Abelard Tahiri: Qeveria ka hyrë në drejtim që do ta themelojë Asociacionin
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Kosova e drejtuar nga Qeveria Kurti ka hyrë në një drejtim, e cila do ta themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Ai tha se dita e sotme është kordinim i mirë i kryeministrit Albin Kurti me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, që sipas tij, po japin lajme të rëndësishme për drjetimin, që do të marrë çështja e Asociacionit.
Tahiri: Ndryshim i madh i kryeministrit në diskursin e tij në drejtimin e vendit
“Ky moment, kjo ditë duket të jetë një kordinim i mirë mes dy liderëve, pra mes kryeministrit tonë dhe presidentit serb, Vuçiq, të cilët në të njëjtën ditë, në të njëjtin moment janë duke jep lajme të rëndësishme për drejtimin që do të marrë kjo marrëveshje...Ajo që është e rëndësishme është ndryshimi radikal, drastik, ndryshim jashtëzakonisht i madh i kryeministrit Kurti në diskursin e tij në drejtimin e vendit tonë.”, tha ai.
Tahiri shtoi se dita e sotme e shënon një momentum shumë të rëndësishëm, derisa iu drejtua pozitës se duhet t’ua bëjë të qartë qytetarëve se kanë vendoru ta themelojnë Zajednicën.
Kurti ka vendosur 6 kushte për Asociacionin, kështu i reagon Gashi
Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se Kurti i ka vendosur 6 kushte për Asociacionin, ndërsa Gjykata Kushtetuese i ka vendosur 22 pika.
“Po thuani se i keni 6 kushte, Gjykata i ka vendosur 22. Ti je i obliguar që në bazë të rezolutës me ardhë dhe me raportua në Kuvend pas çdo udhëtimi. I ke 22 pika që i ka vendosur Gjykata”, tha ai.
Kurti duke iu përgjigjur deputetit Gashi tha se 6 kushtet e vendosur nga Qeveria Kurti janë kushte politike.
“Sa i përket 22 pikave tregojnë se ish-kryetari i juaj dhe ish-kryetari i nderit i ka shkelur ato. Këto 6 kushte që i vendosa unë janë kushte politike. Vetëm pas njohjes reciproke mund të formohet Asociacioni dhe pas shthurjes së strukturave ilegale në veri. Ju me tregoni mua si deputet a ka ndonjë nga 6 kushtet që duhet të largohet”, tha Kurti.
Kurti, opozitës: E di që ju keni qejf me ju bo, por Zajednica nuk kalon
Kryeministri Albin Kurti në seancë të Kuvendit është duke folur për çështjen e Asociacionit.
Në replikë me kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, dhe deputetët e opozitës, Kurti tha se Zajednica nuk kalon.
“Unë e kam të qartë që ju keni qejf me ju bo Zajednicën. Por, Zajednica nuk kalon”.
Kryeministri Albin Kurti sot në Kuvend ka dhënë gjashtë pika si kushte për Asociacionin në marrëveshjen me Serbinë.
Pas prezantimit të këtyre gjashtë pikave, Abdixhiku tha se Kurti pranoi themelimin e Asociacionit.
Selmanaj: LDK distancohet nga deklarimi i turpshëm i Kurtit për Ivanoviqin
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, e ka quajtur akt të shëmtuar lartësimin e Oliver Ivanoviqit nga ana e kryeministrit Albin Kurti.
Gjatë seancës së sotme në Kuvendin e Kosovës, ai shtoi se edhe pas dy javësh nuk ka ende distancim e kërkimfalje nga ana e kreut të ekzekutivit dhe as nga presidentja e shtetit.
“Ivanoviqi mund të jetë i tillë vetëm për Kurtin, Osmanin e Konjufcën, por për të gjithë shqiptarët ai ka mbetur vetëm një kriminel që vrau civilë shqiptarë.
Thirrja e kryeministrit që ta ruajmë kujtimin për të është thirrja më e shëmtuar. Edhe pse dëmi është bërë dhe mohimi i viktimave të tij nga vetë kryeministri, u bëj thirrje juve deputetëve të distancoheni publikisht. Ne si LDK do të marrim një iniciativë me të cilën do të ndërmarrim një akt përmes së cilit distancohemi nga ky deklarim i turpshëm”, deklaroi Selmanaj.
Kadrijaj për Vitinë: Është bërë tri herë ministër, nuk ka tri suksese në dobi të qytetarëve
Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, adresoi kritika ndaj Qeverisë Kurti lidhur me sektorin e shëndetësisë në vend, duke thënë se ajo që po shohim është që Ministria e Shëndetësisë s’ka qenë kurrë më keq se sot.
“Vitia e braktisi pozitën kur shëndetësia ishte në kaos vetëm për të kandiduar për një post politik. Ministria e Shëndetësisë u la pa ministër për disa muaj dhe për të tretën herë erdhi Arben Vitia. Pra, në Qeverinë Kurti mund të gjesh një person që është bërë tri herë ministër dhe nuk ka tri suksese ose vendime në dobi të qytetarëve”.
Sipas deputetes Kadrijaj, qasja e Vetëvendosjes ka shkuar aq larg sa personeli shëndetësor po vëzhgohet edhe në rrjetet sociale, me detaje përcillen aktivitetet e tyre dhe se pa humbur në kohë thirren në telefon që t’i heqin reagimet e tyre përmes linqeve dhe komentet nëpër profile të ndryshme.
“Këtu nuk kemi shëndetësi, por kemi sistemin diktatorial dhe situatën që punëtorët të mos shkojnë në punë për të punuar në frymën e kolegialitetit. Nëse vazhdohet kështu, do të ketë kërkesa për të ikur në institucione private por edhe jashtë vendit. Punoni shumë e leni popullizmat”, deklaroi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj.
Abdixhiku: 2 shkurti është datë e pranimit të Asociacionit nga kryeministri Kurti
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku theksoi se “2 shkurti” është data e pranimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovës nga kryeministri, Albin Kurti.
Abdixhiku gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës ka thënë se Kurti ka thënë se marrëveshja e vitit 2013 është e bëmshme.
I pari i LDK-së po ashtu me ironi tha se LDK e mbështet kryeministrin Kurti.
“Kjo datë e 2 shkurtit është data e pranimit të Asociacionit nga kryeministri Kurti. Kurti tha që marrëveshja e 2013 është e bëshme me disa kushte. Dhe kushti thelbësor është që ky asociacion të jetë…kryeministri Kurti foli për një pikë, ka pasur dialog me Vuçiqin, dhe asnjëherë s’ka ardhur në kuvend që të flas me deputetet shqiptarë dhe jo shqiptar të Kosovës.
Ai po ashtu tha se kryeministri Kurti do duhej që të vinte e të raportonte në Kuvend të Kosovës pas çdo takimi që kishte zhvilluar në dialogun Kosovë-Serbi, në Bruksel me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.
“…eja raportoi në Kuvend të Kosovës se e ke futur Kosovën në qorrsokak…”, ka thënë Abdixhiku.
“Asociacioni po bëhet”, Kurti e Abdixhiku përplasen në Kuvend
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka thënë fjalimi i Albin Kurtit në Kuvendin e Kosovës tregon që ai e ka pranuar tashmë Asociacionin duke qenë se e ka vetëm një kusht, e që kushti është se Asociacioni duhet të bëhet në pajtim me Kushtetutën.
Pas kësaj, ka reaguar Kurti duke thënë se është e padrejtë nga Abdixhiku që të përmendet vetëm një kusht, derisa i ka listuar edhe pesë të tjera.
“Nuk e thash një kusht, i thash 6-shtë. Është e padrejtë që nga 6 kushte të përmendet vetëm njeri. Asociacioni duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës por janë edhe pesë të tjera. Pra unë e kundërshtoj deformimin e deputetit Abdixhiku që i reduktoj gjashtë kushtet në një kusht. Kjo mund të shpreh qëndrimin e tij por assesi qëndrimin e Kosovës”, ka thënë Kurti.
Pas kësaj ka reaguar kreu i LDK-së duke thënë se Kurti po manipulon, dhe se Asociacioni po bëhet.
“Asociacioni po bëhet. Këto gjashtë kushtet që po flet kanë një emër dhe mund t’i thoni respektim i Kushtetutës së Kosovës. Kaq është e thjeshtë. Ky është thelbi. Jo gjashtë po edhe 60 tjera t’i jepi, sepse Kushtetuta e Kosovës e ka përshkruar qartë. Ky është manipulim i opinionit publik dhe juve që duhet me i fshi të gjitha qëndrimet që I keni pasur deri më sot”, ka thënë Abdixhiku.
Rrustemi-opozitës: A e doni ju për Kosovën tash e në të ardhmen Zajednicën e Vuçiqin?
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, sot tha se për çdo ditë në muajt e fundit në Kosovë “jemi dëshmitarë të një ngarendeje problematike politike”.
Ai në senacën plenare të Kuvendit të Kosovës, u shpreh se sa herë që preken bandat e krimit dhe politikës së Vuçiqit në Kosovë del nga një propozim serb. Ai i kërkoi opozitës që të përgjigjen se a e duan për Kosovën tani e në të ardhmen Zajednicën e Vuçiqin.
“Aktorë e faktorë politikë, kryesisht të ish-pushteteve, personazhe nënshkruese të marrëveshjes së dëmshme e aksionerë e pjesëmarrës… në veri të vendit janë njëzëri. Të amnistohen të gjitha ngjarjet që ndodhën gjatë dhjetorit në katër komunat në veri të vendit tonë. Frikësim, djegie veturash, sulme personash, barrikada, veprime të elementeve kriminale të grupit Wagner, të ujqërve të natës, të bandave të Vesilinoviqit e Radojçiqit, të shtëna ndaj Policisë së Kosovës, sulme patrullave, çka jo tjetër, kundër shtetit të Kosovës e kundër rendit e ligjit në Kosovë. Çuditërisht këto nuk i bëjnë përshtypje këtij kori. Sa herë që preken bandat e krimit dhe politikës së Vuçiqit në Kosovë del nga një propozim serb, tanimë dihet se kush e përkrahë i pari. Pikërisht ata që i lanë një trashëgimi të dëmshme marrëveshjeve me Serbinë. A bën njëherë që aktorë e faktorë politikë të ish-pushtetit të thonë me zë të lartë çka duam për Kosovën jo çka do Vuçiqi... A e doni ju për Kosovën tonë tash e në të ardhmen Zajednicën e Vuçiqin, kjo është pyetja të cilës duhet t’i përgjigjeni.”, tha ai.
Ndër të tjera, Rrustemi iu drejtua opozitës, duke i pyetur se a bënë që të tregojnë se a janë për Zajednicën, jo siç tha ai, çka po thotë Serbia e as çka po thonë e kërkojnë negociatorët.
Kurti thotë se e pranon Asociacionin, por i ka gjashtë kushte
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në mënyrë më eksplicite se asnjëherë në lidhje me Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
“Shteti normal demokratik nuk i diskriminon pakicat por i mbron ato... normalizimi i jashtëm i marrëdhënieve duhet t’i kontribuojë normalizimit të brendshëm.” – tha mes tjerash, kryeministri i Kosovës.
“Asociacioni mund të konsiderohet me këto kushte: Duhet të jetë në fuqi me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës; Nuk mund të jetë monoetnik, duhet ta ndërrojë emrin; Duhet t’i shërbejë bashkëpunimit horizontal të komunave; Nuk duhet të jetë barrë e institucioneve qendrore,” – vazhdoi ai.
Si kushte tjera ai përmendi edhe shpërbërjen e strukturave ilegale dhe dorëzimin e armëve ilegale. Kryeministri i Kosovës përmendi në fjalën e tij po ashtu edhe se duhet të kishte Reciprocitet, në lidhje me çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Republikën e Serbisë.
Abdixhiku, kryetar i LDK-së, u shpreh menjëherë më pas se data e sotme do të mbahej mend si datë e pranimit të Asociacionit, por Kurti u përgjigj më pas se ai po reduktonte gjashtë kushtet në vetëm një.
"E dëgjuat edhe një herë kryeministrin. Foli tre minuta, por nuk e mohoi thelbin. Dhe këto gjashtë kushte - i thonë respektim i Kushtetutës së Kosovës, që është pjesë e marrëveshjes së vitit 2015. Jo gjashtë, por edhe gjashtëdhjetë tjera m'i jepni. Por, Kushtetuta e Kosovës e ka përshkruar saktë. Kjo është manipulim i opinionit publik." - ishte replika e Abdixhikut.
Gashi denoncon një aferë korruptive prej 10 mln euro, fton prokurorinë për hetime
Kuvendi i Kosovës ka nisur procedurat për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.
Shefi i grupit parlamentar i LDK-së, Arben Gashi, tha se bëhet fjalë për një aferë korrupive prej 10 milionë eurove dhe kjo do të duhej të hetohej nga prokuroria.
“Faleminderit kryetar. Me sa po kuptoj tema është goxha shqetësuese. Bëhet fjalë për dëm të interesit të dëmit publik rreth 10 milionë euro. Pra një aferë korruptive rreth 10 milionë euro. Pra pajtohemi që procedurat e shkarkimit të këtij bordi të ndiqen të gjitha sipas rregullave që mos të kemi probleme ligjore dhe të na mbetet në procedurë kjo çështje. Pajtohemi që të garantohemi se të gjitha procedurat janë ndjekur në mënyrë të rregullt dhe kjo aferë korruptive me automatizëm prokuroria e shtetit duhet të merret me hetim dhe ndjekje të këtyre personave që kanë shkaktuar dëm të buxhetit të Kosovë”, u shpreh Gashi.
Në rend dite ishte kjo pikë e rendit të ditës por me pajtimin e grupeve parlamentarë u vendos që të vjen në një seancë tjetër për shkaqe procedurale.
Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka propozuar që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).