Ndërpritet seanca/ Përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës në Kuvend

Aktuale

Ndërpritet seanca/ Përplasje të forta mes pozitës dhe opozitës në Kuvend

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 07:25 Përditësuar në ora: 11:31 më 15.09.2022
Kuvendi i Kosovës

Haxhiu i PDK-së: Shëndetësia kurrë nuk ka qenë kaq e degraduar

Emërimet politike, nepotizmi e korrupsioni janë disa nga termat që i përmendi deputeti i PDK, Bekim Haxhiu në seancën e Kuvendit.

Haxhiu tha se gjendja në shëndetësi është e rëndë, dhe fajin kryesor për këtë është kryeministri Albin Kurti.

“Shëndetësia kurrë nuk ka qenë kaq keq dhe asnjëherë nuk ka qenë kaq e degraduar. Pacienti ka pritur 3 vite për tu operuar në Kirurgjinë Vaskulare por kur i ka ardhur koha nuk ka mundur të operohet për shkak të mungesës së anesteziologëve. Në qeverisjen Kurti nuk është bërë asnjë hap në mirëqenie të shëndetësisë”, tha Haxhiu.

“Albin Kurti është edhe zyrtarisht ministër i Shëndetësisë dhe është bërë përgjegjës për mungesë të barnave dhe pagave për punëtorët shëndetësor. Të lutem që shëndetësia mos ta ketë fatin e energjisë elektrike sepse në krye të shëndetësisë e kemi një inxhinier të dështuar”, tha Haxhiu.

Berisha: Policia e Kosovës duhet ta marrë në mbrojtje Jasharajn

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, i ngriti dy çështje nga fusha e sigurisë. Ai ka kërkuar që të sigurohet transport për policët dhe ushtarët e Kosovës, sepse siç shprehet ata po presin rrugëve, dhe në çështjen e dytë ka kërkuar nga Policia e Kosovës ta marrë në mbrojtje kreun e SBASHK-ut Rrahman Jasharajn.

Sipas Bekë Berishës, çështja e grevës dhe mos-shkuarja e nxënësve në shkolla i takon kryeministrit Albin Kurti dhe nuk është problemi te Rrahman Jasharaj.

“Linçimet që po i bëhen një qytetarit të Kosovës, si në rastin e Rrahman Jasharajt, sulmet linçuese ndaj çdo njeriu dhe ankesa që fëmijët nuk po shkojnë në shkollë, problemi është të Qeveria, nuk është të Rrahman Jashari, por te kryeministri. Po ashtu kërkoj nga Policia e Kosovës që të marrë në mbrojtje Rrahman Jasharajn. Qasja konfliktioze me sindikatat, tendenca për me përça brenda, është problem në vetvete”, tha Berisha.

Sa i përket çështjes së transportit të policëve dhe ushtarëve, ai u shpreh:

“Çdo ditë në rrugë shohim ushtarë dhe policë duke bërë autostop për shkak të mungesës së transportit për njerëzit me uniformë. Shumë ushtarë të FSK-së lëshojnë vendin e punës, disa kalojnë nga FSK në Polici por shumica prej tyre e lëshojnë vendin dhe dalin në përendim, tani kjo është shpeshtuar. Duhet të sigurohet transport në mënyrë që të mos i shohim duke pritë rrugëve”.

 

Abdixhiku: Kurti të lirohet nga paranojat e argatëve të Serbisë e armiqve të padukshëm

Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku, ka kritikuar kryeministrin Albin Kurti, duke i thënë se ka një hall të madh të ushqesh këtë krizë të grevës.

Ai ka thënë se për LDK-në përgjegjës i vetëm është kryeministri.

Abdixhiku ka thënë se kryeministrit i takon të dialogojë, flasë e dëgjojë edhe me ata që s’pajtohet.

“Të dhënat në vend tregojnë se 40 mijë qytetarë e kanë lëshuar Kosovën gjatë qeverisjes së tij të parë e 60 mijë në mandatin e dytë. Kosova nuk ka Qeveri. Në vend të gjetjes së zgjidhjes ne dëgjojmë narracione e konspiracion të Qeverisë. Kjo është gjuhë e paaftësisë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë që Kurti duhet të lirohet nga paranojat e argatëve të Serbisë, armiqve të padukshëm e rrëzimit të Qeverisë.

“Dy vitet e para i ke kaluar më 14 shkurt, e dy të tjera me frikën që po rrëzohesh. Në fakt njerëzit e vetëm që flasin për rrëzimin e Qeverisë janë te ti në kabinet”, ka thënë ai.

Krasniqi propozon 5 masa për ta tejkaluar krizën ekonomike

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se kohët e fundit, Kosova po vazhdon të thellohet në krizë të rëndë ekonomike. Në fjalën e tij në sesionin vjeshtor, tha se qytetarët po varfërohen.

“Këto kriza po lulëzojnë si pasojë e kësaj qeverie. Kriza e rëndë ekonomike po varfëron qytetarin. Ata që kanë pasur të ardhura mesatare mezi po ia dalin të jetojnë, e ata me të ardhura të vogla po rrëshqasin në varfëri”, tha ai.

Kritika pati edhe për rënien e investimeve kapitale, duke thënë se kjo drejtpërdrejt ka ndikuar në mirëqenien e qytetarit.

“Të largohet akciza për produktet e naftës, të lejohet tërheqja e 30 për qind të mjeteve nga Trusti e kështu më radhë”, tha ai.

Ai ka propozuar edhe disa masa për u lehtësuar qytetarëve përballimin me krizën e rëndë ekonomike:

Të lirohen nga TVSH të gjitha mallrat e konsumit

Të lirohet konsumi i energjisë elektrike nga TVSH-ja

Të rriten pagat aq sa është norma e inflacionit

Të lejohet tërheqja e 30% të mjeteve nga Trusti.

Muja: Shkollat duhet të hapen, betejat tona politike mund t’i vazhdojmë në platforma tjera

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, në seancën e sotme të Kuvendit ku po diskutohet për grevën në arsim, ka bërë thirrje që shkollat në Kosovë të hapen dhe nxënësit t’i kthehen mësimit.

Para deputetëve, ai foli për pakon e fundit të prezantuar nga Qeveria për përballje me inflacionin, ndërsa tha se fëmijët kanë rënë pre e negociatave për 50, 80 e 100 euro.

“Nga pakoja për inflacionin do të përfitojnë edhe mësimdhënësit. Është viti i katërt që Kosova nuk e fillon mësimin me rregull. Fëmijët janë bërë pre e negociatave jo 50 euro, jo 80 e jo 100”, u shpreh Muja.

“Fëmijët duhet të kthehen në shkolla. Është e drejtë kushtetuese dhe ligjore që shkollat në Kosovë të hapen. Betejat tona politike mund t’i vazhdojmë në platforma të tjera”, shtoi ai. 

Seanca nis me vonesë, Konjufca kërkon falje

Seanca e sotme e para për sesionin vjeshtor e Kuvendit të Kosovës, ka nisur 30 minuta me vonë.

Me këtë shkak, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka kërkuar falje nga deputetët.

“Ju kërkoj ndjesë për vonesën sepse po e shënoja Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë”, tha ai.

​Deputetja Doarsa Kica Xhelili zë vendin në ulëset e LDK-së në Kuvend

Deputetja Doarsa Kica Xhelili e cila ditë më parë braktisi Grupin Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, e cila iu bashkua partisë së LDK-së, sot ka zënë vendin në ulëset e Grupit Parlamentar të LDK-së në Kuvend, në rendin e parë, krah kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe deputetit Kujtim Shala.

Madje, pasi që ka zënë vendin deputetja Kica Xhelili, deputeti Shala duke qeshur ftoi edhe deputetë të tjerë nga GP I LVV-së që t’i bashkohen LDK-së.

Javën që shkoi zyrtarisht deputetja Doarsa Kica Xhelili nga Lista Guxo ka kaluar në LDK. Arsyetimet e para të saj në media për braktisjen e Listës Guxo ishin se nuk pati reforma në drejtësi nga partia në pushtet. 

 

Deputetët kthehen në Kuvend, debat për grevën dhe disa pika tjera

Kuvendi i Kosovës sot do të mblidhet për të mbajtur seancë plenare, të parën për këtë sesion vjeshtor.

Seanca fillon nga ora 10:00, ndërsa tashmë është publikuar edhe rendi i ditës.

Pjesa kyçe e seancës do të jetë një debat parlamentar lidhur me grevën e punëtorëve të sektorit publik.

Rendi i plotë i ditës:

Miratimi i procesverbaleve nga seancat e mëparshme,

Deklarimet jashtë rendit të ditës,

Pyetjet parlamentare,

Propozimi i grupeve parlamentare për zëvendësim në komisione parlamentare,

Shqyrtimi i parë i Projektligji nr. 08/L-156 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-124 për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligji nr. 08/L-157 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit 06/L-123 për Forcën e Sigurisë së Kosovës,

Shqyrtimi i parë i Projektligji nr. 08/L-158 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 06/L-122 për Ministrinë e Mbrojtjes,

Debat parlamentar për Grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK),

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,

Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-147 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04-131 për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021,

Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020,

Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,

Shqyrtimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,

Shqyrtimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat