Është djegur sërish vetura e shefit të Auditorit të Brendshëm të SHSKUK-së Musa Vitisë.
Brenda pak më shumë se një muaji, Musa Vitisë i është djegur vetura e dytë në parkingun e administratës së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.
Vetura e markës ‘Mercedes’ është djegur pothuajse e tëra në të njëjtin vend kur u dogj edhe herën e kaluar.
Vitia mban postin e shefit të Auditorit të Brendshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Ai ka thënë se dyshon se kjo po i ndodh për shkak të punës së tij. Ka deklaruar se nuk ka ndonjë person në të cilin mund të dyshoj konkretisht.
“Mund të jetë e lidhur me punën time. Tani për mua të gjithë janë të dyshuar. Nuk kam ndonjë dyshim konkret. Janë njoftuar Policia e Kosovës, ata janë duke u marr edhe me rastin e parë. Po pres që të zbardhen rastet, por jam shumë i shqetësuar”, ka deklaruar Vitia.
Më 19 gusht atij i ishte djegur një veturë tjetër e markës ‘Audi’ në parkingun e njëjtë. Deri më tani nuk janë dhënë detaje lidhur me këto dy raste.
Vitia ushtron pozitën e shefit të Auditorit të Brendshëm që disa vite në SHSKUK. Në dy vitet e fundit disa auditime të brendshme të kryera nga zyra e tij kanë përfunduar në organet e drejtësisë.