Pas 4 orësh përfundon takimi Kurti - Vuçiq në Bruksel/ Dalin detajet se çfarë biseduan

Aktuale

Pas 4 orësh përfundon takimi Kurti - Vuçiq në Bruksel/ Dalin detajet se çfarë biseduan

Më: 21 nëntor 2022 Në ora: 06:15 Përditësuar në ora: 16:52 më 21.11.2022
Foto nga takimi

Kurti: Propozimi i BE-së, i papranueshëm

Kryeministri Albin Kuri është deklaruar pas takimit rreth 8 orësh me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga Shefi i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell dhe me Emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

Kurti ka thënë se propozimi i BE’së që Kosova mos të shqiptojë gjoba dhe Serbia mos të lëshojë targa KM është i papranueshëm për të.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti para mediave tha se shpreson se BE do të gjejë forcën që ti rrijë prapa propozimit të saj për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë.

Duke theksuar “ se pas 8 orësh takime nuk kanë marrëveshje”.“Nuk mund të shndërrohemi me liderë shtetërorë që merremi me çështje të targave dhe nuk diskutojmë për normalizim”, tha Kurti para gazetarëve.

Për sa i përket që Serbia të pushojë emetimin e targave, Kurti tha se “kjo për neve nuk është e pranueshme nëse nuk shoqërohet edhe me atë për të cilën jemi ftuar për normalizim të plotë të marrëdhënieve”.“Me keqardhje mund të them që ndërmjetësit, në këtë rast Borrell hoqi dorë nga ky afati i marsit të vitit 2023 dhe nga propozimi i BE-së për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Po them me keqardhje sepse vetë e kanë propozuar masrin e vitit 2023 dhe në anën tjetër propozimi është i Bashkimit Evropian. Kur u takuam në Paris në Forumin për Paqe, Borrell tha se propozimi nuk është Franko-Gjerman, por i BE-së dhe i mbështetur nga Franca dhe Gjermania. Sot ai hoqi dorë nga propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi…

Unë jam i gatshëm që të vijë këtu të zhvillojë takime gjithmonë me strukturën dhe rendin e njëjtë…

Shpresoj që BE ti rrijë prapa propozimit të vetë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Sërbisë”, u shpreh ai.

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka deklaruar se pret nga Kosova që të pezullojë gjobat që Kosova planifikon t’ua jap drejtuesve të automjeteve me targa ilegale, ndërsa nga Serbis ka kërkuar që të pezullojë lëshimin e këtyre targave.

Stano: Fatkeqësisht s’ka marrëveshje në takimin e sotëm në Bruksel

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka thënë se s’është arritur marrëveshje mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Stano me anë të një postimi në rrjetin social Twitter, ka shkruar se takimi është përmbyllur, por pa dhënë ndonjë rezultat.

“Takimi urgjenti i nivelit të lartë mes presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i ndërmjetësuar nga Josep Borrell ka mbaruar. Ishte përgjegjësia e të dy liderëve për të de-përshkallëzuar urgjentisht.

Fatkeqësisht ata nuk ranë dakord për një zgjidhje sot”, njofton Klankosova.tv.

Kujtojmë që takimi ka filluar që nga orët e mëngjesit, ku janë takuar fillimisht ndaras dhe pastaj dy liderët së bashku me përfaqësuesin e lartë të BE-së, Josep Borrel dhe të dërguarin special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

​Borrell: S’ka marrëveshje për targat

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell, ka bërë të ditur se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq nuk kanë arritur marrëveshje në takimin e sotëm për çështjen e targave ilegale.

Ai në konferencë për media, pas takimit me Kurtin dhe Vuçiq, ka thënë se ka propozuar për palët që Kosova të shtyjë vendimin për targa, ndërsa pala serbe që mos të lëshojë më targa “KM”.

Borell tha se ky takim është që situata të tejkalohet në paqe dhe shmangien e krizave.

Vitin e kaluar kemi punuar nga shmangia e krizave në krizë dhe nuk kemi pas mundësi që të merremi me çështjen e normalizimit përfundimtare dhe kjo duhet të përfundojnë...Ne kemi bërë një propozim që do të mund të shmangte këtë situatë. Presidenti Vuçiq e pranoj por jo edhe kryeministri Kurti. Pres nga Kosova që menjëherë të ndal fazën e dytë për targat dhe e thërras Serbinë që menjëherë të ndal dhënien e targave. Unë po i thërras të dy palët që t’i respektojnë këto dy çështje”, tha ai.

Ky është propozimi i fundit i BE-së për Serbinë dhe Kosovën

Bashkimi Evropian ka dalë me një prozim për Serbinë dhe Kosovën sa i përket çështjes së targave.

Atë e ka bërë të ditur Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, raportojnë mediet serbe.

“Përfaqësuesit e BE-së i propozuan Kurtit të tërhiqet nga gjobat, ndërsa Serbisë që mos të lëshoj edhe më tutje targa ilegale”, tha Vuçiq.

“Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje”, tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel.

“Kur flisni për diçka në të ardhmen, duhet të respektoni marrëveshjet që janë nënshkruar. Ata duan të respektojnë diçka që as nuk është diskutuar. Sigurisht që nuk do të jetë e lehtë në periudhën e ardhshme”, tha Vuçiq.

Takimi u mbajt me ftesë të kryediplomatit evropian, Josep Borrell, ndërsa nisi rreth orës 10:00.

Fillimisht, Borrell mbajti takime ndaras me kryeministrin Kurti dhe presidentin Vuçiq.

Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë “takim urgjent”, për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.

“… t’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.

Që nga vendimi i Qeverisë për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës në fund të qershorit, situata në veri është e tensionuar.

Takimi i sotëm në Bruksel është thirrur një ditë para nisjes së zbatimit të fazës së dytë – shqiptimit të gjobave prej 150 eurosh për shoferët me targa ilegale.

Serbët në veri të Kosovës, ku përbëjnë shumicën, kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë shqiptimin e gjobave, ashtu siç kanë kundërshtuar gjithë vendimin e Qeverisë për targa.

Në BE nuk duan të përmendin ndonjë afat kohor se sa do të zgjasë takimi, por thonë se shpresojnë se ai do të përmbyllet deri në mesditë.

Borrell do të jetë i shoqëruar nga i dërguari i Posaçëm për dialogun, Miroslav Lajçak.

“Fokusi i takimit urgjent do të jetë gjetja e një rrugëdaljeje nga kriza e tashme dhe shmangia nga eskalimi i mëtejmë i tensioneve në terren, me theks targat e veturave dhe kthimi i serbëve të Kosovës në institucionet e Kosovës”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Shtetet e Bashkuara thanë një ditë para takimit se shpresojnë që Kosova dhe Serbia të arrijnë një marrëveshje “në ditët në vijim” për çështjen e targave, dhe se “në mënyrë aktive po i mbështesim këto përpjekje”.

SHBA-ja dhe BE-ja vazhdimisht i kanë kërkuar Qeverisë që të shtyjë afatin për riregjistrimin e makinave që kanë targa ilegale.

Presidentit i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha më 20 nëntor se nuk është optimist për takimin në Bruksel.

“Unë do të shkoj në Bruksel. Nuk mendoj se mund të bëjmë diçka, por po shkoj që të mos jap arsye që Serbia të akuzohet se nuk dëshiron të bëjë asgjë”, tha Vuçiq më 20 nëntor në një intervistë për televizionin Prva.

Kurti më 18 nëntor tha se Kosova është duke “bërë çmos për të ruajtur ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e vendit tonë, nga njëra anë, dhe paqen e sigurinë, nga ana tjetër”.

“Unë jam optimist, por qasja e Beogradit ka qenë mjaft destruktive dhe në ditët në vijim do të shohim sa do të jemi të suksesshëm në këto negociata të reja”, tha ai.

Qeveria e Kosovës ka nisur të zbatojë planin e saj nga 1 nëntori. Plani për riregjistrimin e makinave me targa të lëshuara nga Serbia ka paraparë tri faza.

Faza e parë përfshinte qortimin e shoferëve, e dyta shqiptimin e gjobës prej 150 eurosh për ata shoferë, dhe e treta targat provuese.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Të mbështetur nga Beogradi zyrtar, shumica e serbëve në veri kundërshtojnë këtë proces dhe insistojnë në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.

Si pasojë e tensioneve të ngritura, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës – nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.

Kurti dhe Vuçiq janë takuar të hënën në Bruksel pas më shumë se tre muajsh. Edhe pse atëherë ishte thënë se pritet të ketë një dinamikë të re në dialog dhe takime të nivelit të lartë së paku një herë në muaj, liderët e dy vendeve nuk janë takuar në kuadër të këtij procesi që nga muaji gusht. /REL

Vuçiq: Absolutisht asnjë marrëveshje me Prishtinën

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, tha se në bisedimet me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për çështjen e targave, nuk është arritur asnjë marrëveshje.

"Për arsye të paqarta, nuk kemi arritur absolutisht asnjë marrëveshje", tha Vuçiq pas bisedimeve disaorëshe, të hënën në Bruksel, raportoi Radio Evropa e Lirë.

"Nuk mendoj se ka ndodhur ndonjë tragjedi, por, natyrisht, nuk do të jetë një periudhë e lehtë", tha Vuçiq, duke shtuar se Serbia "do t'i qëndrojë pranë popullit serb" në Kosovë. Ai paralajmëroi se këtë javë do t'i drejtohet publikut serb.

Në Bruksel ka përfunduar takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Vazhdon takimi mbi 4 orësh Borell-Kurti-Vuçiq

Në Bruksel po vazhdon takimi i përbashkët ndërmjet kryediplomatit evropian, Josep Borrell, me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Aty po merr pjesë edhe emisari i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak. Konferenca e paralajmëruar e Borrellit për në ora 11:30 është shtyrë për një kohë të pacaktuar.

Zyrtarët evropian ka nisur takimin me Kurtin dhe Vuçiqin para orës 10:00, por ende nuk ka një epilog të qartë se çfarë do të ndodhë.

Takimi trepalësh në Bruksel po vazhdon ende

Takimi trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, po vazhdon ende në Bruksel.

Me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, janë kryediplomati evropian, Josep Borrell dhe emisari special i BE-së, Miroslav Lajçak.

Fillimisht, Borrell ka mbajtur takime ndaras me Kurtin dhe Vuçiqin, për të vazhduar më pas me atë trelateral i cili ka nisur rreth orës 10:00.

Ndërkohë, Borrell tha mbrëmë se e ka thirrur këtë takim urgjent për shkak të nevojës për të shtensionuar situatën.

“T’i japim fund menaxhimit të krizave të vazhdueshme dhe në vend të kësaj të fillojmë të përparojmë drejt normalizimit të marrëdhënieve”, shkroi ai në Twitter.

Pamjet që dëshmojnë betejën psikologjike, Kurti-Vuçiq / Të tendosur edhe Borell e Lajçak

Nga: I.M

Duket se është një nga takimet më të nxehta të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë Vuçiq në Bruksel.

Pamjet në video pak çaste para fillimit të takimit tregojnë zymtësinë dhe vështirësinë e takimit. Derisa presidenti i Serbisë nuk bën asnjë lëvizje, ai duket shumë i tendosur, i ngurtësuar dhe jep pamjen se ndodhet në vështirësi. Kryeministri i Kosovës Kurti mundohet ta ruajë veten, të mos jepet, dhe lëshon një buzëqeshje të lehtë, por më pas merr pamje serioze, dhe nuk e fsheh dot pamjen, se edhe ai ndodhet para vështirësive në këtë tavolinë.

Si duket aktualisht ai vështirësinë kryesore e ka tek targat, se si të tërhiqet burrërisht nga vendimi i Qeverisë, që e konsideron si karakterizim personal, duke marrë apo përfituar disa kërkesa në dobi të Kosovës. Ndërkohë, që trysnia nuk po bëhet vetëm për targa.

Nuk duket se e kanë të lehtë t’i mbizotërojnë emocionet as Përfaqësuesi i lartë i BE-së Josep Borell dhe ndërmjetësi i bisedimeve Lajçak. Që të dy rrinë me pamje të rënduar, mbase duke lexuar edhe gjuhën e trupit të palëve, por edhe qëndrimet sigurisht nga bisedat paraprake, para takimit.

Vuçiqi, e pritshme për shqiptarët gjithë mendjen e ka se si të dalë nga takimi si triumfues, duke i paraqitur serbët si viktima, pavarësisht terrorit dhe gjenocidit të kryer ndaj shqiptarëve në Kosovë, dhe dëbimit me diskriminim dhe heshtje në Luginë.

Triumfi po i duket më i vështirë, pasi përballë po konsideron se e ka një sfidues të vërtetë, për dallim kur në takimet e viteve më parë, dukej i patrazuar dhe gjithmonë fitues, pasi rezistenca ndaj kërkesave serbe dukej e butë, dhe madje shumë dorëlëshuar!

Kurti i buzëqeshur, e Vuçiqi “tym” në takimin në Bruksel

Në Bruksel janë duke u zhvilluar takimet ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

Ky takim është duke u ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të BE-së Josep Borrell dhe emisari i BE-së për Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak.

Në një video që është xhiruar brenda sallës së takimit, Kurti shihet i buzëqeshur, ndërsa Vuçiq duket shumë i ftohtë.

Pamje brenda takimit trepalësh në Bruksel

Janë publikuar pamjet brenda takimit trepalësh në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Takimi është duke u ndërmjetësuar nga shefi i diplomacisë Josep Borrell, dhe emisari i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak/

Image

 

Fillimisht, Borrell ka pritur Kurtin dhe Vuçiqin ndaras në takime, për të vazhduar më pas me këtë takim i cili tashmë ka përfunduar.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat