Mes shumë tensioneve ratifikohet marrëveshja 236-milionëshe me MCC-në – opozita kritikon qeverinë!

Aktuale

Mes shumë tensioneve ratifikohet marrëveshja 236-milionëshe me MCC-në – opozita kritikon qeverinë!

Më: 28 korrik 2022 Në ora: 12:07 Përditësuar në ora: 14:45 më 28.07.2022
Kuvendi i Kosovës

​Deputeti i PDK-së akuzohet për gjuhë fyese ndaj grave në Kuvend

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha u akuzua se përdori gjuhë fyese ndaj grave në seancën e sotme të Kuvendit.

Në fjalimin e tij për marrëveshjen me MCC-në, ai duke uruar për arritjen e kësaj ujdie, përmendi edhe një pikë të saj, ku theksohet nevoja për punësim të grave në sektorin e energjisë.

Ai duke ironizuar tha se do Zoti që ndonjëri “që e ka gruan shumë burrë të fortë” atje edhe gjejnë shpëtim.

Berisha: Do Zoti që ndonjëri që e ka gruan shumë burrë të fortë atje edhe gjen shpëtim

Duhet uruar Kosovën për këtë arritje edhe juve Qeverisë për fasadimin që po i bëni duke planifikuar t’i punësoni edhe gratë në fushën e energjisë. Do Zoti që ndonjëri që e ka gruan shumë burrë të fortë atje edhe gjen shpëtim”, ka thënë Berisha në Kuvend.

Atij i reagoi deputetja e LVV-së, Shqipe Isufi, e cila kërkoi të dijë se çka nënkupton kjo.

Isufi: Çfarë do të thotë kjo

“Desha ta bëj një reagim të shkurtër lidhur me fjalën e deputetit të PDK-së, Hisen Berisha. E citoj një pjesë kur thotë ‘dikush që e ka gruan shumë burrë të fortë’, a ka mundësi të na tregojë çfarë do të thotë kjo”, ka thënë Isufi

Në debat u përfshi edhe kryetari i Kuvendit, i cili kërkoi që mos të përdoren fjalë ose terme diskriminuese, fyese dhe ofenduese.

Konjufca: Të mos lëshohemi në përdorimin e terminologjisë fyese

“Nuk e paskam dëgjuar këtë pjesë të cilës ju referuara deputetja Jusufi. Ju lus edhe një herë të nderuar deputetë ta mbajmë fjalorin parlamentar. Të mos lëshohemi në përdorimin e terminologjisë që është diskriminuese, fyese, ofenduese”, ka thënë Konjufca.

Kusari-Lila: Marrëveshja me MCC-në dëshmon partneritetin e pathyeshëm me ShBA-në

Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së e dëshmon partneritetin me Kosovës dhe ShBA-së.

Ajo, në seancën e sotme të Kuvendit ku në rend dite është ratifikimi i marrëveshjes me MCC-në, tha se qytetarët, bizneset dhe institucionet do të përfitojnë nga marrëveshja 236 milionë dollarëshe.

“Sot kemi vënë në agjendë ratifikimin e marrëveshjes kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe marrëveshjes për zbatimin e programit në mes të Kosovës dhe ShBA-së për të shënuar kështu më shumë se kurrë dëshminë e partneritetit të pathyeshëm mes ShBA-së dhe shtetit tonë. Ky projekt do t’i sjellë Kosovës 236.7 milionë dollarë grant”.

Është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e vendit, institucionet dhe komunitetin e biznesit, sepse në këtë mënyrë po rrisim kapacitetet tona në energji, por në të njëjtën kohë përforcojmë ekonominë tonë e cila me rritjen që ka dhe eksportet e shtuara natyrisht se do të ketë më tepër nevojë për energji. Kjo marrëveshje tregon lidhjen e pandashme me ShBA-të dhe mbështetjen që ka fokus shoqërinë dhe zgjidhjen e sfidave të kohës në qendër, duke pasë parasysh që siguria e furnizimit me energji është sfidë për shumë popuj në botë sot”.

Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes tha se ky investim në Kosovë mund të kthehet në investim më të mirë që do t’iu mbetet gjeneratave të reja.

Kosova është e gatshme të mbështesë këtë rrugëtim për energji të pastër. Ky është investimi më i madh prej dekadash në vendin tonë që do të kontribuojë në stabilitetin energjetik dhe punësimin e grave në mënyrë që ato të fitojnë shkathtësitë e kërkuara dhe të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë duke e rritur kështu numrin e grave të punësuara në këtë sektor, ku numri i tyre është ende shumë i vogël në përqindje. Ky program redukton varësinë energjetike të Kosovës nga importi, do të mundësojë stabilizimin e furnizimit me energji, integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, për përgatitjen e fuqisë punëtore në sektor me gratë në qendër të kësaj iniciative”.

Kusari-Lila e ka falënderuar opozitën për qasjen ndaj marrëveshjes me MCC-në për çështjen e energjisë.

“Sot dua të falënderoj edhe opozitën për qasjen konstruktive dhe bashkëpunimin që nga propozimi në komisionin funksional deri te votimi në komision, miratimi në pikë të procesverbalit sot dhe rrjedhimisht edhe votimin e kësaj marrëveshje”.

Blerta Deliu, Kurtit: Ndali thumbat nga Amerika për opozitën, atje s’je kryeministër i VV-së

“Më duhet ta pranoj se jam i pikëlluar që do të ndodhë kaq shpejt dhe unë dhe Ministrja Rizvanolli do të humbim një rast të rrallë të përkrahjes nga opozita. Nga mungesa e jonë aty, jam i sigurt se edhe ata do të jenë të pikëlluar”, kishte thënë dje kryeministri Albin Kurti gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes me MCC-në.

Kësaj deklarate i dha përgjigje sot deputetja e PDK-së, Blerta Deliu, e cila tha se kryeministri gjeti kohë edhe nga Amerika ta thumbojë opozitën.

Më vjen keq që kryeministri s’është në këtë seancë plenare për të parë mbështetjen që të gjitha grupet parlamentare për marrëveshjen e MCC-së. Po e them këtë sepse ai çuditërisht dje me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes gjeti thumba për opozitën, duke thënë se po ndihet i mërzitur që bashkë me Rizvanollin s’do të jetë në njërën prej seancave të rralla. Sot dua t’i them kryeministrit se po dëshmohet që kjo opozitë jo vetëm që ka mbështetur projekte që janë në interes të Kosovës, por vetëm sot kjo opozië iu ka dhënë mbështetje dy marrëveshjeve”.

Deliu tha se Kurti duhet të përfaqësojë Kosovën jashtë vendit dhe jo partinë.

Kryeministri i Kosovës duhet ta dijë që në Amerikë e përfaqëson kryeministrin e Republikës së  Kosovës dhe jo Vetëvendosjen. Prandaj, Kosova si storie suksesi duhet të njihet jo vetëm në pushtet por edhe në opozitë”.

Ajo gjithashtu tha se do që t’ia përkujtojë deputetëve të Vetëvendosje se partia e tyre sa ka qenë në opozitë s’e ka mbështetur as marrëveshjen për stabilizim-asociimin.

Hoti: Meritë për marrëveshjen me MCC ka Jahjaga, Kurti ka më së paku

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se marrëveshja milionëshe e nënshkruar me MCC-në nuk është meritë e Qeverisë Kurti, por se hise të meritave ka edhe ish-presidentja Atifete Jahjaga dhe se punë ka kryer edhe Qeveria Mustafa.

Do t’i them disa të vërteta për kronologjinë e kësaj marrëveshje. Duhet thënë se Qeveria Kurti ka më së paku merita për këtë marrëveshje. Por, pavarësisht kësaj, është Qeveria Kurti që e ka vonuar, së paku dy vjet, realizimin e kësaj marrëveshje.  Kjo marrëveshje ka filluar qysh në Qeverinë Mustafa. Edhe Presidentja Jahjaga ka merita të veçanta për inicimin e kësaj marrëveshje. Në Qeverinë Mustafa atëherë kemi punuar gjatë në plotësimin e një liste të gjatë të kushteve për t’u kualifikuar”, tha Hoti në Kuvend, duke treguar se Grupi Parlamentar i tij i jep mbështetje të plotë ratifikimit të kësaj marrëveshje.

Ai po ashtu tha se studime të para fizibilitetit kanë mbaruar në gusht të vitit 2020.

“Bazuar në kërkesën e MCC atëherë 24 shtator 2020 qeveria e atëhershme ka dërguar letër në MCC ku ka dhënë qëndrimin e saj sa i përket zhvillimeve Kosova e Re dhe për projektet për programin kompakt”.

Të gjithë pro, Kuvendi ratifikon Marrëveshjen 236-milionëshe me MCC-në

Kuvendi i Kosovës ka ratifikuar Marrëveshjen ndërmjet Kosovës dhe MCC, e cila u nënshkrua mbrëmë në Washington.

Marrëveshja është ratifikuar me votat e 89 deputetëve, të cilët ishin në sallë.

Futja e kësaj pike në rend dite, u propozua nga kryetari i Komisionit për Ekonomi, deputeti i PDK-së Ferat Shala.

Programi Kompakt prej 236.7 milionë dollarësh përqendrohet në çështjen e energjisë dhe u nënshkrua me një ceremoni në Kongresin Amerikan.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli e nënshkroi marrëveshjen në praninë e presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit Albin Kurti.

Tahiri: Negociatat me MCC nisën para 7 vjetëve, Thaçi e nënshkroi i pari

Abelard Tahiri i PDK-së e përshëndet marrëveshjen për energjinë me SHBA-në, por duke i dhënë merita qeverisjes së PDK-së dhe ish-kryeministrit Hashim Thaçi.

Grupet parlamentare opozitare kanë mbajtur qëndrim pozitiv ndaj marrëveshjes për energjinë të nënshkruan në Washington, D.C., mes Kosovës dhe Korporatës “Sfidat e Mijëvjeçarit” (MCC).

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelar Tahiri ka thënë se negociatat për përfshirje të Kosovës në grantet e MCC-së ka nisur në vitin 2014 dhe për herë të parë është nënshrkuar nga Thaçi.

Ky projekt Në Republikën e Kosovës është tash e 7 vite. Negociaitat për këtë projekt i kanë fillu ish-Presidentja Jahjaga dhe Kryeministri Thaci. Është finalizu për herë të parë në vitin 2017 me nënshkrimin e parë të këtij projekti, pra nga Presidenti Thaci, në Kongresin Amerikan”, ka thënë Tahiri sot në Kuvend, ku pritet të ratifikohet marrëveshja me MCC-në e nënshkruar dje në Washington nga ministrja Artane Rizvanolli, në praninë e Kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentes Vjosa Osmani.

Kryeministri Kurti ka thënë nga Washington, D.C se i vjen keq që nuk është sot në Kuvend për ta parë opozitën duke e përkrahur marrëvehsjen. Tahiri thotë se i vjen keq që Kurti nuk është aty, para një projekti, që ai e sheh si produkt të 20 viteve, para pushtetit të VV-së.

Më vjen keq që nuk e kemi këtu Kryeministrine me pa si ndihet ai përballë një projekti që është zhvilluar në kuadër të këtij 20-vjecari. Si ndihet ai përballë nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje; një marrëveshje që ka filluar të negociohet në vitin 2014, për involvimin e Republikës së Kosovës” , tha Tahiri.

“Ne si grup parlamentar do ta mbështesim dhe shpresojmë që, ashtu sic është paraparë, që brenda 5 viteve, deri në vitin 2027, ky projekt të implementohet” .

Ai ka thënë se Partia Demokratike beson se do të ishte shumë më mirë, që Kosova të qëndronte në “versionin e parë” për sjelljem e infrastrukturës së gazit. Sipas tij, gazjellësi do të ishte projekt strategjik më i suksesshëm.

​Kuvendi ratifikon marrëveshjen ndërkombëtare për IPA III

Kuvendi i Kosovës me 89 vota pro ka ratifikuar marrëveshjen e partneritetit për kornizën financiare me Komision Evropian për marrëveshjet për zbatimin e ndihmës financiare të unionit për Kosovën në kuadër të instrumentit të para-anëtarësimit (IPA III). Përkrahje kësaj marrëveshje i dhanë gjitha grupet parlamentare.

Ndërsa, zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi tha se qëllimi i saj është që të krijohet baza ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian.

Bislimi: Qëllimi është të krijojmë bazën ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e BE-së

“Qëllimi i kësaj marrëveshje është që të krijojmë bazën e nevojshme ligjore që Kosova të përfitojë nga fondet e Bashkimit Evropian të ofruara në kuadër të instrumentit të para anëtarësimit, apo fondet IPA III, për programet vjetore IPA 2021-2027. Marrëveshja si e tillë përbënë një marrëveshje kornizë, ndërsa për programet vjetore të veçanta do të lidhim marrëveshje financiare veç e veç për secilin program. Ku do të specifikojmë pastaj projektet, sektorët, fondet dhe modalitetet e zbatimit për secilin prej tyre. Kjo hapë rrugën për të lidhur marrëveshje të tjera për të përfituar nga fondet e BE-së”, tha ai.

​LDK e AAK akuzojnë Gërvallën: Merr vendime arbitrare që dëmtojnë shtetin

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kanë adresuar akuza ndaj ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, për vendime arbitrare që po dëmtojnë shtetin e Kosovës. Deputeti Anton Quni nga LDK solli rastin e diplomatit Viskont Jakupi ndërsa deputetja Time Kadrijaj e AAK për gjobën e Agjencisë për Informim dhe Privatësi ndaj MPJD-së në vlerë 13 mijë euro pasi ka refuzuar të ofrojë qasje në faturat e shpenzimeve të diplomatit, njëherisht bashkëshortit të presidentes Osmani, Prindon Sadriu.

Deputeti Quni tha se ka shumë shembuj se si zyrtarët abuzohen nga ministrat apo stafi i tyre i ngushtë politik, me presione, shantazhe, transfere e deri tek ndëshkimet e padrejta. Ai përmendi rastin e diplomatit Viskont Jakupi, i cili ishte caktuar si Sekretar i Parë i Ambasadës së Kosovës në Londër, e më pas ishte rikthyer në Kosovë pasi kishte dërguar gabimisht adresën e banesës në të cilën do të jetonte e që ia kishte gjetur Ambasada e Kosovës në Londër.

Quni: Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës dy herë i ka dhënë të drejtë diplomatit Jakupi

Këshilli (i Pavarur Mbikëqyrës) ka konstatuar se vendimi i ministres është i jashtëligjshëm dhe kundërthënës. në vendimin e Këshillit thuhet se znj. Gërvalla ka vendosur në kundërshtim me Ligjin 03L122 dhe në kundërshtim me rregulloren 02/2019 për shërbimet e jashtme. Kolegji ka konstatuar se ministrja në asnjë rrethanë nuk ka kompetencë të tërheq përfaqësuesit diplomatikë për supozimet e saja. Në shtete ku ka kulturë institucionale, ministrat që shkelin ligjin japin dorëheqje, e besa ndiqen edhe penalisht. Kur vendimet e organeve të ankimit janë në favor të saj ajo i respekton, por ku ato nuk janë në favor të saj, ajo hesht sepse ka si të arsyetohet”, tha Quni.

Ndërsa deputetja Time Kadrijaj deklaroi se Gërvalla është pajtuar të paguajë 13 mijë euro gjobë Agjencisë për Informim dhe Privatësi sesa të tregonte se ia paguante derivatet bashkëshortit të Vjosa Osmanit, Prindon Sadriut.

Kadrijaj: Gërvalla të jap llogari para deputetëve për gjobën e AIP

“Sa për rikujtim MPJD me taksat e qytetarëve kosovarë paguante derivatet për udhëtimin e Sadriut nga Kosova në Maqedoni, aty ku shërbente si zëvendësshef i misionit. Pavarësisht legjitimitetit së kërkesës se medias për qasje në dokumente zyrtare MPJD është pajtuar që më mirë të paguajë 13 mijë euro gjobë sesa t'i bëjë publike të dhënat e shpenzimeve të këtij diplomati që po shihet se është i paprekshëm. Pavarësisht skandaleve dhe shkeljeve të vazhdueshme.... Ministrja të jap llogari para deputetëve, të na tregojë se a do të merren masa pas këtij dënimi. Kush duhet të jap llogari? Apo ky Zotëria i Parë është mbi shtetin, mbi ministrat, e mund të bëjë çfarë të dojë, e mbi qeverinë. Kujt i shërben ky diplomat? Deri kur do të lejohet që një diplomat që paguhet me taksa të shtetit të fyejë e të sulmojë mediat, të shkaktojë skandale e keqpërdorime financiare e të mos merren fare masa për të”, tha Kadrijaj. 

Mustafa, qeverisë: Me skema sociale nuk mbahet kjo gjeneratë

Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka thënë në seancën e sotme se me skema sociale nuk mbahen gjeneratat e tashme e as ato të ardhshme.

Në fjalën e tij në kuvend, ai tha se qeveria për çdo problem ekonomik e social, si zgjidhje i shesh skemat sociale.

Fatkeqësisht në këtë kohë krize ekonomike me një inflacion të papërballueshëm për qytetarët, tanime që kemi pranuar raportin financiar të buxhetit në nivel vendi, për gjashtë mujorin e para rezulton që vetëm 11 për qind e projekteve kapitale janë realizuar për këtë gjashtë mujor. Logjikisht është e pamundur të realizohet më shumë deri në fund të këtij viti”.

“Fatkeqësisht një qeveri e majtë e cila sheh që për çdo problem ekonomik e social, skema sociale janë zgjidhje dhe nuk sheh zgjidhje tjetër. Skema sociale në mungesë të investime kapitale krijojnë një varësi në skema sociale edhe për gjeneratat e ardhshme. Me shpresë që inflacioni i tanishëm, mungesa e zhvillimit ekonomik e tanishme, do blejnë paqe sociale sivjet, qeveria ka vendosur që paqen sociale sot ta blejë me skema sociale në mungesë të investimeve kapitale dhe kjo do të rezultojë varfri ekonomike në gjeneratat e ardhshme”.

Shpresoj që qeveria ta marrin si thirrje të fundit që të përshpejtojnë ritmin e investimeve kapitale për sivjet, në të kundërtën me skema sociale nuk mbahet kjo gjeneratë e as gjeneratat e ardhshme”, tha Mustafa.

Tahiri: Investimet kapitale në komuna janë të bllokuara

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, është shprehur i shqetësuar për raportet në mes qeverisë dhe komunave duke thënë se asnjëherë s’kanë qenë më të dobësuar në raport me projektet kapitale dhe investimeve që duhen bërë.

Gjatë fjalës së tij në seancën e sotme të kuvendit, ai tha se investimet kapitale në komuna duhet të trajtohen në bazë të kritereve që janë në ministri të Financave, dhe nëse nuk ndodh kështu, bllokada do të jetë me efekte të mëdha.

Kam një shqetësim i cili vjen nga pushteti lokal, i cili vjen nga komunat e Kosovës. Investimet kapitale, projektet kapitale dhe raportet në mes qeverisë dhe komunave s’kanë qenë asnjëherë më të dobësuara në raport me projektet kapitale dhe investimeve që duhet të bëhen në komuna. Janë dy çështje të mëdha. E para, qeveria duhet urgjentisht që në procesin e rishikimit të buxhetit të adresojë kërkesat reale të komunave të Kosovës. Ajo që dihet deri tash është se investimet kapitale në komuna janë të bllokuara dhe njëkohësisht procesi i buxhetimit për vitin 2023 duhet të jetë shumë më transparent dhe s’duhet të ketë qasje politike”.

Sipas informatave që i kemi nga kryetarët e komunave që ne si subjekt politik i udhëheqim, projektet që janë dorëzuar në ministri s’kanë asnjë përgjigje, asnjë reagim ndaj ministrive të linjës. Investimet kapitale në komuna të trajtohet në bazë të kritereve që janë në ministri të Financave, dhe nëse nuk ndodh kështu, bllokada do të jetë me efekte të mëdha”, tha Tahiri.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat