​Mungesa e kuorumit, nuk miratohet Projektligji për edukimin në fëmijërinë e hershme

Aktuale

​Mungesa e kuorumit, nuk miratohet Projektligji për edukimin në fëmijërinë e hershme

Më: 29 shtator 2022 Në ora: 07:13 Përditësuar në ora: 11:35 më 29.09.2022
Kuvendi i Kosovës

Kurti për largimin e mjekëve: Ikja më e madhe prej Kosovës vjen nga sektori privat

Kryeministri Albin Kurti në seancën e Kuvendit ka replikuar me deputetët e opozitës sa i përket qeverisjes së tij dhe ikjes së mjekëve dhe infermierve në evropën perëndimore.

Kurti tha se është e vërtetë që profesionistët shëndetësorë po largohen nga Kosova, por shifrat e atyre që largohen janë më së shumti nga sektori privat.

“Sa i përket ikjes së profesionistëve dhe punëtorëve në Kosovë, është e vërtetë se është problem i madh dhe besoj se arsyeja kryesore e migrimit të pasluftës është mungesa e arsimimit dhe tregut të punës. Emigrimi në Kosovë është pasojë e hendekut të shkathësive mes tregut të punës dhe aftësimit profesional. Numri i atyre që shkojnë është nga sektori privat, që përbëjnë 80% të fuqisë punëtore. Pagat janë më ulëta në sektorin privat dhe kushtet më të padinjitetshme të punës janë në sektorin privat.  Pa e rregulluar sektorin privat vazhdimisht do të ikin njerëzit. Unë e di se po ikin mjekë e infermierë por pjesa më e madhe po ikin nga sektori privat”, tha ai.

Kryeministri Kurti u tha deputetëve të opozitës se kurdo mund të diskutojnë për qeverisjen që udhëheqet nga ai.

“Mund ta bëjmë kur të doni një diskutim për qeverisjen tonë e marrim vesh a është mëngjes, mesditë apo mbrëmje. Me lejoni tua përkujtoj që javën e kaluar i kemi bërë një vit e gjysmë qeverisje dhe nevojiten edhe gjysmë viti për t’u bërë gjysmë mandati”, tha ai.

Teksa foli edhe për përplasjen verbale mes ministrit Murati dhe deputetit Haradinaj, Kurti tha se s’ka nevojë t’i dalë në mbrojtje ministrit të tij sepse ai e mbron veten.

“Isha dëshmitar i ndërprerjes së fjalës së deputetit Haradinaj, por nuk kishte ofendim. Meqë nuk dëgjohej unë dola ta sqaroj, jo ta marr në mbrojtje ky e mbron veten”, u shpreh Kurti.

Haradinaj parashikon përçarje në VV, i drejtohet Kusarit: Ti dhe tjerët keni me ia kthy shpinën Kurtit

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, gjatë seancës së sotme, i është drejtuar Mimoza Kusari- Lila.

Ai tha se Kusari-Lila do ia kthej shpinën Kurtit, derisa shtoi se kjo nuk është hera e parë që ndodh një gjë e tillë.

“Edhe ti Mimozë ki me ia kthy shpinën këtij, hic mos ki dert, edhe shumë tjerë, siç ua ke kthy tjerëve, ren krejt keni me ia kthy, se nuk është hera e parë që po ndodh”, tha ai.

“Kryeministri thotë se nuk ka ardhë në pushtet për rritje pagash. A ke ardhë në pushtet me premtim të varfërimit të të punësuarve në sektorin publik e privat. Mosrritja e pagave nuk është më rritje e pagave, është moslejim i varfërimit të njerëzve për shkak të inflacionit. Nuk mund të mbrohesh me mospremtim për rritje pagash nëse ka inflacion”, u shpreh i pari i AAK-së. 

Musliu – Kurtit: Po e mbron Hekuran Muratin si “prind i keq”

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka thënë se Kurti po e mbron ministrin Hekuran Muratin sikur ai “prindi i keq”.

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka thënë se është duke u penguar nga deputeti Hekuran Murati, madje duke Haradinaj tha se edhe “është ofenduar”.

"Mu doke si ai prindi i keq që thotë ja fmëija jem nuk ka faj. Mos harro kryeministër fëmija i hajnë mollat e të mdhajtë i mpihen dhëmbët”, ka thënë Musliu.

Ajo po ashtu e akuzoi Qeverinë Kurti për largimin e profesionistëve nga Kosova .

Kurti: Çmimet nuk janë rritur vetëm për mësuesit e arsimtarët

Kryeministri Albin Kurti tha se Qeveria e tij s’po synon triumfalizëm në dramën e grevës së mësimdhënësve.

Kurti theksoi se nuk ka premtuar rritje të pagave, ndërsa tha se deputetët duhet ta masin ndryshe performancën e qeverisjes së tij.

“Së pari, dua t’ju siguroj që nuk bëhet fjalë për kurrfarë synimi për triumfalizëm”, tha Kurti, duke treguar se ishte takuar me kreun e BSPK-së, Atdhe Hykollin mbrëmjen e 1 shtatorit.

“Ia kemi ofruar triumfin” sindikalistëve, tha Kurti, duke shpjeguar ofertën e tij që ta prezantojnë bashkë Pakon për Përballje me Inflacion.

“Unë kam dashur që ata të bëhen pjesë e fitores [..] Ju ka pëlqyer, por nuk janë pajtuar pasi kanë dalë nga takimi, dhe nuk e di me kë janë konsultuar”, tha Kurti.

Ai theksoi se “çmimet nuk janë rritur specifikisht vetëm rritur vetëm për mësuesit dhe arsimtarët”.

“Çmimet janë rritur për të gjithë”, tha ai.

Krasniqi replikon me Kurtin: Shkoi dita e erdh nata, Kryeministër. Çu puno najsen!

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i ka replikuar Kryeministrit Albin Kurti në debatin parlamentar.

Krasniqi e ka ftuar Kryeministrin që të zgjohet dhe të punojë sepse shkoi dita.

“Thojshit dita erdh. Dita shkoi Kryeministër.

Mramja është duke ardhë. Ju ende nuk e keni filluar punën. Qu puno najsen. Dije që ora katër pasdite është, e ju ende asgjë nuk keni bërë”, ka thënë Krasniqi.

Pas përplasjes me Haradinajn, Kurti i del në mbrojtje Muratit

Kryeminstri i Kosovës Albin Kurti, gjatë fjalës së tij në seancë ka folur për përplasjen ndërmjet ministrit të Financave Hakuran Murati si dhe deputetit Ramush Haradinaj.

Kurti ka thënë se ministri Murati nuk e ka fyer Haradinaj, derisa shtoi se nuk duhet të ndërhyjmë njëri tjetrit.

“Ministri Murati nuk e ka fyer deputetin Haradinaj, unë e kuptoj që ne nuk duhet ti ndërhyjmë njëri tjetrit. Ju e ndëgjuat deputetin Haradinj që tha se mësuesit ta tregojnë qefin kur të vjen vakti”.

Kurti shkoi herët në Kuvend, zhvilloi biseda të gjata me dy ministra

Kryeministri Albin Kurti ishte njëri nga anëtarët e parë të kabinetit qeveritar që mbërriti në sallën e Kuvendin të Kosovës, para nisjes së seancës plenare të së enjtes.

Pamjet nga kamerat e Kuvendit të Kosovës tregojnë Kurtin që zhvillon biseda të gjata me ministrat Hajrulla Çeku dhe Faton Peci.

Shefi i qeverisë, i cili u kthye të mërkurën nga një vizitë në Japoni, bisedon rreth dhjetë minuta me dy ministrat e tij, por nuk përshëndetet me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi.

Kur Latifi mbërrin në kuvend, ai heziton të shkojë drejt vendit ku Kurti, Peci dhe Çeku po bisedonin me njëri-tjetrin. Ministri Latifi shkon te ulësja e tij, por nuk përshëndetet me Kurtin.

Pas disa minutave, Latifi u afrohet dy deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje me të cilët bisedon deri në fillimin e seancës plenare.

Gola: Dramës shoqërore të grevës po i vjen fundi

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ardian Gola ka deklaruar se dramës shoqërore të grevës po i vije fundi. Ai tha se po mirëpresin që Sindikata e Bashkuar e Arsimit t’i kthehet dialogut të brendshëm dhe të pezullohet greva. Sipas tij, nga greva në arsim duhet që të gjithë akterët të marrin mësimet dhe të diskutohet legjitimiteti i paralizimit total të institucioneve arsimore si metodë e grevës.

Gjatë deklarimit jashtë rendit të ditës në seancë plenare, në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Ardian Gola ka folur për grevën në arsim dhe mundësinë që kjo së shpejti të përfundojë.

Gola: Dramës shoqërore të grevës po i vjen fundi

“Duket se dramës shoqërore të grevës po i vije fundi. Një dramë me shumë aktorë, nga presidentja e Republikës, Ombuspersoni, Komisioni për Arsim e deri tek prindërit të cilët ofruan kontributet e tyre për tejkalimin e një ngërçi më shumë se njëmujor. Të gjithë sot mirëpresim vendimin e sindikatës që të reflektojë dhe të rimendojë pozicionin e vet sindikal duke iu kthyer dialogut të brendshëm dhe për të mundësuar dialogun e brendshëm social”, ka deklaruar Gola.

Kryetari i Komisionit për Arsim ka shtuar se me ndaljen e grevës fitojnë të gjithë dhe nuk humb askush. Ai e ka quajtur të pakuptimtë që zjarrfikësve dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës u mohohet ligjërisht e drejta e grevës. Por, siç tha Gola, punonjësve të arsimit u lejohet ndërprerja e plotë e çdo aktiviteti.

Gola: Nga kjo grevë do të duhej që të gjithë të marrim mësime të duhura

“Një gjë tjetër që duket që po bëhet dramë sociale është logjika qeverisëse e cila këmbëngul në trajtim të barabartë të gjithë punëtorëve dhe qytetarëve duke mos privilegjeruar dikë vetëm që ka mjete më të fuqishme presioni. Ngase argument në këto zhvillime nuk mund të jetë forca e presionit në përballje por forca e argumentit në dialog. Nga kjo grevë do të duhej që si politikë, si sindikatë, si shoqëri në përgjithësi të marrim mësime të duhura. Dhe është momenti i fundit ku duhet rimenduar seriozisht dhe të diskutohet gjerësisht legjitimiteti i paralizimit total të institucioneve arsimore, si metodë e grevës. Dhe duhet përpjekur që të gjenden metoda të tjera të presionit sindikal, të cilat do të ishin po aq të efektshme në mbrojtjen e interesave të kësaj kategorie punonjësish buxhetor”, ka shtuar ai.

Haradinaj nervozohet sërish me Muratin, paralajmëron këtë gjë

Deputeti i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka marrë sërish fjalën, në replikë me ministrin Murati, teksa ka paralajmëruar se nëse pengohet edhe njëherë gjersa flet do t’ua kthejë në të njëjtën mënyrë kabinetit qeveritar.

Kryetari Konjufca i ka thënë Haradinajt që shpreson të mos vijë deri aty.

“Saherë që flas nga kjo foltore, unë pengohem. Nëse kjo praktikë vazhdon duhet me u kthy me ua kthy edhe unë në atë mënyrë që e mar dhe po paralajmëroj që nuk ka rrugë tjetër se nuk t’len me folë”, tha Haradinaj.

“Të shpresojmë të mos vijmë deri aty zoti Haradinaj”, tha Konjufca.

Qalaj: Shpella e Gadimes është buzë shkatërrimit

Deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj, në fjalën e tij para deputetëve të Kuvendit ka folur për Shpellën e Gadimes duke thënë se është buzë shkatërrimit. Ai tha se përreth shpellës janë edhe katër gurthyes që sipas tij po ndikojnë negativisht në shpellë.

Në fjalën e tij në Kuvend, Qalaj tha se gjysma e shpellës është në terr dhe për një kohë të gjatë nuk është mirëmbajtur.

“Me pa situatën atje është shumë keq. Ka shumë vizitorë që janë nga shtete të ndryshme ndërsa nuk ka asnjë tabelë në komunikacion se si shkohet atje. Gjendjen e kemi keq atje, duke filluar nga ndriçimi, gjysma e shpellës është në terr.Pastaj stafi nuk ka të ëjë kurgjë me shpellën, unë nuk e di as kur janë punësu”, u shpreh Qalaj.

Ai tha se në Shpellë janë vetëm katër punëtorë dhe nuk ka roje të objektit si dhe mungojnë edhe kamerat e sigurisë.

“Kemi një situatë ku kemi dëmtime të mëdha dhe ska kamera. Nuk ka roje të objektit janë vetëm katër punëtorë. Arsyeja kryesore pse do të flas është se përreth shpellës janë katër gurthyes që po ndikojnë negativisht..Nuk po bëjmë asgjë që t’i ruajmë bukuritë natyrore”, u shpreh Qalaj më tej.

Ai bëri thirrje që të ruhen bukuritë natyrore. 

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat