Një përplasje e ashpër ka ndodhur mes ish-drejtorit për Gjeodezi në Komunën e Skenderajt, Ramiz Shala dhe analistit Imer Mushkolaj në emisionin ‘Debat Plus’ për rastin “Lushtaku”.
Ramiz Shala – ish-drejtor për Gjeodezi në Komunën e Skenderajt, ka thënë se për rastin “Lushtaku”, është bërë shumë zhurmë në media.
Sipas tij, e vërteta nuk është thënë akoma, sepse në këtë vend gjykata kompetente nuk e ka thënë të vërtetën ende.
“Në rastin përkatës me datën përkatëse, ka ndodhur një prej veprave penale e që janë të përfshirë tre qytetarë e dy policë, në raste të tilla mediat janë pasqyra, në të cilat duhet të pasqyrohet e vërteta bazuar në fakte”, ka thënë Shala.
Sipas tij, bazuar në raportit zyrtar të Prokurorisë së Shtetit, në 24 orët e fundit, ka shumë raste dhe sulm ndaj zyrtarëve policorë, dhe siç thotë ai, asnjëra nuk është prezentuar në media.
Ndërsa për këtë ka replikuar analisti Imer Mushkolaj, i cili ka thënë se Nuredin Lushtaku, është person publik, interesi më i madh i mediave është se çfarë ndodh me personat publikë.
Sipas Mushkolajt, ka interes të madh publik të dihet se çfarë ka ndodhur në këtë ngjarje e jo të relativizohet ngjarja që sipas tij po e bën Shala.
” Zotëri Lushtaku është person publik, lum na që e kemi”, ka thënë Shala duke iu kundërpërgjigjur Mushkolajt.
Ndërsa Mushkolaj ka thënë se Shala nuk është personi kompetent që tregon se çfarë duhet të publikohet në media.
Sipas tij, Shala po e relativizon ngjarjen, duke mos qenë pronar i së vërtetës.