“A e bëtë për heshtjen e familjes”, Berisha flet për vëllezërit Dehari, Haxhiu dhe deputetët e VV’së godasin tavolinat
Deputeti nga radhërt e PDK’së, Hisen Berisha, ka përmendur në seancën e sotme vëllezërit Dehari dhe kjo ka bërë që Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje të fillojnë t’i godasin tavolina.
Ai ka përmendur edhe rastin e zhdukjes së mostrave, duke thënë se Ministrja Haxhiu duhet të marr përgjegjësi.
“Indikative mbetet poashtu edhe emërimi i rrugëve të Prishtinës me mbiemrin e vëllezërve Dehari.
E unë e pyes se cili ishte roli i tyre, a e bëtë për heshtjen e familjes duke tentuar t’i fusni në histori. Së fundi ndodhi edhe vjedhja e mostrave dhe në vend që ministrja të marr përgjegjësi, që i bie tavolinës, ajo filloi me akuzu prapë opozitën. E di Astyrit Dehari ishte kundër marrëveshje që keni nënshkru dhe kundër tradhtisë që po bëni”, tha Berisha.
Tahiri: Jetesa në Kosovë është bërë e papërballueshme, Qeveria i ka braktisur qytetarët
Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka akuzuar Qeverinë Kurti se i ka braktisur qytetarët pasi është fokusuar vetëm në dialogun me Serbinë.
Sipas tij, në dy vitet e fundit shifrat e largimit të qytetarëve nga Kosova janë tmerruese.
“Gjatë 2021 sipas ASK-së janë larguar 42 mijë qytetarë, ndërsa më 2022 vetëm me viza pune janë pajisur 42 mijë qytetarë. Dje lexuam edhe shifrat e frikshme të largimit të nxënësve nga vendi ynë. Çdo ditë lexojmë lajme për largim të mjekëve”, ka deklaruar Tahiri.
Ai tutje ka thënë se kostoja e jetesës në Kosovë është bërë e papërballueshme në dy vjetët e fundit.
“Këto shifra janë indikatorë se diçka nuk është në rregull me shtetin tonë dhe mënyrën se si po funksionon Qeveria. Kjo qeveri i ka braktisur qytetarët por ne nuk mund të pajtohemi me një gjë të tillë. Ne duhet t’ia bëjmë me dije kryeministrit se ka edhe çështje të tjera të cilave duhet t’u kushtojë rëndësi përveç dialogut”.
“Më skandaloze bëhet kur lexohet një deklarate e kryeministrit për revistën franceze ‘Le Monde’ ku thotë se ‘disa po ikin por të tjerët do të kthehen’. Nuk mund të flasim me kaq papërgjegjësi karshi këtyre numrave alarmantë”, është shprehur Tahiri.
Haradinaj kërkon që të hënën të mbyllet marrëveshja me Serbinë
Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova me pranimin e planit franko-gjerman i ndal qëllimet ruse në Ballkan për destabilizim.
Ai tha se për këtë të hënën kur është edhe takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit Kuti dhe presidentit serb Vuçiq duhet të mbyllet marrëveshja.
“I vetmi vend në botë që s’i konvenon marrëveshja është Rusia. Ata kanë dëshirë që kjo çështje të mbetet e hapur, qoftë për destabilizim, qoftë për ta përdorur si shembull. Të hënën mundet me e mbyllë marrëveshjen, jo vetëm me dhënë sinjale pozitive”.
Haradinaj tha se përpos aspektit të sigurisë dhe mbrojtjes, Kosova duhet ta fusë në marrëveshje edhe komponentën financiare në mënyrë që të ndalen rrjedhjet financiare në veri të vendit.
Hoti: Kushtet e Kurtit për Asociacionin janë sa për ta ruajtur fytyrën
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se “kushtet e Albin Kurtit për Asociacionin janë sa për ta ruajtur fytyrën”.
Gjatë seancës së Kuvendit të Kosovës, të enjten, Hoti ka shtruar një mori pyetjesh për Kurtin në lidhje me dialogun.
“Cili është pozicioni i Kosovës para takimit në dialog”, ka pyetur Hoti.
Ai ka shtruar pyetje edhe për Asociacionin, duke thënë se për 10 vjet Kurti e ka kundërshtuar atë edhe me akte të dhunshme dhe jodemokratike.
“A insiston kryeministri vetëm në marrëveshje për njohje reciproke, apo është i gatshëm t’i përbi sharjat dhe kriitkat ndaj oponentëve që sot janë opozitë dhe ta pranojë marrëveshjen pa njohje, duke e lënë problemin të hapur për Qeverinë e ardhshme”, ka thënë Hoti.
“Besoj që është obligim kushtetues që të informohet Kuvendi”, ka deklaruar ish-kryeministri i Kosovës.
Konjufca: Mbrëmë u tronditëm nga vdekja e 4 të rinjve në aksident, qoftë rasti i fundit
Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca tha se janë tronditur nga vdekja e katër personave në një aksident trafiku të mërkurën mbrëma.
Seancën e sotme të Kuvendit, kryeparlamentari e nisi duke u shprehur ngushëllime familjeve të të vdekurve.
“Mbrëmë të gjithë ne u tronditëm nga humbja e jetës së katër të rinjve në aksidentin tragjik që ndodhi mbrëmë. Në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe deputetëve ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjeve të cilët i humbën më të dashurit e tyre”, tha Konjufca.
“Qoftë ky rasti i fundit për Kosovën”, shtoi ai.
Kuvendi nis seancën në nderim të viktimave në Ukrainë
Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e sotme me një minutë heshtje për viktimat që humbën jetën në Ukrainë.
Ky nderim sipas kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca po bëhet në njëvjetorin e agresionit rus mbi Ukrainën, ku janë vrarë me mijëra persona.
Kuvendi i Kosovës: Sot votohet Rezoluta kundër rritjes së faturave të tatimit në pronë
Kuvendi i Kosovës sot do të mbajë seancën e radhës.
Në këtë seancë do të jenë 13 pika në rendin e ditës, votimi i Rezolutës kundër rritjes së faturave të tatimit në pronë.
Po ashtu gjatë kësaj seance do të bëhet edhe shqyrtimi i Raportit të Komisionit Hetimor lidhur me menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria, si dhe ratifikimi i disa marrëveshjeve.