Tensione pozitë-opozitë në Kuvend/ Nuk ka kuorum për propozimin e PDK-së, shtyhet për nesër rezoluta për ndërprerjen e grevës

Aktuale

Tensione pozitë-opozitë në Kuvend/ Nuk ka kuorum për propozimin e PDK-së, shtyhet për nesër rezoluta për ndërprerjen e grevës

Më: 22 shtator 2022 Në ora: 10:00 Përditësuar në ora: 14:22 më 22.09.2022
Kryeministri Albin Kurti

Kurti: Ma shpallën grevën kur isha në negociata me Vuçiqin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën ku po diskutohet për grevën në arsim, e ka ndërlidhur shpalljen zyrtare të grevës me datën kur ai ishte nisur në Bruksel për takimin me presidentin e Serbisë, Aleksander Vucic. Përveç kësaj, Kurti ka bërë edhe një ndërlidhje mes fjalimeve që kanë pasur në Kuvend Pal Lekaj e Ferat Shala me marrëveshjen që koalicioni i njohur si PAN kishte lidhur me SBASHK-un e Jasharajt në vitin 2017. 

Kurti madje është ankuar se greva iu shpall në Kosovë pikërisht kur gjendej në Bruksel për negociatat me Vuçiqin të cilin e quan president “agresiv dhe dashakeq’.

“Greva nga BSPK u shpall ditën që jam nis për Bruksel. Po atë ditë është shpallë udhëheqës i këshillit grevist Rrahman Jashraj. Unë të nesërmen isha në negociata pesë orë me presidentin e Serbisë, e me 17 lajmi kryesor në Kosovë dhe jo vetëm, ishte që në Kosovë fillon greva. Pra e kishe një kryeministër që po negocionte me fqinjin tonë verior, agresiv dashakeq, në një moment kur te shtëpia ishte paralajmëruar greva masive. Me 17 merr vendim BSPK-ja për grevë dhe përcakton udhëheqësin e këshillit grevist. Me 18 unë jam në negociata në Bruksel”, ka thënë Kurti në Kuvend. 

Ai ka akuzuar AAK-në dhe PDK-në se po qëndrojnë pas grevës në arsim, duke përmendur afërsinë e këtyre dy partive me kreun e SBASHK-ut.

“Këtu dy deputetë unë besoj që e thanë të vërtetën e kësaj polemike në Kuvend. Pal Lekaj i AAK-së dhe Ferat Shala i PDK-së. Ata treguar qartë që e kanë me mua dhe jo me arsimin. Pa numër herë thonë kryeministrit, kryeministri. Në rregull se për atë është opozita, por s’e kanë me arsim, nuk e kanë as me grëven, as me Jashrajn, as me ministren tonë. E kanë me mua. Por në thelb të kësaj është një mosnjohje kronike e rezultatit të 14 shkurtit. Por duhet të tejkalohet, populli ka votuar. Halli është që unë jam kryeministër jo që s’po shkojnë fëmijët në shkolla”, ka shtuar Kurti.

Ai tutje ka thënë se greva po përdorët si një armë kundër kryeministrit.

“Greva po përdoret si armë kundër kryeministrit. Dhe unë besoj që s’është e rastësishme. Sepse me 5 qershor 2017 kur këto dy parti kanë qenë bashkë si PAN, bëhet ai memorandumi i bashkëpunimit mes SBASHK-ut dhe PAN-it, midis fushate. Nëse s’gaboj zgjedhjet kanë qenë me 11 qershor. Është i njëjti njeri në krye të SBASHK-ut, dhe janë dy deputetë të dalur nga PAN-i në dy parti të ndryshme, se e treta s’e kaloi pragun, që tregojnë qartë që problem është kryeministri. Dhe greva është armë kundër kryeministrit”, ka potencuar kreu i Qeverisë.

Përplasjet me Jasharajn në Komision, flet Gola i VV

Deputeti i Vetëvendosjes, Ardian Gola, sot në foltoren e Kuvendit tregoi për ngjarjet e djeshme gjatë raportimit të kryetarit të SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në Komisionin e Arsimit, ku pati përplasje e diskutime me tone të larta. Ai tha se si mazhorancë kanë treguar maturi.

“Unë dje i kam pasë në Komision përfaqësuesit e Sindikatës së Arsimit dhe Këshillit Grevist dhe besoj se si mazhorancë kemi treguar një maturi të thekur të diskutimit të problemeve, pozicionimeve dhe argumenteve të tyre. T’ju them të drejtën, u binda që përmbushja dhe adresimi i kërkesave sindikale deri më sot nga Qeveria, sado që mund të reativizojmë nëse është e kënaqshme ose jo, në asnjë rrethanë nuk janë të atij niveli që arsyetojë vazhdimin e grevës në formën në të cilën është”.

Gola tha se presioni sindikal mund të vazhdojë, por jo me grevën e plotë si bllokadë absolute të mësimit.

“Nuk po flasim për ndërprerjen e presionit sindikal, por për pjesën e mbetur të kërkesave do të mund të vazhdohet përmes formave alternative të presionit sindikal dhe jo të vazhdohet me këtë bllokadë totale. Kjo s’ka më asnjë kuptim sepse është ndërprerje e plotë e funksioneve vitale të institucioneve arsimore”.

Gola tha se në këtë kontekst nuk mund ta gjejë dallimin mes grevës dhe shantazheve.

Ai tha se është tematizuar shumë çështja e gjuhës.

“Në fakt Rrahman Jashari na del të jetë vetëm një simptomë i një kulture të stërkequr të dialogut social që është trashëguar ndër vite. E vlerësoj plotësisht përpjekjen e tij përbrenda një metode që ai e ka trashëguar dhe është ushqyer se si është dialoguar me pushtetet e kaluara. Për këtë s’e fajësoj fare”.

Gola tha se e kanë mision për të ngritur vetëdijen dhe kulturën sindikale, por se ky mision ka çmime që, sipas tij, sot po paguhen.

“Ka ndodhë dhe vazhdon me qenë një përpjekje e pareshtur për të prodhuar një perceptim, kuptohet të deformuar, për mazhorancën si e majtë antisindikale. E vërteta është se ne nuk jemi antisindikatë, jemi që sindikatat të mos ndërtohen me logjikën farefisnore”.  

Hajdar Beqa: Kërkesa e mësimdhënësve e drejtë dhe legjitime

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po diskutojnë për grevën e përgjithshme të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK).

Deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa ka folur para deputetëve në veçanti për grevën në arsim.

Ai u shpreh se kërkesa e mësimdhënësve është e drejtë dhe legjitime.

“Pozita bën thirrje të reflektojnë grevistët, opozita bën thirrje që të reflekton qeveria, nxënësit rrinë në shtëpi, një pjesë i dërgojmë fëmijët në shkolla private dhe kjo me të vërtetë është shumë e pasinqertë prej atyre që e kanë marrë përgjegjësinë t’i fajësojnë të tjerët. Mësimdhënësit e kanë një kërkesë shumë legjitime, e kanë një kërkesë të drejtë”, u shpreh ai.

Kurti përmend vëllezërit e tij në Kuvend: S’kanë ardhur asnjëherë në Qeveri, ata janë për shtëpi

Kryeministri Albin Kurti ka thënë se vëllezërit e tij nuk kanë shkuar asnjëherë në qeveri në dy mandatet e qeverisjes së tij, derisa reagoi lidhur me terminologjinë “vëlla” për të cilën kritikoi kreun e SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, disa ditë më parë.

Kurti, në foltoren e Kuvendit të Kosovës të enjten, tha se “ka kaluar koha kur kryeministrat janë bërë me vëllezër”.

“Problematizohet se unë e kam kritikuar kreun e SBASHK-ut që më ka thënë vla Unë i kam dy vëllezër, por asnjëri prej tyre nuk kanë ardhur në qeveri, sepse unë besoj që vëllezërit janë për shtëpi. Ka kaluar koha kur janë bërë kryeministrat me vllazni”, tha Kurti.

“Pra, është shumë me rëndësi të kuptohet vizioni im që të ndahet publikja prej privates”, deklaroi Kurti.

Kryeministri tha se 600 mijë qytetarë përfitojnë nga pagesat direkte, me rastin e subvencionimeve të Qeverisë së Kosovës. Pakot me subvencionime, Kurti tha se janë kundërshtuar nga sindikalistët.

Kryeministri Kurti tregon pakon që e refuzuan sindikatat

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se më 1 shtator i ka kërkuar kreut të Bashkimit të Sindikatave te Pavarura te Kosoves (BSPK), Atdhe Hykollit që pakon anti-inflacion ta bëjnë bashkë.

“Kanë refuzuar, nuk kanë dashur pakon anti-inflacion ta disajnojmë bashkë”, ka thënë Kurti në Kuvendin e Kosovës, të enjten.

Ai ka shtuar se këtë propozim e ka bërë si socialdemokrat, pasi thotë se “është për forcimin e sindikatave”.

Më pas Kurti tha se më 3 shtator kanë propozuar 50 euro shtesa për punojësit publikë.

Kurti ka përsëritur sërish se si kryeministër do të duhej ta takonte kreun e Bashkimit të Sindikatës, e Arbëria Nagavci ta takojë Rrahman Jasharajn, kreun e Sindikatës së Arsimit.

Po ashtu Kurti ka thënë se “sindikata nuk është e sinqertë”, pasi pas takimit nuk e konsultuan anëtarësinë për vazhdimin apo ndërprerjen e grevës. 

Kurti iu kundërpërgjigjet Lekajt e Shalës: Këtë gjë po e përdorin si armë kundër kryeministrit!

Kryeministri Albin Kurti i është përgjigjur kritikave të deputetëve të opozitës, Ferat Shalës (PDK-së) dhe Pal Lekajt (AAK).

Ai u shpreh se këta dy të fundit, problemin kryesor e kanë me atë dhe jo me grevën apo Jasharajn.

“E kanë problemin me mua, nuk e kanë me grevë, as me Rrahman Jasharajn, as me ministren.

Halli është që unë jam kryeministri, jo që nxënësit nuk po shkojnë në shkolla.

Grevën po e përdorin si armë kundër kryeministrit”, deklaroi kryeministri Kurti, përcjell “Bota sot”.

​Kusari-Lila për grevat: Procesi skajshmërisht është politizuar

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se greva në arsim është skajshmërisht e politizuar.

Ajo në Kuvendin e Kosovës, gjatë debatit parlamentar për grevat, tha se në këtë situatë kur Këshilli Grevist refuzon çdo zgjidhje, mbetet t’iu thuhet qartë se po shkelin të drejtën themelore dhe kushtetuese të fëmijëve.

“Procesi skajshmërisht është politizuar. Kjo u vërejt kur Sindikata e Bashkuar përgjigjet se involvimi i Avokati të Popullit, siç e kanë shkruar ata është një institucion që ka hyrë në rrugën e shantazhit për të përçarë sindikatat. A e dini kur është zgjedh ai, nuk është zgjedh nga kjo pozitë dhe kjo qeveri. Avokati i Popullit është institucioni aty që disa vite dhe i takon të jetë në këtë proces...

Në këtë situatë vetëm një gjë mbetet t’iu themi se ata janë duke shkelur një të drejtë themelore kushtetuese të fëmijëve. Nuk munden të mbahen fëmijët në mes deri sa të ndryshon lista e kërkesave vetëm për t’u pamundësuar procesi mësimor”, tha ajo.

Deputeti i PDK-së vjen me një kërkesë interesante për Kurtin: Provoje njëherë kryeministër, bëhu Ministër i Arsimit

Deputeti i PDK’së, Ferat Shala, i ka kërkuar Kryeministrit Albin Kurti që ta marrë drejtimin e Ministrisë së Arsimit dhe t’i kthejë nxënësit në shkolla.

Sipas Shalës, Kurti do të mund ta zgjidhte këtë problem nëse do të ishte në krye të MASHT.

“Nëse nuk keni ministër të gatshëm të ballafaqohet me sindikata, përsëri provoje njëherë kryeministër, bëhu Ministër i Arsimit. Sigurisht jam i bindur se do ta zgjidhësh këtë problem, largoje egon personale dhe mbivlerësimin që ke për të gjithë ata që janë vartës të tu”, ka thënë Shala.

Shala ka thënë se përgjegjës për këtë situatë është vetë Kurti dhe se atij i takon të gjejë zgjidhje.

“Po vendose masën e dhunshme edhe në arsim, si në shëndetësi, edhe zgjidhe problemin. Po pajtohemi, e ke vendos një masë të veçantë të jashtëzakonshme në shëndetësi pas pandemisë, vendose edhe në arsim, sikur në shëndetësi siç bërë para pak ditësh. Merri të gjitha kompetencat, e ki atë mundësi e zgjidhe krizën. Ktheji nxënësat në shkollë. Jo me dalë këtu me vajtu me sindikata e me ba personalitet të pakontestueshëm apo të kontestueshëm një sindikalist, i cili i ka të drejtat e tij legjitime. Merri këto kompetenca, mere edhe Ministrinë e Arsimit. Merri dhe zgjidhi, ktheji nxënësit në shkollë. Ndale se ti e ke nis, nale se ti je përgjegjës”, ka deklaruar Shala.

Shala i PDK-së: Kriza është bërë mbijetesë e kësaj qeverie

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka thënë në kuvend se kriza është bërë mbijetesë e qeverisë dhe kryeministrit Albin Kurti.

Teksa kritikonte qeverinë për grevën dhe gjendjen në arsim, ai kërkoi nga shefi i qeverisë t’i kthehet komunikimit dhe dialogut me sindikatat.

“Qasja, improvizimi i krizave është bërë përditshmëri e qeverisë dhe këtij kryeministri. Kriza është bërë mbijetesë e kësaj qeverie dhe këtij kryeministri. 

Kryeministri t’i kthehet komunikimit dhe t’i kthehet dialogut me sindikatat, me shoqërinë civile. Ktheju debatit me sektorin privat dhe ekonominë e këtij vendi të cilin e ke harruar fare”, tha ai.

Kusari-Lila del me propozim për SBASHK-un se si duhet ta mbajnë grevën

Shefja e GP të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka dalë me propozim për SBASHK-un se si duhet të organizohet greva. Ajo ka kërkuar të vazhdojë procesi mësimor derisa ka dhënë një ide për mbajtjen e librezave të fëmijëve nga arsimtarët si formë greve, por pa e elaboruar shumë si propozim.

“Ata po e shkelin një të drejtë elementare ligjore. S’mund të mbahen fëmijët në mes, deri të plotësohen kërkesat. Ligji për grevën e parasheh që është obligim të bëhet sigurimi i minimumit të procesit të punës. 

Unë kam një pyetje për SBASHK, cili është minimumi i procesit të punës që ata janë duke e bërë. A është nga pesë orë në tri orë, apo është me orar të shkurtuar. Por nuk është fare. Asnjë minimum sot nuk ekziston në shkolla ku s’mbahet mësimi. 

Më respekt maksimal për të gjithë mësimdhënësit. Le të kthehen në proces mësimor. Ide nuk jemi ne për t’iu dhënë neve atyre, por edhe mund t’iu japim. Mund t’i mbajnë librezat e fëmijëve në fund të gjysmë vjetorit të parë, ose në fund të vitit shkollor 2023. Fëmijëve mos iu mohoni shkollën. Vendosni tiketat jemi në grevë”, ka thënë Kusari-Lila.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat