Deputeti i LVV-së, Haki Abazi ka deklaruar se Kosova duhet të jetë konsistente në zbatimin e ligjshmërisë dhe kushtuetueshmërisë edhe në veri të vendit. Duke folur në "Lajmet e Fundit" në RTK, për atë se çfarë pret më 1 shtator, Abazi ka thënë se qëndrimi i institucioneve të Kosovës për referendumin dhe zgjedhjet serbe ka treguar se “duhet të jemi konsistent për zbatimin e kushtueshmërisë dhe lishmërisë në tërë vendin tonë“.
“Serbia në asnjë formë nuk lejon barazinë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve. Nuk mund të lejojmë që Kosova të vihet në sprovë sa herë që Vuçiq tenton ta paraqesë Serbinë superiore mbi të tjerët në rajon. Ne jemi për barazi të plotë dhe reciprociteti e vendos një gjë të tillë“, ka thënë Abazi.
Ai pret që vendimet e Qeverisë për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje në kufi dhe për targat RKS në veri të zbatohen. “Ideja është që SHBA por edhe BE e kuptojnë mirë ligjshmërinë dhe zbatueshmërinë e kushtetueshmërisë së cilido vend. Pres një rritje të presionit ndaj Serbisë e jo ndaj Kosovës”, ka shtuar deputeti i LVV-së.
Sa i përket mundësisë së eskalimit të situatës më 1 shtator në rast të mos arritjes së ndonjë marrëveshje, Abazi ka thënë se në një vend ku ka mbizotëruar krimi për 20 vite mund të ketë tentim të mirëmbahet ajo situatë e paligjshmërisë, duke e përdorur veriun e Kosovës si vend të kontrabandës.
“Nuk mendoj se Kosovës duhet t’i kërkohet të bëjë kompromis me bandat në veri. Vuçiq nëpërmjet këtyre bandave po kërkon të krijojë jostabilitet këtu”, është shprehur Abazi.
Sa i përket kërcënimit të Listës Serbe për dalje nga institucionet e Kosovës, ai, ka thënë se nuk është serioz dhe i sinqertë, sepse do t’i cungonte mundësitë e tyre për të manovruar politikisht.