Diskutimi për situatën në veri të Kosovës është përcjellur me përplasje fjalësh mes opozitës dhe përfaqësuesve të qeverisë.
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka thënë se është mirë që prokuroria të merret me shefin e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës Abelard Tahiri, për të cilin ka thënë se ‘në stilin e banditit’ i është afruar të ulësja.
Bislimi: Ableard Tahiri erdhi të ulësja ime në stilin e banditit
“Ish ministri i Drejtësisë dhe deputeti Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për minsitren Haxhiu, ndërkaq pasi u mbyll mikrofoni në stilin e një banditi që vendosë shurdhuesin e armës së tij u kthye nga unë dhe shprehu një sërë kërcënimesh të cilat pastaj i shoqëroi me të shara dhe fyerje nga ulësja e tij dhe mendoj që do të ishte shumë mirë që prokuroria të merret me këtë rast”, ka thënë Bilsmi.
Ndërsa Tahiri ka thënë se anëtarët e qeverisë janë në siklet andaj po flasin të pavërteta.
Tahiri: Qeveria është në siklet, po flet të pavërteta
“Vërtetë është një çoroditje e kësaj qeverie, nuk e di të nderuar kolegë deputetë a jeni duke e parë, sjelljen e tij, sjelljen e saj(Albulena Haxhiut), këta e kanë një siklet jashtëzakonisht të madh, këta e kanë një problem tepër të madh, këta janë në një siklet të cilët as vendi vend nuk po i zë, ky edhe flet akzua të pabaza, del në foltore flet të pavërteta, ky vërtetë është në gjendje të rëndë edhe psikike, ky është në gjendje të rëndë, andaj ne i kërkojmë fokus, angazhim, punë, kësaj qeverie në krye të detyrave të saj”, ka thënë Tahiri.
Thirrje për të mos përdorur gjuhë joparlamentare ka bërë nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci e cila është duke e drejtuar seancën.
Bogujevci: Gjuha joparlamentare e përdorur sot është e papranueshme
“Është e papranueshme në pikën ku kemi mbërri sot dhe gjuha që është përdorë edhe jashtë mikrofonit, i lus deputetët por edhe anëtarët e qeverisë që të frenoheni nga fjalët joparlamentare, nuk është në rregull”, ka thënë ajo.