Pas debateve të ashpra përfundon seanca në Kuvend - miratohen tri projektligje

Aktuale

Pas debateve të ashpra përfundon seanca në Kuvend - miratohen tri projektligje

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 06:28 Përditësuar në ora: 11:13 më 07.10.2022
Kuvendi i Kosovës

​Opozita nuk voton për ndryshimin e rendit të ditës, kërkon ekzekutimin e pagave për grevistë

Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar që në rend dite në seancën e sotme plenare të futen pesë pika që janë marrëveshje ndërkombëtare duke i konsideruar të rëndësishëm dhe urgjente. Kjo është kundërshtuar nga partitë opozitare në Kuvend të cilat kanë kërkuar që Qeveria e Kosovës të bëjë ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit.

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se deputetët nuk duhet të sillen normalisht derisa janë mbi 26 mijë familje të mësimdhënësve që sipas tij kanë mbetur pa të hyra.

Gashi: Është urgjente që mësimdhënësit t’i marrin pagat

“Po propozoni me marrë kredi sepse i duhen Kosovës, pajtohem që i duhen paratë Kosovës por të njëjtën kohë mbi 26 mijë ua keni ndalë të ardhurat bazë, ata nuk kanë bukë sot me ble, nuk kanë dru me ble, nuk mund të ngrohen sot, nuk mund të paguajnë kredi, ndërkohë i keni bë 800 milion euro pa shfrytëzu e hajde të marrim kredi, ju nuk mund t’i shfrytëzoni paratë e buxhetit qysh mund t’i shfrytëzoni kreditë, nuk dini me i shfrytëzu paratë e buxhetit të shtetit... 26 mijë familje nuk i kanë marrë pagat e tyre, kjo është urgjenca, duhet patjetër me i marrë pagat, nuk mund të aktrojmë këtu sikur gjithçka është normale, prandaj për ne propozimi është i papranueshëm”, ka thënë Gashi.

Shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se do t’i kthehen normalitet kur të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit.

Tahiri: Reflektoni, pastaj iu kthehemi normalitetit në Kuvend

“Po kërkoni bashkëpunimin tonë, por në anën tjetër përmes videomesazheve po iu tregoni qytetarëve se qysh opozita po e lufton këtë vend. Ne deri sot fatmirësisht, në secilën iniciativë të rëndësishmeve ju kemi përkrah dhe mbështet. Mos me qenë ne, ju asnjë marrëveshje ndërkombëtare nuk do të mund ta kalonit...Besoj se ju do të reflektoni se në ditët në vazhdim ju do të reflektoni që t’i ekzekutoni pagat për mësimdhënësit, pastaj edhe ne do t’i kthehemi normalitetit”, ka thënë ai.

E shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se nuk do të votojnë asnjë marrëveshje dhe projektligj derisa të ekzekutohen pagat për mësimdhënësit.

Tahiri: AAK nuk voton asnjë marrëveshje derisa të ekzekutohen pagat për grevistët

“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk do të votojë asnjë marrëveshje, as ndërkombëtare, as kurrfarë marrëveshje kurrfarë strategjie nëse nuk veproni shpejtë me pagat për grevistë dhe për ligjin e pagave, mos pritni për ne, prej neve nuk keni asnjë votë as për marrëveshje ndërkombëtare as për ligj tjetër derisa nuk përfundon saga rreth grevistëve”, ka thënë ai.

Arbëreshë Kryeziu nga Lëvizja Vetëvendosje e cila propozoi ndryshimi ne rendit të ditës, tha se marrëveshjet ndërkombëtare janë të rëndësisë urgjente.

Kryeziu: Marrëveshjet ndërkombëtare janë të rëndësisë urgjente

“Këto nuk janë kredi, janë marrëveshje ndërkombëtare të cilat janë specifikisht të destinuara se ku dedikohen këto mjete në momentin kur fillon zbatimi i këtyre marrëveshjeve. Duke pasur parasysh rëndësinë që kemi të bëjmë me marrëveshje ndërkombëtarë të cilat janë urgjente për shkak se disa prej tyre e kanë afatin kohor të limituar kur duhet t’i votojmë këtu në kuvend, mendoj është e rëndësishme të përkrahen nga deputetët e të gjitha grupeve parlamentare”, ka thënë ajo.

Me votat kundër të opozitës nuk është miratuar plotësimi i rendit të ditës për seancën e sotme.

​Bejta betohet si deputet në Kuvendin e Kosovës

Kuvendi i Kosovës ka nisur punimet e seancës së sotme plenare. Para fillimit të pikave të rendit të ditës, deputeti i ri i Kuvendit të Kosovës nga LVV-ja, Nasuf Bejta është betuar si i zgjedhur i popullit.

Mirëpo, procedura e betimit të tij u përcoll me disa ngatërresa nga ana e kryesueses së Kuvendit, Saranda Bogujevci.

Bogujevci: Të betohet deputeti Bejta

“Unë deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder dhe përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do të përfaqësojë me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj. Do të angazhohem për mbrojtjen e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë së tërësisë territo, më falni...territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut në përputhje me ligjet e vendit. Betohem”, tha ajo.

Bejta zëvendëson deputeten e dorëhequr Vasfije Krasniqi.

Sot zhvillohet interpelanca e Ministrit Murati

Kuvendi i Kosovës mblidhet sot në seancën plenare, ku në rend të ditës, në mesin e 10 pikave të përcaktuara nga Kryesia e Kuvendit, është edhe Interpelanca e ministri të Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ky i fundit është ftuar nga opozita për çështjen: “Cenimi i të drejtave të punëtorëve në administratën shtetërore me ndalimin e pagave, si dhe presioni mbi pushtetin lokal, ndërhyrja në autonominë e komunave”.

Përveç pyetjet parlamentare, në seancën e sotme do të Shqyrtohet Projektligji për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë; do të jetë Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Tubime Publike; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Sigurinë Kibernetike dhe; Shqyrtimi i parë i Projektligjit për Mbrojtjen e Informacionit të Klasifikuar.

Po ashtu si pikë tjetër e rendit të ditës është Shqyrtimi i Propozim-rezolutës për gjendjen në sektorin e shëndetësisë; Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2021 dhe; Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit për pasqyrat financiare të Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës për vitin 2021.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat