“Ju jeni të mallkuarit, ky është skandal mafioz” – ‘shpërthejnë’ akuzat dhe kritikat mes qeverisë e opozitës

Aktuale

“Ju jeni të mallkuarit, ky është skandal mafioz” – ‘shpërthejnë’ akuzat dhe kritikat mes qeverisë e opozitës

Nga: Bota sot Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 06:53 Përditësuar në ora: 20:16 më 23.02.2023
Kuvendi i Kosovës

Kica Xhelili: Hipokrizia e VV-së ndaj Martin Berishaj

Sot deputetja nga radhët e LDK-së Doarsa Kica Xhelili në Kuvendin e Kosovës deklaroi se Qeveria ka kthyer diplomat në Kosovë për arsye banale “mosdeklarim i saktë i largësisë së banesës nga ambasada”.

Kica-Xhelili tha se një diplomat është kthyer në Kosovës për “mosdeklarim i saktë i largësisë së banesës nga ambasada”, ndërsa deputetët e VV’së po e amnistojnë secilin dyshim që kanë qytetarët për Martin Berishajn.

“Po e shfaqim dyftyrësinë e të gjitha diskutimeve që po bëhen këtu, për të mos thënë edhe hipokrizinë. Kjo qeveri e ka kthy një diplomat të karrierës me një justifikim, i ka thënë diplomatit që pretendojmë që në fakt nuk na ke tregu largësinë e saktë që e ki prej banesës te ambasada, dhe dokumentin e kam.

Nëse standardi që kjo qeveri e ka për diplomatë që të kthehen në Kosovë nëse nuk deklarojnë largësinë e metrazhës së saktë nga banesa tek ambasada, si ka mundësi që i kemi 59 deputetë të VV’së duke e amnistuar secilin dyshim që e kanë qytetarët e këtij vendi për Martin Berishaj”, tha Kica-Xhelili.

Opozita: Skandali mafioz energjetik i Martin Berishës është krim ndërkombëtar

Përfaqësues të Qeverisë dhe pozitës në Kuvendin e Kosovës, janë akuzuar nga opozita në seancën plenare e cila po vazhdon se po mbrojnë ambasadorin e Kosovën në Kroaci, Martin Berishën, duke thënë se ai po hetohet nga prokuroria por hetimet duhet të jenë edhe më të gjëra pasi

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami akuzoi LVV-në se kanë bërë ambasadorë Martin Berishajn, i cili po hetohet nga prokuroria.

Bajrami: Martin Berishaj po hetohet nga prokuroria

“Asnjëri prej juve nuk ketë në gjendje të thonë se nuk po hetohet nga prokuroria. Zotëria po hetohet, po hetohet për shpëlarje të parasë, evazion fiskal dhe besoj që shumë shpejt, meqë ka bërë deklarim të rrejshëm edhe për deklarim të rrejshëm në Kuvendin e Kosovës, do të hetohet edhe për deklarim të rrejshëm, andaj sa herë të flisni për energjinë na del fotografia e Martin Berishajt”, tha ajo.

Bekim Haxhiu tha se LVV po mbron Martin Berishajn.

Haxhiu: Skandali mafioz energjetik i Martin Berishës është krim ndërkombëtar

“Skandali mafioz energjetik i Martin Berishës që transferon para kesh nën petkun diplomatik, është krim ndërkombëtar dhe këtë duhet ta hetojnë jo vetëm organet vendore por edhe më tutje “, tha ai.

Gashi-Konjufcës: Në LVV keni forca detyruese, si po e lejon të flas këtë ministre

Deputetët e opozitës dhe përfaqësuesit e Qeverisë kanë akuzuar njëri-tjetrin, lidhur ligjin për rregullimin e çmimeve për produktet bazike, të cilin Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese.

Fillimisht deputeti i LDK-së, Besjan Mustafa pati kritika rreth subvencionimit të energjisë elektrike, si dhe dha detaje se si e kanë dërguar në Kushtetuese ligjin për rregullimin e çmimeve për produktet bazike.

Ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari akuzoi deputetët e Lidhjes Demokratike se kanë cenuar qytetarët e vendit, duke dërguar këtë ligj në Kushtetuese në kohë krize dhe inflacioni.

Hajdari:Keni cenuar qytetarin e Kosovës

“Ju i nderuar deputet keni cenuar qytetarin e Republikës së Kosovës sepse ne kemi synuar me këtë ligj të ndalojmë spekulimet në treg. Unë kam pasur grupin punues që ka analizuar tregun, ka gjetur mazhat, 48 % rritja e mazhës për bukën, 45 % për bukën e zezë, çka i thua kësaj e ke mbrojt qytetarin, është shumë e rënd çka po flet sot”, tha ajo.

Aty reagoi deputeti i LDK-së, Arben Gashi, i cili tregoi pse po çuditet me kryesuesin e seancës, Glauk Konjufca

Gashi: ka një forcë më madhore në LVV që i detyron njerëzit me fol

“Sinqerisht po çuditem prej teje, por meqë kohëve të fundit e kemi kuptuar se ka një forcë tjetër më madhore në partinë e juaj që i detyron njerëzit me fol, si po e lë me fol këtë ministre. Qysh mund të dal e të thotë në Kuvendin e Kosovës, ju jeni të mallkuarit që e keni dërguar një rast në Gjykatë Kushtetuese me pretendimin që është shkel Kushtetuta, si mund ta thuash atë“, tha ai.

Ai tha se e kanë dërguar ligjin në Kushtetuese për shkak të tregut të lirë.

Deputetëve të LDK-së i doli në mbështetje edhe deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, e cila tha se dy funksione që i kanë deputetët mallkohen ose ofendohen nga akterët qeveritar.

Hoxha:Një ministre që mallkon deputetët dhe një tjetër që thotë se do ia ndaloja fjalën me ligj

“Një ministre që mallkon deputetët dhe një tjetër që i thotë deputetit ty ta kisha ndalu fjalën me ligj dhe shqetësimi im është se ky vend këtu, është vendin ku deputeti përtej se me fol, ka mandat që ligjet me i sfidu kushtetutshmërisht”, tha ajo.

Rizvanolli thotë se masat emergjente në energji kanë treguar efektin e tyre

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka deklaruar se KEK-u nuk ka blerë asnjëherë nga kompania GEN e Serbisë gjatë periudhës së qeverisë Kurti.

Në seancën e Kuvendit ajo i është përgjigjur kritikave të opozitës duke thënë se masat emergjente më energji kanë pasur efektin e tyre. 

Rizvanolli: Gjatë qeverisjes sonë KEK nuk ka blerë asnjëherë nga GEN-i i Serbisë

“KEK-u nuk ka blerë kurrë nga GEN-i i Serbisë sa jemi ne në qeveri”, ka thënë ajo. 

Ajo i ka quajtur mit deklaratat që masat emergjente nuk kanë pasur. 

Rizvanolli: Masat emergjente kanë treguar efektin e tyre 

“Miti që masat emergjente nuk kanë pasur efekt po i them vetëm dy gjëra për këtë, e para ndalimi i eksportit të peletit pas ndalimit të eksportit çmimi është ulur nga 750 euro për ton në 300 euro për ton, do te thotë kemi pasur 60% ulje, kjo ka qenë masa e vetme të cilën kemi mundur ta ndërmarrim sepse ju e keni dërguar në gjykatë kushtetuese ligjin i cili do të mundësonte vendosjen e çmimit tavan. Kurr nuk e kam kuptuar pse, interesat e kujt po i mbroni sepse të qytetarëve të Republikës definitivisht jo me këtë akt. E dyta, ndalimi kriptovalutave janë shkatërruar tetë ferma të kriptovaluatave në veri, janë konfiskuar mbi 600 pajisje ilegale që i kursejnë qytetarëve miliona euro në vit dhe nga kjo dhe luftimi i aktiviteteve të tjera ilegale në veri, për herë të parë kemi ulje të konsumit në veri përderisa në vitet e kaluara ka pasur 8 deri 12% rritje çdo vit” ka thënë ajo.

Deputetët diskutojnë raportin e komisionit hetimor për krizën energjetike

Kuvendi i Kosovës po e shqyrton raportin e komisionit hetimor parlamentar lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga ana e Qeverisë së Kosovës. Derisa deputetët nga opozita kanë deklaruar se nuk ka pasur menaxhim të duhur të krizës, nga partia në pushtet nuk e kanë përkrahur këtë raport duke thënë se njëjti nuk ka prezantuar seriozitet dhe nuk ka të gjetura nga ai.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Ferat Shala ka thënë se ky komision ka ndihmuar qytetarët të kuptojnë procedurat e dyshimta të qeverisë në raport me sektorin energjetik.

Shala: Pa komisionin hetimor nuk do të kuptonim procedurat e dyshimta të qeverisë 

“Pa punën e këtij komisioni hetimor nuk do ta kuptonim ne as qytetarët procedurat e gabuara dhe të dyshimta të qeverisë në raport me sektorin energjetik dhe kontratat një burimore, tashmë edhe kjo është vërtetuar. Pa komisionin hetimor nuk do ta kuptonim qe qeveria i ka dhënë mjete kesh KESCO-s 40.9 milionë euro, ndërsa KEDS-it 5.6 milionë euro, e në total i bie i kemi 46.5 milionë euro vetëm brenda periudhës maj-shtator 2021. Pra, pa këtë komision qytetarët nuk do ta kuptonin realisht mashtrimin që kjo qeveri në kontinuitet ka bërë”, theksoi Shala.

E deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Armend Zemaj ka thënë se dëmi që është shkaktuar në këtë periudhë nga keq-menaxhimi, nga interferimet është tepër i madh për buxhetin e Republikës së Kosovës.

Zemaj: Mos thuani që kriza energjetike është menaxhuar mirë 

“Dëmi që është shkaktuar në këtë periudhë nga keq-menaxhimi, nga interferimet është tepër i madh për buxhetin e Republikës së Kosovës. Mos thuani që është menaxhuar mirë kur ne është dashur me blerë energji elektrike me një kosto më të madhe se krejt shtetet në rajon, mos thuani që është menaxhuar mirë kur kaldajat nuk kanë shkuar në remont nga orët e shpenzuara që është dashur 32 mijë orë por keni pritur derisa të bëhen 41 mijë orë që ato me u prish që me ble energji elektrike qe me u rrit vlera e prokurimit për remont, me sjell gjermanin me punua turbina dhe filtera dhe ky është rezultati e me të cilin janë përballur qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë Zemaj. 

Deputeti nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka thënë se komisioni ka dëshmuar që Kosova ka pësuar keq nga kriza energjetike si pasojë e gabimeve të qeverisë. 

Lekaj: Qeveria ka subvencionuar rritjen e kostos energjetike 

“Ky raport tregon shumë të vërteta, e para u dëshmua që Kosova pësoi keq nga kriza energjetike në vend ku qeveria e Kosovës nga gabimet e saj ka marrë disa vendime për të subvencionuar rritjen e kostos energjetike. E dyta, në fund të vitit 2021 dhe në fillim të vitit 2022 qeveria Kurti ka marrë katër vendime në vlerë prej 124.5 milionë euro, pra nga mos kujdesi profesional që të përgatiten në çdo kohë për ndryshime dhe humbje të mundshme në energjisë dhe mos arritja e marrëveshjes parapake me shtetet fqinje për shitblerje të energjisë, Kosovës i ka kushtuar hiç më pak se 124.5 milionë euro humbje nga buxheti i Kosovës”, ka thënë Lekaj. 

Ndërsa sipas deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje, Artan Abrashi ky komision ishte i panevojshëm dhe nga i njëjti nuk ka të gjetura.

Abrashi: Nuk ka të gjetura nga komisioni hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike 

“Nuk mund ta mohojmë faktin se është keqpërdorë për qëllime fiktive të opozitës kjo punë. Nuk ka asnjë të gjetur dhe mendoj që kolegët opozitarë dëshpërimisht në kërkim të kauzës është koha të kërkojnë falje publike për të gjithë ata dëshmitarë të cilëve ua kanë marrë kohën, duhet të kërkojnë falje sidomos për zotin Berishaj, sepse pretendimet që e kanë ngritur këtë komision lidhur me aferën më të madhe korruptive sipas përshkrimit opozitar kanë përfunduar që në fund të intervistimit pikërisht këta deputetë hetues të përfundojnë me puthje dhe përqafime me zotin Berishaj”, ka thënë Abrashi. . 

Këtu ka reaguar edhe kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Konjufca: Nuk qenkam në dije për përqafimet e deputetëve me ambasadorin Berishaj 

“Po më shqetëson kjo zoti Abrashi se unë nuk qenkam i njoftuar si kryetari kuvendit me këto përqafime”, ka thënë Konjufca. 

Ky raport po prezantohet në seancë pa rekomandim të Komisionit hetimor meqë nuk ka marrë epilog në mbledhjen e fundit të komisionit në mungesë të deputetëve të partisë në pushtet.

 

​Kuvendi miraton tri marrëveshje nga Procesi i Berlinit

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor. Kjo u bë me shumicë votash ku 82 deputetë votuan për këtë marrëveshje, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka thënë se lëvizja e lirë e qytetarëve është diçka që është synuar tash e sa kohë nga Kosova por edhe vendet fqinje siç është Bosnje Hercegovina.

Kurti: Prishtina dhe Sarajeva po krijojnë një urë të re institucionale dhe qytetare

“Besoj që lëvizja e lirë e qytetarëve është ajo që është synuar moti nga qytetarët e Republikës sonë por edhe nga vende të tjera fqinje përfshirë kështu edhe Bosnje Hercegovinën me të cilën ne e dimë që kemi marrëdhënie të vështira, për shkak të vetos të Republikës Serbe atje. Mirëpo edhe kryeministri i Bosnje Hercegovinës apo kryetari i qeverisë siç është atje e i cili është nga komuniteti serb po ashtu nënshkroi në Berlin me datën 3 nëntor dhe kjo na bënë optimist që edhe në Bosnje dhe Hercegovinë do të mund të ratifikohet kjo marrëveshje duke kaluar si projektligj dhe të mendojë më në fund qarkullimin e qytetarëve nga Republika e Kosovës në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe anasjelltas vetëm me karta të identitetit. Në këtë mënyrë Prishtina dhe Sarajeva krijojnë një urë të re institucionale por sidomos qytetare e cila është pritur shumë moti”, ka thënë Kurti.

Kjo marrëveshje ka dalë nga Procesi i Berlinit dhe përveç saj Kuvendi i Kosovës ka miratuar edhe dy marrëveshje të tjera nga ky proces, atë për ratifikimin e marrëveshjes për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor si dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, stomatologëve dhe arkitektëve në kontekstin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.

Më 3 nëntor të vitit 2022 gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje që sipas kryeministrit Kurti përbëjnë bërthamën e tregut të përbashkët rajonal, që është synim kryesori i Procesit të Berlinit.

Në këtë seancë Kuvendi ka miratuar në parim i projektligjin për Këshillin e Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Ndërsa deputetët nuk e kanë miratuar rezolutën për adresimin e çështjes së rritjes së faturave të tatimit në pronë.

Tahiri: Për dy vjet qeverisje, asnjë investim në infrastrukturën rrugore, e papranueshme

Shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se rrugët magjistrale nëpër Kosovë janë në gjendje të rëndë dhe paraqesin rrezik permanent për qytetarët.

Tahiri ka thënë se rasti i mbrëmshëm i aksidentit në magjistralen Ferizaj-Shtime, ku humbën jetën katër persona padyshim që e ka prekur secilin nga ne.

“Rasti i mbrëmshëm i aksidentit në magjistralen Ferizaj-Shtime, padyshim që e ka prekur secilin nga ne. Do të ishte mirë që si Kuvend edhe njëherë të adresojmë këtë temë tek Qeveria në raport me krejt infrastrukturën rrugore dhe programet që janë në vijim e që nuk po ndodh asgjë”.

“Një qytetar që dëshiron të marrë rrugën Prishtinë-Podujevë, Prishtinë-Mitrovicë, Prishtinë-Gjakovë, Prishtinë-Gjilan, Prishtinë-Pejë, pra e merr një rrugë që në mungesë të veprimeve qeveritare shkakton jo vetëm kokëdhimbje por edhe në sigurinë e njerëzve që udhëtojnë. Mos reagimi dhe mos shtyerja para e kontratave që kanë ekzistu, shtron shumë pyetje që kërkojnë përgjigjje nga qeveria”, tha Tahiri.

Ai shtoi se për dy vjet nuk ka ndodh asnjë investim në rrugët e Kosovës.

“Është e papranueshme që mos të ketë asnjë investim të vetëm tani e dy vjet në këto rrugë. Është e papranueshme që një qytetarë i Podujevës për me ardh në Prishtinë, duhet me i llogariotë një orë e gjysmë për të ardhur e një orë e gjysmë për tu kthyer. Edhe rrugët tjera nuk kanë asnjë investim. Nëse qeveria nuk investon në këto akse rrugore në këto magjistrale, nuk do të ketë as investime, as siguri e as zhvillim. Është shumë e rëndësishme që këto projekte të trajtohen me prioritet dhe me seriozitet”, ka thënë Tahiri.

Kurti: Po ta dinin deputetët që pas ratifikimit nuk do të ketë liberalizim, nuk do ta votonin demarkacionin

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka kërkuar nga kryeministri Albin Kurti të tregojë pse qeveria nuk ka reaguar pas deklaratës së presidentes, Vjosa Osmani në Mal të Zi, se çështja e demarkimit të kufirit ka përfunduar.

Kurti ka thënë se nëse deputetët e Kosovës do ta dinin se nuk do të ketë liberalizim të vizave pas ratifikimit të asaj marrëveshje, nuk do ta votonin atë.

“Jam i bindur që ratifikimi është realizuar në ketë kuvend me çfarë unë nuk jam pajtuar e nuk pajtohem, për shkak se është besuar që menjëherë do të vijë liberalizimi i vizave. Po ta dinin deputetët më 21 mars të vitit 2018 që edhe pas ratifikimit nuk ka liberalizim jam i bindur që nuk do ti kishte 80 vota siç i pati. Një votë po të mungonte atëbotë nuk do të bëhej ratifikimi. Tash dy komisionet kanë pasur misione të ndryshme, komisioni i Malit të Zi e ka pasur misionin për caktim të kufirit, komisioni i Kosovës e ka pasur misionin shënjimi i kufirit, komisione me misione të ndryshme andaj edhe kemi thënë prisni pak se duhet korrigjim e shqyrtim paraprak para ratifikimit. Kjo nuk është bërë, unë nuk mund të bartë barrën e gabimeve të qeverive të mëhershme. Mirëpo jam shumë i gatshëm dhe i interesuar që në një moment të përshtatshëm të koordinohemi me Podgoricën zyrtare për ta rregulluar këtë çështje. Momenti tani në këtë muaj ose në këtë ditë kur ju e bëni pyetjen nuk është i përshtatshëm, ne kemi një kryeministër në detyrë i cili është i rrëzuar atje dhe i kemi së shpejti zgjedhjet për president të ri të Mali të Zi”, ka thënë Kurti.

Ndërsa, deputeti i LDK-së ka thënë se për çështjen e demarkacionit, Kurti ka krijuar një situatë të rendë në Kosovë, derisa ishte në opozitë.

Sipas tij, veprime të tilla kanë shkaktuar mos-liberalizmin e vizave për Kosovën.

Selmanaj-Kurtit: Besoj shpejt ke me u heq prej kryeministrit

“Ti një ditë ke me u heq edhe prej kryeministrit, besoj ndoshta edhe shpejt, por një gjë e ke vendosë në Kosovë një standard e që ka me shku gjatë është mashtrimin dhe gënjeshtrën e ke bërë standard i me ardh dikush në politikë dhe në pushtet. Ne edhe mund t’i harrojmë por mos harrojnë gjë, ata të cilët kanë qenë në pushtet kur ti ke përdorë dhunë në Kosovën, kanë qenë në pushtet në ShBA, janë edhe sot ata, edhe ne nëse i harrojmë, ata nuk i harrojnë. Ndoshta të shtojnë në siklet në ndonjë situatë po kështu qenka politika dhe si e tillë kështu kemi me kalu me juve, një mashtrues, gënjeshtar”, ka thënë Selmanaj.

“Edhe lopa në grazhd e di”, Konjufca i ndërhyn deputetit të VV-së

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Jahja Kokaj, në seancën e sotme të Kuvendit, është inkuadruar në temën e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Kokaj në fillim të fjalimit të tij tha se “edhe lopa në grazhd e di se kush i ka humbur ato 8 mijë e 200 hektarë".

Menjëherë ndërhyri kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, i cili bëri thirrje që të mos përmenden emrat e kafshëve në relacion me asnjë deputet.

Seanca e Kuvendit është duke vazhduar.

Kuvendi miraton edhe dy marrëveshje tjera ndërkombëtare

Deputetët e Kuvendit të Kosovës i kanë dhënë dritën jeshile dy marrëveshjeve- për njohjen e kualifikimeve të arsimit të lartë në Ballkanin Perëndimor dhe dhe atë për njohjen e kualifikimeve profesionale të mjekëve, dentistëve dhe arkitektëve në konteksin e marëveshjes së tregtisë së lirë të Evropës Qendrore.

Për marrëveshjen e parë votuan 83 deputetë, ndërsa për marrëveshjen e dytë 84 sosh – që të gjithë pro.

Prezantimin e këtyre marrëveshjeve e ka bërë kryeministri Kurti, derisa pak më parë u miratua edhe projektligji për ratifikimin e marrëveshjes për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor.

Kujtojmë që vitin e kaluar, gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor arritën këto marrëveshje në kuadër të Procesit të Berlinit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat