Nuk kalon projektligji për Trustin, përfundon seanca, s’ka kuorum

Aktuale

Nuk kalon projektligji për Trustin, përfundon seanca, s’ka kuorum

Më: 19 janar 2023 Në ora: 07:41 Përditësuar në ora: 11:40 më 19.01.2023
Kuvendi i Kosovës

​Gazetarët ukrainasë ndjekin nga afër punimet e Kuvendit të Kosovës

Tetë gazetarët ukrainasë sot po e përcjellin nga afër seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës.

E prezenca e tyre në sallë u përshëndet me duartrokitje nga deputetët e Kuvendit.

Ndërsa, nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci tha se këta gazetarë po qëndrojnë në Kosovë në kuadër të programit gazetarët rezident.

Ajo tha se si Kuvend dhe Kosova si shtet, ka qenë përkrah shteti të Ukrainës dhe kjo mbështetje do të vazhdojë tutje.

Abdixhiku: Të kërkohet falje për deklaratën e Kurtit për Ivanoviqin

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se i ka dy kërkesa ndaj pushtetit të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje.

Ai, në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, ka deklaruar se duhet të shkarkohet ambasadori  Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, sipas tij, është i përfshirë në shpërlaje parash.

Po ashtu, ai dëshiron që të ketë kërkim falje për deklaratën e kryeministrit të vendit, Albin Kurtit, në lidhje me politikanin serb Oliver Ivanoviq, në përvjetorin e pestë të vdekjes së tij.

“Teksa i shikojmë këto dy skandale që na përshfaqen nga ky pushtet dhe kjo qeveri. Unë kam një pytje ndaj qytetarëve:

‘A është ky ndryshimi që kemi pasur nevojë gjithë, që të amnistohen të korruptuarit, dhe të rehabilitohen kriminelët e luftës për më shumë pushtet?'”.

“Sot, në këtë kuvend, i kam dy kërkesa. Shkarkim të parin dhe mbajtje përgjegjës gjithsecilin të ndërlidhur me të.

Kërkim falje për lartësimin e një krimineli të luftës nga kryeministri i Kosovës. Kosova meriton më mirë, Kosova mundet më shumë”, ka thënë Abdixhiku.

PDK me aksion në Kuvend – vendos fotografinë e Kurtit me ambasadorin: Unë i besoj Martin Berishajt

Partia Demokratike e Kosovës ka vendosur në vendin ku ulet Kryeministri Albin Kurti një pankartë, ku shihet ai me ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Në pankartë shkruhet “Unë i besoj Martin Berishajt”.

Kjo për të kritikuar mos reagimin e Kurtit për ketë rast.

Një ditë pas raportimeve për atentat ndaj tyre, deputetët e LDK-së shihen në Kuvendin e Kosovës

Deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, Armend Zemaj, Avdullah Hoti e Arben Gashi janë parë në seancën e Kuvendit.

Ata u shfaqën edhe pse dje u raportua se ka pasur një plan të strukturuar për atentat ndaj tyre.

Pak para fillimit të seancës së Kuvendit, shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi publikoi një fotografi në Facebook.

Seanca fillon me përplasje – Shala grushton foltoren, Bogujevci ia tërheq vërejtjen: Jo kësi sjellje

Seanca e Kuvendit të Kosovës ka nisur me përplasje mes deputetit të PDK-së Ferat Shala dhe Saranda Bogujevcit, e cila po e kryesonte seancën plenare.

Shala fillimisht e mori fjalën në foltoren e Kuvendit duke përmendur për problemet e energjisë dhe kërkesën e Qeverisë Kurti.

“Është obligim që ministrja se pse e ka shfuqizuar rregulloren e investitorëve strategjikë. Në rend dite është shfuqizimi i rregullores për investitorët strategjikë. Ju po thoni çka ka lidhje kjo me energjinë? Të vetmin akt juridik, e keni shfuqizuar me unanimitet të plotë në mbledhjen e qeverisë dhe nuk iu keni dhënë përgjigje investitorëve”.

Por, kjo sipas tij, nuk ishte e mjaftueshme dhe kërkoi edhe disa sekonda shtesë. Megjithatë, ai u shpreh i nervozuar duke thënë se ‘nuk e lëshoj foltoren pa ma dhënë fjalën’, teksa iu tërhoq vëmendja nga kryesuesja Bogujevci.

Ajo s’e kuptoi sjellën e Shalës dhe e luti atë që të tregojë respekt.

“Jemi duke diskutuar për rendin e ditës, vetëm një sekondë, të lutëm pak respekt. Në momentin që futet në rendin e ditës këtë pikë, e ki radhën e diskutimit”, tha ajo.

“Kur të mësoheni me respektu dikë tjetër t’i jap 30 sekonda. S’e kuptoj sjelljen që e ki. Do ia jap fjalën dhe vazhdojmë, por jo me këtë sjellje”, vijoi Bogujevci.

Më pas, Shala tha se “PDK-ja nuk e përkrah këtë nismë të korruptuar të zhytur thellë në korrupsion dhe mafinë energjetike”.

Nis seanca e Kuvendit, pritet të shqyrtohet nisma për Trustin

Ka nisur seanca e re e Kuvendit të Kosovës ku në rend dite është dhe shqyrtimi i parë i projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar.

Me ndryshimet, mundësohet që qytetarët t’iu lejohet tërheqja deri në 30% e mjeteve të Trustit.

Po ashtu, në rend dite është edhe shqyrtimi i raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, shqyrtimi i raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021, dhe shqyrtimi i raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Projektligji për tërheqjen e Trustit sot në duart e deputetëve

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen në seancë të re e cila pritet të fillojë në ora 10:00. Përpos pikave të zakonshme që janë dekalrimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare, do të shqyrtohen edhe katër pika të tjera.

Në rend dite është edhe shqyrtimi i Projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondet Pensionale të Kosovës, ose siç njihet gjerësisht si mundësia për lejimin e tërheqjes së mjeteve të Trustit nga qytetarët e Kosovës.

Partitë opozitare kanë shprehur vullnetin që të votojnë pro kësaj ideje, e cila erdhi pas nënshkrimit të peticionit. Mirëpo, rezerva ka nga partia më e madhe parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje, që është kundër.

Shumica e deputeteve të grupit parlamentar multietnik, në koalicion me Lëvizjen, do të votojnë pro tërheqjes se Trustit. Këtë e phoir depuetetja Dude Balje, që ajo vetë garantoi votën “pro”. 

Pikë tjetër e rendit të ditës është edhe shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës, pastaj shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021.

Pikë tjetër që pritet të ngjallë debat mund të jetë edhe shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

Rendi i ditës:

1. Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

2. Deklarimet jashtë rendit të ditës,

3.Pyetjet parlamentare,

4. Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-178 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr. 04/L-101 për Fondet Pensionale të Kosovës, i plotësuar dhe ndryshuar me Ligjin nr. 04/L-115, me Ligjin nr. 04/L-168 dhe Ligjin nr. 05/L-116,

5. Shqyrtimi i Raportit me rekomandime për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-046 për Inspektoratin e Arsimit në Republikën e Kosovës,

6. Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2021,

7. Shqyrtimi i Raportit përfundimtar të Komisionit Hetimor Parlamentar lidhur me procesin e vendimmarrjes në sektorin e energjisë për periudhën 2006-2022, në nivelin legjislativ, ekzekutiv, rregullator dhe në ndërmarrje publike.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat