6 kushtet e Kurtit për Asociacionin ndezin debatin në Kuvend, ja çfarë thotë opozita

Aktuale

6 kushtet e Kurtit për Asociacionin ndezin debatin në Kuvend, ja çfarë thotë opozita

Nga: Bota sot Më: 2 shkurt 2023 Në ora: 07:54 Përditësuar në ora: 11:22 më 02.02.2023
Kuvendi i Kosovës

Tahiri ia uron Kurtit rritjen e pagës: Hera e parë prej kohës së Bajram Rexhepit që kryeministri e rrit pagën me ligj

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, fjalimin e tij në seancën e së enjtes në Kuvend e ka nisur me një urim për kryeministrin Albin Kurti.

Këtë të fundit dhe kabinetin qeveritar Tahiri i ka uruar për rritjen e pagës, pas përcaktimit të vlerës së koeficientit të Ligjit të Pagave për sektorin publik.

“Të nderuar kolegë deputetë, më lejoni që në emër tuajin dhe bashkërisht ta urojmë kryeministrin dhe kabinetin qeveritar për rritjen e pagës. Është hera e parë që kryeministri me ligj e ngrit pagën që prej përcaktimit të pagës së parë të kryeministrit, pra prej kohës së Bajram Rexhepit”, ka thënë shefi i deputetëve të PDK-së.

Ai tutje ka kritikuar partinë në pushtet për përcaktimin e vlerës së koeficientit duke thënë se “zbaritja e pagës së profesorit që përgatitë gjeneratat e reja dhe zbritja e pagës së gjyqtarit që dënon kriminelët është e papranueshme”.

“Ne si grup parlamentar i PDK-së pa dyshim që në mes të dy leximeve do t’i trajtojmë të gjitha këto çështje dhe shpresojmë që ju si deputetë të shumicës të reflektoni”, është shprehur tutje Tahiri.

Ndryshe, me ligjin e ri kryeministrit të Kosovës i është rritur paga mbi 250 euro. 

Opozita kërkon ndryshimin e vlerës së koeficientit të pagës

Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, gjatë seancës së sotme plenare në Kuvendin e Kosovës deklaroi se vlera e koeficientit të pagës duhet të jetë minimum  120 euro. Ai po ashtu shtoi se qeveria goditi qytetarët me, siç tha, 90 përqind rritje të tatimit në pronën e paluajtshme.

“E paarsyeshme është goditja që i bëhet sektorit të sigurisë. Stimulon të rinjtë që ta lënë Kosovën. Ne si grup parlamentar i PDK-së propozojmë qe vlera e koeficientit të jetë minimum 120 euro”, u shpreh Shala.

Shqetësim për koeficientin shprehu edhe Hykmete Bajrami e LDK-së. Gjatë fjalimit të saj para deputetëve ajo tha se qeveria doli me statistika jo të sinqerta dhe se me pagën e shkurtit qytetarët do ta shohin si qëndron e vërteta.

“Me këtë koeficient nuk kemi rritje reale të pagave. Propozojmë që koeficienti i pagave të jetë 125 euro”, deklaroi Bajrami.

​Hiqet nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të KPMM-së

Me kërkesë Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje është hequr nga rendi i ditës pika për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Kryetarja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, propozoi që të hiqet nga rendi i ditës shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM).

Deputetja Kusari-Lila tha se këtë kërkesë e kanë për arsye procedurale derisa ka kërkuar që ajo do të mbesë të caktohet për një seancë tjetër.

“Po ky bord është emëruar gjatë këtij mandati, gjatë kësaj legjislature, ndërsa sa i përket vendimit për shkarkimin e tyre, ka qenë një vendim unanim i votuar nga të gjithë anëtarët e Komisionit. Arsyet kanë qenë shkeljet e natyrave të ndryshme, përfshirë edhe ato që përbëjnë shkelje të interesit publik, në këtë rast humbje të mjeteve apo pretendim për falje të borxhit. Si do qoftë kjo tërheqje e pikës nuk po bëhet për të ndryshuar vendimi, por për të vazhduar me një procedurë sic parashihet me nenin 111 të Rregullores së Punës së Kuvendit”, theksoi ajo.

Ndërsa, shefi i GP të LDK-së, Arben Gashi kërkoi të hetohet ky bord për shkak se sic tha ai bëhet fjalë për një dëm të madh të interesit publik, rreth 10 milionë euro.

“Me sa po e kuptoj tema është shqetësuese, bëhet fjalë për dëme të interesit publik për diku rreth 10 milionë euro, pra një aferë korruptive rreth 10 milionë euro. Dhe pajtohemi që procedurat për shkarkimin e këtij bordi të gjitha procedurat në mënyrë që mos të kemi probleme ligjore“, theksoi ai. 

LDK kërkon që koeficienti të jetë 125 euro, Bajrami: Me koeficientin e caktuar nga Qeveria s’ka rritje reale

Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Koosvës që ta përkrahin amandamentin e propozuar nga kjo parti që vlera monetare e koeficientit të pagave të jetë 125 euro, e jo 105 sa vendosi dje Qeveria.

Bajrami tha se ata kanë bërë kalkulimet dhe se kjo do të kishte një kosto vjetore prej 120 milionë eurove.

Me koeficientin që e vendosi dje Qeveria, Bajrami tha se s’ka rritje reale të pagave.

“Ne sot me këtë koeficient, s’kemi rritje reale të pagave. Ne mund të kemi një rritje të lehte nominale, por e cila asesi nuk e adreson normën e inflacionit. LDK ka shikuar buxhetin, ka bërë të gjitha kalkulimet dhe ne propozojmë të paraqesim amandament qe koeficienti i pagave të jetë  125 euro. Kjo kërkon një kosto vjetore prej 120 milionëve dhe është shumë më pak sesa masat e Qeverisë që i ka nda vitin e kalum pa asnjë efekt. Ne ju bëjmë thirrje deputetëve të këtij Kuvendi që ta përkrahin amandamentin”, ka deklaruar Bajrami.

Kuvendi sot mban seancë plenare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të zhvilluar seancën e radhës.

Seanca nis në ora 10:00.

Në rend dite do të jetë shqyrtimi i pikave të papërfunduara nga seancat e kaluara.

1.    Miratimi i procesverbalit nga seanca e mëparshme,

2.    Deklarimet jashtë rendit të ditës,

3.    Pyetjet parlamentare,

4.    Votimi i raundit të dytë për zgjedhjen e një (1) anëtari të Këshillit Gjyqësor të Kosovës,

5.    Votimi në parim i Projektligjit nr.08/L-123 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të agjencive ekzekutive,

6.    Votimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur të Mediave për vitin 2021,

7.    Votimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare për vitin 2021, 

8.    Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.05/L-003 për Mbikëqyrjen Elektronike të Personave të Cilëve u Kufizohet Lëvizja me Vendim të Gjykatës,

9.    Votimi i Raportit me rekomandime nga mbikëqyrja e zbatimit të Ligjit nr.06/L-010 për Noterinë,

10.    Votimi i Rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Universitetit të Prishtinës për vitin 2021,

11.    Shqyrtimi i Vendimit të Qeverisë së Republikës së Kosovës për masat emergjente në furnizimin e energjisë, me nr.17/121 datë 25.01.2023

12.    Shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit për Ekonomi, Tregti dhe Industri për shkarkimin e Bordit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM),

13.    Shqyrtimi i Raportit të Performancës së Ndërmarrjeve Publike Qendrore për vitin 2020, 

14.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-166 për Tubime Publike,

15.    Shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-173 për Sigurinë Kibernetike,

16.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-201 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.05/L-081 për Energjinë,

17.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-202 për Kinematografinë,

18.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-206 për Arsimin e Lartë në Republikën e Kosovës,

19.    Shqyrtimi i parë i Projektligjit nr.08/L-200 për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve Ngjitës,

20.    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji për vitin 2021,

21.    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale për vitin 2021,

22.    Shqyrtimi i Raportit vjetor të Autoritetit Rregullator për Shërbimet e Ujit për vitin 2021,

23.    Shqyrtimi i Raportit vjetor për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2021,

24.    Shqyrtimi i Rekomandimeve lidhur me Raportin e auditimit të performancës “Vlerësimi i nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare, 

25.    Formimi i Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga komuniteti serb.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat