Ndërpritet seanca/ Përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës në Kuvend

Aktuale

Ndërpritet seanca/ Përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës në Kuvend

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 07:25 Përditësuar në ora: 13:00 më 15.09.2022
Kuvendi i Kosovës

Lushtaku: Aparati shtetëror po dështon të mbrojë viktimat e abuzimeve seksuale

Deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku ka kërkuar përgjegjësi nga institucionet e drejtësisë për rastet e abuzimeve seksuale që kanë tronditur opinionin publik, duke thënë se aparati shtetëror ka dështuar në mbrojtje të viktimave. 

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Lushtaku tha se rasti i 11 vjeçares së abuzuar seksualisht, duhet të shërbejë si alarm për zgjimin e institucioneve në marrjen me kohë të hapave parandalues. 

“Le të jetë rasti i 11 vjeçares, një jehonë zgjimi për shoqërinë dhe për institucionet. Le të na shërbej, vuajtja e saj dhe e shumë vajzave si ajo, si pikë e kthesës së madhe në shoqërinë tonë”, tha ai. 

Lushtaku u shpreh se për fat të keq, institucionet përkatëse e shfrytëzuan këtë rast për agjendë ditore politike, duke tentuar që atë çfarë po ndodhë t’ua atribuojnë të tjerëve. 

“Në Kosovë haptazi, vendet që do duhej të shërbenin për turizëm apo rekreacion janë shndërruar në çerdhe për dhunues dhe trafikantë. Institucionet përkatëse nuk marrin mundin për ti kontrolluar. Motelet nëpër Kosovë janë shndërruar në shtëpi ku në pikë të ditës abuzohet me njeriun, kurse sallonet tjera të cilat haptazi promovojnë prostitucionin dhe vendet ku kontrabandohet me substanca narkotike, janë vetëm disa shembuj për të ilustruar letargjinë që ka kapluar institucionet shtetërore. Ne mund të flasim gjatë për atë që ka ndodhur, po ndodhë dhe do të ndodhë edhe në të ardhmen, por motivi im për të ngritur zërin për këtë çështje është që të lëvizim në drejtimin e parandalimit dhe luftimit të pa kompromis ndaj çdo individi, grupi apo dukurie që cenon rendin tonë demokratik dhe ligjor”, theksoi ai.

Tahiri i drejtohet Kurtit: Me pas pa veten në pasqyrë këtë kryeministër e kishe pështy në fytyrë

Shefi i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, parti kjo iniciues e debatit parlamentar për grevat e sindikatave tha se pas tri javësh ende nuk ka dialog të mirëfilltë për daljen nga situata.

Tahiri theksoi më tej te shkollat nuk janë mbyllur as në vitet e 90-ta, ku edhe Kuvendi i Kosovës është mbyllur dhunshëm.

“Sot shtet kemi, prandaj është e papranueshme të mbyllen shkollat… këtu janë dy palë. Sindikatat dhe qeveria nuk preken direkt nga mbyllja e shkollave, por fëmijët po, prindërit po dhe e ardhmja po…”, tha ndër të tjera deputeti i PDK-së.

Ai tha më tej se është e nevojshme që të flitet edhe për cilësinë në arsim dhe për këtë të ballafaqohen edhe mësimdhënësit, por sipas tij trajtimi me dinjitet nuk ka dilemë.

Sipas tij, kërkesa e mësimdhënësve është legjitime dhe duhet të shihet mundësia për jetësimin e tyre.

“Por, edhe pas tri javësh grevë nuk ka dialog. Nuk mund të thuash se po dialogun kur i fton në takim pas tri javësh dhe thua gjërat e njëjta”, tha ai, duke shtuar se kryeministri Kurti e ka bllokuar dialogun dhe po ushtron presion.

“Me pa Albini veten pasqyrë para dy vitesh këtë kryeministrin e sotëm besomë e kishte pështy në fytyrë”, tha Tahiri.

Debati Kurti-Konjufca pasi ky i fundit votoi si opozita, Gashi ironizon “Glauk hajde në LDK se krejt po dalin”

Një situatë jo e këndshme ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës, në momentin kur kryeparlamentari Glauk Konjufca votoi pro mocionit procedural të propozuar nga opozita për ndryshim të rendit të ditës.

Në momentin e hedhjes në votim të këtij mocioni, kryeparlamentari Konjufca ngriti dorën duke votuar pro, pas kësaj kanë filluar ngacmimet nga shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Abren Gashi i cili iu drejtua Konjufcës që “hajde kalo në LDK se krejt po dalin”.

“Shih shih çka është kjo tradhti more kështu, Glauk t ‘kanë tradhëtu hajde në LDK, qu del këndej, qu del në LDK se krejt po dalin”, ishin fjalët e Gashit drejtuar Konjufcës.

E kjo situatë siç duket ka “nervozuar” kryeministrin Albin Kurti dhe zëvendësin e tij Besnik Bislimi.

Kamerat kanë kapur momentin kur menjëherë pas votimit të mocionit procedural, Kurti dhe Bislimi shihen duke diskutuar me Konjufcën.

Ata shihen teksa argumentojnë me Konjufcën, mirëpo nuk dëgjohet se për çfarë po flisnin. Ajo çka shihet është se Kurti nuk doket në humor të mirë pas këtij “debati”.

​Haxhiu: Më duket se ministri Latifi ka shkuar në Amerikë, pasi Kurti ia mori kompetencat

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka shprehur mëdyshje se ministri i shëndetësisë, Rifat Latifi, ka shkuar në Amerikë për shkak se kryeministri, Albin Kurti, ia ka marrë kompetencat, me themelimin e komisionit ekzekutiv për shëndetësi.

Në seancën e sotme të Kuvendit, gjatë pyetjeve parlamentare, në mungesë të ministrit Latifi, deputeti opozitar e pyeti kryeministrin për siç tha gjendjen e mjerueshme në shëndetësi dhe keqpërdorimet e mëdha.

Haxhiu: Më duket se ministri Latifi ka shkuar në Amerikë, pasi ia morën kompetencat

“Po më doket se për shkak që (kryeministri) ia ka marrë kompetencat Rifat Latifit, ai ka ikë për në Amerikë, është në një aktivitet më të rëndësishëm se kjo. Pyetjen po e lexoj nëse kryetari i komisionit ekzekutiv për shëndetësi, Albin Kurti, ka mundësi të na përgjigjet. Sipas raportit të Auditorit për SHSKUK-në në vitin 2021 janë evidentuar keqpërdorime të shumta. Në 61 raste me vlerë 7 milionë e 864 mijë euro mungon raporti i pranimit të mallit që duhej përgatitur nga menaxherët e kontratave. Në 17 raste në vlerë 1 milionë e 759 mijë euro urdhërblerje ishin proceduar pas pranimit të mallit e faturës. Këto abuzime me furnizime mjekësore, me ushqim, sigurim të automjeteve, pastrim e karburant e sigurim fizik. Në 12 raste 2 milionë e 442 mijë euro nuk ishin paguar faturat brenda afatit ligjor. Po besoj e dini stilin e kësaj qeverie pse kanë ndodhur vonesat, për pazare të stilit 20 mijë tash e 10 mijë më vonë. Hajni e keqpërdorime deri në procedura të prokurimit për transport të kufomave për shërbimet funerale për viktimat e COVID-19. Lista e pritjeve për diagnostikime e operime është rritur me bordin e SHSKUK-së të emëruar nga qeveria Kurti. Në kardiologji lista e pritjeve ishte 0-7 ditë, ndërsa tash është 1 vjet e gjysmë. Cilat do të jenë masat e kryetarit të Komisionit Ekzekutiv ndaj këtij raporti për të vënë para përgjegjësisë keqpërdoruesit”, theksoi ai.

Megjithatë, kryeministri Kurti nuk u përgjigje në pyetet e deputetit Haxhiu.

Kuvendi miraton Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për FSK-në

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Pro votuan 74 deputetë, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Pak më parë deputetët e miratuan me 80 veta pro në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

“Ju të PDK-së bëni qetësi atje”/ Hisen Berisha nervozohet me partinë e vet!

Deputeti i PDK-së, Hisen Berisha, është nervozuar me kolegët e tij të cilët duket se nuk e dëgjonin dhe bënin zhurmë derisa ai fliste.

Berisha për një moment i është drejtuar atyre “Ju të PDK-së bëni qetësi qatje, allo PDK-ja”.

Kryetari Konjufca intervenoi duke ju bërë thirrje deputetit të PDK-së, Elmi Reçica për qetësi.

“Zoti Reçica, zoti Hyseni po ju bën thirrje po thotë ju PDK-ja” tha Konjufca.

Kuvendi miraton Ligjin për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës

Kuvendi i Kosovës e ka miratuar në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Fillimisht, të gjitha grupet parlamentare i dhanë përkrahje këtij Projektligj.

“Trego sa i ke?”, Krasniqi dhe Murati përplasen për kriptovaluta

Ministri Hekuran Murati dhe kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, janë përplasur për kriptovaluta në seancën të Kuvendit të Kosovës.

Derisa i është përgjigjur kritikave të Krasniqit për menaxhimin nga qeveria të krizës së inflacionit, ministri Murati ka thumbuar kreun e PDK-së për kriptovalutat.

“Çka nuk mund të zotohem është se nuk do të mbështesim humbjen në kriptovaluta. Nëse dikujt i është vështirësuar gjendja financiare për humbjen në kriptovaluta, ne nuk mund ta mbështesim atë, kërkoj ndjesë”, tha Murati në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës.

Ndërkaq, Krasniqi e ka akuzuar ministrin për fshehje të pasurisë që posedon në kriptovaluta.

“Unë jam ekspert për kriptovalutat. I pari kam folur për to dhe madje jam i pari që i kam deklaruar në AKK. Krejt shokët e tu tregojnë se ke kriptovaluta, por nuk i ke deklaru asnjëherë në AKK. Trego sa i ke?”, ka pyetur kryetari i PDK-së.

Kadrijaj e AAK-së ia kujton Kurtit ‘veturat e zeza’, e uron edhe për detyrën e re

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ia ka kujtuar një fjalim kryeministrit Albin Kurti, të bërë disa vite më parë.

Ajo e citoi Kurtin në kuvend me fjalët: “Nuk ka kuptim që hajnat dhe injorantët atje lart që shëtiten me vetura të zeza dhe shofera, të marrin dhjetëra milionë euro, ndërsa mësuesit, arsimtarët, mjekët dhe punëtorët, mos të marrin. Këtë e keni thënë ju kryeministër”.

“Sot po vozitesh edhe me te vetura të zeza dhe me shofera, edhe pse po shpenzon qindra mijëra duke shkuar dhe shëtitur në ShBA e Greqi me nga dy tri javë dhe ke injoruar kërkesat e drejta të grevistëve, ulu e mos e përçajë popullin e mos përçajë arsimtarët, prindërit e nxënësit”, ka vazhduar ajo të thotë vetë.

Poashtu, teksa uroi Konjufcën për Ditën e Demokracisë, tha më tej se kryeministri Kurti demokracinë e ka shkelur çdo ditë, pasi sipas saj ka injoruar çdo kategori.

“Nuk e di me cilën kategori e ka mirë kryeministri sepse nuk e ka as me mjekët as me arsimtarët, sepse po cilësohet si një kryeministër konfliktuoz”, tha Kadrijaj.

Kadrijaj e uroi Kurtin edhe për detyrën e re në Komisionin Ekzekutiv për Shëndetësi.

“Urime kryeministër edhe detyra e re si ministër i Shëndetësisë. Duke dashtë t’i mbuloni të gjitha ato dështime që po ndodhin po formoni komisione ekzekutive dhe tashmë gjithë këto detyra edhe me dialogun të cilin po e injoroni dhe s’po vini të raportoni në kuvend, se di si do të ndodhë tash që ke edhe një përgjegjësi të re, a do mund t’i menaxhosh punët”, tha ajo.

Deputetët mbajnë një minutë heshtje për Mbretëreshën Elizabeth

Deputetët e Kuvendit të Kosovës e kanë mbajtur një minutë heshtje për vdekjen e Mbretëreshës Elizabeth II.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, në emër të gjithëve ka thënë që ajo të prehet në paqe.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat