Dyshohet për sulm me shok-bombë ndaj një njësiti të EULEX-it në veri

Aktuale

Dyshohet për sulm me shok-bombë ndaj një njësiti të EULEX-it në veri

Më: 10 dhjetor 2022 Në ora: 15:16 Përditësuar në ora: 23:05 më 10.12.2022
Pamje nga gjendja ne veri

Dyshohet për sulm me shok-bombë ndaj një njësiti të EULEX-it në veri

Një njësit i EULEX-it po dyshohet se është sulmuar pak minuta me parë në pjesën veriore të vendit.

Sipas burimeve të klanit, sulmi dyshohet të ketë ndodhur në Rudarë të Komunës së Zveçanit.

Deri më tani nuk ka ndonjë konfirmim as nga EULEX-i e as nga Policia e Kosovës.

Nuk dihet për dëmet e këtij sulmi. 

Të shtëna me armë drejt policisë

Nga: H.O.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur gjendjen aktuale në veri të vendit. Sipas komunikatës së fundit, bëhet e ditur se ka pasur në tri raste të shtëna me armë zjarri në drejtim të policisë.

“Persona nga grupe të caktuara kriminale të cilat kanë kryer bllokimin e disa rrugëve në veri të vendit, nga lokacione të ndryshme, në tri raste kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të njësiteve policore të cilat kanë qenë në detyrë zyrtare në afërsi të pendës së liqenit të Ujmanit, në rrugën që shpie në drejtim të Pikës Kufitare të Bërnjakut”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thonë nga policia se njësitet policore, në vetëmbrojtje janë detyruar t’iu kundërpërgjigjen me armë zjarri personave/grupeve kriminale, të cilat janë zmbrapsur dhe larguar në drejtim të panjohur.

“Po ashtu bazuar në informacionet e siguruara nga njësitet policore në terren, në disa lokacione të ndryshme, janë dëgjuar po ashtu të shtëna me armë zjarri”, thonë nga policia.

Nga komunikata bëhet e ditur se deri më tani nuk ka ndonjë informacion zyrtar për ndonjë person të lënduar apo dëme të mundshme të shkaktuara.

“Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe autorizimeve ligjore në interes të ruajtjes së sigurisë publike dhe rendit kushtetues”.

Vuçiq paralajmëron kërkesë te KFOR-i për dislokim të ushtrisë serbe në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar të shtunën se autoritetet serbe do të bëjnë kërkesë te misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, që në përputhje me Rezolutën 1244, të sigurojnë dislokimin e pjesëtarëve të ushtrisë dhe policisë serbe në territorin e Kosovës.

Vuçiq pretendon se sipas Rezolutës 1244, Serbia ka të drejtë të kthejë forcat e saj në Kosovë.

Në një konferencë për media, presidenti serb ka thënë se më 10 dhjetor është arritur pajtueshmëri për tekstin e kërkesës dhe se vendimi i Qeverisë do të merret “të hënën ose të martën”.

Misioni i KFOR-it nuk i është përgjigjur Radios Evropa e Lirë në pyetjen se si i komenton paralajmërimet nga Serbia.

“Sigurisht që nuk kam iluzione dhe e di që do ta refuzojnë këtë kërkesë”. Kështu që po jua them paraprakisht. Por është mirë që një ditë nuk do të mund të thonë se nuk kemi kërkuar kurrë dhe se asnjë Qeveri nuk guxoi të kërkonte”.

"Ata (KFOR) do të gjejnë arsye të panumërta për të cilat do të na informojnë se nuk është e nevojshme dhe se janë plotësisht në kontroll (të situatës), megjithëse nuk kanë të drejtë ta bëjnë këtë. Ne do të kërkojmë mënyrat e reja ligjore.... Lufta jonë formale-juridike ende nuk ka filluar”, ka thënë mes tjerash Vuçiq.

Rezoluta 1244

Rezoluta 1244, e miratuar në vitin 1999, ofroi një kornizë për zgjidhjen e konfliktit në Kosovë, duke autorizuar vendosjen e një pranie ndërkombëtare, civile dhe ushtarake. Ajo themeloi një administratë ndërkombëtare tranzitore dhe mbikëqyri tërheqjen e forcave ushtarake serbe nga Kosova.

Neni 4 vërteton se pas tërheqjes, një numri të personelit ushtarak dhe policor, jugosllav dhe serb, do t’i lejohet kthimi në Kosovë, për t’i ushtruar funksionet në përputhje me aneksin 2.

Neni 6 i ankeksit 2 përmend funksionet e mëposhtme:

Ndërlidhja me misionin civil ndërkombëtar dhe me praninë ndërkombëtare të sigurisë; shënjimi/pastrimi i fushave të minuara; mbajtja e një pranie pranë objekteve të trashëgimisë serbe; mbajtja e një pranie në vendkalimet kryesore kufitare./REL

Vuçiq e konsideron pamaturi ndalimin e Pantiqit

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, e ka konsideruar pamaturi vendimin e autoriteteve të Kosovës për ndalim të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Në një konferencë për media, ai ka thënë se ka folur me partnerët ndërkombëtarë dhe se vendimi për arrestimin e Pantiqit e ka rrezikuar paqen.

“Pantiq është ende në bazën e Policisë së Kosovës në Leposaviq dhe për këtë janë përgjigjur serbët”, ka thënë ai.

Serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, pak pas ndalimit të Pantiqit.

Policia e Kosovës ka mbyllur më pas dy pikëkalimet kufitare mes Kosovës dhe Serbisë – Jarinjë dhe Bërnjak.

"Sonte njerëzit tanë janë në barrikada. Njerëzit po ngrihen, sepse nuk kanë zgjidhje tjetër. Nuk fola me asnjërin prej tyre nga barrikadat sonte. Do t'i thërras pas kësaj konference. Populli e bëri vetë, dhe nuk e duron dot më mizorinë”.

Ai porositi të gjithë se nuk ka, dhe nuk do të ketë dorëzim./REL

OSBE mirëpret shtyrjen e zgjedhjeve

Edhe kreu i misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), në Kosovë, Michael Davenport, ka mirëpritur vendimin e presidentes së Kosovës, për shtyrje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri – të planifikuara për 18 dhjetor – për në prill të vitit të ardhshëm.

“Mirëpres vendimin e presidentes Osmani dhe të liderëve të partive politike për të shtyrë mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarë komune dhe ato për asambletë komunale në veri të Kosovës. Të gjithë duhet ta shfrytëzojnë këtë mundësi për të ulur tensionet dhe për t’u përqendruar në dialog”, ka thënë ai në Twitter.

Vendimin e Osmanit e kanë mirëpritur edhe vendet e QUINT-it.

Vela: Beogradi ka përgjegjësi të plotë për çfarëdo eskalimi

Blerim Vela, shef i stafit të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia ka udhëzuar strukturat e saj ilegale për të krijuar barrikadat në veri të Kosovës.

“Pjesëtarë të së ashtuquajturës ‘Civilna Zastita’ dhe disa ish-pjesëtarë të Policisë së Kosovës, që kanë dhënë dorëheqje në nëntor të këtij viti, janë duke krijuar barrikadat”, ka thënë Vela përmes një postimi në Twitter.

Sipas tij, “Beogradi ka përgjegjësi të plotë për çfarëdo eskalimi”.

Situata në Rudarë 

Sipas informacioneve nga tereni, rruga në Rudarë të Zveçanit – komunë e banuar më shumicë serbe – vazhdon të jetë e bllokuar, ndonëse ka më pak njerëz se disa orë më parë.

Në hapësirën ajrore të saj është parë duke fluturuar helikopteri i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Policia mbyll rrugët drejt Jarinjës dhe Bërnjakut

Policia e Kosovës ka mbyllur rrugët që çojnë për në pikëkalimet kufitare Jarinjë dhe Bërnjak që lidhin Kosovën dhe Serbinë.

Policia e ka konsideruar këtë vendim si masë paraprake të sigurisë, pasi serbët lokalë kanë bllokuar disa rrugë në veri, si shenjë pakënaqësie për arrestimin e ish-pjesëtarit serb të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq.

Kujtojmë, se sot serbët bllokuan rrugët në Leposaviç dhe Zevçan.

​Forca të shtuara të Policisë mbi urën e Ibrit, serbët aktivizojnë alarmin në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan

Forca të shtuara të Policisë së Kosovës, si dhe karabinierë italianë, tashmë kanë rritur prezencën mbi urën kryesore të Ibrit në Mitrovicë.

Alarmi që është aktivizuar rreth orës 15:00 vazhdon të dëgjohet në Mitrovicë.

Mësohet se serbët kanë aktivizuar alarmin edhe në komunat e Leposaviqit, Zubin Potokut dhe Zveçanit, e që në bazë të praktikave të mëparshme, fton qytetarët të mblidhen tek barrikada.

Thirren të dalin në rrugë edhe punëtorët e arsimit dhe shëndetësisë

Në Rudarë, afër Zveçanit, tek vendi i njohur si “kryqi”, janë mbledhur serbët lokalë. Aty janë parë edhe burra të maskuar.

REL-i mëson se mes atyre që janë thirrur të dalin në rrugë janë edhe punëtorët e institucioneve serbe të arsimit dhe shëndetësisë.

Në Rudarë janë vendosur katër kamionë dhe tetë automjete të ambulancës.

Bllokimi i rrugëve vjen pas arrestimit të ish policit serb, Dejan Pantiq.

Arsyeja e arrestimit të tij ende nuk dihet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat