Përplasje mes deputetëve të VV-së, Rrahmani lëshon mbledhjen e Komisionit - propozim i ri për grevën

Aktuale

Përplasje mes deputetëve të VV-së, Rrahmani lëshon mbledhjen e Komisionit - propozim i ri për grevën

Më: 23 shtator 2022 Në ora: 08:23 Përditësuar në ora: 15:37 më 23.09.2022
SBAShK-u përballet me ministrat, mungon Rrahman Jasharaj

​Takimi i Komisionit për Arsim përfundon pa zgjidhje për grevën

Takimi i përfaqësuesve të Sindikatës së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë me ministrin e Financave dhe atë të Arsimit ka përfunduar pa ndonjë zgjidhje për ndërprerjen e grevës. Takimi i cili u zhvillua me ftesë të Komisionit Parlamentar për Arsim është përcjellur me përplasje në mes të ministrit Hekuran Murati dhe përfaqësuesve të SBAShK-ut. Këta të fundit kanë deklaruar se e pranojnë shumën prej 50 euro të ndarë nga qeveria por duan rritje të pagës bazuar në rritjen ekonomike të vitit të 2021(10.45%).

Nënkryetarja e SBAShK-ut, Vjollca Shala tha se gjithashtu kërkojnë që në vitin 2023 të rishikohet rritja ekonomike e vitit paraprak dhe të bazë të saj të bëhet rritja e pagës nga janari 2023.

Shala: E pranojmë pakon me nga 50 euro por kërkojmë rritjen e pagës bazuar në rritjen ekonomike të vitit 2021

“Tani ka një ndryshim sa i përket kërkesës së parë, ne kemi bërë këtu një lëshim, kemi pranuar pakon ekonomike prej 50 euro por kërkojmë edhe rritjen e pagës në bazë të rritjes ekonomike të vitit 2021 që ka qenë bruto[produkti vendor e që sipas ASK-së është 10.45%. Kemi bërë lëshim, e pranojmë këtë pakon ekonomike 50 euro por njëherit të rritet paga për vlerën 10.45. Njëherit kërkojmë që në vitin 2023 të rishikohet prap sa do të jetë rritja ekonomike e vitit 2022 dhe të shikohet sa është shkalla e inflacionit dhe në bazë të rritjes ekonomike në 2022-ën dhe shkallës së inflacionit, të bëhet rritja e pagës që nga janari 2023”, tha ajo.

Ajo tha se kërkojnë që komentet e tyre të merren parasysh në projektligjin për paga.

Ndërsa ministri i Financave, Hekuran Murati tha se qeveria dizajnon pako për të gjitha kategoritë dhe nuk mund të ketë rritje për kategori të caktuara.

Murati: Qeveria ka dizajnuar pako në mbështetje për të gjithë qytetarët

Çdo lëvizje tjetër tash, nëse shtohet te një kategori duhet me marrë te kategoria tjetër, pra nëse kërkohet këtu që të rritet për një kategori siç janë për shembull mësimdhënësit, apo punëtorët e sektorit publik duhet me marrë edhe te pensionistët, pra duhet me zvogëlu me heq ose te studentët ose te një kategori tjetër. Pako prej 150 milion euro korrespondon me shumën që e kemi kaluar në rishikim buxhetor, besoj ju kujtohet. Nëse pretendohet që mundet më shumë duhet të tregohet cilës kategori po sugjeroni me ua marrë, unë nuk jam, unë mendoj që familjet me asistencë sociale kanë nevojë më shumë, mendoj që pensionistët kanë nevojë më shumë, mendoj edhe studentët kanë nevojë, prandaj si qeveri e kemi dizajnuar këtë pako që gjithë qytetarët e republikës t’i mbështesim nga pak”, tha ai.

Ai ka kritikuar përfaqësuesit e Këshillit Grevist se qëllimisht po synojnë mosmarrëveshjen.

Murati: nuk mund të merresh vesh me dikë që qëllim e ka mosmarrëveshjen

“Këta as që ua kanë prezantuar anëtarësisë ofertën që e kanë marrë nga qeveria, as që e kanë prezantuar para anëtarësisë, kemi të bëjmë me këtë nivel të diskutimit. U tha se i keni kërkesat, prandaj e pyeta a janë të njëjtat, sepse negocimi dhe diskutimi bëhet, janë kërkesat fillestare dhe tentohet të gjendet një kompromis, nuk mund të arrihet marrëveshje duke tentuar kompromis me kërkesa të cilat vazhdimisht ndryshojnë, ju ftoj media të nderuara, mund të shikoni kërkesat fillestare që kanë qenë të këshillit grevist të publikuar më datë 17 gusht kur është nisur greva dhe krahasoni me këto kërkesa që kemi sot, nuk janë të njëjta dhe normalisht që nuk mund të merresh vesh me dikë që qëllim e ka mos marrëveshjen sepse sapo qeveria lëvizë diçka këta shtojnë kërkesë tjetër ose e ndryshojnë kërkesën”, tha Murati.

Por sipas Ymer Ymerit nga SBAShK-u, ata komunikojnë në vazhdimësi me anëtarësinë dhe të njëjtit janë të njoftuar për çdo propozim nga ana e qeverise.

Ymeri-Muratit: Ke qëllim mos me arrit marrëveshje

“Ende pa dalë ju me 50 euro ne e kemi pyet anëtarësinë dhe anëtarësia na ka thënë jo, po më dëgjojnë se jam duke folur publikisht, ende pa dalë të shtunën me ofertën me 50 euro ne i kemi pyetur, janë duke dëgjuar anëtarësia. Lexo drejtë kërkesën për ligjin e sigurimeve shëndetësore dhe mos e interpreto keq se ke qëllim mos me arrit marrëveshje. Thotë deri në fund të vitit 2022 të miratohet plotësim ndryshimi i ligjit për sigurime shëndetësore ose në të kundërtën të fillojë zbatimi i ligjit aktual të sigurimeve shëndetësore nga janari i vitit 2023. Nuk kemi thënë rrimë në grevë derisa të bëhet ligji”, tha ai.

Në këtë takim përplasje ka pasur edhe pasi ministri Murati tha se Ymer Ymeri i SBAShK-ut është i afërt me subjekte të caktuara politike.

Murati: Për Ymer Ymerin është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike

“Nga ana e përfaqësuesve të këshillit grevist u tha se kush janë dhe çfarë pozita mbajnë por konsideroj që megjithatë duhet t’i njohim më mirë. Prandaj nëse më lejohet kisha disa pyetje për anëtarët, për shkak se për zotëri Ymerin është raportuar që është i afërt me subjekte të caktuara politike...”, ka thënë Murati.

Ndërsa ministrja e arsimit, Arbërie Nagavci kërkoi që mësimi të fillojë menjëherë dhe të vazhdojë dialogu social.

Nagavci: Të gjithë po punojnë vetëm fëmijët nuk janë në shkollë

“Greva është shpallur nga BSPK, për të gjithë zyrtarët publik, përfshirë edhe zyrtarët këtu në Kuvend, ministri gjithandej, kërkesat janë për të gjithë, të gjithë janë duke punuar, vetëm fëmijët nuk janë në shkollë. Ju lutem shumë, e vazhdojmë diskutimin, fëmijët i dërgoni në shkollë, le ti lejojnë edhe arsimtarët të punojë si të gjithë të tjerët”, tha Nagavci.

Kërkesë për hapje të shkollave kanë pasur edhe deputetët e këtij komisioni, por të njëjtit kanë kërkuar që qeveria të ofrojë zgjidhje.

Dumoshi-Muratit: Telefono kryeministrin, gjeje një zgjidhje për ndërprerje të grevës

“Ministër, shkruaj kryeministrit, kryetarit të Kuvendit, bisedo me kryeministrin, të gjejmë një zgjidhje. Me përulësinë më të madhe e them për shkak të ardhmërisë sonë, ne e dimë që dimri po vjen është krizë gjithandej në rajon e në botë, do të ballafaqohemi me mungesë të energjisë, shkollat tona me këto kushte të cilat i kanë, a do të ketë ngrohje, a duhet me u ndërpre mësimi, ne kaluam periudha të vështira në kohën e pandemisë ju lus që me këtë paketën e 150 milionëshit të cilën ju e keni dizajnuar, uluni rishikoni dhe ta bëjmë një zgjidhje”, tha deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi.

Ndërsa kryetari i komisionit, Ardian Gola ka paraqitur një propozim për të cilin përfaqësuesit e SBAShK-ut janë zotuar se do t’ua përcjellin anëtarësisë.

Gola: Fëmijët të kthehen në shkolla por të mos u vendosen notat, ky të jetë presioni sindikal

“Mos më jepni përgjigje tani, ju kisha lutë mbi të gjitha si prind a është e mundur që deri të arrihet një marrëveshje të themi një lloj moratorium të këtij procesi të mos marrëveshjes, që fëmijët t’i rikthejmë në proces mësimor, të mos ua vendosim notat që prap po them mund të jetë presion goxha i fuqishëm sindikal në raport me qeverinë, dhe ditëve në vijim ta intensifikojmë komunikimin me qeverinë dhe sindikatat dhe jam shumë i sigurt që përgjatë kohës pashmangshëm do të përafrohen pozicionet dhe do të mund të gjendet një zgjidhje. Por mos të paguajnë fëmijët dhe t’i përdorim notat si formë të presionit sindikal”, tha ai.

Në këtë takim, ministrja Nagavci, tha se e vetmja pikë me të cilën nuk pajtohen me SBAShK-un është kërkesa për 100 euro.

Nagavci: Të fillojë mësimi dhe e vazhdojmë dialogun

“Kërkesa jonë është që të vazhdojmë dialogun dhe flasim për plot çështje, qysh kemi bashkëpunuar deri tash të vazhdojmë edhe tutje, të fillojë mësimi ju lutem të gjithëve. Për të gjithë ata që janë të ndershëm këtu dhe gjithë ata që ia duan të mirën arsimit, kërkojmë me u hap shkollat menjëherë, pastaj e vazhdojmë diskutimin sepse kemi shumë gjëra me diskutu për arsimin, ka shumë gjëra që duhet me punu të gjithë bashkë, mos na merrni edhe energji me diskuktu për gjëra që nuk është dashur me u diskutu. Sikurse i kemi zgjidh 99% të kërkesave e zgjidhim edhe këtë të fundit, e zgjidhim por filloni mësimin...”, tha Nagavci.

Kjo deklaratë e Nagavcit ka bërë që deputetët e PDK-së ta lëshojnë takimin pak para se ai të përfundojë.

Kastrati: Duhet të ketë propozim të ri, nuk kemi pse dëgjojmë kalmajë që kanë dalur nga çerdhet

Ne nuk kemi këtu nevojë me dalë dhe me duartrokitë as asaj dhe as kësaj pale, situata është shumë më shumë serioze sesa kaq, a ka propozim të ri zotëri kryetar, nëse ka propozim të ri, sot je në pushtet nesër nuk je, nesër vjen tjetri, kalohet ky petku politik, nëse nuk ka propozim të ri me i dëgju ne këta e me u bë spektrorë, fjalime të kalamajve që kanë dalë prej çerdheve e kanë ardhur këtu, atëherë ne nuk rrimë nëse nuk ka propozim të ri”, tha ai.

Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kanë hyrë në grevë më 25 gusht 2022. 

Përfundon mbledhja e Komisionit

Ka përfunduar pa arritur ndonjë marrëveshje për ndërprerjen e grevës në arsim takimi mes përfaqësuesve të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit (SBASHK) dhe dy ministrive të Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Arsimit dhe Financave.

Kryetari i këtij Komisioni, Ardian Gola i dha një propozim përfaqësuesve të SBAShK-ut.

Gola tha se mund të përdorë metodën e mos vënies së notave, si formë presioni sindikal nga qeverisë.

Është e vërtetë që është problem ta gjejmë një zgjidhje. Argumenti shkencor i profesorit Kokaj është jetik. A kishim mundur për në vend të fëmijëve me i marr notat, dhe me bo si presion sindikal”.

Mos me vendos nota, mos me formalizuar dijen e cila transmetohet tek fëmijët, deri në momentin që do të bëhet një zgjidhje. Jam shumë i sigurt që zgjidhje në këtë forum në këtë masë të njerëzve është problem me gjet zgjidhje”.

Jepet një propozim i ri për dalje nga greva, SBASHK-u thotë se do ta diskutojnë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje i cili është pjesë e Komisionit për Arsim në të cilin po raportojnë ministrja Nagavci e ministri Murati, ka dalë me një propozim për Këshillin Grevist për të zëvendësuar metodën aktuale të grevës me atë të mos vendosjes së notave për nxënësit.

Pra sipas Golës, duhet të ndërrohet mënyra e presionit për plotësimin e kërkesave, në mënyrë që të mbahet edhe mësimi dhe qeveria në të njëjtën kohë të bëjë përpjekje për të gjetur një zgjidhje.

Ndaj kësaj kërkese ka reaguar Ymer Ymeri nga Këshilli Grevist, duke e pyetur deputetin Gola se a mendon që do të reflektojë Qeveria në rast se zbutet metoda e grevës në këtë formë.

Gola pastaj ka sqaruar edhe një herë propozimin e tij, dhe ka thënë që s’po kërkojnë përgjigje menjëherë.

“Mund të jetë një mjet i efektshëm si presion sindikal ndaj qeverisë”, ka thënë tutje Gola, duke i sqaruar Ymer Ymerit se kjo s’nënkupton që të heqin dorë nga kërkesat e tyre.

“Të jeni të bindur që do të jemi prapa jush”, ka thënë Gola.

“Do ta bisedojmë me anëtarësinë”, ka thënë një prej anëtareve të Këshillit Grevist.

Ndërkohë Ymer Ymeri i ka bërë thirrje Golës që të jetë prezent në takim për të dëgjuar se cfarë thonë anëtarët e sindikatës për propozimin.

Eman Rrahmani përplaset me Ardian Golën, lëshon mbledhjen e Komisionit

Deputeti i Vetëvendosjes, Eman Rrahmani, ka lëshuar sallën ku po mbahet mbledhja e Komisionit të Arsimit ku përballë janë përfaqësuesit e SBASHK-ut dhe ministrat Nagavci dhe Murati.

Rrahmani lëshoi sallën pas përplasjes që pati me bashkëpartiakun e tij, Ardian Gola, kryetar i Komisionit.

Ai doli jashtë pasi nuk iu dha fjala, derisa Gola i tha që të mos e vendos në pozitë të vështirë.

“Eman, të lutem, mos më qit në kësi pozite”, i tha Gola.

Debat në Komision – SBAShK thotë se nga kjo situatë duhet të dilet, Nagavci përmend ku s’pajtohen

Në Komisionin për Arsim përfaqësues të SBAShK-ut dhe Qeverisë së Kosovës kanë diskutuar rreth grevës në arsim.

Vjollca Shala nga SBAShK-u tha se qëllimi i tyre është arritja e një marrëveshjeje.

“Jemi sot këtu me qëllim të arritjes së një marrëveshje të përbashkët. Kërkesat që i ka paraqitur BSPK-ja nuk janë vetëm për SBAShK-un, por për të gjithë të punësuarit në sektorin publik”.

Ymer Ymeri, sekretar i SBAShK-ut kërkoi që të gjendet mënyra se si të dalin nga greva.

“Ju lutem të koncentrohemi në mënyrën që të dalim nga greva. Nëse kemi vullnet të dyanshëm dhe ju garantoj që sindikatat kanë vullnet që të dalin nga kjo situatë”.

“Nga kjo situatë duhet të dalim vetëm duke arritur një marrëveshje me anë të bisedimeve. Asnjëherë nuk i kemi mohuar të arriturat që janë përmend”.

Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se pika e vetme që nuk pajtohen me SBAShK-un është kërkesa e tyre prej 100 euro.

Sipas Nagavcit, kjo kërkesë e SBASHK-ut po e pamundëson zgjidhjen e grevës.

“Pika e vetme ku unë dhe kolegët e mi nuk kemi arritur një mirëkuptim është kërkesa e parë që të përcaktohet një shtesë në vlerë prej 100 eurove. Ne kemi kërkuar që SBASHK-u të mos vijë me një kërkesë të tillë e cila pamundëson zgjidhjen e grevës”.

Kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jashraj, nuk ka marrë pjesë në raportimin e ministres Nagavci dhe ministrit Murati në Komisionin për Arsim.

​Dumoshi i kërkon Muratit që të ofrojë zgjidhje për të dalë nga situata aktuale

Deputetja e LDK-së, Vlora Dumoshi ka kërkuar nga ministri Murati që të ofrojë zgjidhje për të dalë nga situata aktuale e grevës.

“Ne sot, ministër duhet ta përfundojmë ketë takim mes juve dhe SBAShK-ut me një zgjidhje. Është situatë alarmante. Pala kryesore jeni qeveria dhe SBAShK-u që duhe të jepni një zgjidhje. Ju kisha lutë që sot mos me levizë as ju, as ne, ta bëjmë një zgjidhje sot që fëmijët të fillojnë mësimin të hënën. Minisitër, shkruaj kryeministrit, kryetarit të kuvendit, bisedo me kryeministrin ta gjejmë një zgjidhje, tha Dumoshi.

Ndërsa deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha tha se në takim duhet gjetur mundësia për një zgjidhje.

“Nëse dëshirojmë me gjetë zgjidhje, zgjidhje gjithmonë ka. Nuk është e pamundur të gjendjet një mundësi t’i përafroni qëndrimet. Kërkesat nuk kanë qenë të na jepni pak lëmoshë por kërkesa për ta adresuar çështjen. Kjo lloj qasje nuk ka me çu askund. As nuk është mirë për shtetin me vazhdu greva e as për grevistët. Këtu po pësojnë femijët”, tha ajo.

10 deputetë të Vetëvendosjes, disa edhe si mysafirë të pranishëm në Komisionin për Arsim

Komisioni për Arsim ka diskutuar në lidhje me grevën e përgjithshme në arsim.

E pranishme në këtë mbledhje ishte edhe ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci, ministri i  Financave, Hekuran Murati, derisa mungon kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj.

Derisa përveç dy ministrave, të pranishëm janë edhe dhjetë deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje – disa prej tyre edhe si mysafirë.

​Ymeri: Ministri nuk e transmetoi siç duhet kërkesën e SBAShK-ut

Ymer Ymeri nga SBAShK-u tha se në këtë takim kanë ardhur për të diskutuar për daljen nga situata aktuale duke u bazuar në tri pika që SBAShK-u i ka renditur si kërkesa dhe u ka dorëzuar dy ministrave të pranishëm.

“Erdhëm për një diskutim shumë korrekt me bisedu vetëm per tri pikat, i kemi thënë komisionit për arsim kur na kanë bërë ftesën nëse diskutojmë për me gjetë daljen me këto tri pika kemi me dalë”, tha ai.

“Te gjitha kërkesat që i tha ministrja Nagavci i kemi kërku dhe janë realizu. Po nisem edhe te problemi me ligjin e anëtarëve të këshillit grevist, nisu prej qeverisë për me ardh te sindikatat, sepse edhe në mesin e ministrave që kanë probleme me ligjin. Nuk kam pasur dëshirë në këtë formë me diskutu. Kosto e kërkesave të SBAShK-ut për këtë vit është 4 milion e gjysmë”, shtoi ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se qeveria bën paketë mbështetëse për të gjitha kategoritë dhe nuk mund të ofrojë rritje për një kategori.

“Kapaciteti, mundësitë buxhetore janë këto sepse në si qeveri duhet të bëjmë paketë mbështetëse për të gjithë qytetarët. Cdo lëvizje tjetër tash nëse shtohet te një kategori duhet me marrë te kategoria tjetër. Nëse kërkohet të rritet për një kategori, duhet të marrim ose te pensionistët ose te studentët apo ndonjë kategori tjetër. Nëse pretendohet se mundet më shumë duhet të tregohet cilës kategori po sugjerohet me u’a marrë. Mendoj se skemat sociale kanë nevojë më shumë, pensionistët, studentët kanë nevojë më shumë. Mbështetja është gjithëpërfshirëse”, tha ministri Murati.

Ymeri tha se ministri nuk e transmetoi siç duhet kërkesën e SBAShK-ut.

“Kërkesa thotë: 10 % plus 50 euro të ofruara nga paketa. Ministri nuk e ceku paktetën por vetëm 10%”, tha Ymeri.

​Ministri Murati tha se SBAShK-u po i ndryshon kërkesat

“Shihni kërkesat fillestare krahasoni me këto kërkesa që kemi sot, nuk janë të njëjta. Nuk mund të merresh vesh me dikë që qëllim e ka mosmarrëveshjen.

Sa herë qeveria lëvizë diçka këta shtojnë diçka apo e ndryshojnë kërkesën.

Kompromisi që është ofruar është mëse kompromis. Në raste të tilla do të duhej greva të ndërpritet e dialogu social të vazhdojë”, tha Murati.

“Duhet ta kemi parasysh prej ku po vjen ky iracionalitet. Ndryshimi i kërkesave përgjatë rrugës dhe mospranimi i asgjësë si dhe mos prezantimi i ofertës së qeverisë para anëtarësisë e qet ketë në tjetër rrafsh”, shtoi ai.

​SBASHK: Të gjejmë ndonjë mundësi e të dalim nga kjo situtatë

Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, në komisionin parlamentar për arsim, përballë ministrit të Financave dhe minsitres së Arsimit ka thënë se nga kjo situatë mund të dilet vetëm me arritjen e një marrëveshje që sipas tij mund të dalë nga bisedimet.

“Mos po gjejmë ndonjë mundesi të daljes nga kjo situtatë. Krejt procesi mësimor është bllokuar, nëse kemi vullnet të dyanshën, ju garantoj se sindikatat kanë vullnet me dalë nga kjo situatë besoj kemi me dalë. Nëse kishim komunikuar drejt dhe shpejtë kishim dalë më shpejtë nga kjo situatë. Nuk mund të dalim nga kjo situatë pa arrit një marrëveshje me bisedime. Asnjëherë nuk kemi mohuar të arriturat, kërkesat tona janë të përbashkëta gjithë sindikatat, është çështje që me një buxhet simbolik ndoshta mund ta kalojmë këtë”, ka thënë Ymeri.

Në takimin e komisionit për arsim me përfaqësuesit nga qeveria dhe ata nga SBAShK-u nuk po merr pjesë kreu i sindikatës Rrahman Jasharaj.

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arbërie Nagavci ka kërkuar nga SBAShK-u që shkollat të hapen dhe të vazhdojë dialogu social.

“Ne kemi pasur takime me SBAShK-un gjatë muajve të verës kur na kanë njoftuar që do të kërkojnë shtesën orej 100 euro, ne kemi këkruar që të mos vijnë me një kërkesë të tillë që të pamundësoj realizimin e saj. Jam e bindur se qëllimet i kemi të përmirësojmë rezultatet në arsim dhe pozitën e mësimdhënësve.

“Kerkesa ime e vetme dhe lutja ime që e kam bërë në vazhdimësi për SBAShK-un ka qenë që të mos e mohojnë të drejtën e fëmijeve për arsim, u jam lutur shumë të hapen shkollat, të vazhdojmë diskutimin sepse jemi të interesuar të përmirësohmë gjithçka në fushën e arsimit”, ka thënë Nagavci.

“Kam kërkuar si ministre që edhe mësimdhënësit tanë të ofrojnë mësimin për fëmijët dhe të vazhdojmë dialogun social”, ka shtuar ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat