit”, tha ai.
Bahri Fazliu ishte vëlla i heroit Fahri Fazliut, i cili më 2 nëntor të vitit 1989 bashkë me Afrim Zhitinë ranë heroikisht në një betejë me policinë serbe në lagjen “Bregu i Diellit” në Prishtinë.