Nuk kalon projektligji për Trustin, përfundon seanca, s’ka kuorum

Aktuale

Nuk kalon projektligji për Trustin, përfundon seanca, s’ka kuorum

Më: 19 janar 2023 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 13:30 më 19.01.2023
Kuvendi i Kosovës

Shala tregohet i ashpër me Muratin: Je ministër që vetëm ke thy e ke gju

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ferat Shala, i ka reaguar ministrit të Financave, Hekuran Muratit në lidhje me tërheqjen e mjeteve të trustit.

Në Kuvendin e Kosovës ku po diskutohet për mundësinë e tërheqjes së mjeteve të trustit, Shala ka thënë se po flet një ministër që “vetëm ka thy dhe ka gju”.

“Po flet një ministër i cili thotë e kam ndihmu energjinë i cili e ka pru KEK’un në humbje në baze ditore, është interesant kur flet ky ministër”, ka thënë Shala.

Ai po ashtu i ka thënë Muratit se opozita nuk është populiste.

“Po akuzon për populizëm një ministër që krejt ardhjen në pushtet e ka prej populizmit”, ka deklaruar ai.

Hoti me kritika ndaj Muratit: Merr shënime, dëgjo mirë kur flas

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, i është përgjigjur ministrit të Financave, Hekuran Murati. Ai tha se asnjë zyrtar i LDK-së nuk ka thënë që do të rritet TVSH-ja nga 18 në 20 për qind.

Mes të tjerash, Hoti e rekomandoi Muratin që të marrë shënime e më pas i tha që ta dëgjojë mirë kur flet ai.

Hoti tha se “anamolia më e madhe” është marrëveshja për kredi me bankën zhvillimore të OPEK-ut.

“Ndoshta duhet me e pyet Kujtimin ose juve [Glauk Konjufcën] me i përdor fjalët e kujdesshme parlamentare, që mos me i thënë një deputeti a ministri as gënjeshtar as mashtrues. Kërkoj ndjesë, por kështu po flet minsitri. Kur ka thënë një zyrtar i LDK-së që kemi me rrit TVSH-në nga 18 në 20 për qind?! Asnjëherë. Si i interpretova të dhënat për eksportin dhe importin?! Atë që thashë unë, nëse eksportet janë rritur me 80  milionë importet më 800 milionë, raporti është 1 me 10, u thellu deficiti tregtar për 1 miliard euro, më shumë se që ka qenë vitin e kaluar. Tjetra, të dhënat e ASK-së, që janë publike, tregojnë që rritja ekonomike, matur sipas produktit të brendshëm bruto, në 3 mujorin e dytë të vitit 2021, merr shënime, ka qenë 16 për qind, në tremujorin e tretë 2022 ka rënë në 2 për qind. Ku është ai aktiviteti ekonomik 10 për qind?! Po shih ti, një ministër i financave, dëgjo mirë kur flas, t’u kisha lut. Një ministër i financave që i shkojnë 700 milionë euro i rrijnë në bilanc bankar, me inflacion mesatar 12 për qind, a e din cka dmth, dmth që 100 milionë euro po zhvlerësohen, po humbin. Një ministër i Financave që i ka 700 milionë euro në llogari edhe kërkon kredi për skema sociale, çfarë ministri i financave është ky. Ose anomali edhe më e madhe, a e din çfarë marrëveshje të kredisë ke pru, ke pru marrëveshje të kredisë me këtë bankën zhvillimore te OPEK-ut, je marrë vesh me atë bankë, merre me mend ti, për reformat që i kemi bërë në Kosovë”, tha Hoti, e më pas iu ndal fjala për shkak të limitit të kohës.

Abdixhiku: Berishaj po merr amnistri bllanko nga pushtetarët, gjendja në veri nuk është normale

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka shfaqur dy kërkesa në Kuvendin e Kosovës, shkarkimin e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe kërkim falje për lartësimin e Oliver Ivanoviqit nga pushteti.

Abdixhiku tha se ky sension i ri parlamentar po nis me më shumë paqartësi dhe shumë skandale.

Sipas tij, ambasadori Martin Berishaj ka një amnistri bllanko nga pushtetarët e vendit.

Abdixhiku: Martin Berishaj po merr amnistri bllanko nga pushtetarët

“I pari ka të bëjë me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj dhe gjithë amnestin bllanko të dhënë ndaj tij nga pushtetarë tanë. Ky ambasador duket që është i lidhur jo vetëm politikisht, por edhe financiarisht me mbrojtësit e tij. Sipas raportimeve tashmë të bëra publike, janë tërhequr nga ai në mes të Prishtinë 1. 4 milion euro para të gatshme kesh, këto para janë transferuar nga kompanie energjetike GEN, me seli në Beograd. Këto mjete e ky biznes janë mbajtur fshehtë, prandaj ambasadori ka dy kallëzime penale sot. Një për shpëlarje parash e shmangie tatimesh dhe një tjetër për fshehje të pasurisë por ai vazhdon të marrë mbrojtjen e parezervë të pushtetarëve përkundër fakteve të qarta të bëra publike dhe ai do të ketë edh një kallëzim penal të ri për deklarim të rrejshëm brenda komisionit hetimor parlamentar”, tha ai.

E reagimin e kryeministrit, Albin Kurti për Oliver Ivanoviq e ka konsideruar si monstrum politike dhe të palejueshëm, për çka kërkoi edhe kërkim falje.

Abdixhiku: Kërkojmë shkarkim për Berishajn dhe kërkim falje për lartësimin e kriminelit të luftës

“Skandali i dytë na lidhet me rehabilitimin e një krimineli të luftës Oliver Ivanovoqit bartësit të formacionit famkeq ‘rojat e urës’ i cili nga ky pushtet na portretizohet besoni ose jo si njeri e emër që ka kontribuar në një Kosovë shumë etnike. Oliver Ivanoviq, pra njeriu që pushteti e kryeministri Kurti e cilëson si kontribuues të një Kosove shumë etnike ka qenë i dënuar më 9 vite burgim në shkallë të parë për vrasjen e 31 civilëve shqiptar, 31 shqiptar nga njeriu multi-etnik i Albin Kurtit...Është turp është monstrum politik që nuk guxojmë ta lejojmë në Kosovë. ... a është ky ndryshimi që kemi pas nevojë që të amnistohet të korruptuarit njerëz e korruptuar që kanë lidhje me pushtetin dhe të rehabilitohen kriminelët e luftës për më shumë pushtet. sot në këtë Kuvend kam dy kërkesa, shkarkim për të parin dhe mbajtje përgjegjës për secilin të ndërlidhur me të, kërkim falje për lartësimin e një krimineli të luftës”, u shpreh lideri I LDK-së

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku u shpreh se Kosovës nuk i duhet marrëveshje pa njohje.

Duke folur edhe për situatën në veri, ai tha se gjendja në atë pjesë të Kosovës nuk është normale.

Sipas tij, pushteti aktuale ka arritur me mjeshtri ta kthej çështjen e veriut në tavolinën.

Abdixhiku: Gjendja në veri sot nuk është normale

“Po e nisim sesionin e re me një veri të normalizuar në jo normalitet. Dy muaj tensione politika të pakoordinuara me aleatë, sulme të pareshtura ndaj policisë për tu kthyer në një gjendje jonormale, por megjithatë nuk trajtohet si një gjë e tillë. Dhe le ta themi qartë se gjendja në veri sot nuk është normale. Në emër të sovranitetit Kosova Republika jonë nuk ka pasur kurrë më pak sovranitetit në emër të ligjshmërisë Kosova nuk ka pas kurrë më pak se sa ligjshmëri që ka sot...Ky pushtet me gjithë paaftësinë ka arritur mjeshtërisht ta rikthej çështjen e veriut në tavolinë në kohën kur pritej në marrëveshje finale...Kosova nuk duhet të ketë marrëveshje bazë dhe Kosova nuk duhet të ketë marrëveshje pa njohje brenda saj ky është momentumi ynë i duhet njohja Kosovës i duhet marrëveshja përfundimtare me Serbinë”, tha ai.

​Kusari-Lila e ashpër me kritika karshi opozitës

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me tone të larta ka kritikuar deputetët opozitarë.

Ajo iu kundërpërgjigj kreut të LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha se gjendja në veri është jonormale, për çka Kusari-Lila përmendi disa nga veprimet gjatë qeverisjes aktuale.

Kusari-Lila: Për herë të parë është ndal referendumi serb në Kosovë

“Nga kjo foltore u tha se për herë të parë janë ndal zgjedhjet në Kosovë të mbahen në komunat serbe apo janë shtyrë më lejoni t’iu rifreskoj se për herë të parë është ndal referendumi serb në Kosovë se për herë të parë janë ndal zgjedhjet serbe të Republikës së Serbisë në Kosovës dhe se për herë të parë është pamundësuar Lista Serbe të ketë një fitore të pakontestueshme në katër komunat në veri të vendit. Për herë të parë ka pluralizëm politik në mes të komunitetit serb për herë të parë ka të tjerë që dalin kundër propagandaës së Vuçiqit...Po thoni që veriu nuk është normal po sepse veriu nuk ka pas normalitet kurrë kur udhëhiqet dhe posi i veriut është Milan Radoiqiqi e Zvonko Veselinoviqi. Kur Zvonko Veselinoviqie Millan Radoiqiqi janë pritur në zyre të qeverisë e në anën tjetër kanë persekutuar jo vetëm njerëzit e vetë po krejt çka është e mundur në keqpërdorim e në krim e kriminalitet. Kur kjo iu pamundësua atyre gjithë ky reagim. Ku është reagimi për të thënë se ne nuk ulemi dhe të bisedojmë me kriminel”, u shpreh ajo.

Sa i takon akuzës së Abdixhikur se opozita nuk kishte marr pjesë në komisionin hetimor për energji ku ishte i ftuar për raportim ambasadori Martin Berishaj ,Kusari-Lila tha se kjo nuk qëndron para pozita e ka mundësuar mbajtjen e mbledhjeve të këtij Komisioni.

Kusari-Lila: Pozita nuk e ka parandaluar punën e Komisionit hetimor

“Pozita nuk e ka parandaluar punën e komisionit, pozita e ka mundësuar, pa pozitën nuk keni mundur asnjë mbledhje të vetme me e mbajtur sepse nuk keni pas kuorum”, u shpreh ajo.

Opozita e mbështet tërheqjen e Trustit

Sot në kuvend po diskutohet për Projektligjit për tërheqjen e parave nga Trustit.

Lëvizja Vetëvendosje është kundër tërheqjes së Trustit, ndërkaq opozita e ka mbështetur këtë tërheqje.

Opozita përmes fjalës në kuvend, ka treguar mbështetjen për këtë projekligj.

Në lidhje me këtë folën Ferat Shala nga PDK-ja, Avdullah Hoti nga LDK-ja dhe Besnik Tahiri nga AAK-ja.

​Deliu: Kurti të kërkojë falje për deklaratat për Ivanoviqin

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu, ka kërkuar nga kryeministri, Albin Kurti që të kërkojë falje për deklaratat e tij për ish-politikanin serb të Kosovës të vrarë, Oliver Ivanoviq.

Ajo tha se kjo çka ka bërë Kurti është fryje e rëndë për viktimat dhe familjet e tyre, po ashtu edhe për institucionet që mundësuan përballje e Ivanoviqin me drejtësi për krimet në veri.

“Kjo që ka bërë Kurti është fyerje e rëndë për viktimat, fyerje e rëndë për familjet e tyre, për institucionet që mundësuan përballjen e tij me drejtësi, dekurajim për secilin që angazhohet për drejtësi për viktimat për të dënuar përgjegjësitë, fyerje për secilin nga ne në sallë që përfaqësojmë qytetarët e Kosovës...

Kryeministri Kurti ka bërë gabim të madh e të pafalshëm. Për një gjë të tillë besoj nuk pajtohet as kryetari i Kuvendit, sa për presidenten e kemi parë qartë se çfarë mendon. Kërkojmë kryeministri të kërkojë falje publike e të distancoheni kolegë nga deklaratat”, tha ajo.

Muja: Të krijohet komision hetimor për ish-ambasadorin Akan Ismaili

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se Partia Demokratike e Kosovës e ka sjell kompaninë të ashtuquajtur serbe, GEN në Kosovë.

Duke iu kundërpërgjigjur akuzave të opozitës për rastin e ambasadorit Berishaj, Muja tha se kontratat e para me kompaninë GEN, kanë filluar në vitin 2008, derisa ato të fundit të nënshkruara nga Njazi Thaçi, në vitin 2020.

Muja: PDK-ja e ka pruar kompaninë GEN në Kosovë

“Ajo çfarë ne e dimë është se kompania e ashtuquajtur serbe, GEN ka filluar të punojë në Kosovë në vitin 2008, kurse kontratat e fundit i kemi nënshkruar në vitin 2020, këto i ka nënshkruar Njazi Thaçi. Pra, e ka pruar PDK-ja GEN-in këtu. E dyta, ne e bëmë një komision hetimor për energjinë, për mua ishte e befasishme paraqitja e zotëri Berishaj para komisionit hetimor, gjithë ato përshëndetje, lëvdata para njëri-tjetrit pa pyetje. Kjo ishte e turpshme. Cilat ishin gjetjet e komisionit hetimor, asgjë”, tha ai.

Madje, Muja kërkoi që të krijohet një komision hetimor për ish ambasadorin Akan Ismaili, i cili sipas tij, është gjetur me katër milionë franga të padeklaruara.

“Por meqenëse po dashka komision hetimor për ambasadorët, unë propozoj që të kemi një komision hetimor për katër milionë franga të padeklaruar nga ish ambasadori Akan Ismaili, në kuadër të skandalit “CreditSëis”. Ai ka qenë ambasadori dhe nuk i ka deklaruar aty, kjo është relevante se ka qenë po ashtu operator i Bentel Enka që kanë bashkëpunuar me Zvonko Veselinoviq. Edhe për mua po më intereson a ka pas ndonjë skandal aty”, shtoi ai.

Në anën tjetër, ai foli edhe për ish-politikanin serb të vrarë, Oliver Ivanoviq, për të cilin tha se çfarëdo që e akuzojmë atë që ka bërë pas luftës, është amnistuar me ligj në vitin 2013.

“Çfarëdo që ne e akuzojmë Oliver Ivanoviqin që ka bërë pas luftës e kemi amnistuar në vitin 2013”, përfundoi ai.

Armend Muja: Kompaninë serbe “GEN” në Kosovë e solli PDK-ja

Deputeti i LVV-së, Armend Muja, ka folur për deklaratat e deputetëve të opozitës në Kuvendin e Kosovës për rastin e ambasadorit në Kroaci, Martin Berishaj.

Ai, në seancën e sotme, ka thënë se kompania serbe “GEN” është ardhur në Kosovë nga PDK-ja.

Berishaj përflitet në një rast për shpëlarje parash që kanë të bëjnë me këtë kompani.

“Ajo çfarë ne dimë se kompania e ashtuquajtur serbe “GEN” ka filluar të punojë në Kosovë në vitin 2008, kurse kontratat e fundit me të i kemi nënshkruar në vitin 2020 dhe këto kontrata i ka nënshkruar Njazi Thaçi. E ka pru PDK-ja GEN-in këtu”, ka thënë Muja.

​Kadrijaj: Deklaratat e Kurtit për Ivanoviqin janë pafytyrësi dhe krim ndaj historisë

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, ka adresuar një mori kritikash ndaj kryeministrit Albin Kurti.

Në seancën e sotme të Kuvendit, në deklarimet jashtë rendit të ditës, deputetja opozitare tha se Kurti e ka sjell Kosovën në një vend jostabil për investime të huaja direkte.

Ajo përmendi edhe siç tha aferat korruptive që po e përcjellin Qeverinë Kurti, duke nënvizuar rastin e ambasadorit Berishaj, për të cilin tha se duhet hetim i plotë dhe shkarkim nga pozita e diplomatit të Kosovës në Kroaci.

Kadrijaj: Berishaj po del të jetë figurë e paprekshme

“Si do të vijnë investitorët e huaj të investojnë kur vet kryeministri dhe qeveria, Kosovën e paraqesin dhe kanë bërë një vend destabilizues. Kishte qenë mirë kryeministri të na tregoj se cili është rezultati i deri tanishëm i këtyre ekskursioneve në botë dhe a ka rritje të huaja direkte. Ky fillim vit doli të jetë mjaft interesant, vetëm brenda një jave dy njerëz që Kurti iu besoj pozita të rëndësishme u kapën me ryshfet, por për këto raste Qeveria s’ka marrë asnjë masë, nuk ka shkarkuar asnjërin. Sa për dështimet dhe skandalet ministres së jashtme nuk ia vlen as t’i përmendim, pasi nuk na mjafton koha, por nuk mund të heshtim për aferën korruptive të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, i cili po del të jetë figurë e rëndësishme dhe paprekshme në këtë qeveri”, tha ajo.

Krahas kësaj, ajo tha se deklaratat e kryeministrit Kurti për ish politikanin serb të vrarë, Oliver Ivanoviq janë pafytyrësi dhe krim ndaj historisë dhe familjeve të viktimave të tij.

“Cilësimi i Ivanoqivit si person që punoi për një Kosovë shumë etnike është pafytyrësi dhe krim ndaj historisë dhe familjeve të viktimave”, përfundoi ajo.

Krasniqi: Prapa aferës së Berishajt fshihet lidhja e pushtetit me mafinë energjetike të rajonit

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka kërkuar shkarkimin e Ambasadorit Martin Berishaj dhe fillimin e hetimeve serioze lidhur me aferën e tij korruptive.

“Tashmë është shumë vonë. Shkarkimi i Ambasadorit Berishaj më nuk mjafton. Duhet të bëhen hetime serioze dhe t’u jepet përgjigje pyetjeve – juridikisht, politikisht dhe moralisht. Martin Berishaj duhet të sillet para drejtësisë dhe kushdo qoftë që është në këtë piramidë”, tha ai.

Sipas Krasniqit “ky skandal i madh e ka dëmtuar reputacionin e shtetit të Kosovës”.

“Ky skandal i madh korrupsioni jo vetëm ka dëmtuar reputacionin e diplomacisë dhe shtetit tonë, por, shkon shumë më tej.  Si t’u shpjegojmë qytetarëve, por edhe fëmijëve tanë, të cilët po duam t’i rrisim si qytetarë të mirë dhe të ndershëm, se një Ambasador, që duhet të përfaqësojë denjësisht vendin tonë në botë, tërhoqi mbi 1 milionë e 500 mijë euro cash, të marra nga një kompani serbe që tregton energji? Si i shkon për shtati ky skandal imazhit të një shteti të ri, që në tentimin e tij për të përqafuar vlerat evropiane, një skandal si ky jo vetëm shpëton pa pasoja, por edhe mbulohet nga kryeministri dhe qeveria e tij?  Si ua shpjegon kryeministi këtë të gjithë qytetarëve që votuan për të dhe zotimin e tij për të luftuar korrupsionin? Derisa shumë fakte janë zbardhur dhe po zbardhen çdo ditë, më shumë pyetje po shtohen, të cilat, fatkeqësisht, po vazhdojnë të mbesin pa përgjigje.  Prandaj, Kryeministri duhet të vijë këtu në shtëpinë e popullit para qindra, mijëra njerëzve që na shohin e t’iu përgjigjet disa pyetjeve”, shtoi ai.

Krasniqi i parashtroi këto pyetje:

– Si mundet dikush të marrë nënshtetësinë e tij në një ditë dhe të nesërmen të emërohet Ambasador, një nga postet më të nderuara që mund të ofrojë një shtet?

 – Si e mori dritën e gjelbër Martin Berishaj për këtë post nga agjencioni i inteligjencës?

 – Si është e mundur që pas gjithçkaje që dimë tash, ministrja e Punëve të Jashtme deklaroi pikërisht këtë javë, ende e jo fakteve të panumëtra?

 – Si është e mundur që Ambasadori Martin Berishaj është ende në detyrë dhe nuk është shkarkuar dhe thirrur menjëherë në Kosovë për hetime të mëtejshme?

 – Po zërat në mediat ndërkombëtare se 2 milionë euro të gatshme janë përdorur për financimin e fushatës zgjedhore të Vetëvendosjes? Pse nuk ka përgjigje për këta zëra. Qoftë edhe me një video të tipit “Çka ka? Çka s’ka?”

 -Si mundet që kryeministri, me një lidhje shumë të ngushtë me Martin Berishajn, e vërtetuar nga dhjetëra foto shumë personale, si kjo që reflekton veç dashuri mes tyre, të heshtë për këtë skandal? A mund të paktën të tregojë pse po heshtë? Çka po e ndalon? Martini?

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat