Publikohen marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë – detajet nga mbledhja e përbashkët

Aktuale

Publikohen marrëveshjet e nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë – detajet nga mbledhja e përbashkët

Më: 20 qershor 2022 Në ora: 09:04 Përditësuar në ora: 12:51 më 20.06.2022
Foto nga vendi i ngjarjes

“Mos u nxito t’ia marrësh koleges”, Rama vazhdon me batuta edhe me ministren e tij

Kryeministri Edi Rama ka vijuar me batutat në mbledhjen e përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Para se të flisnin ministret e energjisë të dy vendeve, pati një ngatërresë në lidhje me protokolle që ishin prezantuar pak më parë.

Rama ftoi ministrat të merrnin fjalën, pasi nëse do të ishte për të, ai do i jepte fjalën mikpritësve nga Kosova dhe Kurti të ftuarve nga Shqipëria.

“Mos u nxito t’ia marrësh koleges se tregon atë që kemi thënë gjithmonë, sa më shumë gra aq më mirë për vendin po më keq për gratë”, tha Rama.

Rama i drejtohet Liburn Aliut: Po xhelozojnë ministrat

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka vazhduar me batuta në mbledhjen e përbashkët mes dy qeverive.

Pas Sveçlës, Rama këtë herë e ka pasur me Liburn Aliun.

Rama e ka lavdëruar ministrin e Infrastrukturës, duke e çmuar punën e tij.

“Ministrat e tjerë po xhelozojnë që nuk po mund të bashkëpunojnë me juve”, ka thënë Rama në mbledhje.

Marrëveshja Shqipëri-Kosovë për pranimin e studentëve në universitete / Ministrja Kushi: U ofrojmë të rinjve tanë mundësi dhe kushte të barabarta konkurrimi

Gjatë takimit të sotëm mes dy qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, u nënshkruan disa marrëveshje ndërqeveritare, ndër të cilat edhe një marrëveshje për pranimin reciprok të studentëve në universitete.

Marrëveshja e nënshkruar nga ana e Ministres Kushi synon unifikimin dhe lehtësimin e procedurave të aplikimit, konkurrimit dhe regjistrimit për të dy vendet.

Znj. Kushi e ka konsideruar një lajm shumë të bukur për të rinjtë shqiptarë në Shqipëri dhe Kosovë që synojnë të vazhdojnë studimet e larta. Me anë të kësaj marrëveshjeje ofrohen mundësi dhe kushte të barabarta për të konkurruar në universitetet e të dyja vendeve, duke lehtësuar dhe ulur në 3 ditë pune procedurat e njohjes së diplomave Bachelor dhe Master në të dy vendet respektive.

Shqipëria dhe Kosova do të kenë procedurat të unifikuara të aplikimit dhe regjistrimit në programet e ciklit të parë, të dytë dhe profesionale.

Ministrja Kushi bëri të ditur se duke filluar nga viti i ardhshëm akademik një maturant shqiptar nga Shqipëria mund të konkurrojë në Kosovë me të njëjtat kushte, kritere dhe procedura si shqiptarët e Kosovës. Po kështu edhe një maturant shqiptar i Kosovës mund të vijë në Shqipëri t’i nënshtrohet njësoj kritereve dhe procedurave tona.

Znj. Kushi shton se kjo marrëveshje nuk i ndryshon procedurat e ligjeve të mëparshme për kuota të veçanta për vendet respektive. Për shembull në Shqipëri universitetet përcaktojnë vetë një numër kuotash për studentë nga Kosova, Maqedonia apo Presheva. Kjo do të vazhdojë të jetë në fuqi, me qëllim nxitjen e shkëmbimeve mes vendeve. Marrëveshja vjen me momentin e duhur, pas unifikimit të kurrikulave tona, maturantët janë të përgatitur në të njëjtin program, prandaj ky vendim është shumë i natyrshëm dhe plotësisht i zbatueshëm.

Rama Sveçlës: Çka janë këto lehtësira?

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ironizuar për marrëveshjen mes dy qeverive për lehtësirat në kalimet kufitare.

Ai ka pasur disa pyetje për ministrin Sveçla.

“Kjo fjalia do të kemi disa lehtësira, më fut ankthin. Mund ta dijmë si do të kalohet kufiri në korrik e gusht. Çka janë këtu disa lehtësira. Se këtu bëhet fjalë e kur shkon njeriu për plazh të mos ndalojë”, tha Rama.

“Nëse mundem. Herës së fundit kur isha në Shqipëri, polici kufitar në Vërmicë më uroi udhë të mbarë”, u përgjigj Sveçla.

“A mund t’ia kurseni edhe këtë urim qytetarëve. Të kenë ndalime të rastësishme për çdo 500 makina”, reago sërish Edi Rama.

Rama befason me një propozim, në nëntor kërkon të mbledhen dy Kuvendet

Gjatë mbledhjes së tetë mes dy qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë, kryeministri shqiptar, Edi Rama, ka propozuar që në nëntor të mbahet Kuvendi i Përbashkët mes dy vendeve.

Ai këtë propozim e bëri meqë është afër 110 vjetori i pavarësisë së Shqipërisë, “në funksion të optimizmit që kthehet në entuziazëm”.

Rama tha se nëse dakordohen kryesitë e dy kuvendeve, ai dhe Kurti do ta adresojnë këtë dhomë të përbashkët.

Ai tha se slogani “të përbashkuar”, materializohet në Kuvendin e Përbashkët mes dy qeverive.

Në pjesën tjetër të optimizmit që kthehet në entuziazëm, e kam merak vetë. Në funksion të optimizmit që ktheht në entuziazëm, unë do t’iu propozoja që, meqenësë jemi në 110 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë dhe ngritjes së flamurit të pavarur të Shqipërisë, ne të kishim në nëntor të parin kuvend të përbashkët, me të dyja parlamentet e mbledhura në një dhomë, ku po na u dha mundësia dhe po u ra dakord, na jepet ne të dyve privilegji që të adresojmë këtë dhomë të përbashkët të Kuvendit. Por në të gjitha rastet, nëse bashkarisht arrijmë të bindim të dy kryesitë e kuvendeve, në Kosovë dhe Shiqpëri, që të kemi këtë kuvend të përbashkët, atëherë japim edhe mesazhin për të gjitha ata që lexojnë sloganet e mbledhjeve që këto s’janë slogane bosh. Mbledhja e tetë e qeverive të Kosovës dhe Shqipërisë me sloganin “të përbashkuar”, materializohet në Kuvendin e përbashkuar të nëntorit, edhe ky është një projekt që na vlen dhe në ndërkohë me shumë kënaqësi që puna e nisur mes dy kuvendeve ka kaluar në një nivel komplet tjetër".

​Kurti: Na duhet bashkërendim më i mirë në çështjet rajonale dhe të politikes së jashtme

Kreu i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në hapjen e mbledhjes së përbashkët me Qeverinë e Shqipërisë, ka thënë se marrëdhëniet në mes të dy vendeve janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi është i garantuar në të gjitha fushat e tjera.

Sipas kryeministrit të Kosovës, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim dhe jo në fund.

Kurti: Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi është i garantuar në të gjitha fushat

Marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve tona janë dëshmi se kur nuk ekzistojnë probleme të pazgjidhura politike, suksesi i marrëdhënieve në të gjitha fushat e tjera është i garantuar, është gjithashtu dëshmi se bashkëpunimi, integrimi dhe zhvillimi i qëndrueshëm në gjithë rajonin sigurohet duke i zgjidhur problemet politike në fillim e jo në fund. Lënia për fund dhe mbajtja pezull e zgjidhjes së problemeve esencial politik mban pezull mosbesimin e ndërsjellë social”, tha Kurti.

Ndër të tjera, Kurti ka thënë se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetët drejtues i politikave.

Kurti: Anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetët drejtues i politikave tona

“Bashkëpunimin dhe integrimin brenda kombit dhe dy shteteve tona e ka lehtësuar fakti se veç sa po e zbatojmë në rastin tonë parimet dhe praktikat tashmë të njohura të Bashkimit Evropian, përderisa edhe anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetët synimi i ynë i përhershëm dhe drejtues i politikave tona”, tha kryeministri i Kosovës.

Ndërsa lidhur me marrëveshjet që pritet të nënshkruhen sot në mes të Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë, Kurti ka thënë se të njëjtat synojnë lehtësimin mëtejshëm të jetës së qytetarëve duke ndërtuar infrastrukturën e përbashkët për arritjen e synimeve.

Ai ka përmendur marrëveshjen për pranimin e studentëve në institucionet e arsimit të lartë me të njëjtat procedura, pavarësisht se në cilën anë të kufirit ndodhen.

Gjithashtu, ka përmendur projekt idenë për lidhjen hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Kurti për marrëveshjet: Pas gjashtë muajsh do të kemi rezultatet e ardhshme

Pritshmëritë tona janë reale, proceset integruese e përbashkuese të parashikuara në këto marrëveshje janë tashmë të gatshme në praktikat më të mira botërore. Ndërkohë na mbetët edhe përcaktimi i shpejtësive të zbatimit të tyre, ne besojmë që gjashtë muaj më pas do të kemi rezultatet e ardhshme. Për fund, na duhet harmonizim dhe bashkërendim më i mirë i politikave dhe veprimeve në mes të dy vendeve tona si në çështjet rajonale, po ashtu edhe të politikes së jashtme. Është e vërtetë që shqiptarët sot jetojmë më mirë se kurdo herë, por krahasimi ynë vetëm me vetveten nuk është matësi më i mirë, sepse ne ishim populli më i shtypur e si rrjedhojë edhe më i pazhvilluari në Evropë. Progresin tonë duhet ta matim duke e krahasuar me atë të vendeve të zhvilluara në të cilat edhe kanë ikur një pjesë e mirë e popullit tonë”, tha Kurti.

Kurti gjithashtu është shprehur i kënaqur me zbatimin e marrëveshjeve të deritanishme. 

Rama shkakton të qeshura: Prej se ka ardhur VV-ja, janë zvogëluar edhe shkronjat në dokumente

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka dhënë dy vërejtje publike Qeverisë së Kosovës lidhur me protokollin e mbledhjes së përbashkët mes dy qeverive.

Kryeministri Rama u ankua për shkronjat e zvogëluara në shkresat e mbledhjes së përbashkët. Këtë fakt, ai e ndërlidhi me Lëvizjen Vetëvendosje për të cilën tha se është një forcë qeverisëse “shumë e kujdesshme për harxhimet buxhetore”.

Do na lejohet që të bëjmë edhe vërejtje këtu sepse mbledhje pune është: që kur Vetëvendosja ka marrë qeverinë këto shkronjat këtu janë zvogëluar, besoj për kursim letre [qesh]… sepse tanimë është fakt i njohur që Vetëvendosje është një forcë qeverisëse shumë e kujdesshme për harxhimet buxhetore”, tha Rama.

Vërejtjet nuk i kurseu edhe për shefen e protokollit të Qeverisë së Kosovës, Senaj Shala.

Shefja e protokollit të Albinit është një grua por këtu ka vendosur një burrë para një gruaje, kështu që ne e respektojmë protokollin”, deklaroi Rama.

Rama për Kurtin: Edhe pse pak kush e beson, kur takohemi qeshim jo pak bashkë

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë fillimisht ka folur për raportin e tij me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Ai u shpreh se takimi me Kurtin është një kënaqësi e veçantë.

Madje, tha se edhe pse pak kush e beson, ata kur takohen kalojnë kohë të mirë bashkë.

“Falendërojë përzemërsishtë Albinin dhe duke e thënë publikisht në sytë e të gjithëve se është kënaqësi e veçantë, edhe pse pak kush e beson që ne kur takohemi kemi një sinergji të plotë dhe qeshim jo pak dhe kjo është e rëndësishme”, u shpreh Rama.

Edi Rama: Po kërkojnë të futin xixa mes meje dhe Albinit

Kryeministri Edi Rama ka propozuar që në muajin nëntor të këtij viti të mbahet një Kuvend i përbashkët i dy Kuvendeve, të Shqipërisë dhe Kosovës.

Ai në fjalën e tij ka folur edhe për raportimet e vazhdueshme për raportet e tensionuara me Kurtin.

“Kërkojnë të futin xixa mes nesh, dhe çështje të hapura mes meje dhe homologut, dhe nuk ka te tilla”, tha Rama.

Kryeministri Kurti nuk e tha asnjë fjalë pas këtij deklarimi të homologut Rama.

Rama: Shkëmbimet tregtare mes Kosovës dhe Shqipërisë janë rritur

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Shqipërisë është shprehur se shkëmbimet tregtare mes dy vendeve janë rritur.

Gjatë këtij fjalimi ai gjithashtu ka prezantuar projektin e portit Porto Romano që lidhet me Prishtinën.

Rama deklaroi se 1225 biznese kosovare aktualisht operojnë në Shqipëri, e 1081 prej tyre janë në pronësi të plotë të kosovarëve.

Ai theksoi të hënën se investimet e Kosovës në Shqipëri në vitin 2017 ishin 9 milionë, e në 2021-n 139 milionë. Sipas tij, kjo shifër është domethënëse, e mundësitë për rritjen e investimeve janë të dukshme.

“Besoj se kemi mundësinë të rrisim dhe shtojmë volumin e investimeve reciprokisht. Ndërkohë dua t’ua kujtoj ministrave të brendshëm që kemi një protokoll të nënshkruar në Morinë që shërben si udhëzues për kalimin praktik të kufirit. Besoj se kryeministri është dakord që në këtë sezon është e palejueshme të kemi probleme të natyrës që kemi pasur deri vjet Radhë të pafundme për shkak të kontrolleve një për një të makinave që vijnë drejt Shqiperisë”, tha Rama.

Kreu i Shqipërisë potencoi se projekti për abetaren e përbashkët e ka përfunduar fazën e parë.

Puna për fazë të dytë vazhdon. Jam i lumtur që me Albinin të dorëzojmë abetaret e unifikuara, ndërkohë që kemi folur me përfaqësuesit e popullsisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut, me kryeministrit e Malit të Z, edhe me ata në Serbi, që kjo abetare të shkojë te të gjithë shqiptarë. Po edhe në zonën e diasporës, që të ketë një shpërndarje të abetares kudo që kërkohet”, tha Rama.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat