Përfundon seanca, Konjufca iu drejtohet deputetëve: S'ka pushime para 10 gushtit

Aktuale

Përfundon seanca, Konjufca iu drejtohet deputetëve: S'ka pushime para 10 gushtit

Më: 14 korrik 2022 Në ora: 07:19 Përditësuar në ora: 16:03 më 14.07.2022
Kuvendi i Kosovës

​Ndërpritet seanca, nuk ka kuorum

Kuvendi i Kosovës i ka ndërprerë punimet e seancës plenare për shkak të mungesës së kuorumit.

Kryetari Glauk Konjufca ka thënë se do të lajmërojë deputetët për vazhdimin e seancës në një ditë tjetër.

Konjufca: Nuk ka kuorum të mjaftueshëm, seanca vazhdon një ditë tjetër

“Nëse deputetët e opozitës nuk votojnë atëherë konsideroj që nuk ka kuorum të mjaftueshëm për të proceduar kështu që këtë seancë e vazhdojmë në një ditë tjetër kur t’iu lajmëroj”, ka thënë Konjufca.

Në këtë seancë në rend dite ishte shqyrtimi i projektligjit për ratifikimin e Traktit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë, si dhe, miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.

​Konjufca - deputetëve: S'ka pushime para 10 gushtit

Për të vazhduar seancën plenare në Kuvendin e Kosovës janë kthyer nga pauza e drekës vetëm 61 deputetë, numër ky i pamjaftueshëm për të votuar marrëveshjen ndërkombëtare e cila është në rend dite.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka konfirmuar se në sallë janë të pranishëm vetëm 61 deputetë dhe nuk ka kuorum për të votuar marrëveshjen ndërkombëtare.

Ai ka thënë se seanca do të vazhdojë me shqyrtimin e projektligjeve ndërsa marrëveshja ndërkombëtare të mbetet për një ditë tjetër.

Konjufca-deputetëve: Nuk ju lëshoj para 10 gushtit

“Po vazhdojmë me seancën, kemi mbet tek marrëveshja ndërkombëtare por kjo e kërkon një prani mjaft të lartë dhe 80 vota për të kaluar. Nuk ju lëshoj para 10 gushtit, ta dini , hiç. Virusi, vaksinohuni”, u ka thënë Konjufca deputetëve.

Në këtë seancë në rend dite janë shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Traktit mbi Ndihmën e ndërsjellë juridike në çështjet penale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Konfederatës Zvicerane; shqyrtimi i dytë i Projektligjit për sistemin e menaxhimit të performancës së komunave dhe skemën e grantit të bazuar në performancë dhe miratimi i buxhetit të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Nga janari deri tani 1109 raste të raportuara për dhunën në familje

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se vetëm nga muaji janar e deri më tani janë raportuar 1109 raste të dhunës në familje. Megjithatë, ajo ka theksuar se ende konsiderohet që është një numër i vogël i rasteve të cilat po raportohen.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Haxhiu ka thënë se Ministria e Drejtësisë është duke bashkëpunuar me institucionet e sigurisë dhe drejtësisë që raste të tilla të mos neglizhohen.

“Vetëm prej janarit e deri tani raste të dhunës në familje të cilat janë raportuar janë 1109 pra vetëm brenda kësaj periudhe por shqetësimi kryesor i imi lidhet me atë që ende konsiderohet që është një numër i vogël i rasteve të cilat po raportohen dhe duke pasur parasysh rëndësinë e raportimit të rasteve të dhunës në familje, po ashtu dhe ndërmarrjen e veprimeve nga institucionet e sigurisë por edhe drejtësisë për këto raste, Ministria e Drejtësisë është duke bashkëpunuar ngushtë me policinë dhe prokurorinë dhe me gjykatat në mënyrë që rastet e tilla të mos neglizhohen”, ka thënë Haxhiu.

Kuvendi ka shkuar në pauzë deri në ora 15:00.

Miratohet në lexim të dytë Projekt-kodi i Procedurës Penale

Projekt-kodi i Procedurës Penale sot ka marrë mbështetjen e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Ministria e Drejtësisë njofton se ky Projekt-kod është produkt i një procesi të gjatë diskutimesh, duke marrë në konsideratë praktikat dhe standardet më të avancuara ndërkombëtare.

“Në Projekt-kodin e Procedurës Penale përveç amendamenteve të shumta teknike, të cilat do ta bëjnë punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës më efikase dhe efektive, nga propozimet për ta ndryshuar Kodin e Procedurës Penale, duhet të vihet në pah se përpos gjykimit në mungesë i cili është në pajtim me rekomandimet e Komisionit të Venecias, është adresuar dhe çështja e suspendimit të zyrtarëve publik me rastin e ngritjes së aktakuzës për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar si dhe dhunës në familje”. 

Po ashtu thuhet se janë përfshirë dispozita që ndërlidhen me çështjen e mungesës së kontrollit të vendimit të prokurorisë për hedhjen poshtë të kallëzimit penal përkatësisht mbylljes së hetimeve, tashmë këto vendime do të mund të ankimohen në Prokurorinë e Apelit.

“Një vëmendje të veçantë i është kushtuar të drejtave të palëve të dëmtuar apo viktimës, siç është e drejta për të marrë informata në lidhje me veprën penale, të drejtën për të marrë informata për ofrimin e ndihmës mjekësore, përkrahjes psikologjike, strehimit alternativ dhe çdo dispozite specifike të parashikuar në Projekt Kod, të drejtën për përfaqësim ligjor dhe ndihmë juridike; si dhe drejta për kompensim dhe rimbursim të shpenzimeve të bëra si rezultat i pjesëmarrjes së tij në procedurën penale; të drejtën për të kërkuar mbrojtje, duke përfshirë masat mbrojtëse siç parashikohet në këtë Projekt Kod; e drejta për të hyrë në shërbimet e ndihmës së viktimave, përfshirë Zyrën e Mbrojtjes dhe Ndihmës së Viktimave etj”.

​Hoti: Shqetësuese mungesa e masave nga ana e Qeverisë lidhur me rritjen e çmimeve

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se është shqetësuese mungesa e masave nga ana e Qeverisë për situatën aktuale me rritjen e çmimeve.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Hoti ka thënë se propozimi i LDK-së për heqjen e akcizës përkohësisht në naftë dhe përgjysmimi i TVSh-së do të ofronte për qytetarët çmimin e naftës rreth 1.30 euro.

Hoti: Mungesa e masave nga Qeveria është shqetësuese 

“Shqetësuese vërtet është mungesa e çfarëdo mase nga ana Qeverisë, nëse nuk gaboj më 2019 kur inflacioni ka qenë 3.4% atëherë nëse nuk jam gabim Vetëvendosje e pat shpall vitin 2019 vit të rritjes së çmimeve, më 3.4%, tash çmimet kanë shkuar mesatarisht 14% dhe nuk ndërmerret asnjë masë. Shihni pak ekonomitë e tjera çfarë po bëjnë në këtë drejtim”, ka thënë ai.

Deputeti i LDK-së ka thënë se e vetmja masë e ndërmarrë nga Qeveria është caktimi i çmimit maksimal të naftës.

Hoti: Heqja e akcizës në naftë dhe përgjysmimi i TVSh-së do të ulte çmimin në 1.30 euro 

“Propozimi ynë që heqja e akcizës përkohësisht në naftë dhe ndoshta përgjysmimi i TVSH-së do të kishte funksionuar perfekt me këtë masë të caktimit të çmimit maksimal dhe sot çmimi i naftës ndoshta do ta kishim, pa akcizë dhe me përgjysmë TVSH, me rreth 1.25 ose 1.30 euro për litër të naftës”, ka thënë Hoti.

Berisha i PDK-së ironizon me kryeministrin Kurti: Mirëserdhe nga një mision i vështirë

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, ka ironizuar me qëndrimin nëntë-ditor të kryeministrit Albin Kurti, në Greqi.

Në seancën e sotme, Berisha i uroi mirëseardhje kreut të Qeverisë ‘nga një mision i vështirë’.

Ai madje, sërish me ironi, e falënderoi për kontributin në çështjen e problemit të çamëve në Greqi.

“Dua ta falënderoj kryeministrin. Para se ta falënderoj, dua të bëj një reagim ndaj Arben Gashit i cili i tha Kurtit se qenke rrezitur mirë, dua t’i them se kryeministri duke e njohur nuk ka shkuar me u rrezit, por me zgjeru projektin e tij për bashkimin e trojeve shqiptare, duhet të keni më shumë konsideratë në vlerësim. Mirë se ke ardh nga një mision i vështirë, faleminderit që po kontribuon në çështjen e problemeve të çamëve në Greqi”.

“Mostransparenca në çështjet që kanë të bëjnë me shtetin, veçmas për dialogun përben një shkelje edhe të kushtetutës sepse edhe ne si deputetë edhe qytetarët kanë të drejtë të dinë për të gjitha këto çështje, por edhe për kohën e gjatë në Greqi. Pres nga grupet parlamentare që kryeministri të thirret në një interpelancë dhe të bëjë një sqarim”, tha Berisha.

Armend Zemaj ka një kërkese për Qeverinë

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, ka kërkuar përgjigje nga Qeveria për siç tha ai, gjendjen aktuale në Kosovë.

Në seancën e sotme, ai tha se gjendja është e patolerueshme dhe kërkoi nga Qeveria “të bëhen pak më seriozë”.

“871 të infektuar sot, asnjë përgjigje. 60 centë buka, del ministri i Financave tallet jo i ke prish raportet me Bankën Botëtore, ta merr mendja që jemi NATO a KFOR-i. Ne kërkojmë përgjigje, qytetarët kërkojnë përgjigje”.

“Kjo gjendje është e patolerueshme, bëhuni pak më seriozë. Shëndeti publik është shumë i rëndësishëm, pacientët po dëmtohen në të gjitha format, detyrohen të shkojnë e të kërkojnë ndihmë në spitale private”,tha Zemaj

Përveç Konjufcës, për Byronë për Konfiskimin e Pasurisë nuk votoi as kjo deputete

Kryeparlamentari Glauk Konjufca dhe deputetja Doarsa Kica abstenuan për Projektligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, i cili megjithatë u miratua me votat e bashkëpartiakëve të tyre.

61 deputetë votuan për këtë projektligj, 58 vota ishin për, ndërsa 3 deputetë abstenuan.

Konjufca tha se i ka pritur dhe lexuar me vëmendje opnionet e Komisionit të Venecias dhe se do të abstenojë deri në përfshirjen e tyre në projektligj.

“Kam abstenuar dhe kështu do të bëj edhe sot, sepse më duket shumë korrekte që meqenëse vetë e kam dërguar, të pres deri në përfshirjen e këtyre opinioneve në lexim të dytë nga komisioni funksional”, tha ai.

“Nuk futen me një thes, rruga e mbarë ju qoftë”/ Replika mes Kurtit e Abdixhikut në Kuvend

Projektligji për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme para hedhjes në votim ka nxitur sërish debat në Kuvendin e Kosovës.

LDK ka propozuar që ky Projektligj të mos votohet pa pasur gjithpërfshirje. Lidhur me këtë është deklaruar kryeministri Albin Kurti, i cili ka thënë se Byroja Shtetërore dhe Vettingu nuk bënë që të përfshihen në një thes.

Ai ndërkaq ka falënderuar PDK-në dhe AAK-në për takimet konsultative që kanë pasur për procesin e Vettingut.

“Unë e falënderoj PDK-në dhe AAK-në për takimet që kemi pasur për Vettingun, LDK ka thënë që takohemi në Kuvend e s’kemi nevojë të takohemi si subjekte politike. Unë mendoj që është e nevojshme të takohemi si subjekte politike dhe jam i gatshëm që këto konsutlime të vazhdojnë me të gjitha pajtimet politike, për shkak se bëhet fjalë për një proces me shumë vendime që tejkalon mandatin tonë”, ka thënë Kurti.

Kryeministri ka shtuar se Vettingu dhe Byroja janë dy gjëra të ndryshme.

“Byroja Shtetërore dhe Vettingu nuk janë e njëjta gjë, nuk është mirë të fusim gjithçka në një thes kur nuk e kanë vendin e tyre. Vettingu dhe Byroja janë dy gjëra të ndryshme, njëra ka të bëjë me gjithë zyrtarët shtetëror e tjetra vetëm me sistemin e drejtësisë, nuk është mirë e i përzi”, tha Kurti.

Pas kësaj ka reaguar deputeti i LDK-së njëherit kryetar i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku.

Derisa ka folur për takimin e Kurtit me partitë opozitare për Vettingun, Abdixhiku tha se nuk e kanë pasur problem lokacionin.

“Kemi marrë një ftesë konsultative nga Kryeministri për Vetting, problem se kemi pasur lokacionin por institucionin. Tani i kemi dy pako, Vettingu dhe Byroja që mendoj që janë të lidhura pasi që bëhet fjalë për reformë në drejtësi. Por nuk mund ti ndash, por edhe mundesh e pastaj do të vazhdosh i vetëm. Keni kërkuar gjithëpërfshirje, edhe ne po kërkojmë gjithpërfshirje”, tha Abdixhiku.

Abdixhiku ju drejtua edhe kryeparlamentarit Glauk Konjufca.

“Ju kryetar i Kuvendit keni marrë përsipër dërgimin e këtij ligji në Komisionin e Venecias, dhe këtë e kemi vlerësuar. Është bërë mirë që e keni dërguar. Ju takon që këtë ligj ta trajtoni bashkërisht me partitë tjera politike, nëse kryeministri vendos me hedh në votim vazhdoni pa ne, pa konsultime. Ne do të ndjekim rrugën tonë institucionale. Nëse vendosni me shku pa konsultim vazhdoni rruga e mbarë ju qoftë”, tha Abdixhiku.

Ndryshe Kuvendi i Kosovës në vazhdimin e seancës plenare ka miratuar në parim Projektligjin nr.08/L-121 për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, me 58 vota për dhe 3 abstenime.

Partitë opozitare nuk morën pjesë në votim, pasi që patën kundërshtime të ashpra rreth këtij Projektligji. 

​Kurti: Jam i gatshëm t’i vazhdoj takimet për konsultime me krerët e subjekteve politike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se duhet të bëhet ndarja mes Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe procesit të vetingut.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite është votimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore, Kurti ka thënë se është gabim shtyrja e krijimit të saj.

Ndërsa për vetingun, kryeministri ka thënë se është i gatshëm t’i vazhdojë takimet për konsultime me krerët e partive politike në vend.

Kurti: Jam i gatshëm t’i vazhdoj edhe më dendur takimet me krerët e subjekteve politike

“Është e domosdoshëm të kemi sa më shumë konsultime edhe si subjekte politike. Përveç kësaj, duhet ta bëjmë ndarjen e qartë të gjërave që nuk janë të njëjta. Byroja Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe vetingu në sistemin e drejtësisë nuk janë e njëjta gjë. I vetmi efekt është që të shtyhet Byroja Shtetërore dhe ky është gabim, pra vetingu në drejtësi dhe byroja shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin ka të bëjë me gjithë zyrtarët shtetëror e tjetra vetëm me sistemin e drejtësisë. Për sistemin e drejtësisë ku duhet të ketë veting jemi dakorduar dhe unë jam i gatshëm t’i vazhdojmë edhe më dendur takimet me krerët e subjekteve politike”, ka thënë Kurti.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat