Pas debateve të ashpra përfundon seanca në Kuvend - miratohen tri projektligje

Aktuale

Pas debateve të ashpra përfundon seanca në Kuvend - miratohen tri projektligje

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 06:28 Përditësuar në ora: 12:22 më 07.10.2022
Kuvendi i Kosovës

Kurti thotë se janë në përfundim të draftit të Ligjit të pagave

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se janë në përfundim të draftit të Ligjit të pagave, ndonëse e pranoi se i njëjti është me shumë vonesa.

Ligji i pagave, tha se do t’i trajtojë me dinjitet profesionistët shëndetësor.

Ligji për paga ka përfunduar diskutimin publik dhe tashmë është në fund. Jam i bindur se profesionistët shëndetësor e kanë atë që e meritojnë, pra dinjitetin. Përveç pagat, profesionistët shëndetësor që punojnë në sektorin publik do të kenë edhe shtesa”.

Nxitimet janë ato që janë reflektuar në vonesa, ndërkaq profesionistët nga diaspora ne ju bëjmë thirrje që të inkuadrohen në sistemin tonë shëndetësor në mënyrë që ta rrisim cilësinë dhe gjithashtu kontributin e tyre. Jam i bindur që ndryshimi i ligjit të pagave, e sistemi i specializimeve, janë një pako e jona e ndryshimeve”, tha Kurti.

​Deliu: Të angazhohemi për të parandaluar rastet e dhunimeve seksuale

Deputetja e Partisë Demokratike e Kosovës, Blerta Deliu ka thënë se institucionet e Kosovës duhet të angazhohen për të parandaluar rastet e dhunimeve seksuale. Ajo ka kërkuar nga Ministria e Punëve të Brendshme që të krijojë linjë të veçantë të raportimit të viktimave të dhunës seksuale si dhe shtim të psikologëve në strehimore.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, deputetja e PDK-së ka thënë se rasteve të ngacmimeve seksuale duhet përgjigjur shpejtë dhe ashpër në mënyrë që dhunuesit t’i dërgohet mesazh që institucionet dhe shoqëria janë në mbrojtje të grave dhe vajzave.

Deliu: MPB-ja urgjentisht të krijojë linjë të veçantë të raportimit të viktimave të dhunës seksuale

“Ministria e Punëve të Brendshme duhet urgjentisht të krijojë një linjë të veçantë të raportimit të viktimave të dhunës seksuale si dhe të shtohen psikologët në strehimore në sanimin e pasojave dhe në rehabilitimin e rasteve. Duhet të angazhohemi secili për të parandaluar këto veprime të neveritshme dhe të mbështesim viktimat e dhunës seksuale. Duhet të sigurojmë që rastet e ngacmimeve seksuale t’ju përgjigjemi shpejtë, ashpër dhe të jemi të ashpër ndaj sulmuesve në mënyrë që të sigurojmë që viktimat të mbrohen. Vetëm kështu kolegë deputetë do të dërgojmë mesazh të qartë tek të gjithë dhunuesit se shteti, institucionet, shoqëria, ka vullnet e ka gatishmëri t’i mbrojë vajzat dhe gratë me forcën e palëkundur të ligjit”, ka thënë Deliu.

​Abdixhiku-mësimdhënësve: Ju garantoj që pagat tuaja do të jepen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë se do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me vendimin e qeverisë për mos-ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit grevistë. Ai ka thënë se qeveria ka ndërhyrë në kompetencat e komunave andaj do të përdorin rrugët ligjore për të ndryshuar këtë vendim që sipas tij është i turpshëm dhe jo ligjor. Në seancën e Kuvendit të Kosovës, kreu i LDK-së ka thënë se kryeministri Albin Kurti po kërkon krizë dhe sipas tij ka për qëllim hakmarrjen ndaj mësimdhënësve.

Duke u drejtuar mësimdhënësve, Abdixhiku ka thënë se pagat do të ekzekutohen.

Abdixhiku: LDK do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese lidhur me mos ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit

“Të dashur mësimdhënës, ju garantoj që pagat e juaja do të jepen, ato do të paguhen herët apo vonë, merri këtë si zotim timin dhe të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Deri atëherë, ne do të përdorim çdo rrugë ligjore dhe institucionale për të ndërprerë padrejtësinë e këtij pushteti, prandaj LDK për shkeljen e rëndë të këtij pushteti, për ndërhyrje në kompetenca që nuk i takojnë do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese dhe me këtë do të rrënojmë edhe vendim të turpshëm, jo human jo ligjor të qeverisë së Kosovë”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se kjo është beteja e Albin Kurtit ndaj mësimdhënësve.

Abdixhiku: Beteja e Albin Kurtit ndaj mësimdhënësve me 400 euro pagë

“Kjo është beteja e Albin Kurtit sot në Kosovë, ndaj kujt, 25 mijë mësimdhënësve, 25 mijë familjeve kosovare me 400 euro rrogë. Lider shembull, par ekselancë. Kjo zvogëlsi e tij prej hakmarrësi ndaj të dobëtit është shenjë e politikës së tij dhe në këtë politikë ai është selektiv, ka paguar gjithë grevistët e tjerë por ka vendosur me vetëdije t’i dënojë vetëm 25 mijë mësimdhënës kosovar”, ka thënë Abdixhiku.

Sipas kreut të LDK-së, Kurti po kërkon krizë sepse ndryshe nuk di të qeverisë.

Abdixhiku: Albin Kurti po kërkon krizë

“Albin Kurti po kërkon krizë sepse krizën e ka formë të mbijetesës, ai është mësuar të krijojë e të jetojë e mbijetojë në kriza e të rritet me to, pa to nuk di të qeverisë dhe nuk di të bëjë. Dhe kështu krijon dhe armiq e kur nuk janë ata duhet t’i krijojë disi. Por njerëzit e Kosovës janë lodhur me kriza, janë lodhur me beteja të parëndësishme, ky vend nuk ka nevojë për drama të Kurtit e të fanatikëve të tij”, ka thënë ai.

Aliu për rrugën që lidh pesë komuna: Duhet së pari një projekt dhe analizë

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Liburn Aliu, ka folur për rrugën malore që lidh pesë komuna të Kosovës, për të cilën ka thënë se nuk mund të nisë pa u bërë një plan i mirëfillte.

“E pata në lidhje me çështjen që e ngriti deputetja Rrezarta Kransiqi për rrugën e cila lidh pesë komuna dhe kalon nëpër territorin malor nga komuna e Prishtinës nëpër territorin e komunës së Kastriotit, Vushtrrisë, Podujevës, Mitrovicës dhe që si ide është ngritur këtë vit në takimet që kemi pasur me kryetarët e komunave, respektivisht kryetarit të komunës së Vushtrrisë e që i kemi konsideruar interesante”, ka thënë Aliu në foltoren e Kuvendit.

Edhe kjo është ide, e për ide duhet me bo projekt, duhet me bo analiza e për të cilën kemi bo buxhet”.

Ai tha se do të analizohet traseja se kah duhet t’i bie rrugë, cilat mund të jenë efektet, çfarë ndikime mjedisore dhe sociale mund të ketë.

Aliu tha se nuk mund të niset rruga pa u bërë shpronësimi sepse të tilla përvoja kanë ndodhur më parë e të cilat po provojnë që t’i ndalin.

Kadrijaj: Qeveria nuk u ka blerë ushtarëve as uniforma e as pajisje sportive

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj para deputetëve në kuvend ka folur në lidhje me Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Ajo tha se në FSK mungojnë derivatet dhe ushtarët edhe kur shkojnë të stërviten, duhet të gjejnë ndonjë alternativë për udhëtim.

Ditë më parë u raportua se në FSK mungojnë derivatet dhe që Ushtarët e Kosovës udhëtojnë ose me taksi ose me autobusë, gjë që nuk është e drejtë dhe se ata edhe kur duhet të shkojnë të stërviten, duhet të gjejnë ndonjë alternativë për shkak se ministria nuk u ka siguruar derivate”, u shpreh ajo.

Tutje, Kadrijaj tha se kjo qeveri nuk ka blerë as uniforma e as pajisje sportive për ushtarët.

Kjo qeveri as nuk ka blerë uniforma për ushtar, por as nuk ka blerë as pajisje sportive dhe secili ushtar i Kosovës duhet ta ketë çantën individuale”, u shpreh tutje ajo.

Haradinaj: S’ka logjikë me i lënë mësimdhënësit pa paga, kjo situatë është e dhimbshme

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka thënë se situata e krijuar me mësimdhënësit është e dhimbshme.

Para deputetëve, Haradinaj tha se kjo situatë kërkon reflektim nga ana e Qeverisë.

Nuk ka logjikë me i lënë mësimdhënësit pa paga. Kjo situatë është e dhimbshme dhe kërkon reflektim nga ana e pushtetit!”, tha Haradinaj.

Tahiri: Videoja e VV-së “jorgan” për t’i mbuluar dështimet e Qeverisë

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e seancës së sotme plenare, ndërkaq shefi i Grupit parlamentar i Partisë Demokratike e Kosovës, Abelard Tahiri ka folur për videon e Lëvizjes Vetëvendosje të publikuar ditë më parë.

Tahiri tha se videot e tilla janë jorgan i vogël për t’i mbuluar dështimet e Qeverisë.

“Po kërkoni bashkëpunimin tonë po përmes video mesazheve po i tregoni qytetarëve qysh opozita po e lufton këtë vend,…. ne deri sot në iniciativat e rëndësishme iu kemi përkrahur dhe mbështetur… mos me qenë ne asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk e kishit kaluar”, tha Tahiri.

“Sot nuk do të votojmë që këto projektligje të hyjnë në rendin e ditës dhe besoj po ashtu se ministri i Financave të reflektojë në dy tri ditë në vazhdim që të dalin pagat mësimdhënësit dhe pastaj të vazhdojmë të votojmë në normalitet”, tha ai. 

​Deputeti i LVV-së në Kuvend: Të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Korenica, i ka bërë thirrje ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Muratit të ekzekutojë pagat ndaj mësimdhënësve.

Ai në Kuvendin e Kosovës, kërkoi edhe nga SBAShK-u të mos bëhet pengesë në realizimin e orëve të humbura gjatë muajit shtator, por të bashkëpunojë me MAShT-in dhe të ecet tutje.

Korenica: I bëj thirrje ministrit që të bëhet ekzekutimi i pagave

“Unë po ashtu i bëj thirrje ministrit që të bëhet ekzekutimi i pagave, por njëkohësisht i bëj thirrje edhe SBAShK-ut mos të bëj pengesë në realizimin e kompensimit të orëve të humbura. Të bashkëpunojnë me MAShT-in dhe të ecim tutje”, tha ai.

​Tahiri: Qeveria të ekzekutojë pagat, me padi civile të mësimdhënësve rrezikohet buxheti

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka kërkuar sërish nga Qeveria e Kosovës të ekzekutojë pagat e muajit shtator për 28 mijë mësimdhënësit dhe punëtorët teknik.

Në Kuvendin e Kosovës, Tahiri tha se vendimi për ndalimin e pagës është i kundërligjshëm, andaj kanë bërë kallëzim penal ndaj ministrit të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Tahiri: Qeveria të ekzekutojë pagat e mësimdhënësve

“Ky është një vendim i jashtëligjshëm, një vendim që i privon nga pagat rreth 28 mijë mësimdhënës dhe punëtor teknik. Ne i bëjmë thirrje ministrit që mos të lejojë edhe më tutje të konsumohet kjo vepër penale, pasi në rast se vazhdon edhe me padi civile të mësimdhënësve ndaj qeverisë së Kosovës dhe ministrit për mosekzekutim të pagave, mund ta merrni me mend çfarë dëmi do t’i kushtojë buxhetit të Kosovës. Pasi është një e drejtë e tyre që do t’ia garantojë secila gjykatë në Kosovë”, tha ai.

Tahiri ngriti si shqetësim edhe sponzorizimin e një artikulli nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë në një revistë në Francë.

Ai tha se është e trishtueshme ajo çka është deklaru aty, ku sipas tij, thuhet se Kosova promovohet si vend ku kanë lindur manastiret e Kishës Ortodokse serbe.

Tahiri: Po i jepni argumente Vuçiq me kundërshtu pavarësinë e Kosovës

Dje kam pranuar një telefonatë nga një bashkatdhetar i yni në Francë, ku thotë se qysh është e mundur Qeveria e Kosovës me promovu Kosovën si një vend ku kanë lindur manastiret e Kishës Ortodokse serbe. Në fakt kjo për mua ishte e çuditshme, thash mos e ke ngatërruar me Qeverinë e Serbisë, pasi nuk besoj se Qeveria e Kosovës promovon Kosovën si vend ku kanë lindur manastiret ortodokse serbe. Por i nderuari ma dërgoi revistën. Revista ‘Petit Fute’ në Francë, Qeveria promovon një artikull, këtë rast Ministria e Tregtisë dhe Industrisë mes tjerash, thotë se Kosova ka qenë një tokë bizantine ku lindën manastiret madhështore të kishës ortodokse serbe. Kjo është një doktrinë e shtetit serb, një promovim i artikulli të tillë nga Qeveria e Kosovës, nuk e di çka ka me thënë tutje Vuçiq dhe të tjerët. A po e shihni se çfarë argumente po i jepni ju kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës”, shtoi ai.

Tahiri: S’votojmë asnjë ligj pa ia dhënë pagat mësimdhënësve

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka lajmëruar se s’do të votojnë asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës, përfshirë edhe marrëveshjet ndërkombëtare, nëse Qeveria e Kosovës nuk i paguan mësimdhënësit për muajin shtator sa ata ishin në grevë.

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri ka thënë se me këtë qasje të Qeverisë, janë të detyruar që të ndërmarrin këtë masë.

“Është e pamundur që kjo Qeveri të sillet me kaq lehtësi ndaj një situatë që është e jashtëzakonshme. Janë 30 mijë njerëz që presin m’i marrë pagat e ne po flasim për marrëveshje ndërkombëtare. Mosreflektimi i Qeverisë dhe neglizhenca ndaj situatës me sindikalistët na detyron që të mos votojmë asnjë ligj në Kuvendin e Kosovës deri sa Qeveria t’i paguan pagat për mësimdhënësit”, ka thënë Tahiri.

Në Kuvendin e Kosovës ka filluar seanca ku pritet të diskutohet për situatën e krijuar pas grevës së sindikalistëve dhe mosdhënien e pagave për mësimdhënësit grevistë nga ana e Qeverisë. Për këtë arsye sot është ftuar në interpelancë ministri Hekuran Murati.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat