Tensione në Kuvend, VV-ja shkarkon Haki Abazin; Kurti habit me një deklaratë

Aktuale

Tensione në Kuvend, VV-ja shkarkon Haki Abazin; Kurti habit me një deklaratë

Nga: Bota sot Më: 16 shkurt 2023 Në ora: 06:54 Përditësuar në ora: 13:46 më 16.02.2023
Albin Kurti

Kurti habit me një deklaratë, flet për një vendim të pesëshes së BE-së për ta njohur Kosovën

Kryeministri Albin Kurti, duke folur për planin franko-gjerman në foltoren e Kuvendit, ka bërë një deklaratë të çuditshme. Ai ka përmendur “vendimin e pesë shteteve të BE-së për ta njohur Kosovën”.

Në fakt, Kurti në foltoren e Kuvendit ka qenë duke lexuar një përgjigje kur ka pohuar se në ka një “vendim” për njohjen nga pesë shtetet e BE’së, që janë Greqia, Spanja, Rumania, Qipro dhe Sllovakia, të cilat ende s’e njohin Kosovën.

“Tash edhe vendimi i pesë shteteve mosnjohëse të Bashkimit Europian për ta njohur Kosovën, për të cilin ne jemi duke punuar dhe përmes saj anëtarësimi i Kosovës në NATO dhe marrja e statusit shtet-kandidat i BE-së dhe anëtarësimi në Këshill të Europës dhe Konventës së saj është një gjë tejet qendrore në angazhimin tonë të mëtutjeshëm”.

Siç dihet njohja është akt sovran i secilit shtet dhe vështirë që mund të ketë një vendim të përbashkët për njohjen e Kosovës nga këto shtete, që Kurti lë të kuptohet se është vendosur, në bazë të formulimit të tij.

Pas kësaj deklarate, deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, i kërkoi kryeministrit që ta publikojë këtë vendim meqë vetë ai e përmendi atë.

“Po shohim që pra që paska ndryshim, ka garanci ndërkombëtare. A na tregon, të jesh transparent me ne, që të na tregosh vendimin e vendeve që janë jonjohëse për njohje të Kosovës. Ju vetë thatë që vendimin e pesë shteteve që s’e kanë njohur Kosovën kanë marrë vendim që ta njohin. Ju lutem, e bën këtë vendim publik!”.

Kurti përsëriti se plani i BE-së parasheh normalizim të marrëdhënieve ndërkombëtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë ku njëra-tjetrën e njohin de facto.

VV shkarkon Haki Abazin nga komisioni, zëvendësohet nga kjo deputete

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë miratuar sot kërkesën e subjektit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për të zëvendësuar anëtarët në Komisione Parlamentare.

Si rezultat, Haki Abazi, i cili ishte më i zëshmi kohëve të fundit, lidhur me këtë çështje, është shkarkuar nga të qenit Kryetar i Komisionit Parlamentar për Marrëdhëniet me Jashtë.

Ai është zëvendësuar nga deputetja e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu- Hyseni.

Nga 62 vota, 53 ishin për, as një kundër dhe nëntë abstenime.

Konjufca – Musliut: Mos ia përmend familjen Kurtit

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës ku po flitet për emigracionin tha se kryeministri Albin Kurti “nuk e sheh Kosovën vend të denjë për vajzën dhe familjen e tij”.

“Kryeministri Kurti nuk e sheh Kosovën vend të denjë për ta vajzën dhe familjen e tij, si mund ta ndalë ky emigracionin”, u shpreh Musliu.

Më pas nuk mungoi ndërhyrja e Glauk Konjufcës duke kërkuar të mos i përmendet familja e Kurtit.

“Mos i përmendni familjen”, tha Konjufca.

Derisa kujtojmë që, përderisa tani VV-ja po kërkon të mos përmendet familja e Albin Kurtit por sa ishte në opozitë, nuk kishin munguar ‘sulmet’ ndaj djalit të Thaçit e djemve të Isa Mustafës nga kjo parti.

Në vitin 2018 Vetëvendosjes kishte mabjtur një aksion të shpërndarjes së fotografive në rrugët kryesore të Prishtinës me pamjet e pushimeve të djalit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Sipas tyre, derisa djali i Shefit të Shtetit shëtit nëpër vende të botës, në Kosovë ekziston mjerim i përditshëm, thuhej gjatë aksionit.

Ndërkohë që gjatë vitit të kaluar VV kishte publikuar një video përmes së cilës ka përmendur ish-pushtetarë e deputetë, por edhe djemtë e Isa Mustafës për të cilët kishin thënë se kishin përvetësuar terminale doganore.

Musliu për Kurtin: Vendin e vet, me të cilin qeverisë, nuk e sheh të denjë për ta rritur vajzën

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, akuzoi kryeministrin Kurti se nuk mund ta ndalë fluksin e ikjeve nga Kosova, pasi siç tha, familjen e tij e ka larguar nga vendi.

“Nuk mundet qytetari i Republikës së Kosovës t’i besojë një kryeministri i cili vendin e vet, me të cilin qeverisë, nuk e sheh të denjë për ta rritur vajzën e tij.

Familjen e tij e ka ikë prej këtij vendi, prandaj nuk mundesh ti me i ndalë qytetarët e Republikës së Kosovës”.

“Një kryeministër që nuk e sheh të denjë vendin e vet për ta rritur fëmijën e tij, ai nuk mund ta ndalë fluksin e ikjeve nga Kosova”, deklaroi Musliu gjatë fjalimit të saj para deputetëve në Kuvendin e Kosovës.

“Kur doni dalim në mejdan”, Bajrami i kërkon përballje Hajdarit: Çka kam bërë po të tregojnë shpesh punonjësit e MINT

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka ftuar në “mejdan” Ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdarin.

Duke i replikuar Hajdarit, Bajrami tha për atë që ka bërë ajo gjatë kohës sa ka qenë në krye të Ministrisë, mund të tregojnë punonjësit e MINT.

“Për çka kam ba unë në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, tregojnë 260 punonjës të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë. Po besoj dhe kom dëgju që shpesh po të tregojmë. Po ta përmendi, që në Qeverinë tonë dhe udhëheqjen time, është bërë bartja e kompetencave për analiza të naftës prej operatorëve privat te doganat e Kosovës. Edhe besoj që ky ka qenë vendim i mirë se e ke kthy ti masnej”, tha Bajrami.

Ajo i kërkoi që të dalë publikisht Hajdarit dhe të tregojë çka s’ka bërë sa ka qenë ministre e çfarë ka bërë keq.

“Çka s’kam ba, e çka kam ba keq ,të ftoj në publik me dal me i përmend me fakte. Edhe në Ministrinë e Financave edhe në Ministrinë e Arsimit. Kur doni dalim në mejdan”, tha Bajrami.

​Rizvanolli e Shala përplasen për “Trepçën”: Nuk ka më z.Shala si në kohën e juaj

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, sot deklaroi se pritet që deri nesër të sanohet situata në "Trepçë" dhe të hapet dera e horizontit 11.

Ajo tha se përkundër gënjeshtrave që janë thënë, kanë reaguar menjëherë dhe qysh në orën 03:45 të mëngjesit është ndërruar kabllo dhe është vendosur sistemi i pompimit.

“Përkundër gënjeshtrave që janë thënë disa herë edhe këtu është reaguar menjëherë qysh në 03:45 të mëngjesit është ndërruar kabllo dhe është vendosur sistemi i pompimit. Pritet që situata të sanohet deri nesër dhe të hapet dera e horizontit 11....Të hyrat e Trepçës janë rritur rreth 50% në krahasim me vitet 2018-20, nga 14.15milionë euro në 22 milionë euro në vitin 2022, ndërkohë shpenzimet operative janë ulur. Trepça është audituar për herë të parë pas 11 vitesh që nga vitit 2012 nuk ishte audituar dhe është audituar me kërkesë të kryeministrit Kurti vetëm gjatë vitit të fundit janë ngritur 7 padi për lirim të pronës dhe kërkesa për fitim të humbur janë bërë tri kërkesa të tjera për lirim të pronës 13 propozim për përmbarime”, tha ajo.

Rizvanolli iu drejtua deputetit të PDK-së, Ferat Shala, duke i thënë se më nuk ka emërime të brendshme pa konkurse dhe punësime të personave me kontrata mbi vepër.

“Imagjinoni Trepça nuk ka pasur rregullore për menaxhim të aseteve janë dhënë me qera me çmime qesharake janë uzurpuar dhjetëra prona të Trepçës dhe nuk ka pas asnjë rregullore për të rregulluar ato e mos të flasim për mënyrën se si janë dhënë këto e si janë lejuar të keqpërdorën nga operatorët ekonomik. Nuk ka më z.Shala si në kohën e juaj emërime të brendshme e pa konkurse nuk ka më sikur në kohën e juaj punësime të qindra personave me kontrata mbi vepër pa procedura, nuk ka më shitje të mbetjeve në mënyrë të jashtëligjshme e pa procedura si në kohën tuaj nuk ka më uzurpim të pronave dhe dhënie me qera si në kohën tuaj”, tha ajo.

E menjëherë, iu kundërpërgjigj deputeti i PDK-së, Ferat Shala, i cili konstatimet e Rizvanollit i quajti të pavërteta.

Ai tha se ministri në fjalë, në vend të një gjeologu për "Trepçën" ka angazhuar si eskpert një arkeolog.

“Nuk kam kohë me u marr me të pavërtetat e ministres po të informoj zyrtarisht me përgjegjësi kryeministër ministrja që sapo raportoi, ka angazhuar një ekspert nga një shtet mik i BE që ka ndihmuar shumë kryeministrit me ardhur në pushtet ka shpall thirrje dhe kur e kam parë CV e ekspertit që këshillon ministren e ministrja pastaj kryeministrin unë tri herë i kam fshirë syzat, sepse nuk besojsha a kam rrëshqitur unë a ka rrëshqitur Qeveria...Në vend që të angazhojë një ekspert gjeolog për Trepçën ka angazhuar zyrtarisht një arkeolog për Trepçën”, u shpreh ai. 

“S’ki të drejtë me fol se je jashtë rregullores”, – përplasje mes Musliut e Muratit

Një përplasje verbale ka ndodhur sot në Kuvendin e Kosovës ndërmjet opozitës dhe ministrit Hekuran Murati, kur këtij të fundit i është dhënë fjala në Kuvend.

Pasi Murati gjatë seancës plenare mori fjalën për të folur për zhvillimin ekonomik hasi në reagimin e opozitës, të cilët theksuan se është jashtë rregullores së punës së Kuvendit.

“Mund të qetësohet deputeti problematik…”, tha ai, pas reagimit të opozitës.

Në atë moment, deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ia largoi mikrofonin, ndërsa i tha “ti s’ki drejt me fol se je jashtë rregullores”.

“Kërkoj ndjesë në emër të deputetëve që e prishin seancën edhe pse nuk jam vet deputet”, shtoi Murati.

Pas kësaj, ndërhyri kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i cili i kërkoi ministrit Murati të ulet pasi sipas rregullores së re nuk i takon në atë rast e drejta e fjalës.

“Zotëri Murati nëse ka mundësi të uleni se me rregulloren e re ashtu qenka”….tha Konjufca.

Selmanaj: Kosova po zbrazet, duhet të ngrihet gjendje e alarmit të një emergjence shtetërore

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj, sot në seancën e Kuvendit, shprehu shqetësimin për ikjen masive të qytetarëve jashtë Kosovës.

Sipas tij, në 10 vjetët e fundit nga vendi janë larguar afër 600 qytetarë, e për këtë arsye, ai kërkoi që të ngritet alarmi për një emergjencë shtetërore.

“Mendoj se nëse vazhdon kjo gjendje duhet të gjitha ne si institucione dhe qeveri si Kuvend edhe institucionet tjera edhe shoqëria civile të ngrehim gjendjen e alarmit të një emergjencë shtetërore...mendoj që duhet urgjentisht ta bëjmë një analizë se cilat janë shkaqet e ikjes sepse tani vetëm se gjendja ekonomike po duket se nuk është argumenti kryesor se ata po ikin, pakënaqësia me sistemi shëndetësor e arsimor e gjitha të tjerat duket sikur janë aduti kryesor se njerëzit po ikin. Deputet po e shoh se nuk po e merrni si shumë shqetësim këtë punë dilni jashtë Prishtinë dhe qyteteve të mëdha që 50-60 e fshatrave kanë mbetur me dyer të mbyllura”, tha Selmanaj.

Ai paraqiti disa shifra të siguruara që flasin për ikje masive të qytetarëve.

Selmanaj tha se po ndodh një eksod masivi i ikjes së qytetarëve nga Kosova.

Selmanaj: Fshatrat po zbrazen e shkollat po boshatisen, shtëpitë po mbyllen

“Një numër i madh i njerëzve në Kosovë s’po e projektojnë jetën në Kosovë më, nuk po i projektojnë më idealet dhe ëndrrat e tyre për të realizuar të ardhmen e tyre në Kosovë. Fshatrat po zbrazen e shkollat po boshatisen, shtëpitë po mbyllen. Vetëm në Ambasadën Gjermane për një vit, gjatë vitit 2022, 105 mijë qytetarë kanë aplikuar për vizë, në Ambasadën Zvicerane 38 mijë e 341 aplikues për vizë dhe nga ta, 34 mijë prej tyre janë pajisuar me vizë. Një vit paraprak në vitin 2021 vetëm në Ambasadën Zvierane kanë aplikuar diku 19 mijë e 737 qytetarë ndërkohë që, 17 mijë e 90 janë pajisur me vizë. Kjo qenka qeveri e shpresës, kjo qenka qeveri, e cila nxitë kurajon për të jetuar në Kosovë“, tha ai.

Deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj u shpreh po ashtu se në 10 vjetët e fundit 30% e qytetarëve kanë ikur nga Kosova.

Ajo konsideron se ky trend, i cili po rritet e rrezikon Kosovën të mbetet me një popullsi më të vogël se Mali i Zi.

Selmanaj: Në 10 vitet e fundit afër 600 mijë qytetarë kanë ikur nga Kosova

“Brenda 10 viteve të nderuar deputet janë larguar 529 mijë e 647 qytetarë të Kosovës ose 30% e popullatës së Kosovës unë nuk e them që ky trend është vetëm tani unë e them se në 10 vitet e fundit afër 600 mijë qytetarë apo 30% e popullatës kanë ikur nga Kosova dhe kur ju thonit se kjo është qeveria e shpresës tani më të dhënat që unë ua prezantova janë më shqetësuese se një vit paraprak, që i bie trendi është në rritje masive dhe nëse vazhdojmë me këtë qasje dhe trend jam i bindur se për 10 vitet e ardhshme në Kosovë do të mbesim me popullatë më pak se Mali i Zi”, shtoi ai.

Besnik Tahiri: Dy vjet që kur Qeveria Kurti instaloi pasigurinë më të madhe që nga paslufta

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka folur për dy vjetët e Qeverisë Kurti. Ai ka thënë se janë bërë dy vjet që “kur Qeveria Kurti e instaloi pasigurinë më të madhe që nga koha e pasluftës”.

“Duke i shtyrë përpara ligjet antikushtetuese është prekur shtylla kurrizore, bazamenti i një shteti që është administra ligjore dhe shteti ligjor. Kosova është më e varfër që nga 14 shkurti i vitit 2021.

Qytetarët e Kosovës duke e humbur shpresën kanë marrë rrugën e mërgimit.

Duke mos mundur ta konceptojnë zhvillimin, duke mos pasur asnjë investim të huaj tash e dy vjet, duke thënë se do të bëjnë me qindra çerdhe, Qeveria Kurti është kthyer në një instancë që vetëm flet për 20 vjetët e kaluar”, tha Tahiri në Kuvend.

Bajrami-Qeverisë: Është mirë që kur të flisni për suksese të dilni t’i listoni ato

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, sot kërkoi nga Qeveria e Kosovës se kur flasin për suksese të tregojnë dhe t’i listojnë ato.

“Është mirë që kur të flisni për suksese të dilni dhe të listoni disa suksese dhe të mos na mbani ligjerata është mirë të dilni dhe të na tregoni se cilat janë sukseset në ekonomi, cila është një reformë e vetme e cila është marrë në fushën e politikave fiskale, në funksion të përmirësimit të ambientit të biznesit, na tregoni se cilat rrugë, ura janë ndërtuar cilat projekte kanë filluar ose janë në progres na tregoni se cilat çerdhe janë ndërtuar prej atyre që janë premtuar e cilat shkolla janë ndërtuar dhe avancuar”, tha ajo.

Bajrami pyeti se a është luftë kundër korrupsionit kur ende vazhdon të mbetet ambasador i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

“A është luftë kundër korrupsionit me lënë ende Martin Berishaj ambasador, i cili po hetohet nga Prokuroria Speciale a është luftë kundër korrupsionit kur bordi për miniera dhe minerale i përzgjedhur nga shumica nga 51% i fal një kompanie private 9 milionë euro. Si po shpërndahen subvencionet sipas Komisionit të energjiisë 46 milionë i janë dhënë KEDS-it dhe ju na keni kryqëzuar neve që 60 milionë u kemi shpërndarë 23 ndërmarrje ndërmarrjeve dhe 230 mijë punëtorëve. Na tregoni se çka po quani sukses”, u shpreh ajo.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat