Tensione pozitë-opozitë në Kuvend/ Nuk ka kuorum për propozimin e PDK-së, shtyhet për nesër rezoluta për ndërprerjen e grevës

Aktuale

Tensione pozitë-opozitë në Kuvend/ Nuk ka kuorum për propozimin e PDK-së, shtyhet për nesër rezoluta për ndërprerjen e grevës

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 10:00 Përditësuar në ora: 17:36 më 22.09.2022
Kryeministri Albin Kurti

​PDK prezanton rezolutën për ndërprerje të grevës, s’ka kuorum për miratim në Kuvend

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka prezantuar rezolutën, pas debatit parlamentar për grevën në Kuvend të Kosovës.

Ai ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që në afat prej 48 orëve nga miratimi i rezolutës të zhvillojë negociatat e nevojshme me BSPK-në për ndërprerjen e grevës dhe po ashtu t’i përfshijë BSPK-në në grupin punues për Projektligjin e pagave.

Megjithatë e njëjta nuk u vendos në votim për shkak të mungesës së deputetëve.

Tahiri: Në afat prej 48 orëve pas miratimit të rezolutës Qeveria të sigurojë ndërprerjen e grevës

“Kuvendi i Kosovës kërkon nga Qeveria e Kosovës që në afat prej 48 orëve nga miratimi i kësaj rezolute të zhvillojë negociatat e nevojshme me Këshillin Grevist të BSPK-së, apo personat e autorizuar deri në zgjidhjen përfundimtare që siguron ndërprerjen e grevës. Kërkojmë në afat prej pesë ditëve nga miratimi i kësaj rezolute të përfshijë përfaqësuesit e autorizuar nga BSPK-janë grupin punues për hartimin e pagave, para miratimit të tij në qeveri dhe të marrë në konsideratë propozimet e tyre. Kërkojmë nga Qeveria e Kosovës të propozojë masat për adresimin e kërkesave të tjera të sindikatave”, tha ai.

Me këtë rast, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, mbylli punimet e seancës së sotme dhe bëri të ditur se e njëjta do të vazhdojë nesër në orën 10:00.

Përveç miratimit të rezolutës për debatin parlamentar, në rend të ditës janë edhe disa Projektligje të mbetura nga seancat e kaluara.

Deputetja e LDK-së i thotë mbylle gojën deputetit Basha

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vlora Dumoshi i ka thënë mbylle gojën deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, gjatë debatit të sotëm parlamentar për grevën në Kuvend.

Derisa po fliste në foltoren e Kuvendit, Dumoshi, iu drejtua deputetit që të mbyllë gojën, pasi sipas saj, po e pengonte të përmbyllte fjalimin e saj.

Dumoshi: Mbylle gojën, unë po flas pastaj t’i vazhdo

“Mbylle gojën, unë po flas pastaj t’i vazhdo”, tha ajo.

Në këtë debat u përfshi edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili kërkoi nga deputetët të kenë kujdes me gjuhën parlamentare.

Zemaj thirrje qeverisë: Fëmijët duhet të kthehen në shkolla

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Armend Zemaj, sot gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ka folur për grevën në arsim.

Zemaj gjatë fjalës së tij tha se edhe ata qytetarë që ua ka dhënë votën partisë në pushtet janë duke i thënë “keq e keni”.

“Krejt Kosova dhe ajo 50 për qindëshi që e ka votu po thotë keq e keni. Në këtë mes dikush me të vërtetë duhet të lëshoj pe. Nuk e di sa është e moralshme të llogaritet e centa kostoja e jetës së mësuesve. Sot në tre mujorin e tretë, BQK shpall në statistikat e saj që janë 800 milionë të lira në thesarin e Kosovës. Le të ma thotë dikush se pse s’paska mundësi qeveria që t’i shtoj edhe katër muaj që ta ndihmoj këtë kategori me gjëra që ishin paralajmëruar vite më parë. Edhe 800 milionë llogariten që të mblidhen në fund të vitit”, u shpreh ai.

Deputeti i LDK-së po ashtu theksoi se problemi i krijuar në vend i ka kaluar të gjitha përmasat e politikave ditore.

“Sot jemi opozitë dhe nesër shumë shpejt do të jemi pozitë. Po thoni po i përkrahni, po unë po them që jo. Nuk ka protestë në Kosovë që dikush nga ju s’ka qenë i pranishëm. Andaj kjo nuk duhet të shihet nga perspektiva opozitare por nga zgjidhja e një problemi, që i ka kaluar të gjitha përmasave e politikave ditore”, tha tutje Zemaj.

Ai po ashtu tha se fëmijët duhet të kthehen në shkolla.

“Shpjegojeni ndaç në aspektin, emocional, ndaç në atë social, fëmijët duhet të kthehen në shkolla. Kisha lut ministre ta zbutni gjuhën, ndihmoni dhe kryeministrin tuaj, mos e qitni n ‘mal duke i thënë që ti je më i forti, më i mençmi”, tha ndër të tjera Zemaj. 

Nagavci: SBAShK-ut i janë plotësuar 90% të kërkesave

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se SBASHK-u po i mban peng nxënësit.

Në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për grevën e mësimdhënësve, ajo tha se Qeveria ia ka plotësuar SBAShK-ut 90% të kërkesave.

“Jemi larg prej modeleve të Evropës, edhe në atë se si janë trajtuar deri më tani mësimdhënësit, por edhe në atë se si bëhet organizimi sindikal”.

“SBASHK-u e ka vetëm një kërkesë që e kemi dëgjua të gjithë. ‘Lëvizni edhe pak’. E kjo lëvizje nënkupton që ato 50 eurot qe i kemi thënë ‘rriteni edhe pak. Thjesht po ulemi e po bisedojmë për këtë, ose po tregtojmë për këtë’”, tha Nagavci.

Basha: Për 16 euro SBASHK-u po i mban peng fëmijët në shtëpi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, në seancën e sotme të Kuvendit duke folur për grevën në arsim, tha se mbi 300 mijë fëmijë po mbahen peng në shtëpi për 16 euro.

Kjo pasi sipas tij, për shkak të inflacionit paga e një mësimdhënësi ka vlerë për 66 euro më pak, e në anën tjetër Qeveria Kurti përmes pakos për inflacionin ka ndarë nga 50 euro shtesë për tre muaj për të gjithë punëtorët e sektorit publik.

“Po e nisi fjalimin me kërkesat që janë shtruar nga BSPK-ja dhe SBASHK-u. Paga mesatare e një mësuesi në Kosovë është 440 euro. Nëse ka pasur inflacion 15 për qind i bie që iu ka zvogëluar për 66 euro vlera e pagës që e ka marrë”.

“Qeveria i ka ndarë nga 50 euro shtesë, që i bie se për 16 euro janë duke i mbajtur peng 300 mijë fëmijë në shtëpi. Nëse shpenzimet janë rritur për 66 euro, e Qeveria i ka ofruar nga 50 euro nuk besoj që as ju si opozitë mundeni me i arsyetu grevistët”, u shpreh Basha. 

Greva në arsim, Tahiri: Një kryeministër të përgjegjshëm nuk do ta zinte gjumi

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri ka folur për grevën në arsim, duke thënë se në një situatë të tillë, kryeministrin nuk do të duhej ta zinte gjumi.

Ai tha se nëse kjo situatë nuk po e preokupon kryeministrin Kurti, atëherë siç u shpreh Tahiri, Kurti ka një problem të madh.

“Një kryeministër të përgjegjshëm nuk do ta zinte gjumi, kur 1 muaj nuk shkojnë në shkollë 320 mijë nxënës. 1 ditë mos me i shku, duhet me qenë preokupim i madh për qeverinë, po 1 muaj mos me qenë preokupim aspak i madh, unë mendoj që kryeministri jonë vërtetë e ka një problem të madh dikund”, tha ai.

Tutje, Tahiri   u shpeh se kërkesat e SBAShK-ut janë kërkesat e 25 mijë mësimdhënësve.

“Prandaj, kur t’i shihni kërkesat, kur e shihni SBAShK-un, nuk është thjeshtë SBAShK-u, janë 25 mijë mësimdhënës që janë prapa tyre, 25 mijë mësimdhënës të cilët po kërkojnë të kenë një pagë me të cilën arrinë të mbijetojnë”, u shpreh tutje ai.

Krasniqi i drejtohet Kurtit me “njeri”: Se vëlla s’po ke qejf me të thënë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi i është drejtuar kryeministrit Kurti me “njeri”.

Ai u shpreh kështu, me arsyetimin se Kurti nuk po ka dëshirë që t’i drejtohet me “vëlla”.

“Lëviz pak o njeri, se vëlla s’po ke qejf me të thënë, lëviz pak, bëji dy hapa, ofro diçka, jo vetëm si të thuash ti, sepse kjo është arrogancë, është diktat, ja si të them unë, ja hiç, nuk është normale kjo sjellje me njerëzit.

Duhet me dal me fol me njerëz, me pa se a po rrahin shuplaka”, është shprehur Krasniqi.

Kurti: Me termat e ‘vllaznillëkut’ për arsim ka mundur të flitej në të kaluarën, por jo më

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar kritikën për kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jashari, pasi ky i fundit i tha “vëlla”.

Kurti tha se i ka dy vëllezër, e sipas tij, asnjëri prej tyre as në Qeverinë Kurti I e as në Qeverinë Kurti II s’kanë shkuar në ndërtesë të qeverisë, pasi sipas tij, vëllezërit janë për në shtëpi.

“Ka kaluar koha kur dikush bëhet kryeministër me vëllazëri. Unë natyrisht që irritohem kur dikush vjen në Zyrën e Kryeministër e të thotë vëlla”, është shprehur Kurti.

Tutje, ai tha se të flasësh për arsimin me termat e ‘vllaznillëkut’ midis kreut të SBAShKut dhe kryeministrit mund të kenë qenë në të kaluarën, por sipas tij s’është më dhe s’do të jetë deri sa ai të jetë kryeministër.

Kurti, më tej tha se ata [qeveria] i ndihmojnë familjes së mësimdhënësit, por sipas tij, mësimdhënësi duhet t’i ndihmojë shtetit me mësim në dërrasë të zezë.

“Nuk merret paga për shportën ushqimore, ajo përdoret për shportën ushqimore. Për shportën ushqimore ne e kemi Pakon e Përballjes me Inflacion”, është shprehur Kurti.

​Kurti: Opozita po e përdorë grevën si armë kundër meje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se opozita po e përdorë grevën në arsim si armë kundër tij.

Duke iu kundërpërgjigjur deputetëve opozitarë në debatin e sotëm parlamentar për grevën, Kurti tha se s’ka pasur gatishmëri nga BSPK-ja dhe Këshilli Grevist për zgjidhje kompromisi.

Kurti: Opozita grevën po e përdorë kundër kryeministrit

“Problem është kryeministri, jo se fëmijët nuk po shkojnë në shkolla. Greva është armë kundër kryeministrit”, tha ai.

Duke folur për termin “vëlla”, për të cilin kritikoi kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharajn, se e përdori në takim me të, Kurti tha se duhet ndarë sfera publike dhe ajo private.

Ai tha se ka dy vëllezër dhe asnjëri prej tyre s’ka shkuar dhe s’do të shkojë në qeveri gjatë qeverisjes së tij. Sipas tij, ka kaluar koha kur kryeministrat janë bërë me vëllezër.

Kurti: Unë i kam dy vëllezër dhe asnjëri nuk ka ardhur dhe s’vjen në ndërtesë të Qeverisë

“Unë i kam dy vëllezër, mirëpo asnjëri prej tyre, në Kurtin I dhe Kurti II nuk ka ardhur në ndërtesë të Qeverisë edhe nuk vjen. Unë besoj se vëllezërit janë për te shtëpia, ka kaluar koha kur dikush bëhet kryeministër për vëllezër. Prandaj unë natyrisht irritohem kur dikush vjen në zyrën e kryeministrit dhe të thotë ‘vëlla’. Është shumë me rëndësi të kuptohet vizioni im që të ndahet publikja prej privates”, tha ai.

Nga ana tjetër, kryeministri Kurti tregoi hapat që sipas tij i ka bërë në raport me grevat.

Kurti: Po mungon sinqeriteti nga grevistët

“Nuk kanë mundur të konsultojnë anëtarësinë vetëm me një anëtar të vetëm me të cilin kanë mundur të flasin në telefon. S’është e mundshme, mediat kanë qenë jashtë. Në vend që t’iu thonë atyre ‘diskutimet vazhdojnë’, ata thanë se ‘greva vazhdon’. Ky nuk është dialog social, sepse nuk mundesh të thuash në takim se ‘kam nevojë të konsultoj anëtarësinë për ofertën e re’, e të dalësh jashtë dhe të thuash se ‘greva vazhdon’. Prandaj jemi në këtë krizë, rrjedhimisht s’ka munguar as komunikimi dhe as dialogu, por po mungon sinqeriteti. Për mua është e qartë se këtu nuk janë viktimë krerët sindikalë, as ne si qeveri, por nxënësit, mësimdhënësit, arsimi dhe ardhmja e shtetit tonë. Kjo është e vërteta. Mirëpo tash në këtë polarizim të skajshëm ka përpjekje të vazhdueshme për viktimizim të individëve”, tha ai.

Kurti i del në mbrojtje Bashës për përplasjen me Jasharajn

Kryeministri Albin Kurti i ka dalë në mbrojtje në mënyrë indirekte deputetit të partisë së tij, Dimal Bashës, i cili dje pati një përplasje në Komisionin për Arsim me Kryetarin e SBASHK’ut, Rrahman Jasharajn.

Sipas Kurtit, diskutimi për këtë rast po bëhet për ta zhvendosur vëmendjen.

Ai ka thënë se në këtë rast viktima s’janë as krerët sindikalë e as Qeveria, por nxënësit e mësimdhënësit.

“Për mua është e qartë se këtu nuk janë viktima krerët sindikalë. Nuk jemi viktimë as ne si qeveri, nuk jeni viktimë as ju si deputetë, viktimë janë nxënësit, mësimdhënësit, arsimi e ardhmja  e shtetit tonë. Kjo është e vërteta. Po tash në këtë polarizim të skajshëm, ka përpjekje të vazhdueshme për vetviktimizim të individëve…Këto tezat për viktimizime të individëve, çfarë gjuhe u përdor, kush qysh u ofendua, a e dëgjove çka i tha e çka si tha, unë besoj që këto janë pikërisht për zhvendosje të vëmendjes dhe për mosadresim të çështjes”, ka deklaruar Kurti.

Ndryshe, Jasharaj ka lëshuar mbledhjen e e Komisionit për Arsim ku ishte duke raportuar sot mbi grevën e mësimdhënësve.

Arsyeja e lëshimit të sallës ishte një përplasje e tij me deputetin e Vetëvendosjes, Dimal Basha, i cili i ka thënë atij se e kthyer dinjitetin në para.

“Unë i jap zor se jam në shtëpinë teme, midis Parlamentit. Veç më ngon kur ta kryj fjalën unë. Unë t’i kallxova zgjidhjet që i ka dhënë Qeveria e Kosovës”, tha Basha kur Jasharaj lëshoi mbledhjen.

Përplasja e tyre vazhdoi edhe në hollin e Kuvendit.

“Ti je i pasinqertë në kërkesat e tua, e ke mbajt peng këtë Republikë. A ke punuar para lufte pa pare, tash për 50 euro po i mban fëmijët peng a? Piskat se ti s’merr vesh ndryshe”, i tha Basha Jasharajt.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat