Kurti deklarohet pas takimit trepalësh, tregon pse nuk u nënshkrua marrëveshja - Ja çka do të bëhet me asociacionin

Aktuale

Kurti deklarohet pas takimit trepalësh, tregon pse nuk u nënshkrua marrëveshja - Ja çka do të bëhet me asociacionin

Më: 27 shkurt 2023 Në ora: 15:41 Përditësuar në ora: 21:37 më 27.02.2023
Albin Kurti

​Kurti: Isha i gatshëm të nënshkruaj por pala serbe nuk e bëri ndonëse u pajtua

“Jemi në rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fqinjësi të mirë evropiane”, ka deklaruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti pas takimit ë Brukselit. Aty, Kurti ka thënë se ishte i gatshëm të nënshkruajë për dakordimin e sotëm rreth planit evropian por sipas tij pala serbe ka refuzuar një gjë të tillë

Shefi i ekzekutivit ka thënë se pala serbe ndonëse u pajtua, nuk pranoi të nënshkruante marrëveshje.

Kurti: Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

“Sot patëm një takim pozitiv konstruktiv në Bruksel dhe ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm. Unë qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë për diskutime të mëtejmë dhe është platformë solide për të ecur përpara dhe tash ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit për çfarë do të ketë edhe diplomaci fluturuese siç quhet e por do të ketë edhe takim të radhës të nivelit të lartë diku nga mesi i muajit mars, me ndërmjetësimin apo fasilitimin e zotit Borrell dhe zotit Lajçak. Me këtë rast unë i falënderoj ata të dy për punën që kanë bërë deri më tash dhe besoj që jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahëshe të normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fqinjësi të mirë evropiane”, ka deklaruar Kurti.

Sipas kryeministrit të Kosovës është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqë palët janë pajtuar.

Kurti: Isha i gatshëm të nënshkruaj, pala serbe refuzoi

“Unë nuk e kam nënshkruar sepse pala tjetër nuk ishte e gatshëm për ta nënshkruar, unë kam shprehur gatishmërinë dhe interesimin tim që ta nënshkruaj këtë tekst dhe fundja nuk do të ishte teksti i parë në të cilën nënshkruhet kryeministri i Kosovës dhe një kreu i Serbisë kur kemi parasysh që më datën 3 nëntor të vitit të kaluar në Berlin kemi nënshkruar tri marrëveshje ku ka qenë edhe kryeministrja e Serbisë Bërnabiq në mënyrë të barabartë me mua dhe katër kryeministra të tjerë të rajonit të Ballkanit perëndimor pra edhe unë mendoj që është dëm pse nuk është nënshkruar sonte meqenëse u pajtuam. Unë jam kryeministër dhe konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar natyrisht që do të duhej të rezultonte me nënshkrim mirëpo ishte pala serbe ajo e cila nuk e bëri këtë ndonëse u pajtua”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se propozimi i ka pesë fjali në preambulë dhe i ka dhjetë nëne, që sipas tij i njëjti do të publikohet dhe profesionistët do të mund ta lexojnë në mënyrë që të bëhet një diskutim sipas demokratik publik për të.

Kurti: Është marrëveshje e cila e vendosë barazinë e palëve

“Plani i zbatimit do të jetë natyrisht plan se si të përkthehet në terren në realitetet e dy shteteve dakordimi i arritur sipas propozimit evropian i iniciuar më herët siç e dimë nga Franca dhe Gjermania të cilat ju patën bashkëngjitur emisarit të Bashkimit Evropian qysh më datën 9 shtator kur fillimisht u patë bërë propozimi. Aty i keni të gjitha gjërat të cilat duhet të zbatohen...Unë besoj që është koha të mos jap unë interpretime dominuese pikërisht në momenti kur teksti mund të lexohet nga të gjithë mirëpo është marrëveshje e cila plotësisht e vendosë barazinë e palëve, është marrëveshje e simetrisë, fqinjësisë së mirë edhe e bashkëpunimit në të ardhmen gjithmonë në mënyrë demokratike dhe evropiane. Shiheni vet edhe besoj që nuk do të keni dilema”, ka thënë Kurti.

E një takim tjetër i nivelit të lartë pritet të zhvillohet në mesin e muajit mars.

Ndërsa shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, në deklaratën e dhënë [pas takimit ka deklaruar se Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar se nuk ka nevojë për diktime të mëtejmë rreth propozimit të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy vendeve.

Ai ka thënë se palët janë pajtuar të vazhdojnë me zbatimin e propozimit të Bashkimit Evropian që sipas tij ka titullin “Marrëveshje drejt normalizimit në mes të Kosovës dhe Serbisë”.

Borrell a shtuar se nevojiten bisedime të mëtejme sa i përket modaliteteve specifike të zbatim të pikave.

Takimi i nivelit të lartë u zhvillua në Bruksel me ndërmjetësimin edhe Miroslav Lajcak, ndërsa palët, përveç lehtësuesve evropian, kanë takuar ndaras edhe emisarin amerikan, Gabriel Escobar.

Kurti: Diku kah mesi i marsit takohemi sërish me lehtësimin e Borrellit e Lajçakut

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në një adresim për media pas takimit në Bruksel, tha se sonte nuk është nënshkruar asgjë me presidentin e serb, Aleksandar Vuçiq, ndonëse janë pajtuar.

Kurti tha se nga mesi i muajit mars do të ndodh takimi i ardhshëm me lehtësimin e Bashkimit Evropian.

“Sonte patëm një takim pozitiv dhe konstruktiv në Bruksel. Ky takim ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm i pandryshueshëm” u shpreh Kurti.

“Unë qysh më herët pata thënë që është bazë e mirë dhe platformë solide për të ecur përpara. Tash, ecja përpara do të jetë për planin e zbatimit, por do të ketë edhe takim të radhës të nivelit të lartë, diku kah mesi i muajit mars, sërish me lehtësimin e Borrell dhe Lajçak”, tha kryeministri Kurti.

Kurti deklarohet pas takimit

Nga: M.L.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se takimi i sontëm ishte konfirmim që propozimi evropian është i pranueshëm dhe i pandryshueshëm.

“Unë kam thënë se është bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara”, ka deklaruar kryeministri.

Ai ka njoftuar se takimi i radhës i nivelit të lartë do të mbahet kah mesi i muajit mars.

“Jemi në një rrugë të mbarë dhe njëkahshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për fqinjësi të mirë evropiane.

Kryeministri tha se propozimi evropian i ka 5 fjali në preambulë dhe 10 nene.

"Qytetarët ta lexojnë vet por edhe profesionistët, në mënyrë që të bëhet diskutim demokratik dhe publik për këtë gjë”, ka deklaruar ai.

Kryeministri tha se në nenin 10, pra fjalia e fundit e nenit të fundit ka të bëjë me asociacionin.

Plani franko-gjerman do të publikohet pas pak.

Ai tha se Vuçiq nuk ishte i gatshëm për nënshkrimin e marrëveshjes.

Borell: Kurti e Vuçiq janë pajtuar që nuk duhen më negociata për planin franko-gjerman

Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme Josep Borrell, ka njoftuar se ka përfunduar takimi ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq me marrëveshjen që të mos diskutohet më mbi propozimin evropian.

Borrell ka thënë se së shpejti, përmbajtja e propozimit do të publikohet për publikun.

“Të dy liderët kanë treguar sjellje të përgjegjshme.Jam i gëzuar të lajmëroj që Kurti dhe Vuçiq janë pajtuar që jo më shumë diskutime janë të nevojshme për propozimin evropian, i cili ka titullin normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Le të kuptohet se Kurti e Vuçiq e kanë pranuar përfundimisht planin franko-hjerman. Teksti i propozimit do të publikohet shumë shpejt”, ka deklaruar Borrell në një konferencë për media.

Borrell ka deklaruar se ky hap është një avancim, duke deklaruar se viti paraprak ka kaluar në menaxhim krizash.

“Fokusi i takimit ka qenë që të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve mes Kosovs dhe Serbisë. Ky është një zhvillim i madh sepse nga vera e kaluar jemi përfshirë në menaxhime krizash, me fokus vetëm në kriza, nga kriza në kriza, duke tentuar që t’i kontrollojmë krizat në terren. Ne tani po kërkojmë një zgjidhje të qëndrueshme. Ky propozim, i Bashkimit Evropian, është i miratuar nga Këshilli i Evropës dhe që nga atëherë ne jemi angazhuar në një shuttle-diplomaci intesive. Lajçak ka udhëtuar rregullisht, ka qenë 10 herë në Prishtië dhe 8 herë në Beograd”, ka thënë ai.

“Kjo marrëveshje është për qytetarët e Serbisë dhe Kosovës, jo për Bashkimin Evropian”, ka deklaruar Borrell.

Vuçiq: Kurti nuk ishte i gatshëm të flasë për Asociacionin, do të takohemi sërish

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka folur pas takimit me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.

Në një paraqitje para gazetarëve, ai tha se Kurti refuzoi të flasë për Asociacionin.

"Do të takohemi prapë me datën 18. Ka qenë një takim i vështirë.

Kurti ka refuzuar të flasë për Asociacionin.", tha ndër tjerash Vuçiq.

Takimi Kurti- Vuçiq, s’ka marrëveshje në Bruksel,

Ka përfunduar pa ndonjë marrëveshje takimi në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i ndërmjetësuar nga shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak,

Burime të medias bëjnë të ditur se takimi i radhës do të mbahet më 18 mars.

Pas pak në një konferencë për media për të folur për takimin, pritet të dalë shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.

Vuçiq lajmërohet nga Brukseli me një foto përballë Kurtit: Takim i vështirë, por s’ka dorëzim

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka dërguar një mesazh nga takimi trilateral që po mbahet në Bruksel.

Vucic ka thënë se ishte “takim i vështirë” dhe se “nuk do të ketë dorëzim”.  

“Një takim i vështirë. Ashtu sic është pritur. Nuk ka dorëzim“, ka shkruar ai në llogarinë e tij në Instagram.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë nisur në ora 17:00 takimin e radhës në Bruksel, me ndërmjetësimin e shefit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, dhe të dërguarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bashkimi Evropian tashmë ka publikuar edhe videon nga ky takim.

Gjatë videos së shkurtër 18-sekondëshe, është vërejtur se Kurti e Vuçiq nuk kanë krijuar kontakti shikimi me njëri-tjetrin. Ndonëse përballë njëri, ata kanë shikuar në pika jashtë kuadratit fizik të njëri-tjetrit.

Paraprakisht, dy udhëheqësit u takuan veç e veç me zyrtarët evropianë.

Ata, po ashtu, takuan të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Borrell tha se pret që palët të kenë “qasje konstruktive” ndaj propozimit të bllokut evropian për normalizimin e raporteve.

'Tejet i shqetësuar' - fotografia e Borrellit që po komentohet në rrjetet sociale

Ka filluar para pak çastesh takimi në Bruksel mes kryeministrit Kurti dhe Aleksandar Vuçiq.

Megjithatë, njëra prej tyre po komentohet në rrjetet sociale. Bëhet fjalë për atë ku shihet shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.

Ai ka vendosur të dyja duart anash kokës, sikur të jetë i shqetësuar, teksa po shikon njërën prej letrave që i ka përpara.

Ky takim ka marrë mbështetje të fuqishme nga ana e ShBA-ve me anë të nënsekretarit amerikan Derek Chollet, që kishte pasur thirrje telefonike me Kurtin e më pas edhe me Vuçiqin.

Në anën tjetër, duhet thënë se Kurti dhe Vuçiq kishin marrë edhe nga një letër të përbashkët nga ana e kancelarit gjerman Olaf Scholz, presidentit francez Emmanuel Macron dhe kryeministres italiane Giorgia Meloni.

Partitë opozitare në Kosovë ndërkohë po qëndrojnë edhe më tej shumë të heshtura në lidhje me zhvillimet e fundit në dialog.n

Pamje nga takimi për normalizim mes Kurtit dhe Vuçiq në Bruksel

Bashkimi Europian ka publikuar pamje nga takimi trepalësh mes kryeministrit Albin Kurti, presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesve të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak.

Borrell u deklarua fillimisht se nga ky takim, pret qasje konstruktive nga të dyja palët.

Ndryshe, në Bruksel po mbahet takimi i radhës në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq në kuadër të procesit të dialogut Kosovë-Serbi.

Shefi i BE-së, Josep Borrell, përmes një postimi në Twitter, ka deklaruar se në takimin mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq, në rendin e ditës është: propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve.

"Shpresoj për një qasje konstruktive nga të dy palët", ka shkruar Borrell. Ai ka shkruar se ju ka dëshiruar mirëseardhje presidentit Vuçiq dhe kryeministrit Kurti në Bruksel për takimin e nivelit të lartë të dialogut, Kosovë - Serbi.

Vuçiq flet pas takimit me Borrellin: Faleminderit të gjithëve

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, është deklaruar pas takimit me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

Vuçiq, i falënderoi qytetarët e Serbisë për përkrahjen e ofruar.

“Faleminderit të gjithëve që kanë besim në udhëheqjen e tyre shtetërore dhe që besojnë se do të bëjmë më të mirën për vendin tonë”, tha ai.

Në Bruksel ka nisur takimi trepalësh, në mes të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq, dhe shefit të BE-së për politikë të jashtme, Josep Borrell.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat